back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Arti i të lexuarit – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Artan Kafexhiu - ne sfond "Pieta" e Mikelanxhelos
Artan Kafexhiu – ne sfond “Pieta” e Mikelanxhelos

Arti i të lexuarit

nga Artan Kafexhiu

Epoka e internetit, i ka dhënë lexuesit të çfarëdo niveli, inteligjencë, kulturë profesioni, të postojë komentin-kritikë të vetin e ta bëjë të njohur për të gjithë ata që ia lexojnë. Po si i bëhet në rastin e leximit të letërsisë artistike, siç e quajmë ne shqiptarët, ose siç njihet në botë anglishtfolëse, si “fiction”, ose imagjinative, pa harruar edhe poezinë në përgjithësi?
Në ndryshim nga çfarëdo lloji leximi, leximi i letërsisë së fiksionit, apo poezisë, parasegjithash është për të na sjellë kënaqësi, se sa të na mësoje diçka rreth botës faktuale, asaj që quhet realitet. Pikërisht këtu qëndron edhe “kleçka”.
Ndërkohë, që është me e pritëshme të na japë kënaqësi, se të na mësoje diçka, ngjan që të jetë tepër e vështirë të gjesh arsyet përse dikush kënaqet, e dikush tjetër jo dhe aq, ose ndoshta edhe aspak, pikërisht duke lexuar të njëjtën gjë, një libër në prozë apo poezi. Kjo ka të bëjë me një mekanizëm, ose më saktë një sistem të tërë, që është ndërtuar me kohë brenda secilit prej nesh, e që mund ta quajmë pa bërë ndonjë gabim: mekanizmi/ sistemi i vlerësimit dhe shijimit (a)estetik.
Gjithçka është intrinsike, fshehur në thellësinë tonë psikomotorike, diçka tepër intime, që gjeneron emocionet dhe mendimet tona; se si çdo njeri nga ne, e percepton botën nëpërmjet shqisave dhe imagjinatës. Ka një ndryshim esencial midis të lexuarit të prozës dhe poezisë. Kur lexojmë prozë, ne mund ta shijojmë atë vetëm kur kemi hyrë brenda saj, bëhemi pjesë e saj, e përjetojmë realitetin e karaktereve, sikur të ishim ne ata, të futur nën lëkurën e tyre. Pra proza, na mban të lidhur në realitetin që ka krijuar autori, e ne gjatë leximit në mendje, veç me pak imagjinatë, bëhemi si pjesë aktive e atij realiteti. Poezia ndërkohë, na bën shumë më imagjinative, na jep më shumë shkallë lirije, e vetëm besnikë të asaj imagjinate që është e mundur dhe individuale për secilin prej nesh, e që duke e lexuar, mund të na transportojë në vende e situata të ndryshme unike për secilin, madje krejt të ndryshme me ato që mund të ketë imagjinuar vet autori i poezisë.

Tamara de Lempicka, 1933
Tamara de Lempicka, 1933

Megjithatë, për të dyja rastet këshilla është të mos bëhesh kritik i asaj që lexon, pa e vlerësuar, kapur, ndjerë, atë çka autori është përpjekur të na përcjellë neve si lexues, dhe eksperiencën që ai ka synuar të përjetojmë nëpërmjet leximit të veprës. Lexuesi, nuk duhet të vejë në pikëpyetje botën fiksionale, apo lirizmin poetik, që autori ka sjellë për ne, e që ne si lexues, e rikrijojmë brenda vetes. Aq më tepër, që autorët mund të mos jenë bashkëkohës të lexuesit, madje të kenë jetuar qindra-mijra vjet më parë, në një ekzistencë kulturash, zakonesh e traditash aspak familjare për ne.
Henri James shkruan në “Arti i të treguarit!:” – “Ne duhet ta konsiderojmë si të dhënë temën, idenë, ambjentin e artistit (shkrimtarit); kritika mund të jetë vetëm se çfarë ka krijuar ai me to.”
Siç kuptohet, pra nuk është ideja të biem, apo të mos biem dakord me mënyrën e shtjellimit të subjektit. Por, a na pwlqen apo jo estetikisht, a mund të shijojmë bukurinë e artit në mënyrën e të shkruarit? Kjo nënkupton se e bukura në një narrative, nuk ka të bejë thjesht me zbulimin e të vërtetës, çfarëdo qoftë ajo, por me kënaqësinë që ajo na zgjon brenda vetes. Kënaqësia ka të bëjë me emocionet estetike dhe imagjinatën që vepra të provokon, të krijon dhe kjo duhet të jetë gjithçka që pritet prej leximit. Kaq.
Pëlqimi ose mos pëlqimi i një vepre artistike, ka të bëjë me preferencat artistike dhe paragjykimet tona. E të dyja këto kultivohen në terrenin letrar e informativ ku ne rritemi. Në rastin, kur nuk na pëlqen një vepër artistike, kjo jo domosdoshmërisht e bën një libër të keq, një autor pa vlerë e pa talent. Sa më shumë i largohesh të pohuarit të thjeshtë, se çfarë të pëlqen, ose s’të pëlqen rreth një vepre letrare, por mbetesh krejt i hapur ndaj përpjekjeve për të gjetur se çfarë është e keqe, apo e mirë rreth një libri dhe autori, aq më shumë zbulon virtytet artistike të një vepre arti.
© AK

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.