back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

At Daniel Gjeçaj – Njeriu, Meshtari dhe intelektuali i paepun – Me rastin e 110 vjetorit të lindjes

Gazeta

Padre Daniel Gjecaj (1913-2002)
Padre Daniel Gjecaj (1913-2002)

At Daniel Gjeçaj – Njeriu, Meshtari dhe intelektuali i paepun

Me rastin e 110 vjetorit të lindjes

Daniel Gjeçaj (Theth, 14 tetor 1913 – Romë, 30 gusht 2002)
frat françeskan, studjues, publicist dhe shkrimtar shqiptar

Emri me të cilin e pagëzuan ishte Mark, i biri i Prenkë dhe Kate Vatës. Mësimet e para të shqipes dhe të fesë i mori prej famullitarit, P. Dedë Bërdicës. Më 1924 vjen në Shkodër dhe hyn në kolegjin e françeskanëve, dhe më pas vijoi në liceun “Illyricum” ku kishte mësues Fishtën, Harapin, Prennushin, Shllakun, etj. Me 23 tetor 1932, vesh zhgunin, me 1933 kryen rishtarinë, me 1936 studimet liceore. Mbas këtyre nis pjesa e dytë e përgatitjes me studime jashtë Shqipërisë. Kështu më 1936 dërgohet nga eprorët e vet në Kuvendin e Shën Bernardinit në Sienë dhe qëndron aty deri me 1939, kur më 25 korrik shugurohet meshtar. Vitin akademik që vijoi u dërgua në Fuldë të Gjermanisë, të parë e kuvendit t’atjeshëm i propozuan të vazhdonte studimet ku të dëshironte, por ai zgjodhi të kthehej nw atdhe.
Me të kryer studimet vjen dhe mban meshën e parë në fshatin e lindjes, emërohet drejtor i Bibliotekës Françeskane deri më 1941 dhe më vonë zëvendës drejtor i kolegjit françeskan.
Më 1942, Provinca e dërgon në Itali për të ndjekur me korrespondencë për shkenca biologjike, por u kthye vitin e ardhshëm në vjeshtë me të kapitulluar Italia.
Me mbylljen e instituteve fetare në Shkodër shkon më 1946, si famullitar në Plan të Dukagjinit. Më 1948, arratiset në Jugosllavi me Martin Camajn, rapsodin Gjergj Pllumi dhe tridhjetë e sa nacionalistë të udhëhequr nga kap. Gjon Destanishta. Nuk pranoi për të bashkëpunuar me UDB-në për ketë arsye u dërgua së parit me punue në hekurudhë në Barashumanoviq e mandej asistent i inxhinierit gjerman Vogel, rob lufte, në Fushë të Zezë afër Podgoricës. Kaloi në Herzegnovi e Surdulicë e mandej iu bë e mundur të ushtrojë mësuesinë në katundin e Preshevës ku mësues Marku u prit mirë. Më 1955, i ndihmuar nga Ernest Koliqi kalon në Itali, ku vendoset në Toskanë, në një provincë minoritike. Komiteti “Shqipëria e Lirë” e thërret si përgjegjës për kulturën dhe i jep detyrë të ribotonte eposin fishtjan “Lahuta e Malcís”, e P. Danieli bashkë me Petro Vuçanin e korrigjon dhe boton më 1959. Para se të zinte vend më 15 korrik 1970, në famullinë e Shën Gregorit VII në Romë, ka qenë sekretar i Át Angelico Lazzari në Kurien e përgjithshme (1961-1965), ndërsa nga 1965-1970, jeton në Shën Pjetër në Montorio. Bashkëpunon dendur me Ernest Koliqin për të botuar tek “Shêjzat” artikuj, dhe iu dëgjua zëri shpesh ndër programet e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe bashkë me Dom Zef Shestanin.
Zhvillon konferenca për lirinë e popullit shqiptar deri në ShBA. Ma vonë u emërua prej Selisë Shenjte si përfaqësues i katolikëve shqiptarë në mërgim. Shërbesën e tij meshtarake e zhvilloi pranë Famullisë së Shën Gregorit VII, ndërsa ishte edhe asistent i U.F.SH. të famullisë Santa Maria Mediatrice dhe të famullisë Santa Maria della Perseveranza. Në këtë gjysmë shekulli që jetoi në Perëndim, së bashku me dy fretën tjerë shqiptarë, Prof. Jakob Marlekajn në Bari e Dr. Paulin Margjokajn në Vjenë, mblodhën libra, dorëshkrime, dokumenta duke formuar rishtas atë që u bë bërthama e bibliotekës së re françeskane në Gjuhadol. Shuhet në qytetin e amshuar më 30 gusht 2002.

Veprimtaria kulturore

Përveç botimit të lartpërmendur të Lahutës, nevoja lypi që ta ribotonin më 1989 dhe 1991. Botime të cilat u bënë me një aparat komentimi të detajuar. U kujdes për ribotimin e veprave të një françeskani tjetër, “Andrra e Prêtashit” (1959) dhe “Valë mbi vale” (1994). Botoi Kujtimet e veta për Atë Gjergj Fishtën (Shêjzat, 1957, nr. 4-5), Proza fishtjane (Shêjzat, 1961, nr. 11-12) duke u nënshkruar në të dyja rastet me pseudonimin “Gjin Duka”.
U dallua edhe në fushën e përkthimeve, duke sjellë në shqip Mesharin e të kremteve (1966), Rendori i meshës (1973), Psalmet dhe krejt Shkrimin e Shenjtë. Ndërkohë panë dritën e botimit edhe vepra të tijat origjinale kryesisht duke trajtuar argumenta të jetës malësore e figura reale të atij ambient. Kështu ai botoi veprat “Prel Tuli i Salcës” (Romë, 1988), “Mehmet Shpendi dhe Mark Sadiku i Shalës” (Romë, 1996), “Te del Kiri” (Shkodër, 2000) dhe la në dorëshkrim një vepër me titull: “Dikur në Dukagjin”. Më 1992 doli në dritë një punim të cilit i kishte kushtuar vite, “Gjergj Fishta: Jeta dhe vepra”, një monografi shterruese, me pseudonimin Pal Duka-Gjini.
Marrë nga Wikipedia

At Daniel Gjecaj (1913-2002)
At Daniel Gjecaj (1913-2002)
Gjin Duka – Me kët pseudonim Frati shqiptar,
At Danjel Gjeçaj ka bashkëpunue disa herë në Revistën e Koliqit

At Daniel Gjeçaj âsht i njoftun në rrethet kulturore të mërgatës shqiptare me botimin e dytë të kryeveprës “Lahuta e Malcis”, (Romë 1958) me skjarime, komentime dhe spjegime fjalësh, me ribotimin e veprës së At Anton Harapit “Andrra e Prêtashit”, etj. Qysh në numrin 45 të Vjetit të parë (1957) e shofim emnin e tij ndërmjet bashkëpuntorve mâ të vlefshëm të Revistës. Në rasën e 17 vjetorit të vdekjes së Poetit të Madh, shkruen nji artikull kujtimuer, ku me nji gjuhë të zgjedhun, me shprehje lapidare, paraqet fytyrën vigane të Fishtës, tue e vendosë në vendin qi i përket si mâ të madhin Poet të Kombit. Artikulli âsht ilustrue me fotografinë e të vdekunit dhe me nji tjetër në shtratin e vdekjes tue e vajtue At Gjon Shllaku, nji tjetër martir i furisë së të patënzonvet të ditvet tona.
“Et erit in benedictione memoria illius”. At Danjel Gjeçaj e vijon bashkëpunimin me artikullin në rasën e vdekjes së Papës Piut XII, Eugjen Pacelli-t (“Shêjzat”, Vjeti II (1958), faqe 291-294).
Në numrin kujtimuer qi Revista “Shêjzat” i kushtoi 90 vjetorit të lindjes së Fishtës (Vjeti V, numri 11-12, faqe 361-525), At Gjeçaj ban nji analizë t’imtë të shkrimeve fishtjane me titullin: “Proza Fishtiane”; artikulli-studim ndahet në këto pjese:
1.Proza Fishtjane – shkollw kombtare dhe votër kulture;
2.Proza Fishtjane – armë mbrojtëse e idealit fetaro-kombëtar;
3.Proza e Fishtës, pasqyrë dhe dokumentim i ngjarjeve bashkëkohore;
4.Gjuha dhe stili i prozës fishtjane, dhe e përfundon studimin qi rrok 29 faqe me kët mendim: “Gjuha e prozës së Fishtës âsht, si ajo e poezisë, gjuhë e popullit: e thjeshtë, e gjallë, përplot me frazeologji, e rrjedhshme, e fortë e burrnore… Kur në malet e veriut, simbas besimit populluer, rrëxohet nji shkamb i madh mbrenda njaj krahine, besohet se nji dâm i papritun, nji kob i zi, i rrin mbi krye atij fisi”. Dhe me të vërtetë – shtojmë na – vdekja e Fishtës qe nji fatkeqsi e madhe për kombin, u rrëxue përtokë lisi me rrâjë të forta, qe nji ogur i zi për vendin shqiptar, të cilin mbas vdekjes së Tij, e mbuluen të zezat. Në numrin përkujtimuer kushtue 60 vjetorit të lindjes së Poetit shkodran, Ernest Koliqit, (“Shêjzat”, nr. 5-6 e 7-8, faqe 145-241) Vjeti VII i themelimit të Revistës (1963), Gjin Duka shkruen nji artikull të gjatë me titullin “Hije e drita në male të Dukagjinit” (faqe 277-287)
Marrë nga libri “Nëpër Vullajt e Shejzave” – ribotim me nji studim të gjatë e të plotësuar nga Jozef Radi…

Jozef Radi Mri Dedja e Merrnaçajve
Jozef Radi Mri Dedja e Merrnaçajve
Për padre Daniel Gjeçajn…
nga rrëfimet e nji jete të Mrì Dedjes

Padër Daniel Gjeçaj asht kenë prej Thethit të Dukagjinit. Me njaq sa e kam njoftë e sa kam ndigjue, asht kenë personalitet i Kishës Katolike. Ka punue për nji kohë të gjatë në Radio Vatikanin, e asht marrë shumë me shkrime e lexime, bile kam ndigjue se ka bashkpunue edhe me Koliqin n’Itali!
Me sa di vetë, Padre Danieli ka ardhë disa herë n’Amerikë, edhe asht mundue me i dhanë zà komunitetit katolik. Ka kenë ndër nismëtarët me gjetë fonde dhe mbështetje, s’bashku me dom Zef Oroshin, kanë ba përpjekje për ngritjen e Kishës së “Zojës së Shkodrës”. Mbasi asht ble truelli, asht kenë midis atyne që kanë ndërmjetsue për ndërtimin e saj, si përmes Radio Vatikanit e në bashkëpunim me Kishën Katolike Amerikane, me u ndihmue komuniteti shqiptar i New Yorkut, me pasë edhe ai nji kishë t’vetën në Bronx.
At Daniel Gjeçaj ka ardhë n’shpi tonë, prej dëshirës e kambnguljes së Nishit… E kujtoj fort mirë at natë kur asht shtrue darka n’shpi tonë. E kalueme bukurì, e mbasi asht krye ajo punë, na kanë ardhë edhe do tjerë… Na asht mbushë shpia plot, me t’mirë e t’kqijë… Na i njifshim mirë, po na erdh keq për padër Danielin, mbasi i krijuen nji situatë jo fort e kandshme. Ata që erdhën folën sa deshtën, bile e tepruen. At natë janë kenë edhe dom Pjetri e dom Rroku. S’na erdh mirë, pse i kishim mysafirë n’shpi tonë, ata që erdhën shfrynë sa mundën, po priftnat e ruejtën qetsinë e u janë përgjigjë njaq bukur, me matuni e jo me potere si ata. Gjithsesi i kanë kallzue me shumë dinjitet të vërtetat. Dikur, asht çue Marashi e ju ka thanë: “Sonte ata janë miq në shpì tonë! N’se doni me folë rrini, n’se doni me ba potere me ta, dilni e shkoni dikund tjetër…!”
Padër Daniel Gjeçajn e kujtoj ma s’shumti se na ka pritë në të dyja herët që kena shkue për vizitë n’Itali, t’organizuem prej Kishës tonë.
Jena kenë rreth njiqind vetë n’autobuz bashkë me të… e ai na ka shpjegue për tana vendet kah po shkojmë e ku po ndalena, në veçanti për kishat, për t’cilat kishte njohuni t’pasosuna. Me të kena shetitë Romën, Firencen, Milanon, Venecian po edhe n’Padova te Shna Ndou, kena shkue. Ai gjithkund me ne e gjithnji i palodhun.
S’mundem m’e harrue kurrsesi vizitën që kena ba në Genazano, ku fugurja e Zojës së Shkodrës, ka hikë prej kishës, mbasi turqit e kanë marrë qytetin e asht gjetë të nesërmen në Genazano. Kishte shkue e ishte ndalë njaty. Kam vrejtë, se at Danieli kishte dishirë me ndejtë gjithkund me ne, shqiptarët e Shqipnisë, se ishim ma t’paktë.
Herën e parë që shkueme kena ba shumë fotografi e i kam ruejtë të tana. Herën e dytë s’di si na u ngatrruen punët e janë vonue s’di pse. S’kam asnji fotografi prej asaj vizite, e fort marak m’ka mbetë at’herë po edhe sot…
Marrë nga libri i J. Radit “Mrì Dedja e Merrnaçajve” – Sh.B. “Jozef” 2023 (faqe 292-294)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.