back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ata që erdhën nga prova e madhe – Dom Shtjefën Kurti

Gazeta

Dom Shtjefën Kurti (1898-1971)
Dom Shtjefën Kurti (1898-1971)

Ata që erdhën nga prova e madhe –

Dom Shtjefën Kurti (Zb 7,14)

Një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, Dom Shtjefën Kurti (Ferizaj, Kosovë, 25.12.1898 – Gurëz, 20.10.1971) prift, u pushkatua para banorëve të Gurëzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë, furrat e bukës. E se kishte pagëzuar një fëmijë. Po ai kishte bërë shumë më tepër. I kishte shkruar letër Papës, duke i treguar një të vërtetë, që nuk duhej ta kalonte kurrë kufirin e rrethuar nga telat me gjemba.

“Edhe pse jam meshtar i thjeshtë, po marr, plot respekt, guximin, t’i paraqes Shenjtërisë Suaj sa vijon, me që po më jepet rasti për ta bërë këtë, ndërsa është e pamundur për Ipeshkvijtë tanë.
Atë Fort i Shenjtë,
do t’Ju dhembë shumë, kjo që po Ju tregoj, por ngushëllohem kur mendoj se derdhi në zemrën engjëllore të përbashkët, hidhërimin me të cilin është përplot shpirti ynë i krishterë e meshtarak. Ne, kleri shekullar e rregulltar, jetojmë në epokën e persekutimit të mirëfilltë.
Të gjitha veprimtaritë tona, në të gjitha fushat, janë ndërprerë; e jo vetëm, por edhe janë shkatërruar pjesërisht ose janë vënë nën mbikqyrje të rreptë. Janë mbyllur Seminaret, si ai Papnor i Shkodrës, ashtu edhe ai i françeskanëve e i jezuitëve, sipas udhëzimeve të bolshevikëve rusë, stërholluar nga urrejtja satanike e qeveritarëve tanë.
Përveç këtyre dhunimeve e mungesave, Kleri është në zi për vdekjen e dhunshme, të paraprirë nga tortura të padëgjuara, të nëntë meshtarëve, ndërsa vijojnë të vuajnë dënimin, në burgje të tmerrshme, nëntëmbëdhjetë të tjerë: e si të mos mjaftonin, çdo ditë flitet për arrestime të reja. Në çastin, kur po i shkruaj këto rreshta, më vjen lajmi se janë arrestuar edhe tre meshtarë të tjerë si dhe një numër i madh besimtarësh, katolikë e myslimanë: njëri nga tre meshtarët e kremtoi Meshën e tij të parë më 8 të muajit në vijim. Secili nga ne pret, me nënshtrim të qetë, të njëjtin fat. Ne, e besimtarët tanë katolikë, nuk kemi shpresë të gëzojmë të drejtat e qytetarit, sepse njihemi si nëpunës të Vatikanit. Kushdo që na mbron, pas pak kohe, e vetëm për këtë arsye, flaket pa mëshirë në burg. Kush është me Selinë e Shenjtë, shikohet si reaksionar e armik i qeverisë së sotme komuniste. Vazhdimisht në gazetat, në fjalimet publike, në revistat humoristike, në trasmetimet radiofonike e në çdo mjet tjetër komunikimi, vihen në lojë feja, liturgjia, Vatikani e Personi Juaj August, ndjekur me ankth nga të gjithë katolikët e shpirtrat e ndershëm të besimeve të tjera. Jemi gati të vuajmë e të durojmë gjithçka, veç shpotitjes së Mëkëmbësit të Krishtit, gjë që na e pikëllon shpirtin e na i thellon varrët e dhembjes sonë të pamasë.
Këtu nuk ka kurrfarë lirie të fjalës, as të mendimit e as të shtypit. Gjithçka është vetëm në dorë të qeverisë ateiste e askush nuk mund t’u kundërvihet gabimeve, që përhap. Kush guxon të kundërshtojë, zhduket menjëherë nga faqja e dheut, pa shenjë e pa dukë.
Shenjtëri, ka edhe shumë e shumë gjëra të tjera për t’u thënë, po mua më duhet të kufizohem me sa shënova më sipër, duke e shkruar ngutshëm këtë letër, nga frika se mund të kapem me dorë në të. Edhe një herë Ju siguroj se më vjen tejet keq, që po e hidhëroj kaq shumë shpirtin e ëmbël të Shenjtërisë Suaj me këtë letër kaq të ankthshme. Përkulur tek këmbët e Shenjtërisë Suaj, lypi përvujtërisht bekimin Tuaj Atëror Apostolik, për vete, për klerin e Tiranës, të kryedioqezës, popullin e për të gjithë, si ugur për një ardhmëri më të mirë e, sidomos, me shpresë se do të na mbështesni në luftën e sotme, pa asnjë luhatje, për fenë tonë e për lidhjen e pazgjidhshme me Personin Tuaj August”.


Shqetesimi i Vatikanit...
Shqetesimi i Vatikanit…

Letra, himn për besnikërinë e Dom Kurtit e të Kishës Shqiptare ndaj Kryebariut, drejtuar Papës në çastin tragjik, kur vihej në lojë vetë ekzistenca e Kishës Katolike në Shqipëri, datohet: 19. 09. 1946.
Nuk dihet me ç’rrugë u nis, as nëse arriti ndonjëherë në dorë të Papës Piu XII. Dikush është në kërkim të saj.
Ndërkaq dihet nga të gjithë se më 1 korrik 1949, Kongregata e asokohsme e Zyrës Shenjte (sot Kongregata për Doktrinën e Fesë) botonte Dekretin, që njihet si “Shkishërim i komunistëve” (Scomunica ai comunisti), me të cilin Kisha Katolike distancohej nga ideologjia komuniste. Sipas së drejtës kanonike, nuk bëhet fjalë, formalisht, për shkishërim të dhënë nga Selia e Shenjtë me nismën e saj, por për një deklaratë zyrtare sipas së cilës:
“Të krishterët nuk duhet të shkruhen në partitë komuniste ose t’i ndihmojnë komunistët. Nuk duhet të botojnë, të përhapin ose të lexojnë libra, revista e gazeta ose pamflete, që mbështesin doktrinën ose praktikën e komunizmit, e aq më keq, të shkruajnë ndër to. Besimtarët, që dëshmojnë doktrinën komuniste materialiste e antikristiane, posaçërisht ata, që e mbrojnë dhe e përhapin, bien ipso facto në shkishërimin e rezervuar nga Selia e Shenjtë dhe përjashtohen prej sakramenteve, si mohues të fesë katolike”.
Të gjithë ata, që besojnë me të vërtetë, e kanë për detyrë ta përhapin ketë dekret të Zyrës Shenjte, shkruar nën papninë e Piut XII!
Thua të ketë lidhje ndërmjet Letrës, përpjekje tejet e guximshme e një meshtari shqiptar për t’ia prerë hovin ideologjisë, që po i vinte flakën gjysmës së botës, e “Shkishërimit” të Piut XII?
Do të vërtetohet, kur të flasin arkivat!
Marrë nga http://sq.radiovaticana.va/news 2014-03-28

Një shkrim i ZP më 5 prill 1973

Në një shkrim në gazetën “Zëri i Popullit”, me titull “Vatikani dhe fashistët i kanë duar e shkurtra në Shqipëri”, sulmohet Vatikani për propagandën e tij kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Në artikull bëhet me dije se ditët e fundit “Selia e Shenjtë” ka ndërmarrë një fushatë të gjerë shpifjesh dhe trillimesh e cila ka për qëllim të keqinformojë dhe të ngrejë opinionin publik kundër vendit tonë. Më tej shkruhet se radioja dhe hierarkët e lartë krishterë na akuzojnë për terrorizëm fetar se autoritet shqiptare paskan urdhëruar vrasjen e një ish prifti katolik që sipas tyre na paska qenë një shërbëtor i vërtetë. Me lot e vaj ajo na thotë se “Papa vetë po lutet ditë e natë që shërbëtorit besnik të zotit nga Shqipëria t’i prehet rehat shpirti në parajsë”. Më poshtë shkruhej se “Vatikani dhe fashistët i kanë duart e shkurtra në Shqipëri. Populli shqiptar ua ka treguar me kohë vendin dhe ai qëndron kurdoherë vigjilent dhe i gatshëm të dërrmojë çdo synim e orvajtje për të përlyer emrin e mirë të Republikës Popullore të Shqipërisë, për të influencuar mbi të, ose për të prekur sovranitetin e saj. Ne u themi në mënyrë të prerë dhe me vendosmëri këtyre zotërinjve që t’i mbajnë duar larg nga Shqipëria”.

Informacion sekret i Ministrisë së Brendshme
Informacioni mban datën 9 prill 1973. Në këtë informacion raportohet se me 1 prill në selinë e OKB-së, është organizuar një demostratë në shenjë proteste duke shfrytëzuar vrasjen e priftit. Në kët protestë kanë marrë pjesë rrth 150 vetë, kryesisht katolikë të aratisur nga krahinat e veriut të cilët mbajtën pankarta kundër pushtetit popullor dhe shpërndanë një promemorie të “Komitetit Shqipëria e Lirë”. Po ashtu raportohet për shkrimet në gazetat amerikane dhe për sulmet e Papës ndaj peresekutimeve fetare në Shqipëri.
Paralajmërohet se do të ketë një tjetër demonstratë të përmasave më të mëdha…
(Luan Shtëpani – Si reagoi Papa për pushkatimin e Dom Shtjefën Kurtit 23.07.2013)
Marrë http://www.albdreams.net

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.