back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

At Gjergj Fishta Fati i Kombit Shqiptar – nga Frank Shkreli

Gazeta

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

At Gjergj Fishta Fati i Kombit Shqiptar

nga Frank Shkreli

“Mbi ta, po, randoi pesha e fuqis romake;/
mbi ta po, u lëshue e irun mnijet e gjithmonë e pabesë sfinksa sllave;/
rresht për katër kavaljete të gjata i ra sypri boena e barbarsis azjatike;/
por me gjith kta, ata nuk ndrruan njinin e vet kombtare,
e as s’lshuan doket e idealet e veta”//
At Gjergj Fishta
 
Frank Shkreli
Frank Shkreli

Kjo javë (23 Tetori 2021) shënon 150-vjetori i lindjes së njërit prej apostujve më të mëdhenj të shqiptarisë dhe mbrojtësit të interesave jetike kombëtare, Homerit të Kombit e të racës dhe Françeskanit të madh, At Gjergj Fishtës. Ishte fati i kombit që At Gjergj Fishta jetoi dhe veproi gjatë një periudhe jashtëzakonisht kritike për ekzistencën e shtetit shqiptar. Ai iu përgjigj thirrjeve të Atdheut, kudo e kurdoherë i kërkohej t’i shërbente të mirës dhe dobisë së Shqipërisë.

 
I ndjeri Profesor Namik Resuli i universitetit të Napolit, në një fjalim në Romë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Fishtës ka thënë se “kontributi i çmueshëm që dha Fishta në laminë e letrave dhe në edukimin e Kombit, në ruajtjen e kulturës dhe në naltësimin e gjuhës, vërtetojnë njëherë e përgjithmonë se Shqipnija pa Fishtën kishte për të qenë e mangët – ashtu si letrat tona pa pendën fishtjane kishin për të paraqit nji golle (boshllëk) të paplotësueshme. Këndej del e qartë se vetëm mënija e vëneri ndaj zhgunit e ndaj meshtarit katolik terratisin mendjet dhe ia mohojnë Fishtës vlerën e vendin që ai xen në panteonin e Kombit”.
At Gjergj Fishta është një përmbledhës i visarit shpirtëror të vuajtjeve, luftërave, mundimeve e përpjekjeve për liri, pavarësi e dinjitet njerëzor të kombit shqiptar. Në veprat e Gjergj Fishtës çdo shqiptar mund të gjejë të pasqyruar fatin e vet dhe të Kombit në luftëra titanike për të mbijetuar gjatë historisë. Aty gjen luftërat e mëdha të dragonjve ose të luftëtarëve shqiptarë, për t’i zbardhur faqen Kombit për një të ardhme më të mirë kundër kulshedrës, ose armikut të Shqiptarëve.
Albanologu italian Fulvio Cordignano ka shkruar në ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925, se “Mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtje për tagre të veta, mësimit kombtar në mbshtetje të gjuhës kombtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar – ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme. Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vegjël; këndon ndërsa i kërcnohet Shqypnisë përmbrenda, ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh”.
Kjo mënyrë “luftarake”, e shprehjes së ideve të At Gjergj Fishtës vihet re më së miri – sidomos ndaj politikës së Fuqive të Mëdha ndaj shqiptarëve dhe në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të Kombit shqiptar – në fjalimin që ai kishte përgatitur për t’u lexuar në një konferencë në Paris, në vitin 1916.
Më poshtë janë disa pjesë të fjalimit të përgatitur nga At Gjergj Fishta, lexuar në frëngjisht nga Imzot Luigj Bumçi, Ipeshkvit të Lezhës, në Universitetin katolik të Parisit në Qershor, të vitit 1916. Në atë fjalim, që në vetvete është një mbrojtje e fortë në përkrahje të të drejtave të Kombit të “papërkulun” shqiptar në atë kohë dhe sot, At Gjergj Fishta, përveçse fuqive të mëdha u “difton se kush janë e shka janë Shqyptarët”, dhe se cilat janë të drejtat e tyre, ai në të njëjtën kohë kritikon Fuqitë e Mëdha të asaj kohe, përfshi edhe Francën ku u mbajt fjalimi, për qëndrimin e tyre kundër lirisë, pavarësisë dhe të përcaktimit të kufijve natyrorë gjeografikë dhe etnikë të Kombit shqiptar në Ballkan.
“Prej brigjeve gjimuese t’Euksinit e me borë t’amshueme t’Alpeve Julje, prej bigave bumulluese t’Akrokeraunvet e me karma të thepisuna të Karpateve, ene’ rijme me gjak njerit, në ato kavaljetet e kalueme të vjetra, banonte, si zotnija e juej mirë e dini, ajo familja e madhe trako-ilire, në nam e në zà, në histori të fiseve e të kombeve”. Fishta ka vazhduar fjalimin e tij duke thënë se nga kjo familje e madhe trako-ilire, “Atje ndërmjet Thesalijet e Malit të Zi, prej brigjevet lindore t’Adriatikut e më stom të Vardarit, pshtoi gjall nji grusht njerzish, që xanë vend a mbas murojet të do maleve titanike a se nën hije të kandshme të disa fushave gratshore e të kërthnesta – banë e përmallueshme e hyjvet të moshës prrallzore – u ban ball me fuqi kurr të përkulme të shpirtit të vet bujar e thellimeve të kavaljeteve e padrejtsive t’hipokrizisë njerëzore”.
“Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese, ene kta flasin atë gjuhën e të Parvet të vet ma të hershëm; ene e ruejnë të pandryshuem karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshavet të vet, e sot edhe punojnë shi njat tokë që punuan të parët e tyne prehistorikë”.
Fretnit Françeskane - rreshti i pare ulur Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi
Fretnit Françeskanë – rreshti i parë ulur
Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi
At Gjergj Fishta, në fjalimin e tij, ka folur për vuajtjet e mëdha të shqiptarëve nën okupues të huaj gjatë shekujve, duke thënë: “Mbi ta, po, randoi pesha e fuqisë rromake; mbi ta po, u lëshue e irun mnijet e gjithmonë e pabesë sfinksa sllave; rresht për katër kavaljete të gjata i ra sypri boena e barbarisë azjatike; por me gjith kta, ata nuk ndrruan njininë e vet kombtare, e as s’lshuan doket e idealet e veta. Po, ky popull i papërkulun kurr, ende gjindet atje mbi ato maje të thepisuna, mbi ato zalli të plleshme, ku të parët e tij prefshin rrasat për me ça me to rrashtat e anmqivet, a u epshin ujë pallavet të hekurta, për me shtrue me to mbarë botën nën kambë të nji Lekës së Madh…”.
Dhe vazhdon. “E mirë, pra, zotni të mij, ky popull asht njaj populli i vogël shqyptar, aq pak i njoftun e qa zi i gjykuem në Evropë. I vjetër sa fosilat, sa stalagtitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, e le të thuesh, prej vet bucet të Shqypnis, ai asht sot zot autokton e i pakundërshtim i tokve të veta. Ene sllavi s’kishte dalë prej breshtet t’Uralit, e ende s’kje njeshë e sodmja frotë laramane neo-elenike, kur Shqyptari korrte më zagna të Ballkanit edhe mbyllë e kishte nji periudhë të historisë së vet në moshë të rruzullimit. Kush para Shqyptarit ngau qetë sinjorevet të Ballkanit? Historinë e kemi aty, zotni të mij, që na flet kjartë, e asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare a se gjysëm-zyrtare…”.
Fishta më tej u ka kujtuar, përfaqsuesve të Fuqive të Mëdha 20 qershor 1919, në Paris, parimet uilsonjane për pavarësi të popujve, duke bërë pyetje: “E njimend: e po i cili popull në Ballkan ka ndiesi ma të thella për liri të vet se populli shqyptar? A dro asht Sllavi i kadalshëm e i ngathtë… E po, a thue asht Greku – ai skilja e vjetër – që gjithmonë si nji bimë parasite ju njesh ma të fortit… apo asht Shqyptari, që pshtetë të gjithë shpresën në fuqi të vet e m’ate të armve të veta: qe i drejtë me miq, bukëdhanës me të huej, i rrebtë me anmiq… ene deri më sot nuk i asht përmysë njaj force të huaj… Kjenë, po pushtuesa mbi Shqypni, por nuk kjen kurr zotnuesa mbi Shqyptarë…”
Në fjalimin e tij, At Gjergj Fishta u është përgjigjur akuzave të armiqëve të Kombit shqiptar dhe përkrahësve të tyre, që i paraqisnin shqiptarët si “barbarë” dhe jo të denjë të lirisë dhe pavarësisë së tyre, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, duke shtuar se ata kanë thyer e shkelur çdo të drejtë ndërkombëtare e njerëzore. “Serbët, në kohën e luftës ballkanike me shpata kanë çelë nanat shqyptare e foshnjet e nxjerruna prej sosh i kanë ndezë si pisha, për me shndritë natën me to, e sot Konferenca ka trefishue shtetin e tyne. Grekët kanë kryqzue gjinden shqyptare shi në qindvjetë – e sot Konferenca ka menden me u dhanë mandatin me shtrue e me gjytetnue disa kombe të tjera: pse tash Shqyptari, i cili s’i njef kto mizori në vetvedi, s’mundet me dalë shtet mbë vedi, i lirë e i pamvarshëm’”?
At Gjergj Fishta ka përfunduar fjalimin e tij mbi të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta duke nënvijuar se sipas parimeve të Presidentit amerikan Uilson, “ashtë punë e arsyeshme, që shteti shqyptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mbrrin kombsija e popullit shqyptar e vijueme e pandame prej centrit të vet… Prandej, çdo pakësim i tokës së Shqypnisë, që të mos jetë bamë mbas ktyne parimeve, duhet mbajtun i dhunshëm dhe i padrejtë”.
“Populli shqyptar flet nji gjuhë krejtë të veten… prandej s’ka si të mohohet se të gjith njata që flasin shqyp janë kombsijet shqyptare; e se për ketë arsye shteti shqyptar do të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshinë gjuha shqype”.
Për të kundërshtuar ato që Fishta i ka cilësuar si “gënjeshtra të pa-përmbajtuna e të pahijshme, shoshitë prej anmiqëve” të kombit shqiptar, At Fishta citon një artikull të shkrimtarit francez Rene Pinot, i cili kishte vizituar Shqipërinë, shkrimi i të cilit ishte botuar në revisten “Revue Des Deux Mondes”, e që duke folur për kufijtë e Shqipërisë shkruante këto: “Prej fushave të Vardarit e mb’ Adriatik, prej Thesalijet e mb’ Mal të Zi, zot toket ashtë Shqyptari, në daç pse ky hini mbrendë ma i pari, në daç se ky ndodhi ma i forti”.
Fishta përfundon fjalimin e tij të gjatë në Universitetin e Katolik të Parisit në Qershor 1916, me një referencë ndaj statistikave etnologjike të kohës, duke thanë: “Të tanë krahina e Kosovës, pra, që prej Konferencet të Londonit (1913) i kje lshue Serbis, e mbarë Epiri i Nordit, të cilit i lakmon Greqia, janë banue kryekput prej Shqyptarësh , e prandej e drejta e lypë që të njihen me shtet shqyptar… Qysh se serbt kanë vra me qinda mijash njerëz në Kosovë, e Grekt kanë djegë qinda e qinda katundesh n’Epir të Nordit, duket kjartsisht, se as banorët e Kosovës s’janë Serb, as ata t’Epirit të Nordit s’janë Grek. Jo, po Zotni; janë vra gjindja me qina mijash në Kosovë e janë djegë me qinda e qinda katunde në Epir të Nordit, sepse Serbt e Grekt duen me shue farën shqyptare n’ato krahina, për me mujt me i thanë masandej Konferencës së Paqit, se atje s’ka Shqyptarë”.
At Fishta e përfundon fjalimin duke thenë se të gjitha pretendimet e fqinjëve karshi tokave shqiptare janë bërë në bazë gënjeshtrash dhe pa kurrfarë turpi, ndërsa ka deklaruar se: “Konferenca e Paqit kishte me ba nji paudhni të përgjakshme, po nuk i nxuer e nuk ia këthei Shqypnisë ato tokë që Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqit e drejtsijet, në vjetin 1913 ia shkputi per me jau lëshue Grekvet e Serbvet”.
At Gjergj Fishta (Pikturë)
At Gjergj Fishta (Pikturë)
150 vjet më parë, këtë muaj, lindi Poeti i Kombit shqiptar At Gjergj Fishta. U shënua aty këtu me ndonjë kremtim ose shkrim përkujtimor. Por do të ishte me vend që, në prag të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, veprat dhe veprimtaria e At Gjergj Fishtës në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të trojeve shqiptare, të mos lihen pas dore, por në një mënyrë dinjitoze të nderohet poeti, i cili nderoi dhe mbrojti pavarësinë e kombit shqiptar në një prej periudhave më kritike të ekzistencës së tij, kur armiqtë e Kombit jo vetëm donin t’i mohonin pavarësinë shtetit të ri shqiptar por përpiqeshin ta ndanin Shqipërinë copa-copa.
Pak kohë më parë Akademia e Shkencave e Shqipërisë mbajti një seminar kushtuar At Gjergj Fishtës, i pari i tillë në pothuaj 80-vjetë, pas vdekjes së tij – një ngjarje kjo megjithëse me rëndësi, m’u desh ta cilësoja si një hap përpara e dy hapa mbrapa, sa i përket pranimit të punës, jetës dhe veprimtarisë kombëtare të Fishtës. Frank Shkreli: At Gjergj Fishta dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë një hap përpara, dy mbrapa (Gazeta Telegraf)
Nuk pritej asgjë më mirë, as më shumë. At Gjergj Fishta nuk është pjellë e këtij sistemi dhe kësaj ideologjie nostalgjikësh të komunizmit që ende kontrollojnë pushtetin, historinë dhe shkencat, që ende Fishtën e konsiderojnë si tradhëtar dhe poliagjent – njerëz të cilët – akademikë dhe politikanë – që ende marrin vendime bazuar në periudhën e luftës së klasave. Pa marrë parasysh – At Gjergj Fishta edhe në këtë 150-vjetor të lindjes – mbetet mbrojtësi më i fortë i të drejtave të Kombit shqiptar. Ai është babai i Alfabetit të gjuhës shqipe dhe poeti i Kombit. Sot, trashëgimia e At Gjergj Fishtës është e gjallë për brezat e ardhshëm të Kombit të cilët do ia vlerësojnë veprën e tij, jo nga pikëpamja marksiste-leniniste, por duke u bazuar në vlerat kombëtare që ai mbronte dhe në kontributin e vërtetë historik të këtij burri të madh të Kombit shqiptar.
Majft është Mjaft! Ka ardhur koha, më në fund, që në këtë 150-vjetor të lindjes së Poetit Kombëtar – At Gjergj Fishta të zejë vendin që i takon dhe që meriton në historinë e Kombit Shqiptar. Kot e kini se Shqipëria as Kombi shqiptar nuk bëhen pa vlerat kombëtare të At Gjergj Fishtën!
At Gjergj Fishta - Poradeci - Koliqi - Asdreni
“Katërshja e madhe” e letrave…
At Gjergj Fishta – Poradeci – Koliqi – Asdreni

At Gjergj Fishta – Shqypnia e Lirë

Po, por nesër, me ndihmë të Zotit,
Do ta bajm prap Shqypni t’lir
Prej Prevezet e m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivarit e m’Monastir;
Edhe Flamuri i Shqypnis,
Si flakë mnijet t’Perendis,
Do t’valvitet në Kaçanik.
M’Kaçanik, po, do t’valvitet
Kuq e Zi, Flam’ri i Shqyptarëve,
Përse toka, shqyp ku flitet,
Ajo vetë asht që prej të Parvet
Trashigimin na e kemi pasë:
Mbrendë i juej ma s’do të shklasë,
Jo, po: na sod ktu sundojm;
Ktu s’hecë fjala e tjetër kuej;
Gjall lirinë na nuk e lshojm’,
S’njohim mbret as krajl të huej,
Zoti n’qiell e na mbi tokë
Me gjithkend vëllazën e shokë,
Por secili në cak të vet.
Prandej i hueji në andërr m’e pa
Se vjen kurr e shklet nder ne,
Drue se keq kishte me i ra.
Gjergj Fishta – Mrizi i Zanavet e Vallja e Parrizit
 
***
“Prifti Gjergj Fishta, vazhdimtar në udhën e Kombit, Frymëtar i Fjalës, solli Dhuratën e vet në Adhurimtoren e Atdheut-Shpirt, Mendim i Parathënësve të Shqipes. Ay e solli me gjith vargun e shprehjeve bashkimtare dhe vëllazërimtare fetare të falura në gojë të polemit shqiptar dhe të krerëve shqiptarë dhe të udhëheqësve shqiptarë, të cilët lidhin besë e fe shqiptare ndaj Rezikut- Mendim i kombit, Parim atdhedashurije”. (Lasgush Poradeci)
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.