back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Avni Delvina 2013 Grafikë nga cikli: Tragjedi në Burizanë

Gazeta

Piktori Avni Delvina
Piktori Avni Delvina

Avni Delvina 2013 –

Grafikë nga cikli “Tragjedi në Burizanë”

 

Kjo grafikë është e bazuar mbi një ngjarje të vërtetë (rreth vitit 1988),
e treguar ca ditë më parë në plazh, nga veterineri i kooperativës të tipit të lartë të Burizanës,
në Krujë (F.C., miku im, prej kohës së hapjes së ambasadave) …
Simpatia ime për Picasson më shtyu ta hedh në grafikë këtë ngjarje dramatike…
Askush nuk është i kushtëzuar ta besojë ose jo këtë ngjarje të së kaluarës,
e cila do të mbesë gjithmonë relative dhe asnjëherë absolute…

***

“…bënte shumë ftohtë dhe dimri i atij viti s’kishte ndërmend të largohej pa e çuar deri në fund mizorinve e tij… Në stallat e lopëve të kooperativës, mjerimi dhe sëmundjet e ndryshme po bënin kërdinë… Herë pas here nga portë e hekurt e saj dilnin ca fshatarë të lodhur e të ushqyer keq, duke tërhequr një lopë të ngordhur, të cilën e hidhnin te një gropë e madhe, që dizinfektohej vazhdimisht me gëlqere… Gropa e kobshme sa vinte e mbushej me karkasat e lopëve të ngordhura… që ashtu të zbardhura nga gëlqerja, të linin një përshtypje të hidhur: aq të ngjashme me dhomat e gazit të kampeve të përqëndrimit…
Mbasi mbaronte ai ritual i llahtarshëm, fshatarët largoheshin me shpejtësi nga gropa që kërmonte drejt stallave…
Veterineri në fjalë, (F.C.) u zgjua me urgjencë rreth mesnate dhe mori rrugën drejt gropës së vdekjes për të kontrolluar nëse procedurat e dizinfektimit ishin në rregull…. Ashtu i përgjumur dhe i lodhur siç ishte, u befasua nga një pamje irreale… Mbi grumbullimin e karkasave të lopëve të ngordhura, dy hije po luftonin për jetë a vdekje me njëra tjetrën…
Ishte një fshatar dhe një qen…
Fshatari dhe qeni tërhiqnin me gjithë forcat e tyre një tufë zorrësh dhe plëncash të mpleksura keq mes tyre… Megjithëse fshatari dukej më i fortë, qeni nuk tërhiqej nga e veta, me dhëmbët e tij të mprehtë e të ndritshëm vazhdonte luftën për egzistencë, duke u mbështetur me fuqi te dy këmbët e pasme… Zorrët e stërgjatura e të tendosura nga tërheqja, krijuan ca të çara në duart e fshatarit sa nisi t’i kullojë gjak pa pushim duke skuqur edhe gëlqeren e dizinfektimit ku binte… Në anën tjetër edhe nofullat e qenit nisën të çaplehen edhe goja e tij e skërmitur nisi t’i mbushej me gjak…
Veterineri i tronditur nga nji pamje e tillë, duke mos pasur forcë ta ndiqte më tej at tmerr… nxjerr biçakun që e mbante vazhdimisht me vete dhe e këput me shpejtësi zorrën në mes… Befas fshatari përplaset me kokë mbas murit të gropës, ndërsa qeni mbasi bën dy-tri salto, përfundon në qoshe të gropës…
Të dy tashmë të trembur ngrihen me shpejtësi dhe ia mbathën vrapit në kahe të kundërta, duke mos i lëshuar asnjeri zorrët…
Veterineri me kujdes profesionisti, ju thërret e ju bërtet nga pas të dyve: si qenit dhe fshatarit se: “lopa ishte e sëmurë”, …po s’mori përgjigje prej asnjërit!!!… I trishtuar ai merr rrugën drejt stallave, ndërsa gropa e vdekjes u zhyt në heshtje… Gjithë rrugës mendonte dhe qeshte me vete… para disa minutash ai kish ndjekur një betejë për jetë a vdekje të dy krijesave: një njeriu dhe nji kafshe!!
S’do ta harronte kurrë…!

Avni Delvina - Vallja e Zorrëve (titull i ofruar autorit)
Avni Delvina – Vallja e Zorrëve (titull i ofruar autorit)

Nji skicë me ngut e artistit Avni Delvina…

nga Jozef Radi

Avni Delvina, asht ndër piktorët ma të randsishëm të periudhës postdiktaturë…
I ngjizur prej nji tradite të admirueshme intelektuale, dhe i formuem në periudhën ma të errët dhe ma të egër të diktaturës komuniste, ai arriti të akumulojë me nji qetësi të pabesueshme gjithçka ndodhte në realitetin shqiptar… dhe ta vendoste me kujdes diku thellë sepeteve të vetes, në pritje të  kohnave ma të mira… Akumulator i jashtzakonshëm i çdo imtësie, ai ka arritur sot me artin e tij, që monumentalizmit komunist me iu përgjigjë me demon-umentalizëm picassian dhe përmes asaj qetësie fisnike (të trashëguar), asaj thellësie befasuese (të vetën) dhe nji kujtesë prej ajsbergu (në at pjesën e padukshme të akumulimit) të shpalos ditë mbas dite vepra dhe punime sa ironike dhe groteske, sa madhështore aq dhe të deformuara, sa tridimensionale aq edhe  shpërfillse ndaj banales… për këtë… ai  ndër të parët u shndërrua dhe u shfaq si nji “Uliks” modern duke u vënë në “Kërkim të Kohës së Humbun”… dhe çmontimit të të ngadaltë të “Fermës së Kafshëve”
Po sot nuk asht as koha dhe as vendi të merrem gjatë me artistin  Avni Delvinën veç i rrëshqita nji skicë… Sepse sot  kam përballë ma të fundmes vepër të tij… Diçka e pabesueshme… e luftës së nji njeriu me nji qeni per nji copë zorrë ngordhësire… po kjo tashmë i përkiste leximit…
E them me sinqeritet se kam kohë që matem ta ftoj Avniun në sofrën time… Sot ia gjeta ditën dhe anën, sepse ajsbergëve s’asht fort e lehtë me ua marrë vesh të vërtetën… Veçse mund me them se kahera Avni Delvina asht nën “mbikqyrjen” time, sigurisht kritike dhe dashamire, po sigurisht edhe emocionet që ai shpërndan dashamirësisht kërkojnë njifarë “pagese”, të cilën unë prej sot kam nisur t’ia shlyej…
26 gusht, 2013

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.