back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Avni Delvina – një ekspozitë, si përfaqësues i artit që jep shpresë – nga Jozef Radi

Gazeta

Duke biseduar me Presidentin Berisha per emocionet e Ekspozites
Duke biseduar me Presidentin Berisha per emocionet e Ekspozites

Piktori Avni Delvina –

një ekspozitë, si përfaqësues i artit që jep shpresë

nga Jozef Radi

Falenderoj gjithë autoritetet dhe gjithë dashamirët e artit që na kanë nderuar me praninë e tyre këtë ekspozitë të dytë të piktorit Avni Delvina në harkun e një viti, falenderoj autorin që me shpirtin e tij artistic na ka mbledhur bashkë prej botës virtuale në botën reale; falenderoj zonjën Adriana Kalaja që i vuri ngut dhe seriozitet kësaj ekspozite, por mbi të gjitha dëshmoi se vullnetet pozitive jetojnë dhe veprojnë përtej fjalëve, por më duhet të falenderoj edhe të gjithë ata që janë vendosur si rrënues me mosdobishmërinë e këtij Teatri. Kjo ekspozitë, ky shpirt mbështjeje dhe ky solidaritet qytetar do të ishte i munguar pa vullnetet e tyre rrënuese, edhe kjo protesta qytetare gati dyvjeçare do t’ishte ca më e përfjetur në misionin e saj.
Avni Delvina është prej atij brumi artistik që s’lodhet së kërkuari mjete shprehëse e forma të reja komunikimi të artit. Dy ekspozitat e fundit në Tiranë, “The Donald” (17-23 shkurt 2019), dhe “Notre Drame de Tiran” (2-12 nëntor 2019), pasqyrojnë më së qarti këtë frymë kërkimesh e realizimesh artistike. Të dyja këto ekspozita dallojnë qartë si teknikat artistike, mjetet shprehëse, idetë sociale dhe ato politike, riciklimet e tabllove të njohura klasike dhe devijimet artistike, deheroizimi i skulpturës monumentale, çvendosja e së vërtetës në kohë e hapësirë, përzgjedhja e kujdesshme e personazheve dhe maskave tyre, duke i përcjellë t’ishte fjala për një Karuzel Karnevalesh… Kjo është në vija të përgjithëshme fryma që përcjell autori, duke qepur artistikisht gjithkund dhe gjithkah me fillin e hollë të një ironie qësendisëse e një sarkazme të pamëshirë, çka na shtyn të mendojmë se ai me lehtësi e braktis penelin dhe u jep tjera trajta kërkimeve të veta artistike…
Delvina mbivendoset shpesh mbi vepra të rëndësishme të pikturës botërore, pa pretenduar t’i tejkalojë apo t’i çvleftësojë këto vepra mbi të cilën ndalet! Jo! Ai vendos shenja, kode dhe simbolika të reja; çvendos përmasën e kohës dhe kumtet fillestare të saj, dhe vendos lexime të reja me këto mbi vepra, duke kërkuar të mbrrijë te një shikues i kultivuar, dhe në mos, t’i kultivojë dashamirësit e artit përmes këtyre mesazheve të reja. Me këto përjetime dhe përjetësime mbivendosjesh, veprat bëhen produkt i artit të tij.
Kështu ai krijon raport të reja me kryeveprat dhe me kohën së cilës i përket, përmes çvendosjes së personazheve, çmontimit të heroikës dhe paraleles së ideve, formimin e planeve paralele, ku rikonceptimi përmes frymës ironike, deformimit, riformatimit dhe çvendosjes në kohë e hapësirë rikrijon një vepër të re…
.
Notre Drame de Tiran - Ekspozitë nga Avni Delvina
Notre Drame de Tiran – Ekspozitë nga Avni Delvina
Ky vullnet i admirueshëm, kjo energji vagante dhe kjo fantazi e “dalur binarësh” ka sjelle që në harkun e tetë muajve, Avni Delvina të jetë promovues i dy Ekspozitave të Artit Ndryshe…
Lëvizja për Mbrojtjen e Teatrit që mbart heroikën e një kauze që ka bashkuar mjaft njerëz jo vetëm këtu po edhe në botë. Por kjo “heroikë” në thonjëza, ka ndarë ata, që janë tejet vulnerabël ndaj pushtetit, ndaj atij pushteti që e tepron me forcën e tij, e që na shfaqet herë si “dorë e ngrohtë” e herë si “strehë e sigurt”…
Jo rastësisht nji nga piktorët më të dashur të Avni Delvinës është Pablo Pikasso. Ka një periudhë të krijimtarisë së tij ku kubizmi i Pikassos ndjehet mjaft në frymën artistike të Delvinës, përmes trajtimesh grafike të admirueshme. Fakti që Pablo Pikassos krahas talentit të jashtëzakonshëm ishte edhe pak artist spekullant, sepse krijonte edhe duke vjelur idetë përreth… veçse duke e filtruar në fantazinë e tij mahnitëse dhe gjithçka merrte vulën e tij. S’di sa i drejtë mund të jetë një krahasim i tillë, por ndërsa vëzhgoja Guernikën e Teatrit tabllo e Delvinës, e para ide që më erdhi ishte pikërisht ky shpirt paralel… Delvina përmes kësaj ekspozite na dëshmon se Teatri Kombëtar, që sot mbrohet për njëmijë arsye, dikur ka shërbyer për goditjen dhe eleminimin e pjesës më intelektuale të këtij vendi, prandaj midis një qielli të mbushur me sagoma të varura dhe një sheshi të mbushur me varre të akullt, ndërfutet edhe Guernika e tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, kështu që hija e Picassos, edhe përmes fqinjësisë artistike s’kishte si të mungonte kësaj ekspozite…
Nëse flasim për heroiken dhe deheroizimin, për madhështinë dhe tjetërsimin, është e pamundur mos të cekim edhe dy-tre kuadro të kësaj ekspozite, të cilat vijnë prej kryeveprash si fjala vjen “Mendimtari” i Rodenit”, “Mëshira” e Mikelanxhelos, “Monaliza” e Leonardos, “Napoleoni” i Jacques Luis Davidit e mjaft të tjerave, ku vërejmë se çdo kryevepre duke iu këmbyer personazhi i këmbehet edhe mesazhi.
.
Diskutimi i Fjalës së Hapjes
Diskutimi i Fjalës së Hapjes
Nëse te “Mendimtari” i Rodenit ka vendosur shpirtin më përfaqësues të betejës për mbrojtjen e Teatrit, në sfondin më të laskaruar të këtij objekti për të dëshmuar dëshpërimin dhe braktisjen po edhe stoicizmin intelektual; të figura e Napoelonit e Jaques Luis Davidit, ai e madhështon artistin që fillimisht qe dalazotas i Teatrit… por që më pas e e shaloi Tetarin për betejat e ndërgjegjes së tij. Ndërsa te “Mëshira” e Mikelanxhelos zgjedh për Shënmëri një ikonë të Teatrit dhe Filmit, në vend të djalit të vdekur i ka vënë në prehër Teatrin si dhimbje po edhe si shpresë mbijetese. Nëse te figura e Monalizës ka transportuar një figurë europiane, në vend të misterit të buzëqeshjes i ka gdhendur përmes detajesh të rafinuara, hipokrizinë e saj si një tallje të madhe…
U ndala në këto katër ikona artistike, për të dëshmuar se piktori nuk karikaturon, por jep kode të tjetërsimit të këtyre veprave, dhe leximeve ndryshe të tyre, për të mbrritur ai vetë dhe secili prej nesh në raporte të reja komunikimi.
E kam mjaft për zemër kuadrin Dy Gjergjat Kombëtarë dhe Teatri Kombëtar… ku në sondin e rrënuar të kësaj godine shfaqen dy personazhe tona historike ku në kthimin e kohës pas na shfaqen si Don Kishoti me Sanço Pançën, dy idealistët e famshëm të kësaj bote, që kërkonin të kthenin kohrat e arta të dashurisë për atdhe. Kontrasti midis deheroizimit të tyre dhe lindjes së një heroike të re, e bën kët vepër për nga pesha e dhimbjes madhështore e për nga pesha e kthimit të kohës pas të dhimbshme.
Një kuadër tjetër që ka disa rrafshe leximi ështe Trapi i Meduzës e Theodor Zherikos. Eshtë historia tragjike e një anije franceze të mbetur në cektina të një ishulli për faj të komandantit. Autoritetet e anijes vendosen në varkat e anijes dhe për pjesën e mbetur bëhet një trap i cili braktiset e të mbijetuarit mbrrijnë në kufijtë e kanibalizmit, e shumica e tyre vdesin. Këtë histori u dha urdhër të mos e publikonte askush. Piktori 21 vjeçar Theodor Zheriko, e merr vesh këtë tragjedi dhe si artist merr përsipër të dëshmojë atë përmes artit. Vepra ka një sukses të jashtzakonshëm dhe drejtuesit e anijes u dënuan… Ndërkohë veprën Trapi i Meduzës, Delvina e vendos në një rrafsh mjaft provokues. Ai na shfaq mjaft figura të medias së këtyre 30 viteve, që në dukje i ka bërë pjesë të heroikes, po në thelb u ka lënë peshën në ndërgjegje të mosthënies të së vërtetës apo edhe më keq: të fshehjes së saj… Pikërisht, ky dualitet i leximit të së vërtetës përmes këtij kuadri të ri, simbas mendimit tim, bëhet po aq i vlefshëm sa origjinali…
Më duhet ta theksoj se arti që ndërton Delvina sot, të jep përshtypjen se është lehtësisht i realizueshëm. Unë nuk mendoj kështu, sepse besoj që akumulimi i një artisti dhe fantasia e tij janë frut kërkimesh, studimesh, refleksionesh e komunikimesh të vazhdueshme. E ndërsa vendosemi përballë këtyre kuadrove duhet të kuptojmë se krahas idesë fillestare, kjo mbivendosje krijon asocim ideshë, ku në autorësi mund të jemi edhe ne vetë, nëse brenda nesh ekziston kodi i ri i leximit të tyre mbetet brenda nesh…
Ndaj mund të them se Artisti Avni Delvina ka meritë që e bëri pikturën të komunikueshme si poezia, e ironizoi keqas të Keqen, ia vuri në duar pasqyrën së Shëmtuarës, i dha artit moralin që shpesh ne na mungon, i dha guxim e krahë Qytetarit, i dha 4G Komunikimit virtual, netët e punës së tij i ktheu në buzqeshje mëngjesi te shumë prej nesh, Pushtetin e trajtoi si një Artist e trajton, iu kundërvu artistikisht plagëve të së tashmes pa e lënë jashtë vëmendjes së shkuarën, po as edhe kohën si vazhdimësi… Në fund të fundit si artist, ai i bën gjitha kohët bashkë, dhe i vë në shërbim të fantazisë dhe artit të vet.
Në mbyllje do të shtoj, se në kohrat që vijnë, kur shumë prej nesh të mos jemi, e kur të ardhurit mbas nesh të shqetësohen e të pyesin se çfarë bënin artistët në kohën e rrënimeve të mëdha, të parët do dalin ata që për atavizëm do të thonë: “Ashtu ishte koha…”, po do të dalin edhe të tjerë që do t’i risjellin në kujtesë këto kuadro e do të thonë se “Ka pasur edhe artistë si Avni Delvina, që e përballën Kohën e tyre, me artin e tyre!
Ju falenderoj për durimin tuaj në ndjekjen e kësaj ligjërate…
 .
*Fjala e Jozef Radi në hapjen e ekspozitës “Notre Drame de Tiran!” me 2 nëntor 2019
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.