back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

At Bernardin Palaj OFM në përvjetorin e martirizimit Aleksandër Tanushi

Gazeta

At Bernardin Palaj (1884-1947)
At Bernardin Palaj (1884-1947)

Atë Bernardin Palaj OFM në përvjetorin e martirizimit

nga Aleksandër Tanushi, OFM

Shfletojmë kalendarin për të përkujtuar sot më 8 dhjetor përvjetorin e vdekjes së At Bernardin Palajt, françeskan shqiptar, martir i fesë katolike, poet, folklorist, studiues i letërsisë e i historisë së kishës, një nga figurat më të ndritura të asaj që njihet si “shkolla letrare e fretërve”.
At Bernardini lindi më 2 tetor 1894 në një familje me origjinë nga Shllaku… Mësimet e para dhe të mesme i mori në shkollën françeskane në Shkodër, ku u thirr nga Zoti për rrugën e meshtarisë në Urdhrin e Fretërve të Vegjël. Pas mbarimit të shkollës së mesme, u nis për studime në Graz të Austrisë, ku kreu filozofinë e teologjinë dhe u shugurua meshtar.
U kthye menjëherë në Atdhe, ku filloi veprimtarinë meshtarake e kulturore, duke shërbyer si famullitar ndër fshatrat e vendlindjes. Krahas veprimtarisë meshtarake, nisi të mblidhte thesaret e krijimtarisë gojore të popullit, gojëdhëna, këngë, doke, zakone. Atë Bernardinit i takon merita e pamohueshme e mbledhësit të parë të epikës legjendare shqiptare. Është ai që, së bashku me sivëllanë e tij, At Justin Rrotën, i dhuroi kulturës shqiptare një nga brilantet më të ndritshëm: përmbledhjen e parë të Këngëve të Mujit e të Halilit. Ishte viti 1939, kur përmbledhja “Kangë kreshnikësh e legjenda” pa për herë të parë dritën e shtypit. Botoi shumë shkrime në shtypin klerikal të kohës, posaçërisht në “Hyllin e Dritës” e në “Zanin e Sh’na Ndout”, por edhe në gazetën “Tomori”. Palaj ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare që më 1940. Ka botuar edhe librat “Prej burgut të jetës”; “Vorreve të flamurit”, “Kuq e zi, “Mite, besime, legjenda” (ribotuar pak vite më parë në Kosovë); “Kanuni i Maleve”, etj.

Thethi Malesia ku u end At Bernardin Palaj
Thethi – Malesia ku u end At Bernardin Palaj

Si shpërblim për të gjithë këto merita, më 1947 u burgos. Pasi u torturua mizorisht, një ditë ogurzezë me 8 dhjetor të vitit 1947, u lidh shtrëngueshëm me tel të ndryshkur, që i hapi plagë vdekjeprurëse e u flak nën shkallët e spitalit të burgut, ku dha shpirt mes dhimbjesh të papërshkrueshme, shkaktuar nga tetanosi, si martir i fesë e dëshmor i lirisë. Ndërsa mbytej e mohohej në atdhe, në mërgatën shqiptare për krijimtarinë e tij u interesua vazhdimisht Ernest Koliqi, i cili botoi shumë shkrime të tij e për të. Në vitet ’30, At Bernardini shikohej si poeti që do të zinte vendin e At Fishtës, duke sjellë një frymë të re moderne në letrat shqipe. Në vitin 2006, vit i 115-vjetorit të ditëlindjes së tij, At Bernardin Palaj OFM është një nga kandidatët shqiptarë të martirizuar nga komunizmi për t’u lartuar në nderimet e altarit!

Për 15 vjet mblodhi rapsodi në Malsi
Nga viti 1919-1934 Atë Bernardini tërë kohën ia kushtoi mbledhjes së rapsodive shqiptarë, që për 15 vjet punoi pa ndërprerë bashkë më Donat Kurtin ku nisi botimin e këtyre rapsodive në fillim të Hylli i Dritës që drejtohej nga At Gjergj Fishta e për t’i përfunduar ato në Tiranë, në botimin e dytë veprës së njohur “Visaret e Kombit” këngë kreshnikë dhe legjenda.
Në parathënën e këtij libri ndër të tjera thuhet: “Këngët e vjetra”, që njihen prej malësorëve më emrin “Këngë kreshnike, Këngë të moçme, Këngë lahute”, janë thesari i paçmueshëm i gjuhës. Që në fillim të këtyre këngëve Atë Gjergj Fishta shprehet: “Ku ma ke edhe ndër literaturë të kombeve të qytetnume një përkthim me ngjyra më të gjalla, më shëmbëlltyra më të përshtatuna e më një burrni më bujare ma fisnike e të njëzëshme…”.
Atëherë kur kihet parasysh se këto se u thanë më lart shihet qartë se At Bernardini nuk ishte vetëm mbledhës i rapsodive, por Ai i përpunonte ato në variante të ndryshme si poet i fuqishëm me një mjeshtëri të rrallë pa prekur në freskinë origjinale që ato këngë ngërthenin në vete.

Visaret e Kombit - At Bernardin Palaj e At Donat Kurti
Visaret e Kombit – At Bernardin Palaj e At Donat Kurti

Çfarë tha Fishta dhe cilat janë shtatë poemat e At Bernardinit
Poeti At Bernardini fillon dhe mbaron brenda viteve 1933-1942, ku shkroi shtatë poema epiko-lirike me mbi 6000 vargje, si dhe tri poezi, dy prej të cilave u botuan pas vdekjes se tij.
Keto shtatë u botuan në revisten “Hylli i Dritës” sipas kësaj kronologjie:
“Prej burgut të jetës” – 1933
“Valët e një shpirti” – 1934
“Moskë – Alkazar” – 1937
“Vorreve të flamurit” – 1937
“Kuq e zi” – 1937
“Ndërmjet të Shën Gjergjeve” – 1938 dhe
“Kah nata e vetme” – 1941.
Këto zgjuan kureshtjen e opinionit dhe të studiuesve të letërsisë shqipe. Poeti At Gjergj Fishta duke e parë seriozitetin, talentin, mjeshtërinë, gjuhën e pastër të këtij poeti thotë: “Ky ka talent të madh e njeh gjuhën shqipe me themel dhe shton se ky do të na kalojë të gjithëve…” Këto janë shtatë poemat e Atë Bernardinit të cilat qëndrojnë si vepra në vete, por që skalisin portretin e poetit si një ndër skalitësit e fjalës, vargut dhe rinisë shqiptare.

Klerikë Katolikë Shqiptare
Klerikë Katolikë Shqiptare

Etnograf i mirëfilltë
At Bernardini zë një vend të merituar edhe në etnografinë shqiptare. Ai botoi në Shkodër disa vepra etnografike:
“Dokë e kanu në Dukagjin” – 1942
“Mite, besime e legjenda” – 1943
“Dioqezi i Pultit” – 1943 dhe
“Kanuni i maleve” – 1944.
Për At Bernardinin shkruan edhe studiuesi prof. Dr. Alfred Çapaliku në veprën “At Bernardin Palaj – Jeta dhe Vepra” ku thotë se: “…Ky e heton psikologjinë e shqiptarëve dhe njeh thellësisht popullin, gurrën e pashterur të folklorit nëpërmjet të cilit spikaten aspiratat e kombit në përgjithësi. Kështu që veprat e tij për gjysmë shekulli u heshtën, u injoruan, u përbuzen, u nëpërkëmben, dhe pas atij gjysmë shekulli veprat e At Bernardin Palaj filluan të shkruhen e të përmenden, siç kemi fatin që sot t’i kemi në revistën tonë dhe të mund t’i lexojmë.”

Muzikant dhe Muzikolog
At Bernardini njihet si muzikant. Është i njohur si autorë i tekstit dhe i muzikës së këngëve tash të njohura me përmbajtje patriotike si: “Flamuri”, “Vaji i bylbylit”, e pra e përmbledhur në tetë vargje ku jepet e gjithë historia e popullit shqiptarë ndërsa e dyta i bën jehonë gjendjes së mjeruar të Shqipërisë nën pushtimin fashist.
Këto dy këngë me tekst dhe muzikë të At Bernardinit u përhapen në tërë Shqipërinë e sidomos në mesin e rinisë shkodrane. Ndërsa studiuesi prof. dr. Alfred Çapaliku shkruan se: “At Bernardini edhe si fëmijë i kishte rënë fyellit e si djalosh e si burrë u bë i ditur edhe në muzikë, ku ishte edhe në orkestrën e Liceut “Illyricum” në Shkodër.”

At Gjergj Fishta
At Gjergj Fishta

Fundi tragjik
Studiues të shumtë i quajnë At Bernardin Palajn dhe At Gjergj Fishtën si “Homeret Shqiptarë” dhe veprën e tyre si “Iliadë Shqiptare”, por si përfunduan këta burra të kombit si: Palaj, Harapi dhe Prenushi, Zadeja dhe Kurti? I burgosen, vdiqën nëpër burgje disa nga torturat e disa edhe i pushkatuan. At Bernardini e parandiente dhe u thoshte shokëve se nuk do të mund t’u qëndrojë torturave. Dhe vërtet kështu ndodhi, në oborrin e Kuvendit Françeskan të kthyer në burg nga regjimi komunist. Atë e mundonin e rrihnin për vdekje deri sa një ditë ia humbën ndjenjat. Kjo vazhdoi deri sa edhe ju helmua gjaku dhe vdiq nga një sëmundje i akuzuar si “agjent i të huajve”.
Një atdhetar i flaktë që tërë jetën punoi për të mirën e kombit, të mirën e atdheut u cilësua si i tillë?!?!?

Në vend të përfundimit
Studiuesi i jetës dhe i veprës së At Bernardinit Prof. Dr. Alfred Çapaliku, në veprën e tij “At Bernardin Palaj – Jeta dhe veprat” për këtë figurë madhorë të letërsisë shqipe ndër të tjera pohon: “Dhe brezat që shkojnë e vijnë e quajnë argatin e folklorit Atë Bernardin Palaj “Lonrost” shqiptar. Nëse Elias Lonrost (1802-1884) mblodhi këngë të moçme, histori dhe legjenda duke udhëtuar në të gjitha tokat e tij, që i përdori si për rindërtimin e poemës kombëtare finlandeze, të njëjtën gjë e bëri edhe Atë Bernardin Palaj duke jua risjellë shqiptarëve nga mjegulla e kohërave”.
http://famulliabinqes.com

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.