back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 2 Janar, 2025

Artistja Parashqevi Simaku – dhe opinine mbas shfaqjes së saj publike, në dhjetor 2024

Gazeta

Këngëtarje Parashqevi Simaku
Këngëtarja Parashqevi Simaku
Artistja Parashqevi Simaku
dhe opinine mbas shfaqjes së saj publike, në dhjetor 2024
Ja çfarë di për Parashqevi Simakun…
nga Adriatik R. Dosti

Personalisht e dënoj ashpër “kërkesën apo thirrjen për ndihmë” si dhe “dhembshurinë” e Djallit – Fevziu në adresë të njërës prej simboleve të këngës së lehtë & popullore shqiptare… njërës prej ikonave të skenës shqiptare të viteve ‘80- ’90, Parashqevi Simaku…
Sikurse e vlerësoj si shumë pozitiv e njerëzor reagimin publik të kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja… lidhur me ngjarjen në fjalë.
E lindur në Kavajë, në 1 shtator 1966… falë një talenti të jashtëzakonshëm si dhe paraqitjes së saj joshëse u ngjit në skenën shqiptare të muzikës që në moshën 16 vjeçare teksa këndonte sa në Kavajë po aq edhe në Durrës…
Nga viti 1982 – deri në mes të vitit 1991, ajo mbeti pothuajse një nga këngëtarët më të respektuara e më të dashura për shqiptarët duke fituar një sërë çmimesh sa tek Kënga Magjike, Këngët e Stinës, Dekada e Majit, Folku shqiptar sidomos ai i Shqipërisë së Mesme… duke mbërritur kulmin me disa çmime prestigjoze në Festivalin kombëtar të muzikës në RTSH.
Në fund të 1991, Parashqevija vendos ta provojë fatin e saj e ta vazhdojë jetën e saj personale po edhe artistike në Amerikë.
Njihet me një nga drejtuesit e grupit muzikor “Jehona e Ilirisë” [shtetas i origjinës prej Kosove me banim të hershëm në USA] por edhe qytetar shqiptaro-amerikan… emrin e te cilit nuk e shoh të aresyeshme ta bëj publik.
Merr pjesë në sa e sa evenimente artistike mbarë kombëtare, koncerte në grup e recitale por edhe në gëzime personale e familjare në NY… ku gjithnjë është pëlqyer shumë për zërin e saj te mrekullueshëm e repertorin e pasur mix si dhe është duartrokitur e respektuar… sepse e meritonte vërtet.
Me njërin nga drejtuesit e grupit në fjalë… u martua si dhe ka vetëm një djalë, i cili tani duhet të jetë mes 20-30 vjeç…
Këmbëngulja e saj, por edhe qëllimi final i saj, pasi tashmë ishte sistemuar në Amerikë, ishte ta linte grupin muzikor ku punonte, e ti bashkohej Hollivudit, pra të provonte për më tej e për më lart e të mos mbetej thjesht vetëm një këngëtare e një grupi muzikor… pikërisht kjo gjë çoi në kontradikta e sherre burrë e grua mes Parashqevisë e bashkëshortit të saj… derisa i çoi në divorc.
Të drejtën e kujdesjes për djalin e vetëm të çiftit, gjykata në N.Y vendosi t’ja njohë Babait të fëmijës… pasi kuptohet që ai kishte më shumë njohje, emër dhe para… si dhe shfrytëzoi edhe depresionin që Simaku po kalonte normalisht për çka i ndodhi… duke ja shkatërruar jetën kësisoj…
Tenton të shpërngulet nga NY për në Los Anxhelos ku edhe jeton pak kohë, por pa sukses në atë çka donte të arrinte… e tashmë e shkatërruar personalisht, familjarisht, artistikisht dhe ekonomikisht vendos të rikthehet në NY ku jetonte edhe i biri.
Katër janë njerëzit që kanë ndikuar me shumë për keq se sa për mirë në jetën plot tallaze të brilantes së muzikës shqiptare aq sa videoja e sotme e Blendi Fevziut [për mua fyese e poshtëruese dhe kurrsesi dashamirëse] tronditi me të drejtë mbarë opinionin publik shqiptar…
Ata janë: Luan Pobrati, shefi i sigurimit të shtetit që mbulonte Artin e Kulturën e që para ‘90 përflitej si i dashuri i saj… Nexhmije Hoxha, gruaja e Diktatorit shqiptar, e cila dha urdhër të prerë… “Ma zhdukni nga skena këtë lloj fytyre se nuk e duroj dot…!!” Ish bashkëshorti i saj, i cili e mbajti peng dhe e shfrytëzoi sa mundi artistikisht duke e mbajtur thjesht si pjestare e këngëtare të grupit muzikor që ai drejtonte dhe s’e la kurrë të bënte asnjë hap më tej… dhe Blendi Fevziu që me “videon e tij njerëzore”, por realisht djallëzore, e poshtëroi në këtë fare feje…
Parashqevija, sot 58 vjeçare dhe me një repertor shumë të pasur të këngës së lehtë e popullore shqiptare si dhe me një karriere brilante personale ndër vite… është e vërtetë se momentalisht… në fakt prej disa vitesh po kalon plot vështirësi në jetën e vet… por jam mëse i sigurt se karakteri, dinjiteti e personaliteti i saj, e përbuz neveritshëm “humanizmin dhe mëshirën” e pështirë të Fevziut me shokë e shoqe…
Simaku u tërhoq nga skena për arsye personale, familjare e shëndetsore, në vitin 2006… në moshën 40 vjeçare… pra pas plot 24 vitesh në skenë… dhe fatkeqësisht në kulmin e moshës njerëzore e profesionale të një artisti.

Parashqevi Simaku - dhjetor 2024
Parashqevi Simaku – dhjetor 2024

“E luta disa herë që të vinte në grupin tim e në orkestrën time… aty ku unë isha punësuar, në një lokal serioz e ku paguanin mirë…!” – më tregonte disa vite më parë, kompozitori i famshëm shqiptar, Agim Krajka, – Më pas do ta ndihmoja që të realizonte edhe ëndrrën e saj… Hollyvudin, me aq sa mundesha, pasi më ishte ankuar goxha për mënyrën se si po e trajtonte bashkëshorti a bashkëjetuesi i saj, kur asokohe jetonim të dy në NY… unë dhe familja ime po edhe Parua dhe familja e saj… Nuk më dëgjoi, nuk pranoi dhe e refuzoi kërkesën time… aq më shumë që kishte ardhur nja 3-4 herë aty ku punoja unë dhe kishte kënduar edhe për respektin tim… dhe ishte pëlqyer, duartrokitur po edhe sajdisur… ashtu siç e meritonte.
E njihja mirë edhe nga afër prej vitesh… Ishte njeri i mirë e mbi të gjitha vërtet një talent i rrallë e i madh i të dyja gjinive të muzikës shqiptare, asaj të lehtë po edhe popullore.
Më pas, jeta e mori për ters dhimbshëm… dhe kjo nisi menjëherë pas divorcit ajo kaloi në depresion… edhe pas zhgënjimit që pësoi në Los Angelos… ajo pati probleme të ndryshme shendetsore… ju largua skenës, madje [lus zotin të mos jetë e vërtetë] kam dëgjuar se për qetësues ka përdorur edhe lëndë narkotike…etj etj… ndërkohë që rikthimin në Shqipëri as që e çonte ndër mend…!” – më ka treguar mjeshtri Agim Krajka. Kujtime e rrëfime këto që i përkasin viteve kur ai e familja e tij për disa vite resht gjithashtu jetuan këtu në Amerikë.
Kaq di unë për këngëtaren e mrekullueshme shqiptare Parashqevi Simaku… të cilat ua rrëfeva juve, motra e vëllezër shqiptarë… me shpresën e besimin e madh se në çfarëdo lloj situate që ajo po kalon fatkeqësia kurrë të mos e verë poshtë e as ta gjunjëzojë, përpos të gjejë forca e besim tek vetja për të qenë ajo që e kanë njohur të gjithë shqiptarët ndër vite: fisnike dhe dinjitoze.
Marrë nga Muri i FB, A. R. Dosti, 14 dhjetor 2024

Parashqevi Simaku -
Parashqevi Simaku –
I jam trishtuar fort këtij mediatizimi galopant…
nga Gazmend Mullahi, 14 dhjetor 2024

Nisur nga një video që qarkullon rrufeshëm on-line nëse është e vërtetë si dhe nga shkrimi sensibël e brilant i gazetarit patriot Dosti, ndjehem i brengosur për çka lexova dhe përsëri lexoj.
Fatkeqe për fatin e saj, Parashja, siç e quanim ne të gjithë në Redaksinë e muzikës në Radio-Tirana, Parashqevi Simakun kur na e sugjeruan për herë të parë në mesvitet ‘80 ca miq tanë si këngëtarë dhe si në film me kalojnë pasazhe…
“Është shumë e mirë, – na tha Rexhep Hasimi, muzikant i njohur e kompozitor i cili drejtonte Shtëpinë e Kulturës së rrethit…
Ishte pikasur si e tillë në grupet artistike të ndërmarrjes së Gozhdë-Bullonave dhe paraqitja e saj e hijëshme si dhe që vinte nga klasa puntore përbënin elemente të fuqishëm për t’u anoncuar në aktivitetet elitare, siç ishin emetimet në RTSH.
Dhe fati nuk i vonoi për një prezatim të saj të beftë dhe shpërthyes që me daljen e parë.
Nuk po zgjatem më tej… ndonëse i jam dëshmitar i kësaj periudhe dhe mund të shkruaja rradhe të gjata për të dhe karierën e saj të plotë, të shkurtër por brilante në RTSH.
E bukur, simpatike, e ëmbël, e mikluar, e padjallëzuar nga impulset djallëzore gjithfaresh të metropolit, si Tirana… që sillte njëkohësisht admirimin e “skifterëve gjuajtës” që i vinin rrotull por edhe e xhelozive të kolegeve të saja që shihnin tek ajo vajzën e thjeshtë ardhur nga provinca me ca rroba futur në qese t’u bënte padashjen e tyre por dhe të sajën “karshillëkun” brilant të një artisteje pa “filtra” e “make-up” të zërit, përformancës, talentit.
Thënë të vërtetën ndjeheshim disi të çuditur për disa ndryshime të menjëherëshme dhe të dukshme në katakterin e saj. Dhe ja ku ndodhi, në fillimvitet ‘90, të befasuar mësuam se Parashja përfundoi në USA.
…Shumë gjera mbeteshin pezull, nuk dinim asgjë, vetë vendi po kalonte një tranzicion të çmendur dhe kaotik dhe pak të bënte të mendoje për të tjerë artistë dhe njerëz publikë që morën rrugën për t’ia mbathur nga sytë këmbët prej këtij vendi.
Sidoqoftë, ramë në kontakte me interesa të dyfishta që Parashja të ftohej në një nga festivalet e RTSH-së pjesëmarrëse si e ftuar sëbashku me bashkëjetuesin e saj dhe ai artist këngëtar të cilin e prezantoi vetë me emrin Robert.
Dhe kaq, u mirëprit si një princeshë e rrallë…
Vite më pas, por në kushte dhe rrethana akoma më të vështira dhe harrese Parashja u shfaq e interesuar të vinte për një tur koncertesh në vendin e të parëve të saj.
Martin Leka, drejtues i lartë institucionit i vuri me të drejtë të merituar të gjithë predispozitën e tij, për të realizuar turin koncertor me formacionin artistik si dhe të gjithë kapacitetin më të mirë teknik të asaj kohe.
Shumë kohë kish kaluar, shumë gjëra kishin ndryshuar, njerëzit të çoroditur dhe me një psikozë pasigurie dhe “rrumpalle” të një vendi ku gjithshka shkonte me “vetërrjedhje” nuk u realizua ajo që ëndërrohej… çdo gjë u rrënua dhe u fashit… Parashja i hipi avionit për t’u larguar pa u ndjerë nga kish ardhur dhe jo vetëm për të mos ardhur më kurrë, por as për t’u treguar e gjallë përgjat gati 30 vitesh…
I jam trishtuar fort këtij mediatizimi galopant që i bëhet kësaj videoje që mbuloi rrjetet në këtë pozicion mjerues dhe mjaft denigrues për këtë artiste, e cila hynte dhe jepte gëzim në kohë mjerimi në çdo vatër shqiptare.
E shkel me këmbë çdo qëllim të keq denigrues dhe poshtërues bërë dhe përhapur duke mëshiruar për ndihmë dhe lëmoshë jo vetëm kësaj artisteje me plot emër e nder por edhe për çdo njeri bashkëpatriot tjetër që ndodhet në këto rrethana të pabesueshme jetese siç demostrohet aq më shumë në një shtet si USA, ku njeriu vlerësohet, çmohet dhe nderohet i kujdo rrangu dhe situate ekonomike apo shëndetsore të ndodhet.
Kudo qofsh Parashe, ti je bijë e këtij vendi, kavajsja artiste simpatike, bilbil i këngës së festivaleve të RTSH dhe njëkohësisht magjistarja si askush tjetër si ti e këngës popullore të Shqipërisë së Mesme
Gazmend Mullahi, 14 dhjetor 2024

Parashqevi Simaku & Elton Ilirjani
Parashqevi Simaku & Elton Ilirjani

Parashqevi Simaku na qiti zorrët…
nga Xhabir Tabaku, 15 dhjetor 2024

U tha e ç’nuk u tha për të, këto dy ditë. Ylli i bukurisë për disa, nuk se ka qenë dhe aq e bukur. Edhe këngëtarja më e mirë për disa nuk se ka qenë dhe aq kangëtare e mirë.
Ajo ka qenë e veçantë, kjo po.
Nuk ishte nga Tirana por vinte nga një qytet i vogël jo aq në sy të mirë të shtetit komunist. Por nuk ishte as mishërim i identitetit të atij qytet veç. Ishte, thoshin atbotë me probleme te shpija etj, etj. Mandej thuhej se ishte e preferuar nga meshkujt me pushtet dhe rreshtoheshin emra hajatësh etj… ajo me gjithë këto sillte në skenë ma shumë se art e bukuri, një fytyrë ndryshe nga fytyrat e gruas komuniste me nofulla e lesh pulpave. Ishte plot freski dhambët e bardhë e buzëqeshja qiellore. U ba kështu shpejt idhull i rinisë së asaj kohe. Kohë në prag kapërcyelli. Ishte e reja, që kërkonte të ngrinte krye mbi errësinën komuniste në art e skena me postera tip stalinizëm. Ajo s’e kërkoi këtë, ne rinia e asaj kohe, moshatarët e saj ia kërkuam dhe ajo pavetdijshëm e hidhte mbi ne plot karizëm të cilën e kishte dhunti nga Zoti.
Unë që i shkruaj këto radhë e kam takuar atë për herë të parë në fillimet e saj e të mijat nv mërgim. Në Brooklyn New York. Këndonte për ne në “Restorant Liria” në Bay Parkway & 65 Street, në katin e dytë. Asnjë s’ kuptonte çlampas Vivi në Tiranë por shihej qartë se në lëvizjet e parë në mërgim ajo po hidhte hapat e parë të gabimit që do t’i kushtonte. Paratë e mallit të mërgimtarit të heshura mbi kryet e saj tek këndonte mblidheshin nga dyshemeja e restorantit me fshesa të gjera. Mblidheshin mal në qoshe të restorantit dhe ndaheshin mes ahengçinjve në orët e mëngjesit kur mërgimtarët e përmalluar largoheshin që aty të dehur e të droguar. Përkrah saj këndonin Dila Gecaj e Shaban Gjeka. Kaq besoj mjafton me e kuptue batakun ku kishte ra artistja idol e gjeneratës së saj. Vajza e andrrave të bukura të çdo djali shqiptar që lyptën pak ndryshim.
Ndryshimi ndodhi për keq për yllin e muzikës sonë. Përkrah me ahengçinj amatorë katundareskë ajo filloi të vinte vulën e dështimit mbi kunorën e lavdisë që i dha rinia e vendit të saj. Poshtë restorantit në orët e fundit të natës Vivin e prisnin djem pasanikë me vetura Benz e Cadillac. Ylli në shkëlqim tek venitej tashma shihej si idol
seksi – jo arti mâ. Disa i ofronin martesa luksoze do të tjerë bashkëpronësi në Night Clubs. Më të “sukseshmit” u treguan ata që i ushqyen asaj ândrrën Hollywood.
Rruga për në zemër të botës së artit në Californi s’do kalonte pa çmim për Parashqevinë tonë. Fjalët rreth përfshirjes me pasion e pa kontroll në botën e Holivudit vinin të trishtueshme në lindje të Amerikës. Pak kohë do kalonin dhe ylli u venit. U panë tek-tuk disa stërpikla shkëlqimi, për t’u shuar para se të ndrinin. Gjithçka tjetër do të shkonte e vinte atbotë në Amerikën e andrrave, por andrra Simaku s’shihej e s’dëgjohej mâ. Pjesa tjetër e detajet mendoj se janë të sajat. Ajo asht njeri privat dhe si e tillë mendoj se asht në të drejtën e saj me u trajtue si do ajo. Hamendësimet tona nuk e shkëlqejnë as e ndihmojnë gruan që dikur tërhiqte vemendjen si Mbretëresha në një zgjua bletësh. Fati i saj duket të mos ketë qenë i lakmueshëm. As thirrjet për ndihmë nuk mendoj se ndihmojnë. Ne dijmë të vrasim edhe me ndihma. Jemi brezi rritur e veshur me ndihmat e Pelikanit.
Ne më bukur vrasim se ndihim. Larg nesh!
Xhabir Tabaku, 15 dhjetor 2024

Rita Ndoci & Parashqevi Simaku
Rita Ndoci & Parashqevi Simaku
Njerëz mos të bëhemi hipokritë e t’i themi ca të vërteta
Rita Ndoci, 15 Dhjetor 2024

Këtu në foto kemi qenë të ftuara së bashku për koncert recital në Korçë ajo dhe unë, në Maj 1989. Pashë vidion edhe unë si ju… më erdhi shumë shumë keq për gjendjen e saj. Duke e patur kolege e njoh nga afër, flas për vitet 1985 deri 1991… Ajo kishte një zë të ëmbël dhe në skenë ishte magjike.
Ajo vërtet shkëlqeu me atë zë të ëmbël…
Unë mendoj se Parashqevia mbi të gjitha ka nevojë për një psikiatër që ta ndihmojë atë dhe ta shpëtojë nga nihilizmi i saj. Ajo nuk donte të kishte lidhje me Shqipërinë. Nuk më çudit aspak fakti që ajo bën sikur ka harruar shqipen, se gjoja po jeton aq gjatë jashtë…
Kur pat ardhur në Shqipëri, në mesviteve ‘90 të njëjtën gjë bënte… sikur e kishte harruar shqipen… Është zgjedhje e saj të bëjë si të dojë, të jetojë si të dojë… Njerëz mos të bëhemi hipokritë e t’i themi ca të vërteta. Shqiptarët e Amerikës e adhuruan kur pat shkuar në Amerikë. Po ç’ndodhi? U soll mosmirënjohëse me to???? Sa do i madh të jesh si artist e mos të jesh mirënjohës ndaj atij që të ndihmon, vlera të bie. Një ditë rrena e ngritur në tru që ti je ajo që të gjithë nuk jetojnë dot pa ty, të ha kokën. Ajo ka nevojë për psikolog që të ndërtojë një Parashqevi njeri, të cilin siç duket qartë nuk e ka pasë kurrë, e pastaj artistja me zërin e ëmbël që ëmbëlsoi gjithë këngët që këndoi, si dhe veshët dhe zemrat e gjithkujt që e dëgjoi dhe e adhuroi.
Më vjen shumë keq për gjendjen e saj të sotme. Shteti shqiptar nuk i ka borxh asaj dhe asnjërit prej nesh që u larguam e ikëm për një jetë më dinjitoze me punën e talentet tona. Shumë ja dolën, por ndokush jo. I uroj nga zemra Parashqevisë që t’ia dalë.
Miq e mikesha ju uroj një ditë të mrekullueshme.
Rita Ndoci, 15 Dhjetor 2024

Si këngëtare e madhe dhe femër sharmante në të ritë e saj…
nga Edmond Bejtaj

Po më krijohet një ide akoma e pakonsoliduar fort, por sidoqoftë bindëse, sipas të cilës ata që konsiderojnë se Parashqevia si një këngëtare e madhe dhe femër sharmante në të ritë e saj, do duhej të çante në skenën amerikane të artit dhe meqë nuk çau duhet të kthehet këtu pranë popullit të saj, janë po ata që mendojnë se Timo Fllokua çau kur shkoi atje, dmth, nuk çau tamam ngaqë i bënë bllokadë ca tipa si puna e De Niro, Pacino, Ford, etj, dhe prandaj erdhi, pra me pak fjalë, këngëtaren tonë e sabotuan se përndryshe do kishte errësuar yje si Streisand, Minnelli, etj, etj,;
– A pis milet i mbytur në lot e qurre nga filmat e Raxh Kapurit, nuk keni faj ju mor jo! nga Marrë nga Muri i FB, Edmond Bejtaj, 15 dhjetor 2024

Evi Kokalari
Evi Kokalari
Gjetja e Parashqevisë e inskenuar, zbulojeni çfarë duan!
Evi Kokalari nxjerr skandalin
Evi Kokalari ka bërë një reagim të gjatë në llogarinë e saj në Facebook.
Ajo ngre dyshime për vërtetësinë e situatës së fundit, ku këngëtarja e mirënjohur shqiptare Parashqevi Simaku shfaqet në gjendje të mjerueshme në rrugët e New York-ut, në Amerikë.
Postimi i plotë i Evi Kokalarit: “Ka shumë gjëra që nuk shkojnë me ‘shpëtimin’ e këngëtares këto ditët e fundit. Së pari, mund të më thoni kur është transmetuar ai segmenti në ABC News, sepse në rubrikën e tyre ‘Be Kind’ nuk rezulton se është, që do të thotë mund të jetë video e vjetër, ndoshta dhe e periudhës së Covidit.
Disa fakte që më bëjnë të kem pikëpyetje;
Videoja e dytë del të nesërmen që gazetari e bën publike të parën, por këngëtarja është e veshur krejt ndryshe, dhe kapelen nuk e ka njësoj. Nga dalja e videos së parë tek e dyta, fillon një angazhim për ta gjetur, dhe gazetari kontaktohet nga ‘biznesmenë’ në NY që thonë se kanë avokatët e tyre që e kërkojnë. E gjejnë të nesërmen, në Penn Station, po po, në të gjithë atë New York, skuadra ‘shpëtimi’ e gjen vetëm mbas 24 orësh. Dhe jo me avokatët e tyre por me ‘teten’ e lagjes. E filmojnë, pa pikë turpi i ofrojnë një buzëkuq, ‘merre – i thotë se është i DIOR-it’. Mendoja se vaniteti ishte virtyt i shëmtuar, por kur kjo e fundit ngatërrohet me injorancë totale, merrka forma të frikshme.
T’i kthehemi skenarit – del videoja e parë, bëhet virale, të nesërmen del videoja e dytë, ndërkohë ‘shpëtimtari’ jep një intervistë në TV shqiptare, pastaj e sistemon në hotel ku filmon çdo detaj dhe e shpërndan në mediat shqiptare, një darkë tek Milos Hudson Yards, ku ajo darkë ka shkuar mbi $1000 (më besoni për këtë), një peliçe kurrizit, një diamant në gisht, një përulje në tokë duke i puthur këmbët me përulje…
Bëhet sërish virale, idiotët e dobishëm duartrokasin shpëtimtarin, heroin e tyre të ri, pa menduar fare në detaje, por duke akuzuar komunitetin shqiptar në NY që s’kanë bërë asgjë më parë për këngëtaren.
Shpëtimtarin nuk e kam njohur më parë, madje për herë të parë e kam parë në fotot që ndante PR-i i tij këtu në NY. PR-i i tij është një grua dhe personazh mjaft i njohur në qarqet e atij rrethi të vogël në NYC, që mund të konsiderohet deri diku ekskluziv. Pra, shpëtimtari ka punësuar një nga PR-të më të mira në NYC, dhe e kupton rëndësinë e asaj që quhet ‘PR stunt’, që po ta shqipëroja siç duhet, do të thotë – të gjesh një ngjarje që bëhet virale dhe të ngresh profilin. Dhe kjo ngjarje, po më konkludon të jetë bërë në kurriz të këngëtares.
Disa javë më parë shpëtimtari ishte në Shqipëri, dhe për koincidencë, Fevziu e interviston solo, pra duke i dhënë një platformë për t’u shprehur për tema që janë akoma tabu në atë vend. Në fakt, Fevziu ka shokuar shumë shqiptarë duke e bërë videon e këngëtares virale, dhe fakti që bëri dhe një video pasuese me shpjegime, më thotë që ndërgjegja nuk ia koncepton ku qëndron problemi në këtë rast. E vetmja mënyrë që mund të ketë pak sens këtu është nëse gazetari është paguar si për intervistën e shpëtimtarit disa javë më parë, ashtu dhe për ta bërë virale videon. Në fakt, është shumë e rëndësishme si do shpërndahej video, sepse kjo bën diferencën nëse ngjarja do bëhej virale apo jo.
Të shtoj dhe disa detaje që të kuptoni dyshimet e mia; Kam 30 vjet në New York, dhe e njoh komunitetin tonë. Kam pasur rastin ta takoj dhe këngëtaren dhe të flas me të kur ajo ishte në Kaliforni dhe sapo kishte lindur djalin. Në atë pikë e kam lënë të lumtur. Si unë, atë e kanë njohur të gjithë në këtë komunitet dhe e kanë respektuar. Dhe këngëtarja vetë, njeh të gjithë ata që në komunitetin tonë janë financiarisht shumë mirë dhe arrijnë të bëjnë ndryshime reale kur është nevoja, dhe nëse ajo do donte, do kishte kërkuar ndihmë. Ajo ndihmë do i ishte dhënë pa bërë zhurmë fare, në mënyrë që t’i ruanin dinjitetin ashtu siç e meriton. Nga ana tjetër më thonë që ndihma i është ofruar shumë herë më parë, dhe ka refuzuar. Problemi i këngëtares nuk është financiar, por shpirtëror. Asnjë nënë e ndarë nga fëmija nuk gjen dot qetësi. Këto janë hallet e saj reale.
Që halli i saj të shfrytëzohet në këtë formë, është realisht një mëkat dhe vetëm njerëzit pa shpirt mund ta bënin. Asnjë njeri me klas nuk do t’i kishte dhënë ndihmë ‘një dive apo idhullit’ të tij siç e cilëson vetë ‘shpëtimtari’, duke i cënuar dinjitetin në këtë formë. Siç e kam shkruar më parë, nëse vërtet donit ta ndihmonit, do e kishit bërë pa u ndjerë. Por ishte kjo vërtet për të ndihmuar këngëtaren, apo për të ngritur profilin tuaj?
Cilado qoftë përgjigja, jeni gabim dhe shoqëria me të drejtë po ju gjykon” .
Marrë nga Scutarifascio.com
Autori Albert Vataj
Autori Albert Vataj
Parashqevi Simaku, a po e shndërrojnë një diva në një kloun?!
nga Albert Vataj

Prirja jonë për t’i çuar gjërat në teprim, është një eksluzivitet bastard, për të cilin ka një shekull që burra të urtë të këtij kombi, na e kanë lënë jo tamam si një konstatim, por si një mallkim.
Sot në kohën e ritmeve të çmendura të ububusë së algoritmit dhe një qasje e pështirë protagonizmi, që na lejon të bëjmë edhe atë që nuk e ndalon ligji, por fytyra, ky teprim është më shumë klikime, më shumë para, e pse jo, më shumë projektorë drejtuar kah ne.
Fatkeqe është ajo pré, e cila bie në gjahun e kësaj lukunie hijenash, dhëmbët e të cilëve jargen epshit për gosti dhe argëtim, i cili do të ishte i palotë pa një kloun.
Ajo që po ndodh me yllin e këngës së viteve ’80, Parashqevi Simaku, është e pagjasë në gjithë këtë orvatje joshje të algoritmit dhe budallallepsjes së narcizit. Çdo ditë që kalon, ajo është aty në qendër të ciklonit viral, me shumë përngjasim te roli i klounit që dukshëm, i kanë dhënë të luaj asaj, altruistët dhe humanistët.
Ajo që nxorëm nga jeta cigane, po e rikthejmë sërish atje, por tashmë më se të poshtëruar të denigruar. Vajza kavajse me buzëqeshjen që na marrosi dikur, është katandisur në një grua të braktisur që ka gjetur një shoqëri allasoj, që nuk qesh më, por zgërdhihet, këndon, kërcen, madje me gotën plot mbi kokë si ciganët sarhoshë, gjasme duke kërcyer e gëzuar. Me emocione të ftohta dhe mendje të kthjellët e kam të pamundur ta lexoj kështu siç duket, por të vërej përtej kësaj skene farse, kësaj fasade plot lajlelule dhe ngjyra.
Gjykoj, dhe do të isha i lumtur nëse do të isha i gabuar në këtë konstatim, se ajo që po ngjet është e dhimbshme dhe e patolerueshme. Një divë si Vivian Simaku, ta pranojmë si kloun, gastore, jo e monarkëve të plotpushtetshëm, por e atyre që duan të shesin veten me çmimin e poshtërimit të një ylli. Ndoshta pa e vrarë mendjen se e gjithë kjo që ato po bëjnë, nuk është në nderim të saj, por në shpërbërje të çdoorshme të imazhit që ajo stampoi në kujtesën tonë nostalgjike.
E parapashë që në krye të herës se çfarë do të vinte, përshpejtonte, por nuk pata kaq fantazi të parashihja se situata e shpërdorimit të saj fyes do të shkonte deri këtu. Aq sa, larg qoftë të kesh të drejtë t’i japësh të drejtë fatit të keq që ajo vuajti.
Këtë po e bëjmë ne të gjithë që po e përdorim Parashqevi Simakun, por jo më pak është fajtore edhe ajo të lejojë të shpërdorohet nga ata që u pëlqen loja e talljes dhe argëtimit, pavarësisht kostos.
Çmimi që Simaku me gjasë duhet ta paguajë këtë rikthim në jetën e një diva, është i shtrenjtë, më shumë se tarifa e një klouni që asaj i kanë dhënë të luaj në këtë skenë mizore poshtërimi.
Qofsha i gabuar, por gjithë kjo ka marrë tatpjetën dhe po shkatërron gjithçka që ajo ngriti me talent dhe përkushtim, për të fituar çfarë, të rivijë në jetë siç nuk do të dëshironim, të paktën ne që idealizuam tek ajo imazhin e një këngëtareje ikonike dhe të një gruaje seksi.

Marrë nga Muri i Fb, Albert Vataj, 28 dhjetor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.