Laura Olldashi ka ardhur sërish…
Laura Olldashi ka ardhur sërish.
Ka sjellë atë botën e saj marramendëse, sërish përmes të shkruarit bukur, me densitet dhe sinqerisht, tre elemente bazë jo vetëm për të qenë shkrimtare, po edhe shkrimtare e mirë… shkrimtare që vërtet duket sikur është nisur pak vonë, prandaj edhe ka ngut ta dëshmojë magjinë e të shkruarit se zotëron më mirë se gjithçka tjetër…
Laura Olldashi është shkrimtare e lindur, pse në gjakun e saj rrjedh letërsi e bukur, joshëse, e fuqishme e do t’ishte krim nëse ajo do të hiqte dorë nga të shkruarit. Sa më shumë e lexoj aq më shumë më pëlqen ajo çmenduri e saj e të shkruarit, më pëlqen ajo liri e çmendur dhe e shlirtë e të bërit art me asgjëtë e vogla të jetës, ku secili prej nesh jeton përballë dilemash të mëdha…
Ajo na e ka sjellë vetveten në atë të përditshëm e saj ngarendëse, të shkapërderdhur në një botë dinamike të njëmijë gjërave që e bëjnë njeriun asgjë, dhe asaj s’i mbetet askush veç të kthehet tek vetja, ndaj ato bisedat e saj me vetveten janë kryevepra e këtij libri… Vetëm kur të mësohemi të flasim me veten dhe ta trajtojmë atë pa u frikur prej saj, jemi njerëz po mund të jemi edhe shkrimtarë… se shkrimtar nuk është ai që shkruan, shkrimtar është ai që lexohet, prandaj në bisedat me autoren e librit, më mbeti e ngulitur shprehja e saj: “Kemi nevojë për njeri tjetrin, kemi nevojë për njerëz, si ne…” E kjo s’ka nuk ka lidhje me të shkruarit, po më shumë me të ndjerit, me të vuajturit dhe me të lexuarit e botës dhe vetes sinqerisht… Ky është edhe thelbi që duhet të mbajë mbi shpatulla letërsia në këto kohra të egra, ku humanizmi shpesh gjendet në pikiatë të frikshme…
Tregimi i Laurës “Ulur jashtë trupit” është model se si mund të shkruhet, një prozë moderne, si gjurmët e tua mund të mbeten të skalitura te lexuesi, në çdo perifrazë; në çdo concept, në gjithçka… si mund të ndalemi e të bëhemi reflektivë te ai kapërthim shpirtëror që bëhet letërsi, art dhe magji…
Ndërsa lexoja “Asgjënë e saj”, i thashë, pak si me humor se fakti që je mjeke dhe merresh me tregimin, të afron mjaft me Çehovin, tashti s’të mbetet veç ta vazhdosh e ta përcjellësh këtë frymë çehoviane, përmes një shpirti femëror…
Laura ka ardhur sërish!
E nëse me Atman-in, ajo vuri thjesht një gur në ndërtesën e saj, te “Asgjëja ime” ajo ka lartuar një kollonë të sigurt në ndërtesën tonë të përbashkët!
Sepse, Laura është!
jozef radi, 6 tetor 2023
Promovimi i librit
“Asgjëja ime” i Laura Olldashit
Është një rrugë e shkurtër që do të përcjell librin nga unë te ju, por më e rëndësishmja.
Është njëlloj si fëmija që sapo ka mësuar të eci, dhe nëna do t’i tregojë të gjitha shtigjet e bashkëpunimit dhe komunikimit jo – global, por individual dhe shpirtëror.
Jemi munduar që në këtë rrugë, shpërndarja të jetë e gjithanshme, si në hapësirë, si tek artdashësi, por edhe tek ata që i takojnë së ardhmes – studentëve.
Pra, promovimi i librit po vjen dhe shumë shpejt do të jem mes jush.
Ju mirëpresim:
Tiranë: – 06 Tetor, ora 17:30 Salla “Abret” në Hotel “Tirana International”.
Elbasan: – 09 Tetor, ora 11:30 Biblioteka “Qemal Baholli” (Moderatore Prof. Migena Kapllani).
Elbasan: – 10 Tetor, ora 11:00 Biblioteka e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.
Shkodër: – 11 Tetor, ora 18:00 “Qëndra Rinore Arka” (Moderatore poetja Arjola Zadrima).
Shkodër:– 12 Tetor, ora 10:00 Gjimnazi “Oso Kuka”, (moderatore Prof. Ilirjana Muhamet Stankaj).
Jeni të mikpritur që të flasim për gjërat e padukshme, pa dimensione, ashtu siç është madhështia e shpirtit!
Ju falënderojmë!