back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Aventurë me ujë, lule e gjarpën – nga Bukra Hysenukaj Kastrati

Gazeta

Bukra Hysenukaj - Kastrati
Bukra Hysenukaj – Kastrati

Aventurë me ujë, lule e gjarpën

nga Bukra Hysenukaj Kastrati

Aromat, kanë nji veti me t’kthye mbrapa n’kohë, si asgja e askush tjetër. Tuj pi nji çaj prej lule aguliçesh që m’i kish pas mbledh vllau pranverën e kalueme, avulli i tij n’ftyrë e aroma e fortë, m’sollën ndër mend nji prej aventurave ma t’bukura e ma t’rralla që mundet me përjetue nji fmij e ndoshta edhe i rritun. Duhet t’jetë kanë viti 1989-90, kur unë me dy prej vllazënve t’mij e nji çift prej nji familjeje kumarësh, dolëm n’bjeshkë n’pranverë t’hershme, kohë kur lulojke aguliçja, për me e mbledhë. Aq herët, rruga e zakonshme për n’bjeshkë, asht e bllokueme, vende-vende edhe me 2 metra borë. N’këto rrethana, përdoret e vetmja rrugë që t’lidhte me bjeshkën, ajo nëpërmjet Brodozhnicës, nji katund krejt i izoluem me pjesën tjetër t’Malsisë, me nji “urë” lidhëse t’vetme. Rruga deri te ura, përshkohet breg kanalit t’Begaje, që ke ndërtue gjatë sistemit për vaditje. Kisha ndigjue për kët urë e po ashtu për kët katund, mbasi disa bija Brodozhnice, ishin nuse n’katund tonin, prej ma t’mirave gra që kishim.

Ura mbi Lumin e Gashit
Ura mbi Lumin e Gashit

Nuk kam me mujt kurrë me e harrue befasinë e mandej tuten që kam përjetue, kur m’thanë: “kjo asht ura”. Për’mi lumë, do shkopij t’hollë e t’gatë, t’ngulun gurëve t’shtratit, për skej shkamit që shërbejke si mjet mshtetës. Ata u lidhshin me dy drrasa paralele, në nji gjatësi ndoshta 20-30 m. I pari u nis vllai, i dyti kumara ynë, ma i madhi n’grupin tonë e mandej e shoqja. Vllai tjetër kish me ardhë mas meje. “Ura” shkojke si n’tojë. Me thanë jam ka tutna, s’ia lejojsha vetes kurrqysh. Mandej, guximi i atyne që kaluen para meje, sikur m’trimnoi. U nisa. Un para, e vllai i vogël mas meje. Edhe pse peshë krejt e papërfillshme, unë ja dridhsha kambt urës, po ma shumë m’i dridhke ura mue. Muj me thanë me bindje, se aty nuk t’majshin as kamt e urës, as kamt e tua, veç dora e Zotit.

Lule Aguliçja
Lule Aguliçja

Mbas pak minutash makthi e tuta jeme e msheft, e ndoshta jo vetëm e jemja, muer fund. Kur kaluem n’bregun tjetër lums s’Gashit, tan ajo hjekakeqe na u shpërblue. Katundi Bradozhnicë, për mue ishte vendi ma i bukur që jo vetëm kisha pa deri at’herë, por që kam mujt me pa deri sot. Nji grumbull i vogël shpiash t’mëdha, ndërtue veç me gurë e dru, në nji quk si u rrethojke në tri anë prej malesh t’nelta e poshtë kish lumin. Si zonë breg-lumi, pranvera aty kish ardhë ma herët. Kish lulue gjithçka. T’pajke syni gjithfarë ngjyrash. Bukuri si ato vetëm n’prralla mundesh me i has. Katundi kish nji mini-hidrocentral për nevojat energjitike. Duhet thanë se, megjithse nji zonë e izolueme, n’kushtet që përshkrova ma sipër, niveli shkollimit n’tana ciklet, ishte ndër ma t’mirët.
T’çliruem e t’shpërblyem për sa hoqëm, vazhduem pjesën tjetër t’rrugës, për me mrri te stani, diku n’t’errun. Stani kish dy margza (shtretën), ku u ndamë me fjetë tre burrat te njana e na femnat te tjetra. Nadje herët nisëm punën për t’cilën kishim dalë, për dy javë. Ish e lodhshme, po kaq e bukur. Aguliçja asht lule e magjishme, jo vetëm për vetitë e saj të forta kurative. Aguliçja t’befason. N’se nji shpat mali, sot asht i mbuluem me borë, nesër a masnesër, shpërthimi i aguliçes e ka diellue. Mas dy javsh, bahem gati herët me u djerg n’vrri e tash, edhe pse me shumë vështirësi, mundeshim me përdorë rrugën e zakonshme, se bora ish letue ndërkohë. Kur po çojshim shtrojat te margza jeme, prej murit, në nji pozicion bash përballë ftyrs teme kur fjetsha gjumë, del nji gjarpën, me t’cilin kisha pas fjetë dy javë ditë, krejt e sigurt.

Lule Aguliçe te thame
Lule Aguliçe te thame

***
P.s. Ura që e sjell sot në foto, është në gjendjen aktuale dhe po ta krahasosh me atë të kohës për të cilën flas, ngjan me një kryevepër inxhinierike.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.