back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

At Zef Pllumi, françeskani i madh që jetoi e vuajti “shumë shekuj” – nga Sokol Paja

Gazeta

At Zef Pllumi (1924-2007)
At Zef Pllumi (1924-2007)

At Zef Pllumi, françeskani i madh që jetoi e vuajti

“shumë shekuj”

nga Sokol Paja

Para 13 vitesh, një emër i lartë i Kishës Katolike, një shqiptar dhe Françeskan i madh, At Zef Pllumi do largohej nga kjo jetë për të shkuar në jetën e pasosur të cilën e predikoi dhe shuguroi trupin e shpirtin e tij të veçantë.
At Zef Pllumi ishte qëndresa e gjallë përballë përbindshave komunistë, ishte mëshira në dyluftim me krimet e torturat mizore, ishte falja përballë hakmarrjes, ishte dashuria përballë urrejtjes, ishte e mira përballë të keqes, ishte drita përballë errësirës. At Zefi përfaqësonte qytetërimin perëndimor përballë injorancës, mizorisë e halabakërisë komuniste. At Zef Pllumi, ishte jeta përballë vdekjes, ishte drejtësia përballë padrejtësisë, ishte kujtesa përballë harresës, ishte liria përballë prangave. Me emrin e At Zef Pllumit lidhet e gjithë historia tragjike e persekutimit të Kishës Katolike përgjat regjimit diktatorial. Kryevepra e tij “Rrno vetëm për me tregue” është një kronologji persekutimi, dhimbje, tmerri, por edhe e një qëndrese fisnike në kushtet kur regjimi i kohës po i asgjësonte klerikët katolikë, fizikisht, institucionalisht dhe ideologjikisht. At Zef Pllumi, na la një trashëgimi të jashtëzakonshme: veprat, jetën dhe mësimet e tij të vyera, sesi njeriu nuk duhet ta humb shpresën, besimin dhe shpirtin e tij, por të qëndrojë dhe të mos i nënshtrohet asnjëherë së keqes, edhe pas frymës së fundit. Ajo trashëgimi që na ka lënë At Zef Pllumi është një institucion atdhedashurie, feje, morali e shprese.
.
Monumenti i At Zef Pllumit në Shëngjin
Monumenti i At Zef Pllumit në Shëngjin
Më 14 dhjetor 1946, në moshën 22 vjeçare, At Zef Pllumi arrestohet dhe dënohet me tre vite burg. Në vitin 1958, shugurohet meshtar, dhe për 12 vite shërben si meshtar i Dukagjinit. Në vitin 1967, kur në Shqipëri u instalua ateizmi zyrtar, At Zef Pllumi arrestohet dhe për 23 vite vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme si Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë. Një rrugëtim i stërmundimshëm i një njeriu të pafajshëm që ashtu si shumica e popullsisë civile në Shqipëri u persekutua në mënyrën më të pashembullt vetëm pse deshën lirinë. Veprat testament që na la At Zef Pllumi janë: “Rrno vetëm për me tregue”, “Françeskanët e mëdhaj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Histori kurrë e shkrueme”, “Ut heri diçebamus – siç i thonim dje”, dhe “Saga e fëmijnisë”. Sot si kurrë më parë, fjalët e tij tingëllojnë aq të forta dhe frymëzuese. Ajo çka na përcjell At Zefi është një kushtrim për liri, për atdhe, për dinjitet, për moral për dashuri ndaj njëri-tjetrit.
At Zef Pllumi ishte heroi i dritës në terrin dhe ferrin komunist. Me dhimbje, por kurrë me urrejtje. At Zefi shkroi historinë e përgjakshme të Kishës, një dëshmi tronditëse sesi bisha sllave shkallmoi me tërbim gjithçka fetare në shtetin monist. Dëshmia e At Zef Pllumit për vuajtjet dhe masakrat e komunistëve mbi shqiptarë e klerikë të pafajshëm, është një dritë e pashuar në errësirën staliniste që sundoi në Shqipëri për 50 vjet.
.
At Zef Pllumi në burg - "Rrno per me tregue" - Pikturë nga Llazar Taçi
At Zef Pllumi në burg – “Rrno per me tregue” – Pikturë nga Llazar Taçi

Botuar te gazeta Dielli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.