back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Arshi Pipa – Cikli me sonete “Kanali” ose Ferri tokësor – nga Dr. Yzedin Hima

Gazeta

Yzedin Hima
Yzedin Hima

Arshi Pipa – Cikli me sonete “Kanali” ose Ferri tokësor

nga Dr. Yzedin Hima

…Diktatura, si ateiste, nuk besonte te bota e amëshuar,
por të bën përshtypje se si bota e njëmëndtë
ka kopjuar deri në detajet e imta botën e trillimit.
“Ferri” i Dantes, një kryevepër artistike, është kopjuar nga diktatura,
e cila premtoi se do ndërtonte Parajsën dhe,
në fakt, ia arriti të ndërtonte vetëm Ferrin..
.
Profesor Arshi Pipa (1920-1997)
Profesor Arshi Pipa (1920-1997)
Në shënimet e tij Arshi Pipa shkruan: “Ndër kto tingëllime nuk ka veçse nji pikturë të zbehte të gjendjes…” Në fakt, pavarësisht këtyre fjalëve të autorit, cikli me sonete “Kanali” është vepra më e arrirë me këtë temë në të gjithë “Letërsinë e penguar”. Ky cikël me njëzetë e katër sonete krijon një mozaik artistik tronditës, që në shumë këndvështrime të kujton “Ferrin” e Dante Aligierit. Nëse vepra e gjeniut të madh italian është një rrëfim fiction, një pamje tmerri nga bota e trillimit, vepra e Arshi Pipës, “Kanali” është një pamje tmerri e marrë nga bota e njëmëndësisë dhe e ndërtuar artistikisht. Në rrjedhë të kësaj logjike, nëse udhëtimi i Gjeniut të Rilindjes europiane zhvillohet në botën e amëshuar, te “Kanali” udhëtimi realizohet në botën e njëmëndtë. Nëse te “Ferri” Dantja dhe Virgjili, të dy poetë, shkojnë në ferr si vizitorë, te cikli poetik “Kanali”, poeti Arshi Pipa nuk është vizitor, por një nga fatzinjtë, banorë të atij ferri mbitokësor. Nuk shkon me dëshirën e tij, por e detyrojnë të shkojë. Nëse të gjithë banorët e ferrit të Dantes janë aty për shkak të fajeve që kanë kryer kur ishin në këtë botë, të gjithë banorët e “Kanalit” janë aty pa bërë asnjë faj, thjesht se, ose nuk e duan diktaturën, ose janë parë nga kjo e fundit si kundërshtarë të mundshëm të saj. Të bën përshtypje se bota e njëmëndësisë ka kopjuar deri në detajet e imta botën e trillimit. “Ferri”, kjo kryevepër artistike është kopjuar nga diktaturat për t’u implementuar mbi tokë dhe ia ka arritur qëllimit.
Ferri tokësor i quajtur “Kampi i Vloçishtit”, i sjellë artistikisht nëpërmjet soneteve të titulluara “Kanali” ka përgjasime tragjike me pamjet që sjell kryevepra e Dante Aligierit. Diktatura, si ateiste, nuk besonte te bota e amëshuar, por çuditërisht u përpoq të ndërtonte mbi tokë sipas modeleve të librave të shenjtë apo edhe të veprave artistike. Në fakt ia arriti të ndërtonte ferrin, por dështoi në ndërtimin e purgatorit dhe të parajsës, ndonëse këtë të fundit e predikonte si fazën e fundit të ndërtimit të komunizmit. Në fakt faza e fundit e diktaturës qe ndërtimi i rrathëve, gropave dhe brezave të fundit të ferrit tokësor, gjithmonë sipas modeleve të krijimit hyjnor.
Roland Barthes thotë se “nuk ka ligjërim të virgjër”. Nuancat e “Ferrit” të Dantes i gjejmë te cikli me sonete “Kanali” edhe në rrafshin estetik dhe në atë kuptimor. Në sonetin e parë, në tercinën e dytë të këtij soneti lexojmë: Si lazaret rënkon e fshan baraka./ Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,/ veç atyne qi pret nji vorr i shkretë./ Ndërsa te “Ferri” i Dante Aligierit lexojmë një tercinë të Këngës III: “Aty të fshame, klithje, gjamë e vaje/ Nëpër ajr të pa yj përherë kumbonin/ sa unë qysh në fillim nisa të qaj./”
Në këtë pranvënie të dy tercinat janë njëmbëdhjetërrokshe, varg tipik i veprës danteske dhe në përgjithësi i ligjërimit poetik në letërsinë italiane. Krahas kësaj përqasjeve në tercinën e parë (“Kanali”) kemi foljet kryesore që tregojnë veprim: fshan, rënkon, ndërsa te tercina e “Ferrit” kemi këto emra foljorë të fshame, klithje që emërtojnë veprime të njëjta më ato të tercinës së parë. Te soneti i trembëdhjetë i ciklit poetik “Kanali” kemi këtë tercinë: “Vdesin tue pritun bukën, ndër gjiriza/ tue ba nevojën, vdesin posi miza,/ dhe si coftina i kallin ndër hendekë. Ndërsa te “Ferri” i Dante Aligierit kemi këtë tercinë: “Fytyrat ua bajshin gjak me rrjedhë,/ e gjaku ra përdhe me lot përbujë,/ thithej nga krymbat majmun me atë gjellë./
Ndijesia e neverisë shkaktohet njëlloj nga të dy tekstet. Pamja e mjerueshme, është gjithashtu e njëjtë. Edhe shtresimet e dhunës që ushtrohet në rastin e parë mbi të pafajshmit (“Kanali”) është pothuajse e njëjtë me dhunën e ushtruar mbi të fajshmit (“Ferri”). Te cikli me sonete “Kanali” kemi këtë tercinë: “…dy tre zuzarë ma t’ligj, shokët e t’parit/ shtymën i jepshin n’gjol që nga skrapati/ dhe t’qitmen kryet me hunj i rrijshin gati./ Ndërsa te “Ferri” kemi këtë tercinë: “Me mija i sjellen gropës pa pushim/ tue shigjetue çdo shpirt që rregull prish/ e del mbi gjak jo aq sa ka dënim./”
Cikli me sonete “Kanali” hapet me një pamje ferri: “Nga Korça bumbullon. Currila shiu/ rrjedhin prej mushamas mbi krena e shtroje./ Pështillen, struken gjindja ndër mbloje:/ nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu./”
Dhuna është përherë e pranishme, ndërron vetëm forma e saj: tortura e të ftohtit, (vargjet më sipër), tortura e dhunës direkte: “Shkopinj e shqelma. Britma. Fryn bilbili.”
Dhuna në formën e urisë së përherëshme: “Rreshtohet puntorija: ndahet çorba,/ dy-tri patate qi vozisin n’uj./ E shtrihen duart e dridhshme…// Po shumëkuj,/ pse normën nuk e kreu s’i njomet vorba./”
Dhuna nëpërnjet etjes: E kem provue ç’asht etja: “…kur na lejshin/ gjith ditën n’diell pa uj (e jo pse ‘gjejshin),/ ngjitej gjuha zam për qiellzë pa jarg./ E pijshim uj kanali. Aty ku bani/ shurrën ndonjeni e tjetri përgani,/ nji shok i rreshkun piu dy hapa larg./”
.
Kanali i Kënetës së Maliqit ku vdiqën me dhjetra intelektualë
Kanali i Kënetës së Maliqit ku vdiqën me dhjetra intelektualë
Poshtërimi: “Ky ngjyen bukën me krypë, ai një këpujë/ qepe qëron. E shkunden xhepa e torba./ Për nji fundërri kazani mu si korba/ t’etshëm mbi kërma sullen me rrëmujë… // Nji profesor me syza vetullçi/ bythça duhani mbledhë e i ban fitil./ Tjetërsimi i të burgosurve në qënie biologjike: “A mund të quhen njerëz? Që shikoj./ Fëtyra dheu ku sytë e shojtun ngrohen/ kur shofin bukën; faqe qi gropohen/ e nofulla qi dalin si patkoj./ …Njerëz kanë qënë. Sot janë zhele mishi,/ automa kockash, nji bërsi, nji pleh,/ ku veç prej emnave dallon e njeh./ Dhuna nëpërmjet punës së detyruar: Por eja shifi ndaj kanalit:/ njimijetreqind vetë, nji mizëri./ Lopata e bela tunden me furi/ e qerrkat mbarin plisat e moçalit./ Tri metra e gjysëm kub për çdo njeri./ Qofsh babagjysh qi ke djalin e djalit,/ a qofsh i smundë sa dalun prej spitalit,/ bani ja vdis: ankimi s’ban dobi./
Tallje, poshtërim e sadizëm, njëkohësisht: “Kur rojevet u tekej me u zbavitun/ merrshin ndokënd nga puna zakonisht/ fetarë a njerëz shkolle, dhe me bisht/ lopate u hyjshin sa t’ishin mërzitun./ Mandej nji doç i hypshin mbi kërbisht/ qi e ngitte posi kalin tu’e shetitun/ përgjatë kanalit, “hyja”, tue i britun…”//
Tjetërsimi, zhburrërimi, kthimi në spiunë: “E kemi pa se si njeriu nga dhuna/ qi mbyt burrin ma poshtë se shtaza ra,/ se si nga friga meshkujt bahen gra,/ e bahen shkardha e bahen derr spijuna./ Njerëz qi dijshin koça kemi pa/ kameleonta tu u ba, majmuna.”/
Qëndresa burrërore, martirët: “Por edhe tjetër pamë: si burra e çuna/ vdesin torturash, pa kallxue, pa u qa./ E nxumë se qysh e ku provohet trimi,/ si regjet karakteri nga mundimi,/ dalluem se kush asht shok e kush kodosh./ E njoftëm t’urtin, burrin e martyrin,/ e njoftëm turmën, njoftëm panairin/ e shpirtënve qi jepen për dy grosh.”//
Miqësia, respekti midis të burgosurve: “Miqësisë ktu i endi lavd qi posi çam/ qëndron i gjelbër pa ju – veshkun fleta,/ atë qi koha ma ndër endje t’veta / forcon e rritë kur t’jetë ngulitë për shkam.”//
Shpesh uni poetik merr rolin e atij që rrëfen pamjet e ferrit, duke mbajtur një farë distance me të dhe me personazhet e tij, krejt si distance që mban Dante me fatzinjtë te “Ferri” i tij: “Eshtnat pa vorr u kalbën sot te djerri./ E ashtu sa të tjerë u varën vetë me lak./ Çka s’panë kta sy. Dy plagë plot qelb e gjak/ le t’ishin, t’ishin pus ku drita shterri”/
Ndërsa në pamjet e tjera uni poetik shfaqet si pjesë e atyre mbi të cilët bie tërë terrori i diktaturës dhe përjeton bashkë me ta të gjitha mundimet dhe dhunën e saj: “E ç’nuk na bajshin! Na rrihnin me tel,/ lakuriq, e mandej n’ujna handraku/ na zhytshin, trupin plagë n’currila gjaku.”/
.
9 dhjetor 2017
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.