back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Artur Kice – një nekrologji që duhet të ishte shkruar shumë më vonë – nga Shpend Sollaku Noé

Gazeta

Artur Kice - Në kërkim të gëzimeve të vrara
Artur Kice – Në kërkim të gëzimeve të vrara

Artur Kice – një nekrologji

që duhet të ishte shkruar shumë më vonë

nga Shpend Sollaku Noé

Tanimë kurmi i tij iu përfshi nëntokës. Mbi të – fluturzat e akordeve të kitarës që nuk e shkulte nga dora. Edhe tani, që ishte afirmuar si avokat.
U mbulua përgjithmonë ai trup i bukur. Kishte filluar të tronditej nga marteli automatik i kohës së përbindshme qysh në moshën 14 vjeçare.
Atëherë, kur më shumë se gjithçka i duhej një top llastiku. Atëherë kur, për t’i “kalitur” këllqet, i vunë në kyçet e duarve prangat!
Që të mos shkruante më. Sidomos trakte nga ato armiqësoret: “Poshtë partia jonë”, “Rroftë SH.B.A.”, “Rroftë Italia”, “Rroftë mbretëresha e Anglisë”, “Poshtë…”, “Poshtë…” Trakte që i hodhi në pika të ndryshme, edhe pranë kryqëzimit midis një kinkalerie, postës së vjetër, hotelit “Myzeqeja” dhe dyqanit të këpucarëve.
Imagjinoni panikun e atyre që e raportuan, të atyre që nisën të merren urgjent me hetimin e kësaj gjendjeje aspak të zakonshme, të “ekspertëve” që u morën me përcaktimin e autorit të atyre pusullave, duke u nisur si gjithmonë nga ekspertiza e mësuesve apo drejtorëve të shkollave, që mund të përcaktonin shkrimin e kujtdo, sipas kaligrafisë së hartimeve apo të diktimeve.
Nuk mund të përshkruhet saktësisht se ç’heq një adoleshent pas hekurave, në moshën kur nisin t’i ngjiten qiellit ëndrrat. Por mund të hamendësohen pasojat e privimit të lirisë së tij. Sidomos në pjesën e padukshme të njeriut, atë të shpirtit. Pa lënë mënjanë pasojat në trup të një trajtimi mizor brenda mureve.
.
Artur Kice dhe pasioni i tij për kitarrën
Artur Kice dhe pasioni i tij për kitarrën
Dhe qe ai, trupi, që e tradhëtoi Arturin. Pak e nga pak, por në mënyrë të vazhdueshme. Ai trup që nuk arriti t’i bindet shpirtit. Në një luftë të vazhdueshme. Një sërë betejash me gjithë forcën e mundur.
Betejën e fundit, atë më të rëndësishmen, – për jetën – e fituan plagët e vjetra, ato që e kishin zanafillën në qelinë e errët të adoleshencës.
Në kësi rastesh zakonisht të gjithë shpëtojnë shpirtin e të kallurit nën dhè.
Artur Kice shpirtin e tij e shpëtoi së gjalli, me dashamirësinë e vështrimit të drejtuar edhe atyre që i masakruan adoleshencën.
Sa herë që ishim takuar bashkë, apo në mesazhet e herëpashershme në socialet, nuk kisha arritur të shquaja urrejtje tek ai djalë. Ideja e tij për hakmarrjen ishte kjo: Kemi arritur të shpagojmë vuajtjet tona vetëm duke u bërë më të zotë sesa persekutorët tanë.
Sikur donte t’u thoshte: Ej, jam këtu lart. Ndërsa ju po baltrave mbetët.
Në atë baltë të ngjizur prej dheu e gjaku.
.
Aktakuza ndaj 14 vjeçarit Artur Kice
Aktakuza ndaj 14 vjeçarit Artur Kice

Botuar tek “Dielli”, New York 7 dhjetor 2019

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.