back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

At Anton Harapi për strukturën morale të popullit tonë – nga Anton Çefa

Gazeta

Anton Harapi pikture nga Pjerin Sheldija
Anton Harapi pikture nga Pjerin Sheldija

At Anton Harapi për strukturën morale të popullit tonë

nga Anton Çefa

Dy rreshta në kujtim të At Anton Harapit

(5 Janar 1888 – pushkatuar me 14 Shkurt 1946)

Asnjë prej studiuesve që janë marrë me studimin e dokeve morale të popullit tonë, në përgjithësi, ose të Kanunit të Lekë Dukagjinit, në veçanti, duke filluar me Gjeçovin, Palajn, Valentinin, Cordignanon, Koliqin, Konicën, etj., nuk kanë bërë ndonjë përpjekje për klasifikimin e tyre në gjirin e një sistemi, përveç P. Anton Harapit.
Simbas këtij studiuesi, karakteri moral i popullit tonë dallohet nga dy grupe virtytesh: nga virtytet shoqërore dhe nga virtytet vetiake. Në të parat, ai përfshin besën, ndoren, mikun, bukën (mikpritjen). Në virtytet vetjake, ai përmbledh cilësi që lidhën me burrninë, të tilla si forcën, qindresën, drejtësinë vetiake, urtinë që përjashton egërsinë, inteligjencën, matuninë, etj. Mbi këtë truall moral, sipas Harapit, shqiptari ndërton parimin themelor të jetës, dhe vlerës së saj dhe që është: besa, feja e burrnija. (Në hapësirën kuptimore të termit besë, ai përfshin të gjitha virtytet shoqërore që përmendëm më lart).
“Besa e burrnija, – shkruan ai, – përbajnë karakterin moral të popullit tonë; për to shqyptari flijon pasunin, familjen dhe vetjen deri në shkallën heroike e per to “e ban dekën si me le”1). Këtyre virtyteve, ai i shton besimin në Zotin. Për t’u vënë në dukje këtu është fakti që ndër virtytet që përmendëm më lart, Harapi nuk ka cilësuar nderin, që është një nga përbërësit themelorë të strukturës morale të popullit tonë.
“Ideja ‘burrni’ e jona, dan se mban diç ma tepër se ideja… e grekëve dhe se ideja virus e romakve. E njimend, prej nji burri në vështrim të plotë na kërkojmë madhnin shpirtnore, pse burri do të jetë bujar, zemërgjanë e i madh nder të tana pikëpamjet; në nji burrë duem të shohim kjartsinë e mendes, pse burri din shka ban e shka flet, as… kurrë nuk ngutet, prej urtije e jo prej tutet.”2).
“Burrnija nënkupton zotnimin e vedit, pse burri qi asht burrë e ka vetin në dorë, as s’merret me doshkado; burrninë e mbajmë të panjollë porsi vetje, si edhe të stolisun me të gjitha vetitë, qi lyp ndera e fisit e e familjes, pse burrit nuk i kuqet ftyra, aj e ka synin (ndërgjegjen) kokërr (të pafrigshëm). Tue kenë se burrnija xen fill e pshtetet në besë, e besa së mbrami në droje (frikë) të Zotit, të tanë fuqija morale, karakteri e qindresa e nji burrit themelohen në bazë objektive, reale e të njimendtë e shkon baraz me natyrë të nierit aq sa nji të zhburrnuemit nuk i vjen ma era nieri. Qe se si me idenë ‘burrni’ na i shprehim të gjitha virtytet vetjake e shoqnore jo vetem në dispozicion e n’aftsi, por në veprim e në zbatim a si i thonë in facto esse.”3).
.
1)Anton Harapi, “Kulla e Babelit”, Përgatitur nga dr. Aurel Plasari, “Phoenix & Shtëpia e librit”, v. 1999, f. 19-20.
2)Po aty, f. 31.
3)Idem.
.
Anton Harapi - Atdhetarizmi
Anton Harapi – Atdhetarizmi

Fjalë martiri: citime nga At Anton Harapi

 
“Çdo ndërtese i vehen themelet në dhe. Edhe në vorr, prandej, në hijshim, duhet të jemi gurët e themelit të njaj binaje, të cilën e quejmë Shqipni.”
 
***
“Luftimet qi shqiptarët banë për indipendencën e Shqipnis, tregojnë kjartë se shqiptarit, po iu tëfaq kjartë idejari i jetës kombtare, nuk e kursen gjan as veten për ket punë; prandej i ka të shëndoshta dispozicionet e duhuna për jetën kombtare, por ka nevojë për mësim e edukatë.”
 
***
“Në shpirtin e shqiptarit asht nji fuqi morale me krijue fatosa.”
 
***
“Në shpirtin e shqiptarit ka ma randësi mbushmendja e këshilli se sa dajaku e friga.”
 
***
“Tipi i dishruem i shqiptarit të qytetnuem asht ai qi, pa e bjerrë aspak karakteristikën e vet, del vetje e mbarueme me dije, kulturë e rritje.”
 
***
“Me veprën e përvujtë të virtyteve shqiptare, do t’a ngrehim madhnin e kombit tonë”
 
***
“Sot po, gjuha qi flasim, gjaku qi shqiptar na rrjedh ndër dej, zakonet e doket qi na lanë të parët, e, posë të gjithave, gjaku i babave e i vëllazënve tanë, qi nuk ia danë kurrë luftën mizorit, lypin prej nesh mos ta trathtojmë zemrën tonë, por ta flasim nji fjalë, ta bajmë nji punë…”
 
***
Apologjia e Harapit në gjyq:
“Nëse me u ndigjue ligjeve hyjnore e Atdheut, me edukue rininë e popullin kah idealet e nalta të së Vertëtës e me i nxitë kah e Mira; në qe se me vuejtë për popull e me popull e me luftue për Fe e Atme asht punë e dobët e trathti, atëbotë jo veç unë, por mbarë Françeskajtë e Shqipnis jemi të dejë për dekë.”
 
 
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.