Avokatët e sotëm mbrojtës
të krimeve që i pranoi vetë diktatura…
nga Kastriot Dervishi
Për enveristët
që nuk e dinë akoma
se vrasjet e ballistëve në Lushnjë
i ka pranuar si krim edhe partia e tyre… k. dervishi
Prej disa ditësh, enveristët reagojnë në formën e tyre kundër dekorimeve që kreu i shtetit u bëri disa martirëve të luftës civile në Shqipëri, të vrarë në Lushnjë më 21.10.1943. Kundërveprimi i tyre ishte thjesht inatçor dhe klasor, në mbrojtje dhe justifikim të plotë të këtij krimi e gjithë krimeve të tjera të kryera nga komunistët.
Në këtë postim, po publikoj disa të dhëna që provojnë se këtë krim e kanë pranuar e dënuar me kohë vetë ata që e kanë kryer dhe nuk është nevoja të dalin sot në vitin 2016, kaq të zbuluar si avokatë të mbrojtjes së këtij krimi.
Mehmet Shehu, 30.10.1943 i shkruan shtabit komunist, ndër të tjera: “Porse këtë radhë gabimi, faji kryesor është imi personalisht, mbasi gjyqi kryesohej prej meje dhe, deri diku, të 2 anëtarët e tjerë kanë qenë influencuar prej meje. Unë, i dehur relativisht nga urrejtja kundër ballistëve tradhtarë, i revoltuar nga krimet dhe tradhtitë e tyre, i rrëmbyer nga temperamenti mikroborgjez i çasteve, qesh i mendimit për këtë masë të pamasë!”. (AQSH/AP, F.41 (shtabi i ushtrisë ncl), V.1943, D. 32, fleta 10).
Më 25 nëntor 1944, Enver Hoxha deklaroi në plenumin e 2-të që u zhvillua në Berat: “Ne shihnim mirë se ç’rezultat dilte nga puna e këtyre shokëve (Liri Gega dhe Dushan Mugosha-shënim). Shihnim që në Vlorë bëheshin ekzekutime, shihnim vrasjet në brigadën e 1-rë, shihnim veprimet sektare të “Shules” (Kristo Themelkos), por për këto veprime mjaftoheshim me një kritikë të përciptë për Mehmet Shehun, p.sh. duke i thënë se nuk e kishte mirë!”. (AQSH, “Plenumi i dytë i Beratit”, Tiranë 1996, faqe 159).
“Vija terroriste ishte më e theksuar te Dushani dhe te “Aliu” me Lirinë. Dushani gjoja ishte kundër terrorit. Ishte kundër vrasjeve që bëri Mehmeti (Shehu) në Dumre, por atë asgjë s’e pengonte të vriste pa gjë të keq më tepër se Mehmeti. Në këtë pikë unë isha pasqyra e “Aliut”. Kur vinte ndonjë nga fronti, kur thuhej se ky apo ai vepronte keq dhe vendosnim ta vrisnim. S’kishim një vijë të qartë për këtë çështje. (AQSH, “Plenumi i dytë i Beratit”, Tiranë 1996, faqe 163).
Po në këtë mbledhje, Sejfulla Malëshova deklaroi: “Për tendencat terroriste në parti. …Terrorizmi si në popull e si në ushtri, në parti, tregon së pari dobësinë e vijës sonë; së dyti mosbesim në popull; së treti tregon se ne nuk kemi lidhje me masat. Terrori si sistem në historinë e lëvizjes revolucionare, gjithnjë ka qenë i lidhur me mosbesimin në popull, ka treguar dobësinë e atyre që e kanë përdorur. Nuk bëhet mobilizimi i masave me terror… Me terror po i zgjidhim të gjitha punët… Kështu në partinë tonë, po duken simptomat e degjenerimit nga një parti politike në një bandë kriminelësh. Këto janë shenja sigurisht. Kështu që shumë herë nuk di të dallosh ku është puna politike dhe ku është krimi. Shoku “Shule” tha se këto vrasje që janë bërë në Tiranë, janë bërë sepse ai ka urrejtje të madhe ndaj armikut. Urrejtje duhet të ketë çdo komunist për armikun, por tjetër është të kesh urrejtje, tjetër është të bësh krime… Kështu sektarizmi degjeneroi në terror dhe terrori u bë shumë herë krim… Terrori zë vend të madh në punën tonë politike”.
Xhelal Staravecka shkruan: “Mehmeti pushkatoi në Golem të Lushnjës 69 katundarë dhe fali 10 nga vdekja pse ishin ortodoksë.
Mehmeti kur i kapi katundarët, megjithëse nuk kishin zbrazur asnjë armë kundra tij, kishte vendosur t’i pushkatonte të gjithë, mirëpo partizania e atëhershme që më vonë u bë gruaja e Mehmetit, Fiqret Sanxhaktari, për të hyrë në simpati të Dushanit, cernogorasit ortodoks, i propozoi Mehmetit të hiqte nga pushkatimi 10 katundarë që ishin ortodoksë me pretekstin se si minoritet nuk mund të kundërshtonin për të mos shkuar me të tjerët të popullonin çetën e Isa Manastirliut. Të nesërmen Dushani më dha lajmin ç’kishte ngjarë në Golem të Lushnjës, më tha për Fiqretin që ishte vajzë shumë e mençur dhe një komuniste shumë e mirë, aq sa në radhët e komunistëve shqiptarë nuk kishte më të mirë se ajo.
Edhe sot çuditem dhe thërras me të madhe pse e bëri Mehmeti atë diskriminim: ata ishin krejt me Isanë, për ata krim duhej pushkatoheshin të gjithë ose në qoftë se dëshironin të përdorej një farë mëshire, pasi asnjë nuk kishte bërë qëndresë kundër çetës së Mehmetit, duheshin falur të gjithë, ose tek e fundit dhe të pushkatoheshin 7-8 apo 10 persona, duke i konsideruar bashkëpunëtorë e simpatizantë të Isa Manastirliut dhe jo 69 katundarë pse e kishin lafshën e prerë dhe të mos pushkatoheshin 10-të pse s’ishin lafshpaprerë nuk kishin guxim të mos i bindeshin Isa Manastirliut”. (Xhelal Staravecka “Para gjyqit të historisë”, Paris 1975, dorëshkrim, faqe 226)
Për herë të fundit për këtë ngjarje shkroi vetë Enver Hoxha. Në vitin 1982 ai linte këtë shënim: “Ky ekzekutim është i tepruar, pa vend dhe i gabueshëm, pse në vend që të na sjellë fitim, na dëmton. Duhet të kemi parasysh se katundarët që ndodhen në çetat e Ballit janë elementë të pafajshëm, të pasqaruar dhe viktima” (“Titistët”, Tiranë 1982, faqe 117, shënimi poshtë faqes).
Marrë nga muri i FB i Kastriot Dervishit 25 tetor 2016