Asgjë Personale…
nga Gjergj Hani
Nuk kam asgjë personale me ty Spartak Braho!
Jo, asgjë personale për një arsye shumë të thjeshtë; në 1985, ti e kishe bërë zgjedhjen tënde prej kohësh, ndërsa unë atë vit bëra timen, e u gjendem përballë në sallën e gjyqit, ti si akuzator e unë si i akuzuar, ti ishe “Pushteti Popullor” e unë pjesë e popullit armik i tij; të dy të vetëdijshëm deri në palcë për atë që po bënim.
Për klishenë e kohës, unë isha armiku për t’u eliminuar dhe ti shpëtimtari i popullit e partisë, syri i mprehtë, qeni roje, apo shpata e mprehtë e proletariatit, quaje si të duash!
Dhe tashti që po shkruaj, sërish nuk kam asgjë personale me ty, pasi kam inteligjencën e duhur për të kuptuar se ti nuk je, veçse një pjesëz e vockël, një ingranazh disi i ndryshkur, po që ende vazhdon të funksionojë me zell në mekanizmin e mashtrimit universal që mbretëron në Shqipëri prej gati një shekulli! Jam i vetëdijshëm se të gjitha këto ty nuk të bëjnë asnjë përshtypje, pasi e vërteta nuk të prek as shkarazi, megjithatë dy gjëra dua të t’i them për hir të së vërtetës që ti përpiqesh me çdo kusht ta varrosësh.
Të kisha parë shpesh nëpër ekrane, dhe të them të drejtën nuk ua vija veshin broçkullave të tua delirante, pasi kanë humbur dialektikën e evolucionit, e nuk arrijnë as t’u përshtaten ndryshimeve që kanë ndodhur, pa përfillur dëshirën tënde nostalgjike, dhe atë të klanit tënd mavi. Nuk ta vija veshin, pasi të konsideroja thjesht një fatalitet në rrugën e jetës sime, ashtu siç konsideroj fatalitet të domosdoshëm klanin mavi, ingranazh i të cilit ti je! Fatalitet i domosdoshëm, që më shtypjen që po i bën këtij vendi, ndoshta (në mënyrë të pavullnetshme) do ta “ndihmojë” këtë popull të hapë sytë, pasi dihet që jemi qenie empirike. Nëse mora mundim të shkruaj këto rreshta, shkak u bëre ti me delirin tënd patologjik në një nga komisionet e të ashtuquajturit parlament. Me një gjuhë shterpe, të shkretë e dogmatike (të cilën duhet ta kesh në ADN) që më kujtoi pretencën tënde në gjyqin tim, belbëzove me tone kërcënuese, se Agron Tufa po hedh baltë mbi luftën e dëshmorët e tu. Në këtë rast nuk kam kohë të merrem me “shpifjet” e zotit Tufa, pasi me intereson më shumë e vërteta, sidomos të “vertetat” e tua!
Pike së pari Spartak Braho; për cilët dëshmorë e ke fjalën, për ata 28.000, që keni trumbetuar për gjysëm shekulli, apo për ata 2800 apo 1300, shumë e cila edhe sot ngelet mister!?
Si ti edhe unë kemi jetuar në Durrës, ku janë akoma varrezat e dëshmorëve të rrethit Durrës (siç quhej asokohe) ku nuk ka më shumë se 60 të varrosur, ndër të cilët edhe Myrvete Peza që vrau vehten kur i vranë të dashurin Kajo Karafili, pra vështirë ta quash dëshmore! Pra, kur rrethi i Durrësit ka kaq dëshmorë, po t’i mbledhësh të gjithë nuk del shifra jote, megjithëse ky i imi nuk është argument që qëndron, se tek e fundit pak rëndësi ka nëse ishin 28.000 apo 2800! E rëndësishme është që ata janë dëshmorë që luftuan pushtuesin nazi-fashist që më pas të na sillnin ata Jugosllavë, Sovjetikë e Kinezë, duke na “dhuruar” dhunuar me pushtimin e heshtjes, verbërisë, shpronësimit e zvetënimit të çdo lloj vlere morale, qoftë edhe minimale!
.
Ti Spartak Braho, të “vertetat” e tua i mbështet në dëshmitë e historianëve si Xhufi, Milo e një Zot e di kush tjetër! Spartak, mos u bëj qesharak! Ata janë historianë po aq sa ç’je dhe ti jurist me shkollën e Filozofisë Marksiste-Leniniste. Për 50 vjet na vinit në gjumë me përralla, dhe tashti i dimë përmendesh të gjitha përrallat…
Ah dhe diçka tjetër. Kur ti flet për të “vërtetat’’ e tua, padyshim që e mban vehten për njeri e politikan (ahahaha… të lutem më fal, po nuk e mbaja dot) me integritet moral, koherencë politike, e ndershmëri intelektuale, dhe kështu duhet të jetë, por, në emër të këtyre virtyteve, natyrshëm lind pyetja që pres ti përgjigjesh: Kush është Spartak Braho i vërtetë!?
Paladini i sotëm i demokracisë që indinjohet për të “vërtetat’’ e tij, apo prokurori ushtarak i diktaturës hoxhiste që akuzonte e ekzekutonte personalisht shqipëtaret për bindjet e tyre politike!?
Cili është Spartak Braho i vërtetë, ai që sokëllinte në pretencat e tij në emër të diktaturës së proletariatit kundër imperializmit botëror, apo ai që sot me një valixhe fantomatike bredh nëpër kancelaritë kapitalisto-imperialiste, apo kuron prostatën nëpër spitalet e atyre që deri dje ishte gati t’i shuante!?
Cili është Spartak Braho, ai që në zemër të natës, me Gaz-in sovjetik shkonte të pushkatonte njerëz vetëm se mendonin ndryshe nga ai e padronët e tij, apo është ai që sot i hipën një benz-i tip i fundit për të shkuar në paradën e 10 vjetorit të anëtarësimit në NATO!?
Cili, apo çfarë je ti Spartak Braho!?
Në pritje të përgjigjes tënde, dhe me hijet e zeza të personit tënd, që dalin qartazi nga pyetjet e mija, i jap vehtes të drejtën të them se: Një transgjender politik i kalibrit tënd nuk ka asnjë të drejtë morale e aq me pak institucionale apo politike të akuzojë një person si Agron Tufa që nuk ka ndryshuar apo tradhëtuar kurrë bindjet e tij politike, dhe qëndrimin karshi tyre.
Si pasojë e broçkullave të tua, dikush, në rrjetet sociale shkruante se ti e bën një gjë të tillë nga frika!!
Jo, ti nuk e bën nga frika! Ti nuk ke frikë, jo se je trim, po se ke eksperiencë dhe e di mirë, që edhe po re nga kali i pushtetit, i yti, mishin mund ta hajë, po kockën do ta ruajë ashtu siç ta kanë ruajtur deri më sot! Reagimi yt ka rrënje ançestrale, të shkruara në gjenezën e ADN-së tënde! Një specie si e jotja, nuk e pranon dot të vërtetën, pasi gjithë ekzistenca e tij dhe e sistemit që e ka mbajtur dhe e mban në pushtet, është e ndërtuar nga mashtrimi! Po ky nuk është faji yt, kështu je gatuar, ashtu siç nuk është faji i lakuriqit të natës, që nuk e pranon dot dritën e diellit! Të të them hesht se është turp, është e kotë, ndoshta dhe e pa drejtë, pasi aty ku nuk ka, nuk merr as mbreti! Megjithatë, në emër të njohjes së vjetër që kemi dua të të jap një këshillë dashamire: Një popull, sado i vogël që të jetë, prap është gjigand! Ndaj hesht, e lëre gjigandin të flejë, se po u zgjua dhe hapi sytë, sytë e mashtrimit duhet të mbyllen, e zor se mund të dalë një tjetër Neritan ta kthejë nga rruga!