back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Atdheu dhe atdhedashuria në poezinë e Ndre Mjedës – sprovë nga Prof. Dr. Resmi Osmani

Gazeta

Poeti Ndre Mjeda (1866-1937)
Poeti Ndre Mjeda (1866-1937)

Atdheu dhe atdhedashuria në poezinë e Ndre Mjedës

sprovë nga Prof. Dr. Resmi Osmani

Krijimtaria poetike e Ndre Mjedës, e nisur në fundin e shekullit XIX, krahas rilindasve të tjerë të shquar, përmbushi dhe tejkaloi një shekull. I mbijetoi kohës dhe mbeti e freskët, e bukur, tingëlluese, e dashur ngazëllyese dhe e pëlqyer për lexuesit. Shumë syresh, duke qenë antologjike, janë mësuar përmendësh dhe janë recituar. Sido që e pakët, vetëm e përfshirë në një libër, “Juvenilja”, që vlerësohet si ndër librat e vyer të poezisë shqipe, ajo zë vend nderi dhe vetë poeti rreshtohet në panteonin e poetëve të shquar shqiptarë të të gjitha kohëve. Për artin e vjershërimit mjeshtëror të Mjedës, në gjithë aspektet, është folur e shkruar nga shumë studjues, ndaj në këtë sprovë nuk do të ndalem te arti poetik i Mjedës, pasi siç e kam vënë në dukje në një shkrim tjetër dhe si e thekson stdjuesi dhe poeti Agim Vinca: “Mjeda nuk shkruan me laps, por gdhend me daltë”, por në një aspekt tjetër, në tematikën e saj e veçanërisht te dashuria për atdheun, e cila ka frymëzuar lexuesit e kohës kur u shkruan por edhe brezat e mëpasmë. Ato mbeten aktuale edhe në ditët tona, për shkak te rrethanave historike të krijuara, që pasoi mërgatën e shqiptarëve në vende të huaj.
Ndre Mjeda lindi në shkodër më 20 nëntor 1866. I ati vdes dhe i lë të vegjël Ndreun dhe të vëllanë Lazrin. I rriti e ëma, me të keq, duke punuar si rrobalarëse në dyer të botës. Fëmijëri e palumtur dhe në varfëri. E marrin nën kujdes etërit jezuitë dhe gjejnë në të mençuri, zgjuarsi dhe vullnet të spikatur për të nxënë, që e bëjnë të dallohet mes shokësh dhe të arrijë përvetësimin e shpejtë të dijeve.
Më 1879, pa i mbushur trembëdhjetë vjeç, thuajse ende fëmijë, ai ndahet nga gjiri i familjes, nga njerëzit e dashur, nga qyteti i lindjes, nga viset ku hodhi shtat. Atë e dërgojnë në një kurs privat për pedagogji në Spanjë. Që nga ai vit, deri më 1899, për afro njëzet vjet, kur u kthye në Shqipëri, kaloi një sërë shkollash, kursesh dhe universitetesh në Spanjë, Poloni, Kroaci, Itali, ku përvetesoi dije dhe tetë gjuhë të huaja. Një pasuri e tërë diturore që për kohën, edhe pse klerik, e renditën ndër intelektualët më të ditur të Shqipërisë. Gjithsesi, edhe pse jo i detyruar, ky ishte një mërgim, larg Atdheut, larg njerëzve të dashur, në vende të huaj. Natyrë e qetë, i heshtur dhe i përmbajtur, disi ëndërrimtar, ai mban brenda vetes një mall e dashuri përvëluese për Atdheun, që rënkon nën robërinë turke. Një flakë që nuk shuhet asnjëherë, edhe pse jeton në vende të lira, të zhvilluara e të pasura të Europës së atëhershme, Ndreu nuk bëhet një qytetar kozmopolit, as atdhemohues, kur i duhej të krahasonte Shqipërinë me bukuritë dhe zhvillimin e vendeve të tjera,do marrëzisht Shqipërinë. I shfaqet vezullia e vargmaleve që duket sikur zbresin nga qielli, e shqipes që e lirë fluturon mbi to, fushat, lumenjtë burrat trima e gratë si zana. Ai mbetet shqiptar deri në palcë të eshtrave dhe pikën e fundit të gjakut.
E kanë thënë dhe të tjerë, ndaj nuk them asgjë të re, se vepra është vetë njeriu, krijuesi i saj. Në të gjejmë të kyçur ndjenjat, shqetsimet, brengat, dëshirat, kumtet. Dhe nëse do të dish atë që ka në shpirt poeti, merakun dhe shqetsimet e poetit shih se cilat fjalë janë ato që përsëriten dhe përsillen më shpesh në poezitë e tij. Te poezitë e Mjedës, fjalët që hasen dhe përsëriten më shumë janë: Atdhe, Atme, shqype, male, zana, pyje e ograja, shqyptaria, ilirët dhe iliria, gjithçka ngërthen brenda vetes, dhe shpreh poetikisht, si një dashuri të përjetshme, atë që quhet Atdhe, Shqipëri.
Është me interes të shihet se me çfarë emrash e quan Mjeda hapsirën e banuar nga Shqiptarët bashkëkombasit e vet. Më të shpeshtë janë Atdhe, më rrall Atme, po asnjeherë Mëmëdhe, pra tokë e atit, tokë e burrave. Ndërsa në aspektin hapsinor gjeografik Shqipni, kurse atdhetarizmin dhe përpjekjet për atdheun e quan shqyptari. Mjeda i njeh mirë përcaktimet moderne të Atdheut, kombësisë dhe kombit. Në poezitë e tij, brenda gjeohapsirës perandorake turke, Mjeda ve caqet e territorit të kombësisë shqiptare, nga Tivari në Prevezë, nga alpet e Namuna në Vardar, nga Malsia në Jalli. Të katër vilajetet, sipas kërkesave dhe përcaktimeve të Lidhjes së Prizrenit. Këto toka janë shqiptare, historikisht, që së lashti se atje kanë jetuar Ilirit, se atje jetojnë shqiptarët, pasardhës të tyre dhe flitet shqip. E kësaj gjuhe, veç që edhe është studjues i saj, ai i thur vargje të mrekullueshme, jo vetëm për bukurinë dhe tingëllimin si kënga e bilbilit, lashtësinë e saj, por edhe si njësi bashkuese e kombit. “Prej Tivarit në Prevezë/ Nji a gjuha e kombi nji/ Ku lshon dielli njato rreze/ Qi veç toka jote i di.” Dhe më tej” Gegë e Toskë, Malci, jallija/ Jan nji komb, m’u da s’duron/ Fund e majë nji a Shqypnia/ E një gjuhë t’gjithë na bashkon”. Këto vargje janë edhe për të sotmen, edhe pse ende shqiptarët jetojnë në trojet e veta të shpërndarë në gjashtë shtete, gjuha mbetet njeri nga faktorët bashkues. Por, veç kësaj, ajo është edhe e bukur: E këndshme si vera…/ Përmallshëm si era,/ Që napin zymylat,/ Nder lule ma s’parit,/ A gjuha e Shqyptarit.
.
Ndre Mjeda - Kolana I-VII
Ndre Mjeda – Kolana I-VII
Ndryshe nga rilindasit e tjerë, Naimi, Çajupi etj. dhe poetët e mëvonshëm e të sotëm, që i kushtojnë poezi të veçanta Atdheut, te Mjeda, vrejmë se Atdheu, atdhedashuria, shqiptaria, brengosja për fatet dhe lëngimin nën zgjedhën e huaj të tokës arbërore dhe bashkëvendësve të vet, e përshkon si fill i kuq gjithë poezinë e tij, është gjymtyra, ashti poetik, mbi të cilën lartohet ngrehina e poezisë mjediane. E gjejmë te poemthi “Vaji i Bylbilit”, “Shtegtari”, te “I tretuni”, me atë lamtumirë elegjiake që i jep Shkodrës.
Do të ndalem te poezia “Malli për Atdhe”. Ajo u shkrua më 1888, në Kremona të Italisë. Poeti është i mërguar. Të bukura qytetet e huaja, por ai e ndjen veten si në shkretëtirë, rri duke rënkuar (gjëmue), nga gjithë të mirat e atyshme nuk gjen ngushëllim e prehje, zemra i shkrihet për Atdhe. Edhe kënga e bilbilit i përngjason me ankimet e tij të përvajshme. Shkrihet në vaj për vendin e tij. Heroi lirik pyet erën dhe kroin, për fusha e malet, për bjeshkët, malet, fushat e bekuara të vendlindjes, ku ka kaluar djalëria, por ato heshtin. Mendja shkon në Shkodër, Cukal, Maranaj, në Bunë e në Drin. Kur ka për t’u gëzuar vallë në ato kasolle? Ku jeta i duket më e paqtë dhe e këndshme, pasi ai në dherat e huaja ka gjetur veç trishtim. Dhe në mbyllje: “Larg teje, o shqype,/ Kush lyp gjallimin/ Po do mallkue”. Atdheu asnjëherë nuk duhet braktisur, për çdo arsye.
Atdhedashuria, kalohet nga brezi në brez, nga nëna te biri, porosia e nanës: Nji nanë tjetër, thoshe ke/ Bir n’kët dhe/ Nana jote a Shqypnia… Dhe plotësimi i amanetit nga biri: Mbas fjalësh t’tua përher shkova/ E t’ndigjova/ Shqyptarin nuk e korita. Atdheu, Shqipëria, i trazojnë gjumin, i shfaqen në ëndërr, me bukurinë e një vashe-ëngjëll dhe kur ai pyet se kush është, vjen përgjigja befasuese: “Motër e nanë, tha, m’ke-jam shqyptaria”. Brengosëse është vdekja në vend të huaj, larg atdheut, në dhera të huaj dhe, në çastet e shpirtfluturimit, për në amshim, mendja shkon te atdheu, dhe fjala e mbrame që mërmërin është Shqypni (Në dekë të shoqit tim Gj. S.)
Atdheu ka histori, ku nuk mungojnë lavdia, trimëria, guximi, lufta për mbrojtjen e trojeve nga armiqtë, ku janë shquar burrat trima të Ilirisë, me prijës Bardhylin, Gentin, me Skënderbeun e lavdishëm, Aranitin dhe Topian, në qëndresën çerek shekullore. E gjitha kjo për të ngjallur te bashkatdhetarët ndjenjën e krenarisë për Atdheun, trojet e të parëve, Shqipërinë dhe Shqyptarinë, atëhere kur për atë epokë historike, Pashko Vasa shkruante: “Ti ke pas kenë i zojë e randë/ Burrat e dheut të qujshin nanë”. Në kushtet e robërisë së urryer të gjysmëhënës, poeti u kujton se kush kemi qenë, duke ua vendosur përpara si një pasqyrë, ku shqiptari duhet të shohi veten. Më së shumti dhe më së miri, kjo evidentohet në sonetet e poemthave “Lisus”, “Skodra” dhe “Liria”.
Liria, nuk dhurohet, ajo fitohet dhe, fitohet me luftë, me sakrifica me jetë dhe gjak. Poeti, i nxitur nga kryengritjet kundraturke të malsisë së veriut më 1909, i lind shpresa e çlirimit nga zgjedha e robërisë. Jep kushtrimin e luftës. “Lirim, lirim bërtet gjithkah Malcija” dhe bën pyetjen, si në një kuvend burrash: “A ka lirim ky dhe që na shklet kamba/ A veç t’mjerin e mblon anë mb’anë robnija?” Mbi zhgunin e klerikut, ai hedh në krah pushkën, në tjetrën shpatën dhe flamurin me shqypen dykrenore, kthehet në këngëtar i lirisë dhe rebel, luftëtar kryengritës. Në poezitë “Lirija”, “Bashkonju”, “Vorri i Skanderbegut”, “Mahmud Pasha në Mal të Zi”, “Shqypes arbnore”, vargjet ushtojnë nga thirrjet e luftës. Ato ftojnë shqiptarët që të bashkohen: për rrëketë e gjakut të derdhur, kujen e nënave për bijtë e rënë, për nderin e vashave shqiptare, për tokat e lëna shkretë, për eshtrat e dhunuara të Skënderbeut, për gjithë këto dhe lirinë, bëhet thirrja e bashkimit nën flamurin e shqipërisë, për unitetin kombëtar, pasi “prej nji gjaku, nji gjinis/ A shqyptari kand e kand” dhe se “Nji gjuhë shejte t’gjith kuvesim/ Nji istori, nji atdhe ne kemi/ Geg e Toskë nji zemre jemi”. Janë vargje aktuale edhe në ditët tona, kur shqiptarët jetojnë të ndarë në gjashtë shtete dhe kur pas pavarsimit të Kosovës, ka lindur si kërkesë aspirata e bashkimit kombëtar, e Shqipërisë natyrore.
.
Mjeda - Fishta - Gurakuqi 1908
Mjeda – Fishta – Gurakuqi 1908
Mjeda, me metafora, epitete dhe krahasime brilante, si: djelmnia, kulshedër e malcive, si stuhi e përmnershme, rrufe bubullore, me xhixha ndër sy si shqypojet majë bjeshkve, kelmendasit e rreshtuar majë bjeshkëve. E tjera kësodore, që shkrepëtijnë e venë në dukje trimërinë, atdhedashurinë dhe burrërinë, u bën thirrje krahinave të malësisë: Lekëve (Malsorëve) Hotit, Grudës, Kastratit, Shkrelit, Kelmendit, të lënë mënjanë dasinat, pendët në hulli të arës, tufën e bagëtive në kullotë, të ndërpresin vadën në të mihurat, ngaqë pushkë e shpatë, janë parmendë e janë kosë. Të rrëmbejnë armët dhe tu turren në luftë kundra halldupit otoman. Është për t’u vënë në dukje, se Mjeda, shpresën e kryengritjes së armatosur dhe çlirimin e Shqipërisë, forcën lëvizëse të kësaj lufte e sheh në shtresat e gjera të fshatarsisë, qofshin ata malsorë apo fusharakë, pa patur besim te shtresa e feudalëve, te ata që flejnë mbi thasë florinjsh, ndaj të cilëve zbraz mllefin te poezia Mustafa Pasha në Babunë.
Edhe pse gjendja e vendit nën sundimin e të huajit është e rëndë, Mjeda nuk e humbet shpresën se Shqipëria do të çlirohet dhe mëvetësohet. Këtë e shpreh më së miri në sonetin VI të poemthit Liria: “Po nuk u shuejti edhe, jo, shqyptaria:/ Lodhun prej hekrash qi mizori i njiti/ lodhun prej territ ku robnimi e qiti/ Shpreson me e zgjue fluturim mënia…” Në vargje sillet ngjallja e frymës së lirisë, se ndër male përhapet shkëndija e lirimit të Atdheut, se ndër kasolle fshehtas shëtit hija e Skënderbeut, e se nënat në gji u shtjenë bijve urrejtjen për armikun, dhe, se ndër male, bukuri mbretnore, hap flatrat e mnershme që përshndrisin, me thonj të harkuar Shqipja arbërore. Ca më shumë, shpresa e çlirimit shpërthen plot mllef kundër sulltanit otoman, por edhe shpresë për shqiptarët, në nbyllje të poezisë: “Për një shkollë shqype mbyllun prej qeverisë otomane” më 1902.
Në figurën e Mjedës, krijimtaria atdhetare, është e pandarë nga veprimtaria e tij në lëvizjen patriotike dhe jetën politike si dhe atë publicistike e studimore.
Më 1908, ai është pjesëmarrës aktiv në Kongresin e Manastirit, në komisionin që caktoi alfabetin. Në vitet 1916-17, Mjeda qe një ndër veprimtarët më të shquar të Komisisë letrare të Shkodrës. I përfshirë në lëvizjen politike në krahun demokratik, 1920-1924, qe deputet i opozitës në Kuvendin Kombëtar dhe Asamblenë Kushtetuese. Me kthimin e Zogut, ai u tërhoq nga jeta politike dhe në vitet 1930-37, shërbeu si mësonjës i gjuhës dhe letërsisë në Kolegjin Saverian të jezuitëve në Shkodër.
U nda nga jeta më 1 gusht 1937, duke na lënë trashëgim krijimtarinë e tij të pamort.
.
Tiranë, më 30.03.2020
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.