back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

At Zef Valentini – “Njeriu që i vuri çeshtjes shqiptare mendjen dhe zemrën e vet…”

Gazeta

At Giuseppe Valentini, abanologu më i madh i shek. XX
At Giuseppe Valentini, abanologu më i madh i shek. XX

At Zef Valentini – “Njeriu që i vuri çeshtjes shqiptare

mendjen dhe zemrën e vet…”

“Shqiptarë!
Duajeni At Zef Valentinin,
se ai iu dashuron me zemër.
Çmojeni, se ai punon pa prerë për të njohur
përpara botës vlerat tuaja
shpirtërore dhe artistike.
Ai është juaji,
sepse i ka vënë çështjes suaj
mendjen dhe zemrën e vet”.
Papa Pali i VI

***
Shqiptarët janë nji popull i çuditshëm.
Të huejve u duket se kanë nji tânsí ligjesh e parimesh
qi kundërshtojnë njena-tjetrën,
konflikte të pashërueshme, grindje të mbrendshme ku ndryshimet fetare,
rajonale dhe kulturore, nxisin impulse të papërmbâjtshme shkatrruese,
mirëpo mbas ksaj, kur bâhen gati të shprehin nji gjykim negativ
mbî mundsitë e mbijetesës kombtare,
vrejmë se si shpërthen papritmas
prej thellsive të shpirtit të tij nji ndjenjë e fortë vllaznimi
qi të shtang e të magjeps…”.
At Zef Valentini (1900-1976)

At Zef Valentini - Papa Kalisti-  III e Skenderbeu
At Zef Valentini – Papa Kalisti- III e Skenderbeu

At Zef Valentini, si u spiunua dhe u grabit vepra e albanologut

Në një libër me titull “Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik”, të botuar nga propaganda e regjimit në vitin 1969, dhe që kishte për autor ish-kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, Rakip Beqaj thuhet për të: “Më 1923-’24, erdhi dhe punoi në Shqipëri deri në vitin 1943 prifti italian Giuseppe Valentini. Ky qe prefekt dhe drejtor i edukatës fizike në Kolegjin Saverjan. Më vonë u bë udhëheqës shpirtëror i revistës “Leka”. Qe një ndër ideologët dhe organizatorët e jezuitëve në Shkodër.
Si ky, ashtu dhe pasardhësit e tij, luftuan me të gjitha forcat që të zotëronte kudo në Shkodër, në të gjitha institucionet, fryma e respektit të çdo gjëje italiane, nënshtrimit ndaj kulturës dhe gjuhës italiane. Jo rastësisht selia e jezuitëve në Shkodër, përmes oborrit të saj lidhej me kryekonsullatën italiane në Shkodër. Gjatë pushtimit italian, Valentini u bë përfaqësonjës i kulturës fashiste në Shqipëri.
Ai ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Mustafa Krujës dhe i Ernest Koliqit. Ai u bë ndër zëdhënësit e ideologjisë fashiste në Shqipëri, sidomos në Institutin e Studimeve, që u themelua më 1940 nga Çianua dhe Jacomoni. Sot, në Itali, është miku më i ngushtë i Ernest Koliqit dhe vjell vrer kundër Shqipërisë socialiste. (Rakip Beqaj: “Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik në Shqipëri”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1969, vëllimi I, f. 74)


Në fakt këtu ka vetëm një të vërtetë, që At Zef Valentini kishte qenë vërtet misionari kryesor jezuit, madje katolik, në Shqipëri në kohën për të cilën flitet. Në paragrafin e mësipërm gjejmë të adresuara për Valentinin akuzat që Enver Hoxha dhe regjimi i tij komunist i bënë pareshtur Vatikanit, misionarëve të huaj katolikë në Shqipëri dhe vetë klerit katolik shqiptar. Akuza fare të pabaza. Të cilat rrëzohen vetëm me një fakt. Me të pushtuar fashistët Shqipërinë në 1939, u ndalua revista “Leka” drejtor i së cilës ishte At Zef Valentini.
“Nderpremja, për arsye politike qe vepër e censurës së Ministrisë së Shtypit dhe Propagandës së kohës. Kjo për bindjen që kishin autoritetet italiane se revista me përmbajtjen e saj (kryesisht me serinë e dokumentave te zbuluara nga Valentini që më 1939, e që ai synonte t’i vijonte nën po atë okelio me titull “Përpjekje për lirim të Shqipërisë”-shënim i autorit), do të kishte mujtë me u dhanë shkas lëvizjeve të rezistencës. Kështu që Leka me vullnet të saj e pezulloi botimin prej 1939 deri më 1943” (Willy Kamsi: Bibliografia “Leka”, Botimet Franceskane, Shkodër 2008, fq 5).

At Zef Valentini - Studime dhe tekste per lindjen e krishtere
At Zef Valentini – Studime dhe tekste per lindjen e krishtere

Vlerësime të Ernest Koliqit për At Valentinin

Vetëm një vit më pas u ndalua “Hylli i Dritës”, revista e françeskanëve. Zef Valentini nuk donte të ngjallte frymën e nënshtrimit ndaj gjuhës dhe kulturës italiane, ndonëse ai përpiqej që në Shqipëri të bëheshin të njohura ato gjëra të kulturës italiane që studiohen dhe çmohen në të gjithë botën. Nuk ishte faji i Zef Valentinit që lidhja e Shqipërisë me Perëndimin në shekuj, që nga koha e Romës Antike e në vazhdim, kishte ardhur nga ana tjetër e detit me Venedikun, Mbretërinë e Napolit etj. Vatikani kishte pasur këtu një rol të përhershëm.
At Valentini nuk bënte gjë tjetër veçse e konfirmonte këtë me dokumentet që zbulonte si kërkues, me studimet që shkruante si historian etj. Por regjimi komunist nuk e donte orientimin perëndimor të Shqipërisë, prandaj ishte kundër kësaj që bënte At Valentini. Në kohën që propaganda e regjimit komunist shkruante gjëra të tilla, në 1969, Shqipëria ishte orientuar nga Kina komuniste.
Që akuzat e mësipërme ndaj At Valentinit janë qesharake, kuptohet edhe nga interpretimi qesharak i faktit se selia e jezuitëve në Shkodër qenkësh e lidhur me Kryekonsullatën italiane me anë të një dere anësore në oborr. Kush e njeh Shkodrën e kupton se sa naive është kjo akuzë. Në atë kohë nuk kishte shtëpi një Shkodër që nuk kishte një derë të tillë të vogël, arkapia quheshin dhe që u bënë të famshme me novelën e Migjenit “Të çelen arkapijat’!”. Imagjinoni Kryekonsullin italian në Shkodër që, kur kishte për të biseduar me At Valentinin, jepte urdhër: “Të çelet arkapia!”.
Epo jezuitët dhe diplomatët fashistë në Shkodër duhet të kishin bërë diçka më sekrete, për shembull një tunel që do të lidhte të dyja ndërtesat. Se me çfarë merrej At Valentini dhe si e përse bashkëpunoi me Çianon, Jakomonin etj., këtë do ta tregoj në libër me fakte. Që At Zef Valentini nuk u mor me politikë këtë e pohoi dhe miku i tij Ernest Koliqi, në vitin 1970, kur mund ta kishte përdorur emrin e At Zef Valentinit për të justifikuar zgjedhjen që bëri për bashkëpunimin me italianët gjatë pushtimit të Shqipërisë dhe hyrjen në Partinë Fashiste.
Ernest Koliqi, në një shkrim të botuar në 1970, me rastin e 70-vjetorit të lindjes të At Valentinit shkruan: “Ai nuk asht marrë kurrë me politikë militante në Shqipni, vepra e tij frymëzohej prej qëllimit të naltësimit të klasës intelektuale shqiptare drejt nji koncepti ma të gjanë të jetës sociale në kultin e rregullit e të frymës krenare t’energjive, ngjye në burimet ma t’thella të substancës etnike. Mbeti, pra i huej ndaj çdo nisme që s’kishte si qëllim ripërtëritjen morale e qytetare, nëpërmjet debatit të lirë t’ideve e përdorimit të mjeteve që ofron kultura.


Ky qëndrim nuk vinte si pasojë e nji vendimi për t’u pozicionuar përmbi situatën politike gjithnji të trazueme në Ballkan, por pikërisht ngase gjindej në një mjedis krejtësisht të papërshtatshëm për të mbrojtë idetë e tij në nji klimë që s’mund të ishte paqësisht intelektuale”. (Ernest Koliqi: “Njeriu Valentini”, “Shejzat”, nr. 10-12, 1970.
Këtë shkrim e gjeni të plotë edhe tek vëllimi i dytë i veprave të At Giuseppe (Zef) Valentini: Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2006, f. 10).

At Zef Valentini Përmbledhje dokumentash për Historinë e Shqipërisë 1200-1500
At Zef Valentini Përmbledhje dokumentash
për Historinë e Shqipërisë 1200-1500

Si u grabit vepra e albanologut



At Valentini e ushqeu Shqipërinë me dijet e tij dhe, duke e bërë këtë gjë, u rrit si studiues, si intelektual. Madje vepra e tij vazhdoi të rrezatonte edhe në Shqipërinë komuniste, ndonëse ishte zyrtarisht i ndaluar nga regjimi. Kjo vepër i mrekullonte ata që kishin leje të njiheshin me të. Regjimi komunist pretendonte me të madhe se në Shqipëri kishte marrë hov të madh albanologjia në të gjitha degët e saj, se po zhvilloheshin shkencat historike, juridike, etnografike etj.
Por meqenëse studiuesit nuk arrinin rezultatet e duhura, atëherë regjimi iu dha leje atyre që të njiheshin me veprat e “klerikëve reaksionarë” katolikë, si At Valentini, të cilët kishin lënë studime e shënime për të gjitha këto fusha, dhe të merrnin ç’të mundnin prej tyre, për t’i përdorur.
Në këto rrethana, në 1975, një studiues i ri i së drejtës, Ksenofon Krisafi u njoh me veprën e At Valentinit. Profesor Krisafi do të bëhej më pas i vetmi që pati kurajën ta pranojë padrejtësinë që ka ndodhur me At Valentinin. Që në 1975 ai kishte qenë dëshmitar i shfrytëzimit që i bëhej veprës së tij nga studiuesit tanë të kohës. Në parathënien me titull “Një engjëll i kulturës shqiptare”, profesor Krisafi shkruan:
“Tri dekada më parë, kur nisa punën si studiues në Sektorin Shkencor të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, pata fatin që së bashku me një plejadë personalitetesh të ndritur të shkencave juridike e historike, të përfshihesha në grupin e autorëve që do të hartonin “Historinë e Shtetit dhe së drejtës në Shqipëri”. M’ u caktua pjesa e parë “Shteti dhe e drejta në Iliri”. Duke gjurmuar në burime dokumentare për të rindërtuar virtualisht shtetin dhe të drejtën e të parëve tanë, ilirëve, rashë në gjurmët e veprës madhore të Xhuzepe (Zef) Valentinit. Që në faqet e para pata ndjesinë e një zbulimi të madh…
I mrekulluar nga ky univers i pafund e i pashoq krijimtarie, iu përvesha kërkimit, grumbullimit dhe studimit të një pjese të veprave të tij, veçanërisht atyre të fushës juridike, siç ishin “E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare”, “Ligji i maleve shqiptare”, “Familja në traditën juridike shqiptare”, “Akte shqiptare-venete”, “Akte juridike shqiptare”.”


Pas vitit 1990, armiqtë më të egër të At Valentinit janë ata që kanë vjedhur veprën e tij në kohën e regjimit komunist, dhe mbi këtë bazë kanë ndërtuar veprën e tyre, duke e lyer pak vetëm me bojë ideologjike komuniste. Këtu e kam fjalën për historianë, studiues të së drejtës zakonore, etnografë etj. Kur disa vjet pasi u botua vëllimi i parë i veprave të At Valentinit Akademia e Shkencave e Shqipërisë botoi Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Zef Valentini nuk mund të mos përfshihej.
Janë krijuar vlera të rreme në Albanologji, në formën e individëve që mbajnë pa të drejtë kurora akademike si albanologë, me grada dhe tituj shkencorë që jo rrallë i kanë vënë duke vjedhur veprat e të tjerëve, autorët e të cilave i kanë lënë qëllimisht në hije. Por me kohë vlerat e gënjeshtërta duhet të zbriten nga piedestalet dhe aty duhet të vihen kolosët e vërtetë të Albanologjisë, si At Zef Valentini.
Zef Valentini, edhe pse i lënë në hije apo i anashkaluar në vendin që e deshi shumë dhe të cilit i shërbeu gjatë gjithë jetës së vet, është padyshim një nga albanologët, bizantologët, historianët dhe etnologët e mëdhenj të shekullit të kaluar. Aspiratat e tij shkencore e kërkimore rrokën me kompetencë profesionale pothuajse të gjithë spektrin e çështjeve shqiptare. Është kjo, me sa duket edhe arsyeja pse studioja e tij frekuentohej shpesh nga përfaqësues eminentë të akademive evropiane dhe rretheve të njohura albanologjike.
(Shënim: Fragmentet janë marrë nga libri i autorit Ndriçim Kulla me titull “Binjaku i Nënë Terezës”, i cili i kushtohet albanologut të madh italian At Giuseppe Zef Valentinit.)

At Zef Valentini Studime dhe Tekste Juridike
At Zef Valentini Studime dhe Tekste Juridike

A ishte At Valentini misionar fashist?!
At Zef Valentini jo vetëm që nuk ishte një misionar fashist, siç e kanë akuzuar, por ai në artikujt e tij ka bërë dhe aluzione antifashiste. Se ai nuk mund të fliste hapur kundër fashizmit, pasi kjo do të thoshte fundi i veprimtarisë së tij si misionar. A do të kishte qenë më mirë që të kishim pasur një At Valentini që do të shante fashizmin dhe do të ishte dëbuar nga Shqipëria me ndërhyrjen e diplomatëve italianë në vend, qysh para se Italia fashiste të pushtonte Shqipërinë, gjë që do të thotë se nuk do të kishim veprën e tij?
At Valentini nuk interesohej shumë për politikën e ditës, kur interesohej për politikë ai e bënte këtë se e shqetësonte e ardhmja e botës dhe e Shqipërisë si pjesë e saj. Dhe në sajë të këtij gjykimi të shëndoshë të At Valentinit ne sot kemi prej tij këshilla më të vlefshme se disa deklarata antifashiste, që mund t’i bëjë kushdo, kemi këshilla që vlejnë për sot dhe për të ardhmen, si ato që na ka dhënë në artikullin “Ku vete bota?”.

Çfarë shkruante Revista “Leka”, më 1935
Të botuar në revistën “Leka”, më 1935 gjejmë: “Mos të kujtojmë se gjithshka na vjen në emën të qytetnimit t’okcidentit, asht e mirë. E mirë asht drejtsija, rregullimi, dashtnija e shoqit, parija e familjes, vjeftësimi i puntorit të ndershëm e i punës së pahile, organizimi i punës e i prodhimit për dobi të përbashktë, e gjithshka e naltson njierin, ja ban larg vuejtjet e ja ban të let jetesën për nji ideal ma të naltë. Dishirin e pakundërshtueshëm qi me gëzue mbi kët tokë mirëgjendje t’arsyeshme, ja dikoj Zoti njierit në zemër.
Kobët e mbrapshtit e qytetnimit të sodit tashma po i njofim. Prej tyne duhet të ruhemi e ato t’i mbajmë larg vendit t’onë.
Në vend të kultit të mishit e të qefeve duhet të përtrijmë virtytet e të Parvet qi kjenë synonima e Shqiptarit: Ndera, besa, burrnija.
Në vend të kultit të pares, burim i sa e sa të zezavet, duhet të përpiqemi të largojmë at zemërgursi, qi na shtyen të pasunohemi me mjete të palejshme, e përkundra të rranjosim në zemër të setëcillit, dashtnin e zellin për punë e për fitim të ndershëm.
Në vend t’egoizmit duhet të njallim kujdesin e mishërirën për t’afërmit e për puntorin; mos ta mbajmë t’afërmin t’onë si vegël qefi e fitese; në nji fjalë të njallim dashtnin vëllaznore, pa të cillën s’kemi pse presim dit të mira. (At Giuseppe (Zef) Valentini: Vepra, vëllimi I, Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2005, f. 78-79)

Kundër kujt i paralajmëronte shqiptarët At Valentini?

Në kohën që shkruante At Valentini kështu, asnjë fuqi e madhe perëndimore, përveç Italisë fashiste, nuk po bënte përpjekje për ekspansion në Shqipëri, nën maskën e ndihmës për shqiptarët që të qytetërohen si pjesa tjetër e Europës. A mundet që njeriu që shkruante kështu të kishte bindje fashiste? Një njeri që ka mendime si këto nuk mund ta pranonte fashizmin, i cili nuk ishte gjë tjetër veçse një diktaturë e maskuar.
Fjalët e mësipërme janë një qortim edhe për regjimet fashiste dhe në radhë të parë për atë të atdheut të At Valentinit, Italisë, ku këto të këqija të kapitalizmit dukej qartë se nuk ishin zgjidhur pas 13 vjetësh të fashizmit në pushtet, por madje ishin acaruar më tepër. Dhe At Valentini, duke u këshilluar shqiptarëve që të kapeshin fort pas virtyteve të të parëve dhe të refuzonin idetë e dyshimta që vinin nga Perëndimi, i paralajmëronte në fakt kundër fashizmit, se rreziku komunist vinte nga Lindja.

At Zef (Giuseppe) Valentini (1990-1976)
At Zef (Giuseppe) Valentini (1990-1976)

Kush asht Zef Valentini

“Ai âsht sot albanologu mâ i madh i gjallë. Por historia e Shqipnisë do ta kujtojnë mbi të gjitha si shkenctarin, që i dashunuem me objektin e studimeve të veta, Shqipninë, me nji përkushtim të hapun ndaj rreziqeve, e kërkoi dhe e gjeti atë ndër arkiva dhe biblioteka, në kujtesën e në jetën e popullit, në manifestet e lashtësisë së tij fisnike, të asaj fisnikíe që siç thotë Valentini, e bân të dênjë popullin shqiptar për me pasë nji vend me virtytet e tij të veçanta etnike në gjinín e kombeve europiane”. – Prof. Ernest Koliqi më 1970.
Giuseppe Valentini i quajtur nga shqiptarët Zef, italian i lindur në rrethinat e Padovës, në një fshat të quajtur Brenta, më 1 korrik 1900. Vdiq më 16 nëntor 1979 në Palermo.

Jeta
Më 4 nëntor të vitit 1910, fillon studimin si nxënës i jashtëm, ndërsa pas një viti, po me 4 nëntor 1911, studion si seminarist i rregullt në Padovë ku shquhet për rezultate të mira dhe prirje të jashtëzakonshme për shkencat shoqërore dhe ato filozofike. Pas përfundimit të maturës, në vitin 1918, shërbeu për gjashtë muaj në ushtrinë italiane në Pallatin Mbretëror të Caserta-s. Në periudhën kohore mars-korrik të vitit 1919, përfundoi studimet teologjike të cilat normalisht duhet të zgjatnin një vit, por falë gjenialitetit të tij, ai i përfundoi ato vetëm për pesë muaj. Më 4 nëntor 1919, fillon rishtarinë në Gorizia, pranë Urdhërit të Jezuitëve. Pas dy vitesh rishtarie dhe një viti studimi pranë jezuitëve, kur ishte vetëm 22 vjeç, erdhi për herë të parë në Shqipëri, Shkodër në shtator të vitit 1922, si misionar jezuit.
“At Valentini mbrriti në Shqipní në shtatorin e vjetës 1922. N’at muej t’âmbël e të praruem vjeshtor, Shkodra e priti me heshtjen dhe nxehtësinë e rrugëve të saj gjarpnuese, rrethue me gjethet e zverdhuna të lulvileve n’agoní e me aromat e fshehta që asokohe vërshonin prej s’mbrendshmi në rrugë, tue ardh’ prej matanë mureve të nalta t’oborreve të mbylluna”Ernest Koliqi[1]

At Zef Valentini - Statusi Personal në Shqipëri në Epokën e Skënderbeut
At Zef Valentini – Statusi Personal në Shqipëri
në Epokën e Skënderbeut

Për një kohë të shkurtër mësoi gjuhën shqipe, në veçanti dialektin gegë i cili shkruhej atë kohë qëkur u vendos në Komisinë Letrare, të cilën kishte filluar ta mësone që në Gorizia të Italisë, me Atë Mark Harapin. Pas një qëndrimi dy vjeçar në Shkodër, kthehet në Chieri të Piemontes kur për dy vjet me radhë, 1924-1926 studion filozofi. Kthehet prapë në Shqipëri, Shkodër, në vitin 1926 ku shërben edhe dy vite të tjera si mësues në Kolegjin e mirënjohur Saverian të Shkodrës, duke punuar si “mësues italishtje, latinishtje, greqishtje, historie natyrore, algjebre, besimi, mâ parë në gjymnaz, mandej në licé”. Pas kësaj përvoje ku shijoi mikpritjen e nxënësve shqiptarë, popullit shqiptar dhe të shkodranëve në veçanti, at Valentini kthehet përsëri në Chieri të Piemontes ku studion teologji dhe mbaron kurse të specializuara të cilat janë të njohura për sistemin e jashtëzakonshëm të organizimit jezuit, në vitet 1928-1932. Në vitin 1932 laureohet për teologji. Ndërsa kryente studimet për teologji, ai shugurohet prift më 4 korrik të vitit 1930, pranë Urdhërit të Jezuitëve, pas një prove jetësore të tijën personale prej 12 vjetësh. Pas mbarimit të studimeve teologjike, në fillim të vitit 1932 kthehet përsëri në Shkodër. Shtëpitë e Shkodrës i kujtonin shpesh vendlindjen. Pau se jezuitët po konsolidoheshin, por veprimtaria e tyre ngecte vetëm brenda elementit katolik shkodran. Pas viteve ’30 nisi të botojë në revistën “L.E.K.A.” me qwllime të qarta e të prera filozofike, letrare e social-kulturore. Këtu ai shpalosi tanë pasionin e tij për shkencë. Asokohe në Shqipëri numroheshin 170 revista me veprimtari të percaktueme në fusha të ndryshme të kulturës e fesë. Por kriteret nga të cilat nisi punën Valentini kjenë goxha të nalta krahasue me të tjerëve. Në vitet 1932-1943 drejtoi revistat e jezuitëve “L.E.K.A” dhe “Lajmtari i Zemrës së Krishtit” (1933-1939). Ndërsa vepra e tij e parë, për Shqipërinë, titullohet “Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para 1877/´78-1927/´28”[2], një vepër e cila u botua në gjuhën shqipe dhe italiane që doli nga shtypshkronja “Zoja e Paperlyeme” në Shkodër 1928, e italisht në Chieri (1929)[3]. Më tej ai shkruan në gjuhën shqipe një biografi të Garcia Moreno-s dhe në vitet që pasojnë merret me shumë përkthime në gjuhën shqipe të autorëve të njohur botërorë dhe, paralelisht, disa studime historike mbi shqiptarët dhe studime të tjera letrare mbi autorët shqiptarë. Gjatë kohës së studimeve dhe specializimeve të tij, Atë Zef Valentini bëri edhe kërkime shkencore nëpër arkiva dhe biblioteka të ndryshme për historinë e Shqipërisë. Mund të përmendim disa prej tyre si Archivio Civico të Padovës në vtin 1932; në Archivio di Stato di Roma dhe Archivio Segreto Vaticano në vitet 1935-1938, nga ku nxjerr seritë e mirënjohura të dokumenteve të cilat do t’i botojë për shumë vite me radhë në revistën “L.E.K.A” si dhe në periodikë të tjerë në gjuhën shqipe. Një arkiv tjetër që shfrytëzohet që nga viti 1935 e deri në fund të jetës së tij, të cilit edhe i kushtoi shumë kujdes, ishte Archivio di Stato di Venezia, në Venedik, nga ku nxori dhe botoi me mijëra dokumente dhe dorëshkrime. Në vitin 1941 iu besua detyra e këshilltarit dhe sekretarit të përgjithshëm të Institutit Mbretnuer të Studimevet Shqiptare në Tiranë, themeluar nga Mustafa Kruja. Në fund të vitit 1943, At Zef Valentini largohet nga Shqipëria për në Itali. Meqë nuk mund të kthehej më në Shqipëri, ai vendoset në Romë, pranë Pontificio Istituto Orientale, ku më tërë forcat e tij i përkushtohet çështjes shqiptare. Duke vazhduar aktivitetin e tij, në fusha të ndryshme, át Z. Valentini, në fund të vitit 1945, ftohet në Milano (Itali), për të themeluar dhe drejtuar revistën “Letture” numri i parë i së cilës doli në janar 1946. Gjatë viteve në vijim, ushtron dhe detyrën e “Presidente dell’Associazione Internazionale delle Riviste Cattoliche di Critica Letteraria” si dhe emërohet: “Presidente  dell’Associazione Cattolica dei preti scrittori,” pastaj e gjejmë edhe në detyrën e “Assistente Generale dell’Unione Librai Cattolici Italiani.” etj. Atë Valentini gjen mbështetjen e fuqishme të zëvendës-sekretarit të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, kardinalit, Imzot Giovanni Battista Montini, i cili më vonë zgjidhet papë Pali VI. Ky papë, gjatë gjithë pontifikatit të tij e mbështeti fuqishëm At Valentinin në të gjitha projektet e tij, si dhe ishte mbrojtësi më i mirë i mundshëm i tij. Prandaj janë të kuptueshme fjalët që papa Pali VI pohon për At Zef Valentinin më 25 prill të vitit 1968, si 500 vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit, duke treguar miqësinë dhe mirënjohjen e tij për këtë studiues dhe albanolog të madh:

At Zef Valentini - Vepra e III
At Zef Valentini – Vepra e III

“Shqiptarë! Duajeni At Zef Valentinin, se ai iu dashuron me zemër. Çmojeni, se ai punon pa prerë për të njohur përpara botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji, sepse i ka vënë çështjes suaj mendjen dhe zemrën e vet”.
Në Itali ai nisi të botojë shumë tekste mbi Shqipërinë. Në vitin 1955, ai bëhet titullar i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos, ku themelon dhe drejton “Qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare”[2]. Më 1945, i dhanë emërtimin “Papa Xhovani i kritikës”. Por padyshim, vlera më e çmuar që i ka lënë letërsisë sonë janë kritikat e një niveli elitar, që ai ka dhuruar[4]. Duke qenë shumë i nderuar në rrethe shkencore dhe albanologjike në botë, por jo edhe në Shqipëri, Rosolin Petrotta dhe Ernest Koliqi, në vitin 1952, e lusin drejtuesin e Urdhërit Jezuit, Atë Janssen-in që të lejojë át Valentinin për të drejtuar Katedrën e Gjuhës Shqipe në Palermo. Një kërkesë e tillë miratohet nga ana e drejtuesit të Urdhrit át Janssen-it, pas konsultimit me papa Palin VI, dhe në vitin 1952 át Valentini zyrtarisht emërohet drejtues i “Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos,” ku themeloi dhe drejtoi “Qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare”. Me dëshirën e papa Palit VI, Atë Valentini në mes të viteve ’60, të shekullit XX, fillon shërbimin e tij në ritin lindor, atë ortodoks. Një veprim i tillë, është vështirë të kuptohet, nëse nuk analizohet me kujdes veprimtaria e át Valentinit, miqësia e tij me papa Palin VI si dhe rrethanat politike të asaj kohe, jo vetëm në Itali, por edhe ato ndërkombëtare. Personaliteti i At Zef Valenitnit, ishte më i përshtatshmi për një ndikim dhe kontroll të drejtpërdrejtë te arbëreshëve të Italisë, por edhe të kishës Uniate në përgjithësi, gjë që Selia e Shenjtë e bënte me kujdes dhe vëmendje të veçantë[2].
Dekorohet më 8 maj 2012 nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhërin e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

At Zef Valentini - Fjalor Biobibliografik Iliriko-shqiptar
At Zef Valentini – Fjalor Biobibliografik Iliriko-shqiptar

Botimet e At Zef Valentinit

“Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para 1877/´78-1927/´28”
“Biografi e Garcia Moreno-s”
“Polieucte” e Kornej (përkthim)
“Sauli” i Alfieri-t (përkthim)
“Studim mbi hakmarrjen historike të shqiptarëve” (Bashkautor me Fulvio Cordignano)
“Kronologji mbi historinë e Shqipërisë nga viti 313 e deri në shekullin XIII”
“E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare” (1956)
“Ligji i maleve shqiptare 1880-1932” (1969)
“E drejta juridike shqiptare”
“Akte shqiptaro-veneciane të shekujve XIV-XV”
Revista “Letture” (themeluar prej tij më ’46-n në Itali)
“Shkodra dhe poeti i saj” (ese për Ernest Koliqin)
“Fishta” (studim për Gjergj Fishtën) etj.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.