back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ata janë këtu… – rrëfenjë “vrasëse” nga Agim Xhafka

Gazeta

Agim Xhafka
Agim Xhafka
Ata janë këtu…
një rrëfenjë “vrasëse” nga Agim Xhafka

Fluturimet nga Amerika në Tiranë përherë i bëj me tranzit në Evropë. Zakonisht zbres së pari në Frankfurt e më pas në atdhe. Ose ulem në Romë, Milano, Londër a Zyrih. Po asnjëherë nuk bëj tranzit brenda USA-s. Në të vërtetë më ndodhi veç një herë, nga Atlanta në Boston e më pas drejt shtëpisë. Ndodhi se qe udhëtim urgjent. Sapo kishte dalë libri im nga shtypshkronja e gëzimi më rrëmbeu. Ma vuri bythën në avion e go, go Gimo! Sa zbrita në Boston ndërrova avion e kur po ngriheshim te lartësia 33 mijë hapa sa doli shenja “hiqni rripin” dëgjoj bashkëudhëtarin në të djathtën time:
-Uf, më shkoftë mbarë, o zot!
-Qenke shqiptar? – e pyeta plot gaz.
Nuk e shpjegoj dot pse i dua aq shumë shqiptarët larg Shqipërisë? Por dhe atij i ndritën sytë nga gëzimi. Do udhëtonim gjatë e mbi oqean disa orë janë dhuratë kur ke bashkëudhëtar një njeri të kombit tënd. Pasi i fola për veten ia nisi ai.
-Kam pasur e kam një jetë të vështirë, -filloi. -Jam nga Korça, Petrit më thonë. Sa mbarova gjimnazin rashë në dashuri me vajzën e një zyrtari të lartë. Ato ditë më vjen policia afër mëngjesit në shtëpi e më arrestojnë. Më vonë e kuptova që i kishte çuar babai i vajzës që doja. Në zyrat e Degës së Brendshme, kështu quheshin atëhere komisariatet, më akuzuan se isha agjent i CIA-s. Hapa sytë me çudi. E dija emër njeriu, për atë zot. E po prisja të më tregonin një foto të këtij Ciut. Është zbulimi amerikan more, nuk na i hedh dot ne, gjoja më sqaruan. Qesha se e mora për shaka, por ata e kishin seriozisht e deri sa erdhi gjyqi, pas katër muajsh, më nxorën qumështin e nënës. Më rrahën, më lanë lakuriq për disa ditë mes një fuçie me ujë të ftohtë, më shkulën thonjtë, më thyen këmbë e duar, më shkulën me pinca ato poshtë e në fund u dha vendimi; 20 vjet burg për tradhëti. Punova në galeritë e Spaçit. Nxirrja pirit. Ashtu çalë-çalë shtyja vagonat nëntokë dhe ditët mbitokë. Prindërit pas ca vitesh vdiqën nga hidhërimi. Një vëlla që pata e internuan. Ishte më i madh se unë, qe i martuar me dy fëmijë. E ndanë dhe nga e shoqja. Vrau veten brenda një kapanoni ku pastronte pëgërat e bagëtive.
Tregonte shtruar dhe fliste ngadalë duke më parë me sytë hapur fort. Sikur donte që të ngulisja çdo fjalë që më thosh.
-Ata janë këtu! – e lëshoi si frazë dhe afroi gojën te veshi im.
Sikur më tha një sekret.
-Çfarë?
-Ata janë këtu! – përsëriti.
Ngela ngrirë. Nuk po e merrja qartë mesazhin. Ndaj pashë para, prapa. Cilët qenë ata që ishin këtu? Mos ka paranoja, i dhashë karar.
-E kështu thuajse i bëra 15 vjet në burg. Fat që erdhi ndërrimi i sistemit se do i bëja kokërr më kokërr. Sa dola vrapin e ndala te ambasada. Më kanë akuzuar për agjent të CIA-s u thashë. Ata qeshën, por e dinin komplet historinë. Nuk më sorrollatën. Më dhanë vizë e një drekë zbrita në Boston. Kisha ca kushërinj atje ndaj zgjodha atë qytet. Po është e sigurt që ata janë këtu!
Ma tha prapë. U ngrita dhe pashë sërish te sediljet pas, para e anash. Ai heshti ca e vazhdoi.
-Bëra plot punë të rëndomta. Isha mësuar me vagonat në galeri e puna në supermarket ishte e lehtë. Paguhesha mirë. Një kokë jam unë. Nuk u martova se hetuesit më çburrëruan. Shkuan mirë ca muaj. Më pas, ata janë këtu.
O zot, po ç’e ka këtë frazë se po më çmend.
-Pse thua, ata janë këtu?
-Se këtu janë.
-Cilët?
-Ata.

Njeriu në panik...
Njeriu në panik…

Hiç s’po kuptoja gjë. Mbase e ka lënë burgu defiçit nga mendja preva shkurt e mbylla sytë gjoja do flija ca orë. Në ekran pashë që avioni po hynte në Evropë. Ja dhe ca orë e ia dole. Drejt e në shtypshkronjë, gëzova veten e gati po më merrte gjumi. Po sërish:
-Ata janë këtu! Dëgjon?
Atë çast duhet të isha nxehur e më lexohej në fytyrën e murrëtuar se bashkëudhëtari vazhdoi:
-Nuk e them kot, jo. Pas ca muajsh në supermarket pashë një ditë Gaqon. Kush është Gaqo? Ai hetuesi im, ai që më akuzoi si agjent të CIA-s. Zbriti nga një NISAN ngjyrë të zezë. Bashkë me gruan dhe fëmijët. Jo të tij se më vonë mësova se ata punojnë në bashki. Ishin nipërit e mbesat. Unë i kam të këputura këmbët, por atë ditë m’u këputën fare. Më pas u interesova e mësova se thuajse krejt policia e qytetit ku unë u torturova janë në Amerikë. Para meje dhe ku e ku me poste e me pasuri. Madje kishin hapur dhe një kafene e mblidheshin atje si dikur në zyrat e punëve kriminale. U hidhësova, u trishtova. Nuk qe zili, as xhelozi, por pabarazi. Si mundej që xhelatët e mij të jetonin në shtetin që mburret se dënon padrejtësitë kudo në botë. Ndërrova punën. Shkova roje te ca sektorë pyjesh, thellë në male. Nuk doja të takoja njeri. Por dhe hungërima e një qeni a e një ujku më ngjanin natën me zërin e Gaqos e të shokëve të tij. Ndaj një ditë vendosa, do e le Amerikën. Do kthehem te vendi im. E di që dhe po më dolën përpara nuk kam ç’t’u them se janë në vendin e vet. Por në Boston nuk i duroj dot. Duket sikur ata tallen me mua, me vuajtjet e lëndimet që pësova. Eh, mbusha 25 vjet burg dhe…
-Pse 25. Ti më the se bëre 15 vite?
-Po këto 10 vite në USA nuk po i shton a? Janë më të rënda se ato që vuajta në Spaç. Janë më të egra, më zhgënjyese, më depresive. Ma vranë shpresën. Kaq të rënda sa më duket që po i afrohem fundit. Ky qe fati im. I zi, shkruar mbi pllakë të zezë.
E besova në çdo fjalë. Ndaj këtë herë ia thashë unë:
-E vërtetë. Ata janë këtu. Thuajse të gjithë.
Avioni preku pistën. Bashkëudhëtari im me sy nga xhami shihte tokën që e la para 10 vjetësh. Nuk kishte ndryshuar ajo. Si për t’i thënë, këtu të pres unë, bir. Ndërsa ata, vrasësit, ikën. Janë andej, larg, shumë larg. Tani familje më ke!

marrë nga Muri i FB, agim Xhafka 29 shtator 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.