back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Atdheu i poetëve – esse nga Gjergj J. Kola

Gazeta

Gjergj Jozef Kola
Gjergj Jozef Kola

Atdheu i poetëve

esse nga Gjergj J. Kola

Në Vjenë kur bjen bora, ajo vjen gjithmonë e mbështjellun me erë të fortë prandaj vjenezët janë qytetarët ma të lagun e të pakrehun në vend. Jo rastësisht në çdo rrugë apo rrugicë ka nga nji floktore. Shpesh m’asht dukë se nji aleancë sekrete qëndron në mes të flokëve të borës e flokëtoreve. Fundja të dyja palët kur rrëzohen përdhè, në ato fragmente të jetës së shkurtë, nuk bzajnë. Krejt ndryshe nga dy shqiptarë të zakonshëm që kur takohen në Vjenë nga njena anë e rrugës i thërrasin tjetrit në atë mënyrë që do ja kishin lakmi edhe malcorët tonë ma të sprovuem, që tash dhjetra shekuj i thërrasin njeni-tjetrit nga njena anë e malit në tjetrën.
Hej, kush asht rrugës?
Poeti asht poeti.
Poeti apo profeti?
I njajti asht, i njajti.
Tingulli elektronik i celularit më detyron me hapë e mesazhet e po kam nji ndjesi teleportimit.
“Përshëndetje Gjergj, jam në Vjenë e kam dëshirë m’u takue për nji kafe bashkë…!” e disa fjalë të tjera, tanë mirësjellje, që mos me lanë punët e mija porse gjithmonë nëse kam kohë…
Ja kthej shkurt e kjartë: “Për ty mik, për poetin e dashtun, koha merr nji dimension tjetër, ajo del vetë prej kohës e i ban vend vedit, prandaj më thuej se ku je e për pak minuta erdha, anipse kam thuejse 30 vjet që nga ajo vjeta e largët 1990, në pjacën e Shkodrës, që nuk jena pa ma fizikisht, se shpirtnisht i kam ndjekë shkrimet tueja!”
Asht ftoftë në kët ditë Janarit 2020, e fryen nji erë alpine ndërsa e gjej poetin krahëstrukun përpara Katedrales së Shën Stefanit, që vjenezët në dashuni e kanë pagëzue si “Stefel”, megjithse asht ndertesa ma e madhe në kryeqytet. Shqiptarët të veshun si “Mozartë” po shesin bileta aty para katedrales e fërkojnë duert nga i ftofti, ndërsa turren sa nji turist te tjetri. Ja tham mikut poet kët detaj të përditshëm shqiptar të sheshit qendror të Vjenës e më duket se ai po ndjehet edhe ma fort në shpinë e vet.
Edhe krijuesi i operas së parë shqiptare Preng Jakova asht le e rritë në sheshin e nji katedrales me të njëjtin emën: Shën Shtjefnit të Shkodrës, më del para nji Dejavu Operash paralele.
Ecim pa zhurme drejt shpisë së Gjergj Sinës, arbnorit ma të njoftun në Vjenë mbas Gjergj Kastriotit-Skanderbeg, që asht dy rrugica matanë, kur sapo nisë me m’ba përshtypje zhurma e hapave të kalimtarëve që ndihet aq fort nën heshtjen e hapave tonë, njashtu si shiu i ngrimë që bjen bashkë me borën dhe e mbyt fëshfërimën e saj.
Katedralja ma e madhe ortodokse në Austri asht ndërtue nga nji arbnor që i ka dhanë edhe emnin e vet, Gjergj e sot asht qendra e ortodoksisë greke… atdheu jonë nuk asht aq i lehtë m’u shpjegue, sado thellë në shpirtin e tij të futet poeti.
Po përmendena në Shkodrën e viteve ’90, për rilindjen e Gjergj Fishtës bashkë me njimijë zana malit, për takimin tonë para “Kinema Punëtorit” të atëhershëm ku po përgatitej e djela e palmës së poetit të kombit. Dëshirës teme me shkrue nji dramë mbi kthimin e Fishtës në atë ditë të djelë shkodrane, dramën teme të 40, kur ai kishte ardhë nga Tirana për kët, ai nuk i bani jehonë të zhurmshme, pikërisht siç ban bora kur bjen në Vjenë që shkon e nxen vend pa trazue kend.
“Ishin poetët shqiptarë, të parët që kërkuen kthimin e Poetit kombëtar, anipse xhullijtë edhe në grahmat e fundit nuk dojshin me dorëzue cilësat e pallatit, Gjergjit të madh të kombit që i shpërtheu dyert e ferrit komunist…”, asht kjo landa e dramës për Kthimin e Poetit të kombit…
Flasim për pulëbardhat mbi liqen, puplat e të cilave kur rrëzohen nuk bajnë zhurmë vetëm prekin sipërfaqen e ujit e shkruejne historinë e tyne. Vargjet më sillen nëpër sy si kristalet e borës e i tham:
 
Në Shkodër tashma vetëm breshni ban zhurmë
njashtu në atë jetën e vet të shkurtë
ma të shkurtën e tanë krijesave të ngrime,
e bora asht lerg, anipse dimni po zgjat kaq shumë
si nji dashuni e bardhë krejt.
.
Egon Schiele - Poeti - 1911
Egon Schiele – Poeti – 1911
Po ecim krah për krah siç kena ecë në rininë tonë pjacave të Shkodrës e të Tiranës, unë me miqtë e mi e ai me të vetët, unë me shkodranët e mi e ai me “tiransit” e vet… Aty mespërmes Kärntnerstrasse na del poeti i vazhdimsisë, nëpërmjet dy vargjeve të poemës së famshme:
Lule, mos bjer me vehte vérin e Nordit
por zjarm që ta rrisim bashkë…
Miku poet po më flet mbi korrespondencën që ka pasë me Martin Camajn nga fundi i viteve 80 e për ikjen e tij të papritun në vitin 92, për Erikën, dashuninë e madhe gjermane të poetit shqiptar.
Çdo kohë ka letërsinë e saj e çdo letërsi kërkon lirinë e saj. Martin Camaj e gëzoi Lirinë në Romë e në Mynih, prandaj krijoi letërsi kalibrit. Gjatë pushtimit osman na arbnorët nuk nxorëm poetë kalibrit, sepse gjuha arbnore ishte e ndalueme, në dy dialektet e saj. Bestsellerin tonë të vetëm europian, Marin Barletin e kena nji poet të lirisë. Në liri lindën poetë të mëdhej shqiptarë në të dy dialektet. Gjatë diktaturës u ndalue njeni krah i shqipes: gegnishtja, prandaj Camajt, Zorbës, Primo Shllakut i jena aq mirnjoftës në shumçka, mendoj e po më gufon zemra në mes të Vjenës për pasuninë poetike që kena trashëgue.
“Këtu në kët qytet, në këto ndërtesa vjeneze, u thirr rinia shqiptare në shekujt e pushtimit osman e u mbajt gjallë shqipja e shkrueme dhe e lexueme e flamuri i Gjergj Kastriotit bashkë me stolitë e luftës e kthyen ket qytet në nji qendër pelegrinazhi të dijes e kulturës, të mbijetesës tonë. Prandaj Vjena asht tokë e shejtë për kombin shqiptar.”
Këtu na lindi ideja me u mbledhë në Vjenë poetë e shkrimtarë, spontanisht, nji herë në disa muej e me folë për letrat tona që presin si hini i feniksit me u ringjallë…
Po flasim për empatinë që kanë pasë poetët e artistët arbnorë mes tyne e se si kjo ndjesi fisnike u kalue edhe te shqiptarët e kujtojmë se dikur kur teshtihej Lasgushi në Pogradec, i uronte shëndet Fishta nga Shkodra, porse me ardhjen e realsocializmit nji kulturë e së keqes u përhap. Poetët e artistët nisën me sha e shilue njeni-tjetrin, me spiunue e me denigrue e kjo sëmundje vazhdon ende sot aty këtu, megjithë nji frymë të re empatie që ka përfshi krijuesit e ndershëm e të talentuem.
Nji poet i madh asht gjithmonë nji njeri shpirtmadh.
Sapo jena ulë në nji kafe e po “marrim nëpër gojë” disa nga romancierët tonë që përdorin në romane të ndryshme, stile të ndryshme, që ngjajnë sot aq shumë me stile autorësh dikur të ndaluem për ne… Jashtë vazhdon me fry nji erë e ftoftë vjeneze, sikur kërkon me ju kundërvue thirrjes së poetit, “për mos me sjellë me vedi verin e Nordit” kur unë nuk mundem me ndejë pa shfrytëzue rastin e mirë që më ka sjellë fati e me e pyetë mikun poet për dy personazhe që simbas mendimit tem janë shumë domethanës në historinë e këtyne 30 vjetëve të demokracisë tonë.
Ai i njef personalisht të dy ata e tash që mu dha mundësia me i pa përmes syve të poetit njashtu në lakuriqësine e tyne, m’u hjek nji peshë e madhe prej zemrës.
Ai po m’i përshkruen ngadalë e çdo fjalë e tij ndalet në mue, njashtu siç ban bora në Vjenë, krejt lehtë e pa zhurma e era shkon e i jep formën që don. Jam në mes të nji fatlumnije të madhe, sepse çaste të tilla nuk të përsëriten në jetë, ato nuk i ndesh as në media sociale e as në TV.
Ai flet e zani i tij i butë në nji ritëm të rregullt, përhapet gjithandej, si ai treni i nadjes që nisej nga Shkodra në orën 7 e mbrrinte në Tiranë në orën 11, në mes shumë ndalesash, ngjyrave, stileve e kostumesh njerzore, në stacionet e pafund, sikur me dashtë me kallxue stigmatat e pushtimit 4 shekullor…
I tham se jam i lumtun në kohën e sotme, ku Media sociale ma mirë se kurrë na lejon me ba studime empirike mbi shqiptarët, mbi gjuhën, doket, zakonet, politikën, komplekset e neurozat. Asnjiherë nuk mund ta njofim vedin ma mirë se sot, anipse ja mshefin vedit atë që na kallxojnë mediat sociale.
Dalim nga kafja e ecim nëpër rrugën qëndrore Kärntnerstrasse, që nisë me teatrin e operas e mbaron me katedralen e miku poet vazhdon me folë me njat ritmin e tij të qetë, si epikat shqiptare, të kallxueme nga lahutare modernë e më duket sikur kjo nuk asht nji natë e zakonshme, porse mramjet vjeneze janë barazue papritmas me ato shqiptare, me anë të magjisë së poetit.
Në shpirt ndjehem mirë, njashtu sikur bjen bora e parë, pa zhurmë e vjen e ban vend nëpër rrugë e pullaze tue prekë lehtë fasadat e mirëmbajtuna vjeneze.
I kallxoj derën e operas ku i kanë ba atentat mbretit të vetëm të shqiptarëve, Zogut të I, e habitem se mbas Gjergjit të madh, si arbnorët ashtu edhe shqiptarët kanë pasë vetëm nji mbret, të vetëm. Jehona e atyne krismave e ka mbulue shpirtin poetik me mbulesën e bardhë e të butë të thellësisë e të mirësisë së vargut.
Tash po ndahena, aty ku jena takue, e po m’duket se koha ka mbyllë nji rreth në mue, për me hapë qindra të tjerë, si nji re boret, që ndërsa bjen, thërret njiqind të tjera.
Me duket sikur jena takue para pak kohësh, megjithse kena 30 vjet pa u takue, që herën e fundit, njashtu rastësisht në Shkodrën e viteve ’90, e ndjesia e bardhë bani vend në mue, siç ban bora e parë vjeneze, që bjen pa zhurmë e plot me erë të stuhishme. Në metaforë të këtyne 30 vjetëve jena takue shpesh, me vargjet e shkrimet e njeni tjetrit siç takojnë stuhitë e borës njena tjetrën dhe njifen prej lerg se nga vijnë….
Me takue nji poet shqiptar në Vjenën e nji dimni të thellë
asht nji lumtuni e madhe që të rrin në fund të zemrës
si nji dhuratë sublime në pragfestash….
të falem Nderës mik, poet, Rudolf Marku.
Vjenë 2020.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.