back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Atje ku kam mëmë e atë… -nga Pertefe Leka – në përkujtim të Dr. Martin Ivanajt

Gazeta

Martin Ivanaj - Doktor në Jurisprudencë 1921
Martin Ivanaj – Doktor në Jurisprudencë 1921

Atje ku kam mëmë e atë…

nga Pertefe Leka

në përkujtim të Dr. Martin Ivanajt

Origjina e familjes Ivanaj është e
dokumentuar qysh prej viti 1444,
(dokumentat ndodhen në arkivat e Tiranës)
ku janë regjistruara 17 gjenerata
në pemën gjenealogjike
të kësaj familje të hershme shqiptare…
.
Dr. Martin Ivanaj (1888-1940)
Dr. Martin Ivanaj (1888-1940)

Maji i luleve i vitit 1995, mbuloi me bukurine e vet atdhetarët patriotë për t’u prehur në tokën e të parëve. Mbas kthimit te eshtrave te Faik Konicës në atdhe, u rivarros edhe doktor Martin Ivanaj, i cili vdiq në Stamboll në Maj të vitit 1940, në një azil emigrantësh në moshën 52 vjeçare.

Me një përkushtim për babën e vet, Drita Ivanaj kthen nga syrgjyni i largët eshtrat e të ndjerit në Shqipërinë amë që të mos i rëndonte me dheu i huaj. Drita përmbushi kështu një detyrë duke qetësuar shpirtin e vet, ajo çoi në vend një amanet duke bashkuar dy vëllezërit Martin e Mirash Ivanaj, të cilët në të gjallë të tyre ishin shembull i vllazërisë.
Dr. Martin Ivanaj ishte lindur në Podgoricë, më 1888, nga një familje të shpërngulurish nga trevat tona jashtë kufijve veriorë, zona e Trieshit.
Origjina e kësaj familjeje është e dokumentuar qe nga vitit 1444 (dokumenti ndodhet në arkivin e Tiranës) ku janë të regjistruara 17 gjenerata ne pemen familjare. Babai i Martinit, Doda, dhe Xhaxhai i tij, Leka, qenë aktiv në ngjarjet e Lidhjes së Prizrenit. Për këtë aktivitet, turqit e kishin dënuar Dodën tre herë me vdekje. Kjo gjë u bë shkak për shpërngulje dhe varfëri, duke lënë pronat e tyre në Begaj (Triesh) dhe duke endur nëpër malësi.
Rinia e Martinit nuk mund të kuptohet pa vëllanë e tij më të vogël, Mirashin, të cilët plotësonin njeri-tjetrin, duke dhënë së bashku një figurë dinjitoze e të respektuar, jo vetëm gjatë studimit në shkollë, por edhe në institucionet ku ata punuan.
Dy vëllezërit u shkolluan në Beograd, ku gjatë kësaj periudhe ata qenë edhe bashkautorë të një libri me poezi “Epopeja e Njeriut” të sjellë në shqip nga Lazër Radi. Me vonë ata u shkolluan në Romë, duke qënë student të shkëlqyeshëm të atij Univrsiteti. Martini, më 1921 fitoi të drejtën e Ph. D. Jurisprudencë. Përsëri të dy vëllezërit janë bashkautorë të një drame te shkruar në italisht. Studimi i tezës së doktoraturës rreth Kaunit te Lekë Dukagjinit dhe ligjeve e zakoneve të vjetra të veriut që nga lashtësia, e vunë Dr. Martinin në radhën e studiuesve. Rreth vitit 1932, ai e praktikoi ligjin në Shqipëri. Zotësia profesionale autorësia e dy kodeve te shkruara të atij civil e penaal, gjithashtu drejtësia e gjykimit e ngritën atë në pozitën e Kryetarit të Gjykatës së Kasacionit në Shqipëri.
Kurora e martesës me profesoreshën italiane, Giuzeppina Pogliotti, i solli Martinit trashëgimtaren e vetme, Dritën, të cilën vëllezërit e pagëzuan me këtë emër të bukur shqiptar që t’iu ndriçonte degëzimin e pemës familjare, Ivanaj.
Familja e Martinit së bashku me të vëllanë Mirashin jetuan në një shtëpi që sapo e kishin ndërtuar në Tiranën e Re në një harmoni familjare.
Profesoresha Poligotti u përshtat mjaft mirë në familjen shqiptare, duke mesuar edhe gjuhën shqipe si dhe zakonet e vendit.
.
Dr. Mirash & Prof. Martin Ivanaj 1930
Dr. Mirash & Prof. Martin Ivanaj 1930

.

Këtë bashkëjetesë lumturie e prishi pushtimi fashist në Shqipëri, me të cilin vëllezërit Ivanaj nuk mund të përshtateshin kurrë, përkundrazi ishin gati të luftonin kundër okupatorit me armë në dorë. Pengesa e organizimit të rezistencës nga Qeveria e Zogut bëri që vëllezërit Ivanaj të emigronin si azilantë politikë në Stamboll, ndërsa Drita, e cila vazhdonte shkollën fillore në Tiranë u detyrua të shkonte në drejtim të Italisë së bashku me nënën e saj, ku kishte gjyshërit, gjithmonë me mendimin se do të bashkoheshin së shpejti në Shqipëri.
Situata e vështirë që u krijua nga helmi i ndarjes prej atdheut e familjes, ia shkurtuan jetën Dr. Martinit, i cili mbylli sytë në vend të huaj, larg vendlindjes në vitin 1940. Ndërsa Dr. Mirashi mbas përcjelljes së vëllait priste ditën të kthehesh në Shqipëri për t’i shërbyer me dashuri e përkushtim vendit të vet. Fatkeqësisht, ardhja e profesorit të nderuar, dhe intelektualit erudit, i vuri në lëvizje njerëzit e diktaturës komuniste, duke e provuar karakterin e tij në kalvarin e mundimeve, por ai mbeti ashtu: Mirash i paepur!
Drita, e mbetur tashmë vetëm me nënën patën mundësinë të emigronin në SHBA, mbasi kishin pasaporta shqiptare.
Duke vazhduar rrugën e prindërve, Drita me guxim e optimizëm përballoi vështirësitë e emigracionit, duke triumfuar në rrugën e edukimit dhe në ushtrimin e profesionit jo si të tjerët, por mbi të gjithë. Megjithëse larg babait, Drita s’pushoi së kërkuari të vërtetat e jetës për babanë dhe xhaxhanë e saj.
Në një udhëtim që bëri në Stamboll më 1978, për të nderuar kujtimet e babait, ajo krijoi mundësinë për të mbledhur atje të dhëna të hollësishme rreth tij. E në fakt, ajo gjeti shumë dokumenta dhe relike të babait të saj, të ruajtura nga një familje shqiptare, të cilët edhe sot i kujtojnë me mirënjohje të thellë. Prononcimi i Dritës në “Zërin e Amerikës” vizita e saj në trevat shqiptare jashtë kufijve, zgjuan interesimin e njerëzve që e njihnin familjen Ivanaj për t’iu përgjigjur asaj për ç’dinin e mbanin mend. Mundësia për të komunikuar drejtpërdrejtë me miqtë e familjes u realizua vetëm mbas shkatërrimit të komunizmit në Shqipëri. Vizita në Shqipëri i solli Dritës shumë takime me autoritetet e vendit, sepse eksperienca e saj në fushën e biznesit e të kompjuterit e ofruan atë si eksperte për të cilën kishte nevojë Shqipëria. Nuk është e lehtë të vesh në vend atë çfarë të tjerët e kanë shkatërruar e mohuar ndër vite. Për karakterin e Dritës është ndjenjë e lartë përgjegjsie që të mbijetojë deri sa të përmbushë ndershmërisht fizionominë e familjes së saj të shpërndarë padrejtësisht. Martin e Mirash Ivanaj kishin në biblotekën e tyre 16.000 libra, nga të cilët nuk gjendet një. Prandaj, Drita është në hapat e para të punës së saj, për t’i ngritur një memorial prindërve të saj e në nderim të tyre.
.
Martin Ivanaj & Mirash Ivanaj "Për Atdheun - Së bashku në jetë, dhe në vdekje!"
Martin Ivanaj & Mirash Ivanaj
“Për Atdheun – Së bashku në jetë, dhe në vdekje!”

.

Drita Ivanaj u befasua kur erdhi në Shqipëri. Ajo gjeti një opinion të ndezur dhe një mendim pozitiv për familjen e saj. Ajo lexoi dhjetë kumtesa e artikuj të botuar për Dr. Mirash Ivanaj, ashtu takoi edhe studiues nga Gjykata e Kasacionit në Shqipëri për të jatin, Martin Ivanaj. Me interesimin e saj të veçantë, Drita po e rilind edhe një herë familjen Ivanaj. Gjithçka që ka mbledhur në vite ajo po i fokuson në Shqipëri, në shtëpinë e saj që të vejë në vend emrin e familjes së persekutuar. Premtimi i Dritës në konferencën që iu kushtua Dr. Mirash Ivanaj, në Tiranë, 22 shtator 1993; se shtëpia e saj do të jetë një qender kulturore për rininë shqiptare po bëhet realitet. Fondacioni “Ivanaj” do të veprojë së shpejti dhe gjenerata e re do të mësojë në këtë qendër kulturore, do të mësojë veprën dhe shembullin e familjes Ivanaj, për t’i shërbyer me vetmohim kombit dhe atdheut.
.
Botuar për së pari në revistën “Trojet Tona”, shtator-tetor 1995

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.