Art mirëfilli poetik në “Vetëm disa pyetje të mërguara”
nga Fatime Kulli
Mbi librin e fundit poetik të Griselda Dokas
Duke lexuar e rilexuar “Vetëm disa pyetje të mërguara” të Griselda Dokës, m’u kujtua një takim shumë interesant (pas viteve ’90) me një gazetare italiane e RAI-UNO-s, kur promovoi librin e saj në Shkodër në Qendrën e grave për zhvillim”, ku për më shumë se 1 orë ndoqëm në monitor jetën e grave të jugut të Italisë, para dhe pas viteve 1939.
Në atë kohë, gratë italiane, me një veshje karakteristike të zonës, punonin duke mbledhur agrume, i mblidhnin nga pemët dhe mbushnin bohçet (siç i quajmë ne shqiptarët), pastaj mbushnin kanistrat prej kashte. Shumë prej tyre ishin shumë të reja në moshë. Jeta e tyre ka shumë ngjashmëri sot me gratë në zonat rurale…
Do të pyesni ju, ç’lidhje kanë gratë italiane me “Vetëm disa pyetje të mërguara” të Grielda Dokës”. Unë mendoj se kanë shumë lidhje, pasi libri me reportazhe dokumentar i gazetares italiane, pasqyronte jetën e grave sipas traditës së tyre, (të cilat, bashkëshortët, bijtë, i kishin në luftë e disa në emigracion). Kështu edhe autorja Doka, nëpërmjet “Vetëm disa pyetje të mërguara” sjell copëza jete të traditës shqiptare, që nga lindja, mendësitë e “plakave të fshatit” e deri tek martesa me doket e zakonet e këtij rituali, që vazhdojnë edhe në ditët e sotme.
Autorja me “disa pyetje të mërguara” (poezia II), skalit portretin e nënës, në gjendje të akullt, të thatë… e rrëfen sikur lexon një përrallë… Ajo, vë përballë DY kohë, të djeshmen që fillon nga plaku i shtëpisë, gjyshja, nëna, dhe kujton “kur si re pranverore/ rridhja brenda teje” pra, kur brenda qenies së nënës po rritej një foshnje që do t’ia besonin fatin e tyre, “Partisë mëmë”, ose më saktë, në at’ kohë kur lindtte një fëmijë, ishte “një pushkë më shumë, për të mbrojtur atdheun”, ideologjia e kohës, ku Griselda (edhe pse s’e ka jetuar atë kohë), me shqisën e kohës së sotmes si emigrante, me nuhatjen poetike, shprehet, “Kundërmonte erë vdekje” dhe mes “kujtesës brejtëse/ për të harruar për një çast/ se cilët kemi qenë/ në atë cep bote/ ku i ngrirë mbeti fluturimi i shqiponjës…”
Dhe sot, shqiptarët morën rrugën e emigrimit.
Griselda është e pajisur me shumë kulturë dhe kërkon të njëjtën gjë nga qasjet e jetës. Ajo kërkon ta shkund për brinjësh realitetin e hidhur dhe i drejtohet absurdit dy kohësh: “Nuk e dimë nëse sikleti/ na vjen/ nga çka na u dha/ ose nga çka na u hoq”?! “grua që lind dhimbjen/ mos mallko/ fajet janë gjithmonë jetime/ dhe ushqehen me motra hermafrodite/ dikush përgjon/ një tjetër kërcënon/ në gjuhën njerkë/ Parajsa nuk na nxë”(poezia V).
Nuk është e lehtë ta deshifrosh poezinë e Griseldës. Ajo fuqizohet me aktin e gjendjes fizike (të sotme) dhe në kujtesën lëvizëse të kohës (të djeshme), dhe, me mendimin e menduar mirë, Ajo i përdor me maturi e kujdes, për të na rrëfyer se kjo poezi, prek jetën e sotme duke e harmonizuar me të djeshmen, si një akt urë-lidhjeje në logjikën poetike.
Duke u endur me “disa pyetje të mërguara”, duke i lexuar e rilexuar poezitë e Griseldës, unë vërej gjendjen e patosit social-tradicional dhe shpirtëror në kalimin e aktit poetik. Përdorimi i shprehjes poetike të autores në këtë libër me poezi, ndryshon nga strukturat e zakonshme, i pa zakontë, shpesh të duket i zymtë, sikur nuk sheh dritë në fund të tunelit, ku struktura e gjuhës poetike është e prekshme, e ndjeshme, të drithëron… ndjen gjendje poetike si rrëfenja legjendash…
Unë, gruaja, nëna, motra e emigrantëve kur lexoj “Disa pyetje të mërguara”, ndjej se jam strukur aty, në vargjet dokiane… vargje që lëshojnë nën zë, ulërimë… britmë… nga shpirti i një poeteje të re, e mirëshkolluar, e mirëdijetuar në Itali, që sot mban emrin, Emigrante.
Arti poetik i Griseldës nëpërmjet “disa pyetje të mërguara” përmban vargje me prerje tronditëse. Të ngjan sikur njeriu është një qenie në një sistem multi-jetësh, dhe jo se jeta është një e vetme, siç është jeta e çdo njeriu.
Ndaj, ky libër meriton të lexohet dhe të reflektohet ndaj këtyre pyetjeve pa përgjigje që pasqyrojnë plagën e emigracionit, shpërfytyrimin e njeriut intelektual, pamjet trishtuese ku autorja i ka sjellë me një gjuhë e standard të veçantë, ku ka jetë, dhimbje, dashuri të munguara që luhaten nëpërmjet mjegullës dhe dritëzës së shpresës… Ku gjilpëra e shpirtit të poetes shpon me intelektin e fjalës çdo fenomen anti-human, anti-njerëzor.
Më kujtohet një shprehje e një poeti spanjoll, Visente Aleihandro: “Nëpërmjet qenies së vet poeti bën thirrje për një komunikim dhe në pikën e shfrimit të tij, vendos një bashkësi njerëzore”.
Kjo sentencë e tij siç duket, është parimi esencial i poetikës së Griseldës, pasi komunikimi që bëj unë si lexuese me poezinë e saj, më bën të ndjehem qeliza e gjendjes së emocionit poetik, e dhimbjes, si personazh që përcjell mesazhin filozofik të poezisë për jetën.
Kështu është edhe libri rrëfimor me vargje dokiane, në këtë botë të mbushur me trazime, dhimbje dhe zhgënjime. XXXII (32) poezitë e Griseldës ecin në një autostradë me gropa, ku makina e shpirtit të poetes ndalon e sërish vazhdon të ecë… për të gjetur pakëz dritë në një Pikëndalim-ndryshimi dhe “si shpërblim (shprehet shpirti poetik i Saj) u bëra një zanë/ me qumësht të magjepsur/ përpirëse plagësh dhe të vërtetash/ mbulohem vetëm me trazimin/ e erës mbi kodra/ që përqafon gjithçka/ por pak zbulon”.
8 Nëntor, 2015