back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

At Gjergj Fishta asht mendja, zemra dhe shpirti i popullit shqiptar nga Daniel Gazulli – Fritz Radovani

Gazeta

Gjergj Fishta (1866-1940)
Gjergj Fishta (1866-1940)

At Gjergj Fishta

asht mendja, zemra dhe shpirti

i popullit shqiptar

nga Daniel Gazulli – Fritz Radovani

***
Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botue në Tiranë në vitin 1985, nga Akademia e Shkencave e RPSSH, në faqe 270-271, shkruhet: “Fishta Gjergj (1871-1940). Shkrimtar dhe publicist reaksionar, përfaqësues kryesor i letërsisë klerikale-katolike. Që në fund të shek. XIX mori pjesë gjallërisht në jetën politike dhe kulturore për të forcuar në të ndikimin e klerit katolik. Në vitin 1913 e deri me 1938, me ndonjë ndërprerje të shkurtër, drejtoi revistën “Hylli i Dritës”, një nga tribunat më aktive të reaksionit klerikal. Në shkrimet e tij publicistike luftoi me tërbim kundër ideve përparimtare. Me 7 prill 1939, përshëndeti pushtimin e vendit nga forcat fashiste italiane. Krijimtaria letrare e tij është shumë e gjerë dhe e larmishme; shkroi vjersha, poema dhe drama etj. Vepra e tij kryesore është poema Lahuta e Malëcisë (botuar e plotë më 1937) një panoramë poetike e ngjarjeve kryesore historike të viteve 1878-1912, të pasqyruara nga pozita e klerit katolik; në të Gj. F. himnizoi prapambetjen e jetës së malësisë, patriarkalizmin, padijen, lartësoi mercenarizmin, etj. Më 1923, shkroi pamfletin  me vargje Gomari i Babatasit  që drejtohej kundër laicizmit të shkollës, dhe, në përgjithësi, kundër përparimit shoqëror e kulturor të vendit. Një pjesë e mirë e krijimtarisë së tij letrare përshkohet nga fryma e besimtarisë fetare. (V. B.)”
Siglat V. B. në redaksinë e letërsisë përfaqsojnë “prof.” Vehbi Balën, nga Shkodra.
Sikur ky Fjalor Enciklopedik të ishte botue para vitit 1912, nga mejtepet e Stambollit, me siguri autorët do t’ishin tregue pak ma të kujdesshëm në shprehjet e tyne  të pakontrollueme anadollake, se sa “profesori ynë shkodran”. Ai të pakten të kishte parasysh dekoratën e dhanun nga Mbretnia Turke në vitin 1912, apo aprovimin që qeveria e Stambollit i dha në 1902, për futjen e Gjuhës Shqipe ndër shkolla me kërkesën e At Fishtës. Me siguri Vehbi Bala ka harrue se asht tue shkrue për atë At Fishtë, që në vitin 1913, kur vuni Flamurin Kombëtar të Kastriotit në kompanjelin e Kishës së Fretënve në Gjuhadol, ka pas lidhë vargun e kandilave me drita prej atij kompanjeli me minaren e Xhamisë në Fushë të Çelës, në shenjë vëllaznimi e miqësie të katolikëve me muslimanët shkodranë, pse të gjithë ishim e jemi Shqiptarë. Përgjigjen At Fishta ia jep vetë në poezinë “Shqipnia e lirë”:

Por, po ndodhi se vjen dita,
Që me faj Shqipninë e darni,
Që e Lirisë u erret drita
Edhe n’t’huej Atdheun e mëvarni,
A për pare a marri t’tjera,
Si ndër kohë, që shkuen, atëhera,
Ju marroftë i Madhi Zot!

Fishta - Asdreni - Koliqi - Lasgushi, 1937
Fishta – Asdreni – Koliqi – Lasgushi, 1937

At Gjergj Fishta vdiq në prag të vitit ri 1941. Me formimin e Partisë Komuniste Shqiptare nga emisarët jugosllavë të Titos, vetkuptohet se jeta, shkolla, kultura, shoqnia apo politika do të kalonin nën ndikimin sllav, që ma vonë mori edhe formën qeveritare e shtetnore të Jugosllavisë, e njohun nga vendimet e Jaltës në Shkurt të 1945, kur Stalini u takue me Rusveltin e Çërçillin.
Ja parashikimi i At Fishtës që në 1914, në

“Një gjamë dëshpërimi!…”
Veç sot pse Europa, sot që asht gjith’ uzdaja
Se Shqiptaria e lirë del zojë n’ vetveti,
Pse sot Europa, – do  Mbretni t’ Mëdhaja –
Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,
E n’vende tona duen që shkjau të shklasë
E fisi shqiptarit n’dhe t’humbasë?…

Fishta-Bumçi-Berati… Paris 1919
Fishta-Bumçi-Berati… Paris 1919

Atëherë kur Shteti Shqiptar dhe Qeveria Provizore e Tiranës u zgjodhën dhe vazhduen me u drejtue nga komunistët shqiptarë, shërbëtorë besnikë të Titos dhe të Stalinit, çfarë mund të pritej përveç nji pushtimi të ri, që po zëvendsonte atë fashist e nazist? E të mendosh se Shqipnia, mbas pushtimit fashist të vitit 1939, kur kryeministër ishte Mustafa Kruja, e ministër E. Koliqi, arrijtën me hapë 120 shkolla shqipe jashta tokës Nanë, në territoret e pushtueme nga Serbia, në Ulqin, Tivar, Hot, Grudë e Kosovë, e kudo kishte në organet shtetnore vetëm Shqiptarë. Pushtuesit nazistë njohën të drejtën e vendosjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar pa shenjat e fashizmit apo të nazizmit.
Ndërsa, me 29 Nandor 1944, po në kompanjelin e Fretënve, aty ku At Fishta vendosi Flamurin Kombëtar në 1913, partizanët komunista të Enver Hoxhës vendosën Flamurin e zhigatun me yllin e kuq jugosllav, porosi e “shokut” Tito, në shenjë poshtnimi të Mbasardhësve të Gjergj Kastriotit, Dedë Gjo’ Lulit, Ismail Qemalit, At Fishtës, Gurakuqit, dhe të gjithë Atyne Atdhetarëve Shqiptarë, që luftuen trimnisht e vdiqën burrnisht për Shqipninë Europiane, por kurrë të poshtnueme prej sllavëve.

Me të drejtë At Fishta shkruen:
Këtu, këtu Shqiptarë!.. A ndiet?.. Ku ju kam…Ku jeni?
Mo’ leni burra!.. M’ armë!.. Mbaroi Kosova!…
Janina humbi!.. e ndoshta Tepeleni…
Shkoi Manastiri! Dibra dhe Gjakova!…
Vendet ma t’ mira ne na i mori shkjau,
E, çka asht ma zi, ne vëlla me vëlla na ndau.
E zani i Tij sot… ndër Rrëmaji ushton: “Surgite mortui!” (çohuni, të vdekun!)
Ah! N’ kambë, bre burra! N’ kambë! Çka jeni fshehë
Ndër furka t’ grave, si do rrole t’ këqia?…
Sot armët duen rrokë; taganat sot duen mprehë;
Asht turp, për Zotin! Shurdhë me humbë Shqipnia.
Mo’ leni, burra, bre! Kushtrim! Kushtrim!
A gjallë me nder; a vdekë grue e trim!
E n’ kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mëni,
Që flijë t’ bahet ndo’i shqiptar n’ therore,
Qe, mue tek m’ keni, merrni e m’ bani fli
Për Shqiptari, me shue çdo mëni mizore.
Oh! Edhe pa mue Shqipnia kjoftë e rroftë,
E nami i saj përjetë u trashigoftë!…

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

At Gjergj Fishta dhe vepra e Tij, ja si u vlersue para vitit 1945:

“Koha e ardhshme ka me dijtë me e çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e Tij të jenë përkthye ndër gjuhë ma të përhapuna.”
Prof. Dr. M. Lambertz

“Fishta është shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar.”
Lasgush Poradeci

“Kot përpiqen grekët e sotem të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se ‘Lahuta.”
Faik Konica

“Lahuta e Malsisë’ mund të qendrojë përkrah veprave poetike ma të shqueme të popujve të tjerë.”
M. A. Freün von Godin

“At Fishta, ky gjeni me rrajë në tokën amtare të Popullit Shqiptar, që për shkak të njohjes së thellë që kishte për letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtnore të kombeve të Europës, u ngjit deri ndër majat ma të nalta të kulturës.”
Prof. Dr. Norbert Jokl

“Fishtën, poet me temperament thjeshtë klasik nuk do ta frymëzonte asgjë më parë e më shumë se Atdheu. Gati krejt vepra e tij i është kushtuar Atdheut.”
Lefter Dilo

“Poemi epik ‘Lahuta e Malsisë’ asht një “vade mecum” i çdo atdhetari.”
Kolec Prennushi

“Sa qe gjallë, Fishta arriti apogjeun e vlerësimit, duke u ngritur në piedestalin e lartë të Poetit Kombëtar…Vetëm katër – pesë vjet pas vdekjes, jeta dhe vepra e Fishtës u përbaltën në mënyrë të pashembullt, me synimin që ai të varrosej njëherë e përgjithmonë, ose, e shumta, të mbetej si një njollë e zezë dhe e turpshme në historinë e letërsisë shqiptare…”
Prof. Ndue Zef Toma

Fishta midis Profesorëve të Illyricum 1922
Fishta midis Profesorëve të Illyricum 1922

***
Polemikës së At Fishtës i jep shpirt satira, me ndihmën e së cilës realizoi pikturën estetike të së keqes. Ai godet me forcë të gjitha llojet e devijimeve morale, sidomos ato të zyrtarëve ma të naltë. Këte luftë e ban me guxim, pa pyetë se me cilin binte në kontraditë. Prandaj edhe asht quejtë mbreti i polemikës shqiptare. Nuk trajtoi në to asnjëherë çashtje vetjake, pse si synim i polemikës së Tij të ashpër ishte lufta kundër pseodoatdhetarëve “me barkun kodër” dhe “xhepat e frymë”…
“Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizmin e shtetit civil nji njeri malok, matrahul, qi me m’zi ndoshta ka krye dy a tri klasë fillore e qi djerset kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradicjoni shpijak e edukata familjare, qi shumëkend ndër ta e ban krejt të neveritshëm e ekcentrik.
Ky babën gjaks, gjyshin katil, stergjyshin mizuer, rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intriganta, batakçij, vagabonda, rrugaça, me njerëz hasëm të kulturës e të gjytetnisë, kah mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e nji kombi ende primitiv? Pse me sundue nji shtet nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakçilleku, rrena, tradhëtija; duhet nder dhe urtì, burrnì: qe se shka duhet. Po, por dija, urtija, ndera, burrnija u nxejshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana t’Europës e mejhane paçaxhihane të Tiranës, tuj luejtë “tavell” e “bigjoz” e tuj pi “mastikë”.
Shënim (FR): Më tingllojnë këta rreshta sikur janë shkrue dje!..
Botohet me rasën e 75 vjetorit vdekjes.
Melbourne, Dhjetor 2015.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.