back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Arti s’pranon kompromis me mediokritetin Kujtim Çashku (1990)

Gazeta

Kujtim Çashku (1950)
Kujtim Çashku (1950)

Në përcjellje të shkrimit të Kujtim Çashkut…

Mbas emrave të Bardhyl Londos, Ylli Popës, Sali Berishës dhe Ismail Kadaresë ishte kineasti Kujtim Çashku, i cili u paraqit me shkrimin “Arti nuk pranon kompromis me mediokritetin” në gazetën famëmadhe të Partisë së Punës: “Zërin e Popullit”, në të njejtën ditë me shkrimin “Si e shkrova Eskilin” e Ismail Kadaresë te gazeta “Drita”… Prej kujtesës së asaj kohe mund të them se ishin dy shkrime mjaft të spikatura, dy shkrime që nga pikpamja teknike ishin “modele” të kundërshtimit të regjimit, modele në të cilin harrohej si “padashje” figura e “udhëheqsit të madh” dhe nxirrej në pah figura e “udhëheqsit të vogël”: Njeriut të Pleniumeve të 9 e të 10, i cili kishin dhënë direktiva tejet të qarta, për “ndryshimin e kursit” dhe “moslëshimin e pushtetit”.
Shpesh është folur edhe nën zë për këta “guximtarë të porositur”, sepse ajo çka unë mund të nënvizoj është fakti se ata s’mbrritën kurrë më të shkruajnë shkrime të këtij niveli, në të mëpasmen e karrierës së tyre…
Ky shkrim është dy javë para shpërthimit të Ambasadave… dhe ajo çka bie në sy mbas kësaj ngjarje, se shkrime të kësaj natyre dhe të këtij temperimi nuk pati më… sepse për disa muaj sundoi nji heshtje varri, veçse duhet shtuar se në gusht të po këtij viti, janë takimet e “famshme të Udhëheqsit me Intelektualët” të cilat shtypi është përpjekur t’i zbardhë në mënyrë disi fragmetare…
Sot, mbas më shumë se 23 vitesh, leximi i këtij shkrimi, pjesë e asaj serie shkrimesh, të cilat u paraprinë protestave studentore të Dhjetorit, mbetet nji mënyrë reflektive për ta lexuar pak ma ndryshe, at kohë prej së cilës kemi ikur, dhe për të parë nën nji dritë pak ma të qartë at entuziazëm rinor dhe popullor që u manipulua mjeshtërisht prej ustallarëve të politikës…
Jozef Radi, tetor 2013     

Qyteti Studenti - Dhjetor 1990
Qyteti Studenti – Dhjetor 1990

Arti nuk pranon kompromis me mediokritetin Kujtim Çashku

Koha dhe Intelektuali – Zëri i Popullit 17 qershor 1990

Është folur dhe është pranuar tashmë në diskutime krijuese, se krahas opinionit kostruktiv në gjykimin e artit dhe në procesin e tij krijues, në një formë apo tjetër ekziston dhe mendësia frenuese e vetfrenuese artistike.
Frenimi në krijimtari ka dy pamje, njëra është ajo që krijohet nga “kori i krijuesve mediokër” dhe tjetra, ajo e “korit të burokracisë artistike”. Për nga sasia kori i krijuesve mediokër ndaj krijuesve të vërtetë është me i madh, ndërsa nga cilësia pesha e të dytëve është më e madhe se e të parëve (mediokërve). Mendoj se meriton një vëmendje analitike kuptimi i drejtë i raportit të pakicës ndaj shumicës këtë rast.
Mediokrit, duke qenë të inferiorizuar ndaj peshës së krijuesve cilësore, u krijojnë atyre me veprat që bëjnë dhe qëndrimet e tyre një tablo censure artistike. Ata përpiqen të kompensojnë mediokritetin me arrogancë ideologjizuese, agresivitet inskenues apo konformizëm stereotip.
Shpesh censura në botë identifikohet vetëm me mendësinë se deri në ç’shkallë i lejohet shkrimtarit apo artistit t’i kundërvihet sistemit. Ky është një dimensionalitet i censurës. Censura ka ekzistuar dhe ekziston dhe sot në gjithë botën. Koncepti i saj është modifikuar e kodifikuar në kohë dhe hapësirë. Sa më i madh ka qënë ideologjizimi i artit aq më i madh ka qenë ndikimi i saj. Pra, censura politizante është censurë njëdimensionale mbasi ajo le në harresë funksionin shoqëror të artistit, i cili nuk vepron në art me ligje utilitariste, por me ligjet themelore të zhvillimit shoqëror e estetik. Një mendësi e tillë nuk e përjashton censurën. Është e kuptueshme se asnjë popull nuk do t’i qëndronte indiferent censurimit të atyre veprave artistike (qoftë edhe politizante) që fyejnë dinjitetin e popujve të tjerë apo dinjitetin e vetvetes, origjinalitetin e kombeve të tjerë dhe origjinalitetin e vetvetes, të drejtat e individëve në çdo shoqëri apo në shoqërinë e vet. Tashmë të gjithë e dimë nga historia se i lirë është ai popull që nuk sundon mbi popujt e tjerë, i lirë është ai komb që nuk dhunon kombet e tjerë dhe i lirë është ai individ që mbron të drejtat dhe liritë e individëve të tjerë.
Nisur nga këto pikëpamje, figura e krijuesit të kohës sonë, të ndjeshëm ndaj demokracisë, është komplekse koncepti i censurës po kështu është kompleks… Objekti i  këtij shkrimi është censura e mediokritetit “krijues” dhe “administrativ”, i cili u rrëmben jo pak energji artit dhe artistëve të vërtetë.
Një vështrim sado i shkurtër i historisë së artit na mëson se dhe në diktaturat më të errëta të njerëzimit, shkrimtarët dhe artistët e vërtetë e fituan lirinë e tyre me fuqinë e artit të tyre.
Një pjesë e madhe e tyre u detyruan të shkruanin, të pikturonin e të ndërtonin brenda oborreve klerike, perandorake e tiranike që nga kohët antike e deri në ditët tona. Me këtë s’duhet thënë se pak u martirizuan. Testamentet e flijimit të tyre ishin pësime të rënda historike që shërbenin si mësime të mëdha të se ardhmes. Këta martirë njëzëshëm dëshmonin se nuk ishin ata që kishin frikë nga tirania, por ishin tiranët që kishin frikë prej tyre. Dihet fort mirë se ishin Homerët, Dantet e Shekspirët, Balzakët, Tolstojët e Markezët, të cilëve do t’u besohej e vërteta dhe jo atyre sundimtarëve, mbretërve e tiranëve. Askush prej tyre s’e mendoi se me zhdukjen misterioze të Budit nuk do t’i zhdukej emri dhe vepra e tij…
Të vijmë tek rilindësit, të cilët edhe pse krijuan jashtë atdheut, askush nuk e mendoi se ata do të na linin neve trashëgim atë thesar letërsie e kulture që quhet sot Rilindja jonë Kombëtare. I censuruar ishte Samiu kur shkruante brenda oborreve perandorake librin “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” dhe në të thosh: “Liria është ushqim i shpirtit dhe i mendjes… Aty ku s’ka liri mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë… Tirania më e poshtër është ajo që e shtyp mendimin… Njeriu mund të humbë çdo liri të tij, por nëse ai e ruan lirinë e mendimit ai prapëseprapë është i lirë!”
Censura ka ndryshuar shpesh pamjet. Diku ajo edhe është institucionalizuar (kujtojmë rendjen e Gogolit për të botuar “Frymë të vdekura” nga një institucion censure te një tjetër! Diku tjetër ajo është shfaqur në formë ligjesh të pashkruara. Mediokriteti i fut në shtratin e vet qoftë “krijuesit”, qoftë “administratorët” mediokër. Të parët bëhen ilustrativistë, të dytët lajkatarë me “shtetin” dhe prepotent me krijuesit. Që të dy veprojnë në një emërues të përbashkët, në prishjen e klimës artistike dhe shtrembërimin e funksionit të artit dhe të shtetit.
Mediokrit në pushtet dinë t’i lajkatojnë shkrimtarët dhe artistët, t’i nxitin ata që të bëjnë artin e të “qenurit brenda” dhe, kur krijuesit nuk u binden, ata i ndëshkojnë dhe si ndëshkim parapëlqejnë atë psiqik, domethënë lodhjen e intelektualit, indiferencën, sorollatjen, atrofizimin e sterilizimin e përshkallëzuar të tij. Kur themi intelektualë, kemi parasysh gjithë forcat mendore e shpirtërore ku bëjnë pjesë dhe shkrimtarët e artistët, tek të cilët duhet të bëjmë mirë dallimin mes aksidentalëve, ata që s’kanë asnjë pikë takimi me materien artistike dhe esencialëve, krijuesve të vlerave estetike. Frenimi ka ekzistuar dhe ekziston. Ndërkohë që ai aksidentalin e asfikson esencialin ai mund ta lodhë ta topitë, por është  e pamundur ta asgjësojë. Intelektuali i vërtetë vihet përballë provash të mëdha në jetë.
Përballë tij ka një alternativë të madhe. Ai ose do të firmosë dokumentin shpirtëror të popullit të vet, pra të ndjejë në deje gjakun e popullit të tij, i cili e zgjodhi si shkruajtës të historisë; ose ta lerë atë në harresë e shurdhësi të plotë, duke lajkatuar një mendësi të mediokritetit burokratik apo dukurie të rreme. Tërheqja e vëmendjes që bëri shoku Ramiz, për autenticitetin e filmave dokumentarë, është barasvlerë për të gjitha artet tona. Artistin me ndjeshmëri e përgjegjësi shoqërore, e vërteta e frymëzon kurse fshehja e saj u intereson mediokërve. Atyre u pëlqen loja e strucit që fsheh kokën dhe le trupin jashtë. Mediokriteti ka prirje të përvetësojë çdo lloj totalitarizmi të ekstremizmit majtist, e t’ia atribuojë atë artit tonë kombëtar. Për to nuk kanë rëndësi tragjeditë kulturore të një sërë vendesh, të cilat me pretekstin e barazitizmit krijuan parazitizmin dhe në emër të anonimizmit antihumanizmin.
Krijuesit mediokër i thurin himn “mitit të barazisë” dhe i shpallin luftë “unit personal” të artistit. Motivi kryesor i tyre çmobilizues është “të gjithë njëlloj marrim”, “të gjithë njëlloj jemi”. Me këto taktika ata nuk dëmtojnë vetëm artistët cilësorë dhe individualitetet krijuese, por ata furnizojnë me veprat e konceptet mediokre armiqtë e artit dhe kulturës sonë kombëtare.
Pikërisht përballë këtij presioni keqdashës ngrihet madhështore tradita jonë e vjetër dhe e re, që shërben e do të shërbejë si shembull i shkëlqyer dhe në të ardhmen për letrat artin dhe kulturën tonë kombëtare.
Rilindësit tanë dhe pse artin e tyre (siç përmendëm dhe me lart) ishin të detyruar ta zhvillonin nën hijen e ombrellave despotike e obskurantiste, na lanë neve si trashëgim ato thesare e perla që krijuan përmendoren e fuqishme të ndërgjegjes historike si pjesë e vetëdijes kombëtare. Po kështu s’duhet harruar se një mision të tillë dhe një barrë në disa raste edhe me të rëndë iu desh të mbanin mbi supe shkrimtarët e artistët e kohës sonë. Ata ishin pararendësit që lidhën me njëra-tjetrën nyjet e kulturës sonë kombëtare, pra ata që siguruan vazhdimësinë e saj, pa të cilën mund të asfiksohej edhe ajo vetë përfshi këtu edhe personalitetet e shquara të Kosovës. Njëkohësisht ata duhet të dëshmonin (siç dëshmuan) dhe kohën që jetonin me fizionominë e tyre të re. Një nga këta emra të shquar sikur t’i heqim kulturës. sonë të re, do të ndiejmë e do të shohim ç’dëme të pallogaritshme mund t’i sjellim asaj.
Kur themi për fizionomi, kam parasysh forcën kreative të këtyre shkrimtarëve e artistëve, të cilët nuk pësuan asgjë, qoftë tablotë e artistit të madh, Abdurrahim Buza, apo tërësia e veprës së Kadaresë, Agollit e Poradecit dhe atëherë kur krahas vlerave të vërteta artistike, servirej edhe mendësi proletkultiste apo kulti i heroit Lej Fen, tipi i supermenit të pavdekshëm oksidental apo “oborri i vjeljes së taksave”, etj. etj.
Këto dukuri lëkundin aksidentalin dhe fuqizojnë mediokritetin, por kurrsesi artistin e vërtetë, i cili di mirë të bëjë dallimin mes servirjeve konjukturale të pseudovlerave dhe vlerave  të vërteta kombëtare e botëror. Prirja e mediokërve për ideocentrizëm skematik është mjet presioni për kufizim e monomani të mendimit të lirë krijues.
Të parit e çdo kritike të një dukurie shoqërore si nxirje te të të gjithë (vijon nga faqja 3 e z.p.) realitetit, çdo stigmatizim të një personazhi të pushtetit si stigmatizim të vetë pushtetit, është dukuri e kësaj mendësie ideocentriste. Po ç’ndodh nga kjo mendësi?
Një politizim i tillë i jashtëm dhe artificial krijon dalëngadalë refleksin e kultit të njeriut të pushtetit në art, duke e shkëputur atë nga masat. Ky raport jo i drejtë mes personit shoqëror dhe personit të veshur me pushtet dhe vetë pushtetit nuk është pa ndikim edhe në jetë. Ai jo rrallë u ka dhënë dhe iu jep dorë të paaftëve. Duke e parë mekanizmin e pushtetit si pjesë autoritare dhe jo aftësinë si pjesë e saj ata rendin të gjejnë të gjitha rrugët e lehta që ta fitojnë  këtë  “autoritet”, të humbur. Kështu në art ata nuk shfaqen më si pjesëtarë të “korit të krijuesve mediokër”, por tashmë si pjesëtarë të “korit të burokracisë artistike”. Këta, mediokër vishen me “pushtet”, i japin vetes atributet e “ruajtësve” të vijës ndaj të “gabueshmëve”, që janë krijuesit. Ky paragjykim i rrezikshëm i çon ata në mendësinë e dhënies përparësi të dyshimit mbi artistin dhe jo frymëzimit të tij. Duke mos e parë krijuesin si të barabartë me veten e si bashkëkohës, por si  një emër në sirtarin e tyre, këta njerëz delirante me fetishin e pushtetit në kokë në mjaft raste janë përpjekur dhe përpiqen të shndërrojnë mekanizmat e pushtetit tonë socialist në mekanizma të feudit të tyre. Këta grandomanë ngatërrojnë respektin e madh që ka shtetasi për pushtetin e vet me përkushtimin e shtetasve ndaj tyre. Një grotesk i dhimbshëm e fatkeq për ta. Janë pikërisht këta përfaqësues mediokrish, të cilët diskutimin kolegjial të veprave të artit e shohin te numri sa më i madh i diskutimeve dhe jo tek ajo që thuhet. Për ta rëndësi të madhe ka numri sa me i madh i komisioneve, i rangjeve dhe i instancave aprovuese.
“Në rrugë të gabuar të çojnë paragjykimet, ndrydhja e iniciativës dhe e mendimit të njerëzve, imponimi në emër të posteve e instancave burokratike”, – theksoi në Sekretariatin e KQ me 13 shkurt 1990, shoku Ramiz Alia. Mendimi i ri ashtu sikurse dhe besimi, forcohet e kultivohet përmes bindjeve. Ai nuk imponohet. Funksionimi i këshillave artistike me të drejtë vendimore, po i  godet praktikat burokratike, megjithatë duhet thënë se hallkat organizative mund të transformohen në kuptimin mekanik drejt demokratizmit të tyre edhe brenda 24 orëve, kurse mendësitë e këtyre praktikave nuk çrrënjosen  kaq  shpejt. Vetë këshillat tona artistike duhet të çlirohen nga imazhi i gjykuesit suprem e të pagabueshëm, i cili qëndron mbi krijimtarinë dhe pse “nuk ekziston”, por i gjithëfuqishëm e i gjithëvetëdijshëm. Për fat të kulturës dhe artit tonë, kjo mendësi ka qenë në goditje, po me shumë se kurrë ajo në ditët tona mori një përmasë të re dialektike. Artit tonë asnjëherë nuk i kanë munguar administratorë artistikë, të cilët e kanë ndihmuar me veprimtarinë e tyre jetën artistike. Është i njohur një botues i shquar si Drago Siliqi, i cili e ka frymëzuar Kadarenë dhe u bë mbështetës i tij për veprën “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Kur pohoj këtë, nuk kam parasysh vetëm këtë shembull. Por edhe një sërë administratorësh të tjerë, të cilët kanë dhënë ndihmesë dhe kanë fuqizuar kulturën dhe artin tonë kombëtar duke iu përkushtuar atij.
Mekanizmi i zgjedhjes së kuadrove drejtuese të sferës së artit e kulturës nga vetë masa e krijuesve, konkurset, etj. që janë praktikuar dhe po praktikohen pas orientimeve që ka dhënë Partia kohët e fundit, po i shton dhe do t’i shtojë më tepër këta administratorë të zotë… Veç nuk duhet harruar se në procesin e frenimit dhe të vetëfrenimit artistik një rol të rëndësishëm luajnë edhe paragjykimet që kemi mes nesh si krijues. Mundet edhe ne vetë me paragjykimet tona të komprometojmë një sërë idesh novatore për artin cilësor, me trajtimet tona gjysmake e sipërfaqësore të konflikteve, apo me shprehje të vjetruara artistike. Frenimi artistik në tërësinë e vet i sjell një dëm të madh dhe botës së brendshme të shkrimtarit dha artistit.
Përballë sulmit të krijuesve mediokër dhe burokracisë artistike, pra këtij tipi salierësh, shkrimtari apo artisti është i detyruar të ngrejë folenë e tij vetmbrojtëse, vetfrenimin. Vetfrenimi s’është gjë tjetër veçse një pamje e autocensurës dhe e vetshkatërrimit të “status nescendis” të artistit. E them këtë, mbasi kur një artist nis të gënjejë vetveten, domethënë të shprehë atë që ai s’e ndjen, të stolisë atë që s’është e vërtetë, madje ç’është edhe më e keqja, ta besojë edhe vetë atë, ky s’është më artist ose shkrimtar, por viktimë e autocensurës…
Veprat artistike të kësaj kategorie nuk i thonë asgjë së tashmes dhe nuk i dëshmojnë asgjë historisë. Populli është i gjerë dhe  na  fal, por ai na jep një dënim tjetër: dënimin kohor. Ai nuk na bën vend në Panteonin e memories së tij popullore. Në atë Panteon ku sigurohet jetëgjatësia e artistit dhe e veprës artistike. Pra duke na lënë jashtë memories së tij ai na cilëson si të pavlefshëm. Një apel i tillë na bën të shohim në mënyrë të ndërgjegjshme e me guxim të ardhmen tonë krijuese…
Është një shqetësim konkret që nga rreth 230 filma të prodhuar të Kinostudios 20 apo 30 zënë vend në memorien popullore. A mund të na shfajësojë në të ardhmen euforia statistikore?! Mburrja me të kaluarën apo thjesht krahasimi me veten duke mos i bërë apel dëmit ekonomik e estetik?! Duhet kuptuar se, mediokrit nuk i nxjerr në pension mosha, por vetë mediokriteti i tyre. Për ta nuk mund të pritej dalja në pension që t’i lenë vendet apo pozitat të aftëve dhe të rinjve. Një gjë e tillë nuk mund të bëhet mbi baza vullnetare. Më saktë, opinioni shoqëror ato i ka hequr me kohë, sado që ata përpiqen të ruajnë vendet që kanë. Ne Kinostudio ka regjisorë që kanë dështuar radhazi në 3-4 filma dhe vazhdojnë të bëjnë filma. Ose do të na dhimbsen ata, ose paraja e popullit… A nuk është e domosdoshme një censurë për to, që duhet të ushtrohet nga këshillat tona artistike vendimore…
Thamë se mediokriteti është një censurë, por s’duhet harruar që ekziston edhe një censurë për të, i cili është intuicioni popullor… është ai që e lë librin e krijuesit mediokër në librari, e lë filmin ta shohë kinooperatori, pra krijon stokun e mediokritetit. Kur administratat artistike e forcat krijuese janë të vetëdijshme për stokun e mediokritetit ata bëhen lexues të këtij intuicioni popullor dhe vihen në shërbim të tij, e kundërta i vë ato në shërbim të mediokritetit, duke krijuar kështu intuicione imagjinare të censurës në kokat dhe mendjet e tyre. Duke mos denoncuar dukuritë frenuese e vetëfrenuese ne krijojmë tabu të reja. Dhe siç dihet, haraçet e tabuve i paguan e ardhmja.
Fuqia për të korrigjuar e kritikuar vetveten është shprehje e vitalitetit kreativ, kurajës qytetare, demokratizimit dhe civilizimit të vetes dhe shoqërisë. Vlera e kulturës dhe artit matet në radhë të parë, nga kontributi i tij kombëtar dhe nga kontributi që ai i jep artit dhe kulturës botërore, njëkohësisht edhe nga aftësia e tij për të dialoguar e asimiluar atë kulturë dhe art…
Kujtim  Çashku

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.