back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Atdhedashuní e Patrjotizëm – nga Ernest Koliqi

Gazeta

Ernest Koliqi (1903-1975)
Ernest Koliqi (1903-1975)

Atdhedashuní e Patrjotizëm

nga Ernest Koliqi

Shif, lum miku, mue ty e të gjithë shqiptarët na ka vra Zoti,
e jemi për tu qa me lot, të gjithë pa asnji dallim. Fatkeqsinat, njena mbas tjetrës
pa me asnji herë po shkrepen mbi ne, por kjo nuk na lejon
me e përbuzë Shqipninë pse ka qillue e pafat. Kush ia sjellë shpinën nanës së vet
pse e shkreta nuk mundet me sigurue fat e të mira vetes e krijatyravet qi i dalin nga prehni?
Mun, pse asht në mjerim do ta duem atdhenë ma tepër. Me dashtë e kemi për detyrë,
si parija ashtu vogjëlija, si po thue tij, dhe tue e rrethue me të gjitha ndiesitë e zemrës sonë,
nuk kryejmë nji punë të jashtëzakonshme: i japim nanës së përbashkët të drejtën qi i përket.
Prandej atdhedashunija nuk t’ep të drejtë për shpërblime landore e morale…
ernest koliqi
Shejzat e Koliqit - 1971
Shejzat e Koliqit – 1971
Si popull ase bashkarí banorësh me të njâjtën zânafille qi flasin nji gjuhë e ndjekin disá doke të përbashkta, na Shqiptarët jemi shum të vjetër, – porsi komb ase bashkari qytetarësh qi e dijnë edhe e ndiejnë veten pjesë të pandáme të nji trapi shoqnuer e politik strehue nën rendime shtetnore e norma ligjore të njinjishme, jemi të rij. Si popull, edhe kur jetojshim nën sundime të hueja, dridhej mbrenda nesh nji instinkt, d.m.th. nji prirje e nënvetedijshëme e zêmrës qi na shtynte me njoftë si vllazën të gjithë ata qi kishin ndër fyza të njâjtin gjak; si komb përkundra na lidhë njânin me tjetrin, né Shqiptarët, jo vetëm nji ndiesí zêmre, por edhe nji bindje e mendes se jemi pjesë gjindësh e dallueshme prej kombeve tjera, me vlera të veçanta shpirtnore. Kombi ká për gur themeli njoftjen e plotë nga pjestarët e vet të drejtave e të detyrave qytetnore qi lêjojnë nji bashkëjetesë të harmonishme. Kombi, për me u quejtë i tillë, duhet t’ushqejë në shpírt flakën e dashunís së ndërmjetvetëshme. Skâji atdhedashuní ka veshtrimin e nji lidhjeje zêmrash (vetedije kombtare a coscience). Kush nuk ndien në gjak e nuk merr me mend domosdoshmënín e lidhjeve shêjte natyrore e shpirtnore ndërmjet qytetarve të nji kombi, ai nuk âsht atdhedashës. Atdhedashuní nuk don të thotë dashuní për gurët lisat frymorët e nji visi, por frymë bashkëjetese vëllaznore me njerz të njâjtes zânafille e gjuhe e dishiresh qi banojnë n’at rreth natyruer. Prandej fjala “patrjot” duhet përdorë vetëm për të cilësue nji njerí i cili kryen vepra të shqueme për vend e për bashkatdhetarë të vet. Atdhedashës e kemi për detyrë të jemi të gjithë; patrijotë janë ata qi me therorína a vepra të nalta të jashtazakonshëme i sjellin dobína landore e morale të mëdhaja kombit.
Kët lloj parathânjeje nuk po e rrjeshtoj për të tregue se sa i hollë jam në dallime përftimesh, por për t’i a sqarue vetes e ndoj lexuesit qi mirësisht ndjek këto shënime të mija në krye të Shêjzavet, sjelljen e nji bashkatdhetari, i cili para pak ditve m’erdhi në shtëpí për nji pjekje oborrsije (visite de courtoisie).
E kishem takue, për rrëshqit edhe disá herë tjera, por at ditë pata përshtypjen se po e shof për të parën herë. Hyni n’odë t’eme të shkrimit me nji farë t’ecunit të madhnueshëm e si me nji qindrim theatral. M’u duk se hyni para tij nji kravatë me vija të trasha kuq e zí. Si zûni vend në nji ndejse pranë tryezës s’eme të punës, më hoq vërejtjen edhe nji dalluese (distinctif) qi kishte n’ilik a thile (boutonnière) të setres me nji shqipe të zezë kraha-shtrîme në fushë të kuqe. Petkat e shtatit m’u duken jo fort të pastra, këmisha e koleti të palám, çarapët e lëshuem zharg mbi neje të kambve e këpucët e pafshîme. Përkundra ishte rrue e krue dhe flokët i ndritshin prej brilantinës. Mund të kishte, mbas hamendje, nji moshë tridhetë-vjetsh ase aty pari. Vinte nga nji kamp profugësh t’afërsinave të Romës. Ndër kampe gjinden fatosa autentikë të luftës antikomuniste, me varrë ende të pambylluna në shtat, qi pësuen humbje në shpijarë e në pasuní dhe nuk ankohen as nuk mburren për shka bânë. Për këtê, qi më rrinte para, s’kishem ndëgjue se ish therorzue në ndonji mënyrë të veçantë.
Nisi të flasi me nji sigurí krenare. Kuptohej se e mbante veten njerí të rrahun me shekull e të randësíshëm, e t’aftë me përballue mjerisht çdo rasë të jetës. Mbas shum fjalësh të shprazta: (Po si po jé me shëndet? Po robët si m’i ké? A po mërzitesh? A po lodhesh me punë? etj. etj.) e flakroi pyetjen qi, mbas mendes së tij, do të hapte nji bisedë të gjânë e tërhjekse.
Si të duket, zotní loci, se po shkon kjo puna e jonë? A ka ndoj shpresë se lot gjâ për së shpejti?
Për besë, lum miku, nuk dij shka me të thânë. Çashtja e Shqipnís ka hy në qark të lojës së madhe botnore, e duhet me pá se çfarë zhvillimi merr gjendja ndërkombtare e përgjithëshme…
Kam ndëgjue… unë s’i marr vesht gazetat e hueja… me zí qi këndoj ato të shkrueme shqip… por flitet në kamp se Kina po na dashka me u lidhë me Gjermanín prendimore…
Mundet qi don me hy në marrëdhânje ekonomike…
Jo, jo, don me i bashkue Gjermanët dhe me u lidhë për së forti me ta. Kjo punë né Shqiptarvet t’ikun na dâmton ke s’ve. Forcohen të kuqët në Shqipní…
Shka me i u përgjegjë? Prej kah me e zânë fíll arsyetimin e si me ardhë tue i a shtjerrtue për ta bindë se deri sa parabola e regjimit të sotshëm t’arrîjë në fund të harkut të vet, Shqipníja do të përshkohet nëpër nji varg fazash herë ngjitëse herë zbritëse gjithnji nën ndikimin e ngjarjeve ndërkombtare, të cilat janë në nji shtjelli (évulution) të vrullshme. I a bâna, sa për të thânë dishka mbasi rrinte në pritje të nji përgjegjeje:
Paj, me kallzue të drejtën, sot, si erdhën tue u ndërlikue punët, nuk po din njeriu shka me dishrue, sepse ka keq e mâ keq. Lê qi përgjithësisht çâshtja shqiptare nuk âsht në dorë të Shqiptarvet e prandej na s’kemi shka të bâjmë në kët fazë të tashme; por, edhe sikur të kishim ndoj mundësí veprimi, shka me bâ?
Si? Shka me bâ? Me mbledhë burrat e mërgimit, me zhgarkue në Shqipní e me sulmue ata… Por s’kemi parí… Po të kishte patrjota në krenë të mërgatës si ká në vogjëli të kampeve, ndryshej kishte për të vojtë kjo punë e jonë…
Kah i shqiptonte këto fjalë me theksim, m’u duk se po qitshin shkëndíja ngjyrat e kravatës në gjoks dhe të dallueses në skjep të setres si edhe brilantina në kokë.
Na qi e njehim veten të pajisun me nji farë kulture e mirërritjeje, e kemi për detyrë të siellemi me durim e kuptim të mirësishëm kundrejt bashkatdhetarve të pashkolluem, edhe kur këta ngrehen plot mburrje në mproje të gjikimeve pa themel të tyne. U përpoqa sa mujta, tue i a thjeshtësue pikat e çâshtjes, me i a mbushë menden qi nuk âsht punë e lehtë organizimi i nji veprimtaríje kryengritëse, sepse jo vetëm mungojnë mjetet, pregatitja teknike, vendi i huej për piknisje, por mungon sidomos sigurija në pasoja, të cilat mund të jenë shum të dâmëshme për ardhjen e kombit.
Shkurt, – përfundova – mund të biejmë prej shiut në breshën. Natyrisht flas tue marrë në shqyrtim rrethanat ashtu si janë sot; nesër mund të paraqiten ndryshej…
Ai ja nuk e kuptoi fillin e arsyetimit t’em ja e gjikoi krejt të papëlqyeshëm, pse, fryni gjoksin dhe e ngrehi përpara: prej setres së zhbërthyeme i dilte jashtë këmisha ku spikatshin ngjyrat e kravatës me vija të trasha të kuqe e të zeza. Fshâni me të dhânun e tha me nji ton eprorije mburracake: – Po shof se s’paskan mbetë patrjota në parí: kryeparët janë kah e marrin në qafë vogjëlin… Na vuejmë për Shqipní ndër kampe e ata bâjnë pall ndër qytete. I kanë sigurue punët e tyne… Shka po u duhet me u tundue!…
Zotnova mbrenda vetes nji shkas idhnije qi qe tue shpërthye përjashta me turr. Ishte mik në shtëpí t’eme. Lypej durim. Noblesse oblige. Mbas nji ndalimi të shkurtë, i a ktheva:
Mâ meritë kanë ata qi ngelne në Shqipní e qindrojnë heshtazi në parime të shëndoshta shqiptare nën ndrydhjen e sundimit gjakatar se të gjithë na qi në Prendim qoftë po edhe me vështirsina, por me lirí të plotë rrijmë tue pritë ditën e çlirímit t’atdheut…
Ai nisi tash me sulmue drejt për së drejti:
Mirë: ata vuejnë mbrendë e na të kampeve vuejmë jashtë: mësá qi ju, më duket, nuk jeni kah mërziteni aspak tue pritë çlirímin…
S’mund u prita pa i a shkrepë:
Atëherë ti qi vuen në kamp e njehke veten patrjot: unë qi do të lodhi mende e trup jashta kampit për të sigurue bukën e përditëshme të shpëtijakvet të mij, unë qênkam njeri i dobët mbas mendimit t’and…
S’po tham këtê, e s’due me fye zotnín t’ande, por âsht e vërtetë qi unë jamë tue vuejtë për Shqipní e disa tjerë përjashta jetojnë rahat…
Prap e ndala veten e, butësisht, i thashë:
Shif, lum miku, mue e ty e të gjithë Shqiptarët na ka vrá Zoti e jemi për t’u qá me lot, të gjithë, pa asnji dallim. Fatkeqsinat njâna mbas tjetrës pa mê asnji herë po shkrepen mbi né. Por kjo nuk na lêjon me e përbuzë Shqipnín pse ka qillue e pa fat. Kush i a sjellë shpinën nânës së vet pse e shkreta nuk mundet me i sigurue fat e të mira vetes e krijatyravet qi i dalin nga prêhni? Mun, pse âsht në mjerim, do t’a duem atdhén mâ tepër. M’e dashtë e kemi për detyrë, si parija ashtu vogjlija, si po thue ti, dhe, tue e rrethue me të gjitha ndiesít e zêmrës s’onë, nuk kryjmë nji punë të jashtazakonshëmë: i japim Nânës së Përbashkët të drejtën qi i përket. Prandej atdheashunija nuk t’ep të drejtë për shpërblime landore e morale. Patrjotizmi âsht tjetër gjâ, sepse kapërcen masën e detyrave kombtare e shoqnore të rendomta dhe âsht nji përpjekje heroike në të cilën lulzojnë shkëlqimisht vetít mâ të nalta njerzore. Si janë shêjtënt e martirët në fê, ashtu janë patrjotat e dëshmorët në kombsí. Për shembull patijota quhen Jeronym De Rada qi shkrîni múnd e pasuní për të ndezë në shpirtënt e Shqiptarvet dishirin e lirís dhe të rilindjes kombtare tue dekë në skamin mâ të mjerueshëm; Oso Kuka qi vullnetarisht shkoi me mprojtë caqet e shugurueme t’atdheut dhe, i rrethuem prej nji morije anmiqësh, kur s’ishte aspak korí me u dorzue, i dha zjarm barotit të kullës ku bânte qindresën e vdiq trimnísht, tue hjedhë për havá veten e shumicën e rrethuesavet; Ded Gjo’ Luli, qi i joshun e i përkëdhelun prej anmiqësh të kombit, s’pranoi as nderimet as dhuratat e tyne, kur ata e ftuen me u lëshue dorë të lirë në pushtim të tokave shqiptare, dhe me kët sjellje i shkaktoi vetes salvime e vdekje: Papa Kristo Negovani qi pohoi të drejtat e shqiptarizmit përball urdhnave të Fanarit tue e pague me krye qindrimin e tij guximtar. Këtyne u jepet ligjisht emni patrjot. Unë, ti, shumica, dikush tue vuejtë ndër kampe ase n’at burg të madh në të cilin tyranija e kuqe e shëndrroi Shqipnín e sotshëme, dikush tue derdhë mund shqisuer (intelectuel) për të mbajtë pozitat kulturore kombtare, tinzë mbrenda e botnisht jashta atdheut, shum shum jemi të dênjë të quhemi atdhedashës jo patrjota. E atdhedashuníja tregohet me punë jo me reklame e përligjerime (déclamation) e shêje të jashtme ase tue kërkue shpërblime e të drejta në mërgim ku sjecili rron si mbas rriskut të vet dhe të zotsís vetjake.
Ai piu kafen dhe u çue e duel.
Besoj se, tue dalë, do të két thânë vetmevetí:
E kanë kollaj këta me i rrotullue fjalët si mbas qejfit. Gjuha âsht tulit. Po, na patrjotët, duhet të bâjmë punën t’onë!
N’anë tjetër unë mendojshem, kur shkoi: -Pak çmohet veprimtaríja kulturore. Ai, i ngrati, vuen ndoshta fizikisht, por na shkrimtarët e pakuptuem vuejmë shpirtnisht. Fati na ka dënue né Shqiptarvet mos me u kuptue me shoqishojnë e me vuejtë i madh e i vogël!
.
(“Shêjzat”, 1964, përg. për publikim Agim Morina…)
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.