back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Poet sa veç shpirti i Tij e dinte, patriot si Ai e kërkush tjetër… – nga Ernest Marku

Gazeta

Ernest Marku - Libri i Fishtes
Ernest Marku – Libri i Fishtes

Poet sa veç shpirti i Tij e dinte, patriot si Ai e kërkush tjetër

nga Ernest Marku

Poet sa veç shpirti i Tij e dinte, patriot si Ai e kërkush tjetër, por edhe prift i devotshëm; duke lëvizur gjithnjë në zonat gri në mes të këtyre të trijave, duke rrezikuar të qenit frat, patriot apo shpirt i lirë, por kurrë pa e humbur orientimin dhe sensin e masës; rebel 360 gradësh, dashnor i së bukurës dhe i së mirës, gjithnjë në luftë me padrejtësitë. Ai nuk qe kurrë satelit i askujt, por vetëm një planet i pafundmë, që rrotullohet rreth një dielli: “Për Fe Atdhe e Shpirt Poetik”.
Kur shqiptarët kërkuan një poemë kombëtare ku të frymëzoheshin me ndjenjën e atdhedashurisë, ai u dha “Lahutën e Malcis”; ndërsa, kur pa rrezikun e rritjes së krenarisë boshe ndër shqiptarë, ai i fshikulloi pa mëshirë me kamxhikun e sarkazmës së tij, si te “Anzat e Parnasit”, si te “Gomari i Babatasit”, ashtu edhe te plot vepra të tjera.
Kur pa rrezikun e humbjes së identitetit të shqiptarëve, duke e kuptuar mjaft mirë, se ndryshe nga fqinjët e tyre, shqiptarët e kanë ruajtuar dhe do ta ndërtojnë kombin e tyre, vetëm duke u mbështetur tek gjuha shqipe; ai luftoi si luan për futjen e kësaj gjuhe në shkollat françeskane të administruara nga fretërit e huaj, si dhe për t’i bindur prindërit e fëmijëve për domosdoshmërinë e mësimit të kësaj gjuhe.
Kur ndjeu urinë e të rinjve shqiptarë për teatër, u ul të shkruante apo të përshtaste mbi njëzet drama; ndërtoi vetë skenën, bëri piktorin, skenografin, kostumografin e deri edhe regjisorin skenik. Bëri arkitektin e pjesës më të madhe të kishave katolike shqiptare, të kuvendeve françeskane apo atë motrave stigmatine, deri te bibliotekat, teatrot e sallat e konferencave.
Kur kuptoi se shqiptarët ngandonjëherë i duan gjërat troç, përveshi mëngët dhe iu fut publiçistikës, duke na lënë sot një arkiv të pasur me mbi njëqind artikuj kritikë, njëri më interesant se tjetri, në të cilët trajton problematika të ndërtimit dhe përparimit të shtetit shqiptar, të emancipimit të shoqërisë shqiptare, të zhvillimit të arsimit e kulturës e deri tek problemet sociale dhe kronikën e zhvillimeve politike të ditës, të cilat, në shumicën dërrmuese të tyre, fatkeqësisht, nuk e humbin aktualitetin, as si mesazh apo mendim kritik, as si problematikë social-politike, të cilën shoqëria shqiptare, edhe pse kanë kaluar gati njëqind vjet, nuk po arrin ta kapërcejë dot.
Kur ndjeu se po i vinte fundi dhe nuk kishte më kohë t’i përfundonte të gjitha projektet e tij, i dhuroi shoqërisë shqiptare një Akademik, anëtar të Akademisë Mbretërore Italiane, edhe pse e dinte se do të sulmohej si profashist; duke e shfrytëzuar katedrën akademike për të promovuar lashtësinë shqiptarëve, ndjenjën dhe parimet e së drejtës mbi të cilat ata kanë konceptuar jetesën e tyre, si dhe frymën pro-europiane të shqiptarëve.
Deri në muajt e fundit të jetës punoi me “Jerinën, Mbretneshen e Lulevet”, që t’u linte shqiptarëve një poemë dramatike të nivelit të lartë estetik, të rangut botëror.
.
Marrë nga muri i Fb i Ernest Markut, 23 tetor 2021

 

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.