At Gjergj Fishta n’Amerikë, dhe çeshtja e përparimit në Shqipni
përgatiti Fritz Radovani
(Dokumenti i pabotuem origjinal asht në Arkivin e Shtetit Tiranë)
Janë tre muej që At Gjergj Fishta O.F.M., Françeskan dhe Deputet në Këshillin Kombtar, gjindet n’Amerikë, e shumë kush ndër Shqiptarë të ktûshëm, qi endé s’kanë pasë rasë me u pjekë me Tê, janë interesue të dijnë qëllimin e t’ardhunit të Tij në Botën e rè – n’Amerikë.
At Fishta i trembej coptimit të trojeve shqiptare, simbas interesave të grupeve politike, që lirinë e pamvarsinë e kishin kthye në një “vlerë” për nevojat e tyne, dhe jo për të mirën e Shqiptarve.
Edhé né të redaksisë së “Diellit” na ká rá me kênë të pvetun mbi ketë çeshtje; prandej, tue u ndollë në këto ditë At Gjergj Fishta këtû në Boston: Mbasi edhè ndjesi miqsore të kahershme e njëmori idealesh kulture e përparimi e lidhin me Kryetarin e Federatës “Vatra”, z. Faik Konitzën: Muerme rasën, një ditë që edhe në Redaksinë tonë, t’a pyesim familjarisht, se cili ishte qëllimi, qi e kishte sjellë e prue këtû në kët dhé?
•E qe se shka na u përgjegjë Deputeti i Shkodrës, mbasi formalisht na deklaroj njëherë mâ përpara, se s’kishte kurrnjë mision zyrtar prej anës së Qeverisë s’onë Shqiptare: “Po m’vjen fort mirë, na tha, që po ma lypni këtë fjalë, pse kështu tash po m’bjenë rasa t’ju flas edhé mbi do çeshtje, që âsht mirë t’i dijnë Shqiptarët e Amerikës e sidomos, të Federatës “Vatra”.
Fjala e At Gjergj Fishtës:
“Shqipnija, si dihet, sot âsht e lirë. Shka para këtyne pêsmëdhetë vjetve për né do t’ishte kênë tepër andërr me e pasë pa, sot po e shofim të realizueme. Na sot kemi një Parlament t’onin, një Qeveri t’onën e një Këshill të Naltë Regjencet, që përvetson në vedi sovranitetin dhe pamvarsinë e Popullit Shqiptar. E as nuk ká mâ turq në Shqipni, as grekë, as serbë, as italjânë: Ká vetëm Shqiptarë të lirë! Triumfi i idealit t’onë – I Françeskânve të Shqipnisë. Të tanë kombi e di, po, se me sa ndërgjegje Françeskântë Shqiptarë janë mundue ta kryejnë detyrën e vet ndaj Atdheut, në daçi me mjete kulturale, në daçi tue marrë pjesë aktive nder të gjitha lëvizjet kombtare për lirinë e Atdheut.
Endé qet avull gjaku i Françeskanit Shqiptar atjé në Kosovë, qi nëper bajoneta të sllavit ju bâ flij Atdheut! Por liria e pamvarsia e një shtetit ndër kombe të qytetnueme nuk janë për këta, që ndonjë njeri ase ndonjë kastë e shtetit mund të losë me fatin e popullit si të duen, pa kontroll të tjerve; çka ndodhë ndër shtete autokrate e despotike sidomos kombet barbare: Por për t’i sjellë të mbarën popullit, tuj e bâmë me përparue materialisht e moralisht. Prandej, tue kênë se e mara e përparimi i një populli rrjedhin prej gjêjes së tij ekonomike e prej shkallës së zhvillimit të mendjes së tij, merret vesh mirëfillit, se prej një populli të qytetnuem, pos se i lirë politikisht, lypet që ai të jetë i lirë edhe ekonomikisht, e që qytetasit e tij të ndollin në një shkallë kulture të mjaftuehsme, për me dijtë me krye detyrat me ndërgjegje e me përdorue tagret me kohë, me vend, me mënyrë; si edhé me pasë aq zotsi, sa me u bâ ballë si duhet e sa duhet nevojave të reja të jetës, në të vuemit e të cilave rrin përparimi i popujve të qytetnuem. Si shifet, prá, prej shkallës së kulturës së një populli mvaret e gjithë jeta e tij politike e ekonomike, si edhe i gjithë përparimi i tij.
Tash unë po pyes Zotnin t’uej; Populli Shqiptar, që sot politikisht âsht i lirë e i pamvarun, a ka një shkallë kulture aq të naltë sa me i kuptue si duhet e sa duhet detyrat e veta?
Puna e tij a prodhon aq sa lypet për me jetue mirë e pa u bâ ky robi i huej ekonomikisht? N’atë shkallë kulture, n’të cilën gjindet sot shqiptari a âsht përnjimend i zoti të perparojë? Kur të vemë oroe, se sot për sot në Shqipni, pa kênë caktue endé kufijtë e sajë e tue u dijtë, se pa një Qeveri të vendasve shteti s’mund të ketë kredi përjashta e me vue oroe, po tham, se në pêsë javë mund të ndrrohen pesë Ministri: se shqiptarët, të cilët përpara u vritshin kokrra-kokrra, sot vriten çeta-çeta e jo, si motit, për pikë nderit a erzit, po për katër kambë të “kolltukut” të njanit a të tjetrit Ministër a Deputet të kombit: bakajt, hamajt, matrapazat, teneqexhi, kallajxhi, analfabetë gjithfarësh, mund të vênë sŷnin me u ngjitë ndër zyret edhé ma të naltat e Shtetit: se ushtria e jonë – mbrojtja e jetës kombtare – mund të lëshohet ndër duer oficierash, qi para këtyne dhetë vjetve kanë vra e prè, e vjerrë, e djegë, e pjekë shqiptarët, për arsye qi këta lypshin lirin’ e jetën kombtare; se ndër zyre të financave tona mund t’u jepet punë edhe atyne mehmurve, qi kohën e kalueme kanë mujtë të jenë têja, a ma mirë me thanë, rrënimi i financave të një Shteti të huej: Kështu edhe kur të merret parasysh, se edhe sot Shqiptari, me gjithë liri e pamvarsi të vetën, han bukë thatë e bishta purrijsh, si përpara: Se Qeverija s’ka kenë e zoja as me çilë kund një pash rrugë të re, as me meremetue kund një pash aso rrugash, që na i lanë ushtritë e hueja: se taksa doganore mund të mos vehet mbas interresave të gjalla të kombit, due me thânë, mbas përparimit të bujqësisë, të tregtisë, t’industrisë e mbas natyret të përpjekunave tona me Shtete të hueja, por mbas nevojës së kashës së Financave, sa për të mbajtë në kambë zyret me rroga àr, të cilat zyre, masandej, mund do të jenë të hapuna, ndoshta jo aq mbas nevojave të Shtetit, sa mbas numrit të kushrijve, miqve e të dashamirve të ministrave e të nëpunsave të naltë të tyne, mjerisht duhet me thânë, se populli Shqiptar s’ká as kuptimin e as ndërgjegjen e vërtetë të lirisë politike individuale e kolektive; s’ká zotsinë e mjaftueshme, për me mbajtë pamvarsinë ekonomike të vetën, e se prandej, as gjindet në një shkallë kulture aq të naltë, sa me sigurue përparimin e vet, pa të cilat veti një popull as mund të jetojë e as s’duhet të jetojë si shtet i pamvarun.
•Atëherë, mbas fjalve të Zotnisë s’Uej, i thame Deputetit të Shkodrës, Populli Shqiptar as mujka me jetue, as u dashka që të jetojë i pamvarun?
-Un nuk e thashë këtë fjalë, na u përgjegjë; por fundi aty del.
Si janë njerzit e punët në Shqipni, sot për sot kurrkush s’ja shef hajrin pamvarsisë së Shtetit Shqiptar, përpos zyrtarësh e parlamentarësh. E po, a për të mbajtë me rroga àr nja tri a katërmijë zyrtarë, të cilët, jo se janë, por mbas mentalitetit, qi frymzon njerzit e punët në Shqipni, mund do t’ishin edhe asish, që kanë mujtë me vra njerëz më parë: që kanë mujtë me vra bujqit për t’ju pushtue tokën: që kanë pushtue tokët “miris”; që për interresa të veta, për një “qifllik”, për një “titull”, do t’ishin gati të pshtyejnë n’Atdhé e n’ndijesitë mâ shêjta të jetës: vetëm për me mbrojtë, po thom, me rroga àr këta tri a katërmijë zyrtarë, Populli Shqiptar do të livrojë tokën, do të bâjnë tregun, do të punojnë zanatin, do të marrë shtegun e të kalojë mal e dèt’ e të vijë n’Amerikë, të rreshket me natë e ditë në zjarm të fabrikave!
Nji pamvarësi kësodore mund të hyjnë në punë, ndoshta, në Zanzibar, në Marok, në Turki, por jo në Shqipni!
Po s’përparoj Populli Shqiptar moralisht e materjalisht, né pamvarsija s’na duhet asgjâ.
Lirim, Pamvarsi, Qeveri, Parlament, Këshill’ i Naltë e s’di shka tjetër s’mund të kenë farë kuptimit për né, déri që populli mos të vêhet n’at shêj vendit që të përparojë; janë një lojë fjalësh, për me mbajtë popullin n’errsinë për dobi të do njerzve që kuptojnë Qeveri, por jo Atdhé. E ndoshta, shì për ketë punë i ngrati Populli Shqyptar, megjithse paguen tash dy vjet shtadhetenandë Deputetë, s’ka endé nji statut, s’ka endé nji formë politike të caktueme të shtetit të vet, e âsht i ngushtuem të mbahet për një ligjë ibride qi s’âsht ekspresioni i shpirtit të tij e që kurrsesi s’mund të përkojnë me nevojat t’jetës së qytetnueme të sotme.
Por, në tjetër anë, kur të vêmë oroe ushtarët Shqiptarë, të cilltë, për kah dishiplina, për kah shpirti marcial e sjellje n’ushtrime, mund të përcaktohen me ushtar t’ushtrive mâ të para t’Europës:
Kur të vêmë oroe oficerat e rìj të tonët (pa)ndërlikim besimit që, janë rritë me ndijesi kombtare e ushtrue nën dishiplinë të shkollave ushtarake të do kombeve qi trimnin e burrnin i kanë zanat, janë gati të bajnë flij për të mirën e Atdheut, jo vetëm vedin, por edhe shtëpijat e fshatet e veta: kur të vênë n’oroe prap zyrtarët e rìj tonë, që edhé këta rritë me ndijesi kombtare e frymzue me dashtni Atdhetare, jo vetëm që kanë kompetencën e punës, por edhé kuptojnë në të gjithë hapsinën e vet detyrën e nderën e zyreve adminstrative: e sidomos, kur të marrin parasysh ndigjesën e popullit, që bân, sado që dron se djersa e tij derdhet kot nëpër mejhana, sidomos të Tiranës, e nep djelmët e vet ushtarë, sado që shef se s’po i mbesin përballë t’anmikut në kufi t’Atdheut, por ferrave e shkurreve mbrenda Shqipnije, përballë të vllazënve të vet, tue luftue për shkas t’ambicjoneve të poshtme të do zyrtarve, që janë bâ “shqiptarë” qyshse kanë dalë rrogat àr e që kanë kênë, janë e kanë me kênë gjithmonë ekspresjoni i regresit e i barbarisë aziatike: pse ujku ndrron qymen, por jo vesin: tuj marrë parasysh, po thonë këto fakte, do të thonë edhe që Populli Shqiptar jo veç, se mund të jetojë, por se do të jetojë i Pamvarun.
Gjallnija e shpirtit Shqiptar âsht veshkë e jo tha: e kanë veshkë mentalitetet e hueja, që, si bimë parasite në një landë, janë shartue në tê përdhuni; prandej, po mujtëm na me i krekcue me kohë këto mentalitete t’hueja – këto gallica parasite t’shpirtit Shqiptar, pamvarsija, sovraniteti e jeta kombtare e Popullit Shqiptar janë të sigurueme përgjithmonë…”
•Jemi kryekput një mendimit me Ju “Uratë”; por si thoni Ju, se mund të pastrohet psikja e popullit Shqiptar prej mentaliteteve të hueja, para se të na i përtrihet ndonjë rrezik jetës sonë kombtare e politike? E pvetëm atëherë At Gjergj Fishtën, i cili na u përgjegj kësodore:
-Mbas mendimit tem kishe me thânë, se puna ma e parë që do të bajnë Shqiptarët, për me pshtue kombin prej rrezikut, qi i kërcnohet për shkak të ndryshimit të mentaliteteve âsht ky: mos me lanë të kenë dorë në Qeveri e n’adminstratë të gjithë ata Shqiptarë qi kanë kenë edukue mbas mentalitetit sidomos të Stambollit, t’Athinës e të Venedikut; pse, tue kenë këto tre qytete tri qendra të daluna mifshliz, këto s’kanë zotsinë ta rrisin menden e nierit mbas ekzigjencave të kohve e të vendit, por vetëm mbas andrravet të një lumnisë së kalueme: prandej kultura e këtyne qytetasve s’ká mujtë të formojë qytetas me ndijesi si e lypë nevoja e Atdheut, por kanë trajtue, individë të dhanun me mish e me shpirt mbas atyne popujsh, qi motit patën krijue këto tri kultura, aq sa me mrrijtë me u quejtë me emna të tyne e me lakmue me u bâ robt’ e tyne.”
Shënim F.R.: Plot 100 vjet! Dokumenti origjinal i përket vitit 1924.
Një gjendje shumë e ngjashme me të sotmen (Dhjetor 2024)
Melbourne, Dhjetor 2024