back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Arti, si Gjuhë Diplomacie, Dialogu dhe Afrimi… nga Alida Jolie

Gazeta

Alida Jolie
Alida Jolie

Arti, si Gjuhë Diplomacie, Dialogu dhe Afrimi

Reflektime të një mbrëmje…

nga Alida Jolie

Të hënën e 12 Dhjetorit, në pjesën perëndimore të Manhattanit isha e ftuar në një event artistik. Mbrëmja ishte e ndarë në dy pjesë. Hapja e eventit fillonte me muzikë dhe mbyllej me një diskutim me tematikë: “Arti, si Gjuhë e Diplomacisë dhe e të Drejtave të Njeriut” dhe vëmendja ndalej tek Korea e Veriut, problemet që po përjetojnë koreanët nën regjimin shtypës të diktatorit Kim Jong, por edhe atyre që arratiseshin dhe gjendeshin si refugjatë në Tailandë apo gjetkë. Peripecitë, vuajtjet dhe problemet e këtyre njerzve nuk mbarojnë, edhe pse lënë pas Korenë e Veriut. Përkundrazi, përballja me realitetin, paragjykimet, dyshimet, përplasjet kur dy koreanë të Jugut dhe Veriut përballen me njëri tjetrin dhe urrejtja që i shoqëron ata.
Ndarja mes dy Koreve është një hendek i thellë që do shumë punë e përkushtim për të ulur gjuhën e urrejtjes që mbizotëron mes popujve. Në këtë ndarje, nuk ndihmon as heshtja e as neglizhimi që i bëhet haptaz nga organizatat humanitare sa herë që përmendet Korea e Veriut nëpër diskutime, duke u lënë mënjanë qëllimisht, nën justifikimin që është “shumë politike si temë”.
Mbrëmja artistike nisi me pjesë të zgjedhura klasike të kompozitorëve Claude Debussy, Cezar Franck dhe Pablo de Sarasate me artistë mjaft të talentuar nga dy Koretë si: violinisti Hyung Joong Won dhe pianisti Jun Cho
Violinisti Won, ka ndërmarrë një projekt të quajtur “One Harmony” dhe përpiqet prej tetë vitesh të krijojë një formë dialogu përmes muzikës si gjuhë diplomacie për ribashkimin e Koresë e Veriut dhe të Jugut. Dëshira e tij për të bërë një koncert në një zonë neutrale me muzikantë të dy vendeve është një mënyrë për t’i afruar dy popujt vëllezër. Ai shprehet se projekti i tij nuk është përqafuar me entuziazëm nga vendet (ar)mike!!
Gjithashtu, realizimi i këtij koncerti do t’i krijonte violinistit Won mundësinë të shkonte të përshëndeste varrin e nënës së tij e cila ka mbetur në anën tjetër të kufirit. Megjithë, trokitjet e vazhdueshme nëpër dyert e zyrave, lodhja dhe mundimi i ktyreve viteve nuk ia kanë zbehur shpresën as entuziazmin që një ditë ëndrra dhe projekti i shumëpritur do të mund të realizohet.
Ndër të ftuarit e mbrëmjes pjesëmarrës në diskutim ishte dhe autorja koreane Jieun Baek, e cila ka botuar një libër me titull: Revolucioni i fshehtë i Koresë së Veriut: (Informacioni Underground po Transformon një Shoqëri të Mbyllur). Një libër që sjell në fokus intervista e dëshmi njerëzish, të cilët bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme, madje duke rrezikuar edhe jetën e tyre, duke shpërndarë libra nën dorë, muzikë të huaj, telenovela, filma deri dhe enciklopedi. Ky informacion që shpërndahet zgjon dhe ndërgjegjëson njëkohësisht qytetarët për situatën që ata ndodhen. Ndër të tjera ajo tha se:

Ndarja e dy Koreve - e Jugut dhe e Veriut
Ndarja e dy Koreve – e Jugut dhe e Veriut

“Koreanoveriorët nuk kanë nevojë për mëshirë, pasi ata janë njerëz me dinjitet dhe mjaft krenarë! Më shumë se çdo gjë, këtyre njerëzve iu nevojitet besim dhe një shans si çdo njeriu me të drejta të barabarta në këtë botë.”
Në këtë diskutim ishte i ftuar edhe një ish gazetar i Washington Post-it, Bob Bierman që punën e tij ia dedikon kryesisht lajmeve dhe ngjarjeve më pak të raportuara nga media. Ai theksoi se: “…si media dhe platformat sociale sot po luajnë një rol nxitës dhe informues mbi çështjet ku të drejtat e njeriut anashkalohen dhe abuzohen ditën me diell…” Biles, ai inkurajoi pjesëmarrësisht  në sallë për t’i krijuar evenimenteve që flasin për çështje të tilla një hapësirë sado e vogël qoftë në Tweeter apo Facebook dhe të përmendej me një ose dy fjali se ç’po ndodh.
Panelistët e tjerë diskutuan sesi mund të krijohen mundësi të vogla që informacioni të depërtojë në Korenë e Veriut. Informacioni është pushtet dhe kur ky kalon nga poshtë lart sjell ndryshime të mëdha.
E ndërsa ndiqja me kurreshtje diskutimet për Korenë e Veriut, dhe përpjekjet pozitive të ktyre njerëzve për ta sjellë vëmendjen tek një popull i lënë në errësirë qëllimisht nga politika dhe interesat e vendeve të mëdha,  m’u kujtua Shqipëria ime ndër ato kohra izolimi, abuzimi, shpërfytyrimi dhe ndarjes së brëndshme që përjetuam. Por, edhe ndarjejes drastike nga bota.
Edhe pse nuk i kam jetuar as përjetuar aq thellë ato kohra sa prindët e mi, apo miq që e kanë ndjerë më shumë se unë këtë ndrydhje që iu bë popullit tim, mbaj mend që lajmi në pëshpëritje shpërndahej. Kokë më kokë kishte njerëz që flisnin për gjëra që aherë mbase nuk i psikologjisja me saktësi, por di të pohoj që ndihej një lloj ndryshimi kur lajmi kalonte sa nga njëri person tek tjetri. Në fshat, mbase vinte i fundit, por kishte njerëz që kishin një farë ndërgjegjsimi të izolimit, të abuzimit, të mungesës së lirisë, të mungesës së kontaktit me botën atje tej. Paçka, se frika qe futur gjer në palcë të kockës, prap them se diçka pëshpëritej nëpër miq të besuar… ashtu siç ndodh edhe sot në Korenë e Veriut.

Trishtimi i Ndarjes dhe Gëzimi... i të qenit Bashkë
Trishtimi i Ndarjes dhe Gëzimi… i të qenit Bashkë

Sigurisht, duhet më shumë ndërgjegjësim që t’ju hapë mendjen njerzve, t’u krijojë më shumë besim dhe se informacioni underground që tejçohet nuk është mashtrues dhe abuzues. Përkundrazi, është një shkëndijë shprese në terrin e pllakosur nga mungesa e gjatë e dritës.
Sot ndjehem mirë që vendi ynë u hap dhe “ne” jemi në gjendje jo vetëm të komunikojmë lirshëm, por të mendojmë, të shprehemi e të lëvizim lirshëm nëpër botë.
E ndërsa e përhumbur në tingujt e muzikës mendoja se sa koreanë po vazhdojnë ta përjetojnë atë që deri para 25 vitesh e vuanim edhe ne, në format më absurde, më ç’njerëzore e më të tmerrshme, dhe nuk mund të mos i jem mirënjohëse Zotit që tani që shkruaj këto reflektime nuk rroj me frikën se një gjë ogurzezë mund të më ndodhë…
E megjithatë, më trishton ajo muzikë që nuk i bashkon dot Koretë, po edhe krejt ato vende të mjera që vuajnë nga mungesa e lirisë…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.