Baca Adem, rinia poetike dhe libri “Portretet e Ngujuara”
reçensë nga Jozef Radi
Prej kohësh poezitë e Adem Zaplluzha, janë një e përditshme sa e këndshme aq edhe habitshme për mua… Si të ishin ca shpend fluturakë qiejsh të largët, ato mbledhin krahët e ulen në të përditshme time virtuale ashtu butë e thuej papeshë, e sigurisht në kohën time të coptueme leximet e tyre përbëjnë një kënaqësi po edhe njëfarë habie…
Habia më lind nga e përditshmja e tyre! Si është e mundur që një njeri të jetë kaq prodhimtar, e me një të përditshme të tillë poetike, me një angazhim konstant në të shkruar e të paraqitur të punëve të veta, si t’ishte fjala për një zeje të lashtë e aspak për një frymëzim poetik…!?
Adem Zaplluzha e ka botuar librin e tij të parë poetik, diku kah viti 1974, kur ishte krejt i ri, pra afron gati një gjysëm shekulli më parë kur ai nisi komunikimin e tij me lexues, mandej diçka si duket shprishet e thyhet mbrenda tij, ndoshta ka qene kohë reflektive, ndoshta braktisje… Dihet se mbas një shfaqje paksa sporadike vetëm mbas vitit 2010, poezia e tij kthehet tashmë në motiv thelbësor jete dhe i së përditëshmes së tij… Si duket ai fitoi liri ndaj detyrimeve, dhe u kthye te pengjet e veta të rinisë…
U bë do kohë, që s’ka ditë që Baca Adem, mos t’më fusë poshtë derës së faqes time virtuale një krijim të vetin, s’ka ditë të jetës së tij që mendimi mos t’i marrë trajta poetike… e jo vetëm të jetë e shkruar si poezi, po edhe forma komunikimi të përditshme me lexues e miq të shumtë, ndërkohë që këto krijime të përditshme presin radhën për t’u bërë libra të rinj njeri mbas tjetrit…
Vetëm gjatë vitin 2019, Baca Adem, ka botuar 19 libra poetikë! Sigurisht një numër i pabesueshëm, por cilindo njeri letrash! Në të vërtetë përbën një fenomen i rrallë, kur mosha s’e pengon aspak këtë autor poezish ta vazhdojë me kokfortësi në shtegun e vet të poezisë përmes librave të njëpasnjëshëm…
Duke qënë se mendoj krejt ndryshe për poezinë, dhe duke besuar se e përditshmja s’të ofron gjithnjë vargje poetike kulmuese aq sa të ulesh e t’i shkruash e t’i redaktosh e ti postosh, sado skeptik e shoh me admirim kët rini poetikë të Bacës Adem, dhe e quaj poezinë e tij fenomenin më atipik në poezibë shqipe, si të thuash këtë ditar djaloshar të një 77 vjeçari, që s’lejon asgjë t’i shpëtojë vëmendjes së tij, e ta konsideroj një akt të dobishëm letrar, ku njeriu në vend që të flasë e të flejë shumë, shkruan shumë, në fund të fundit e shkruan vetveten, e n’ato trajtime të tij rrok një pafundësi të tillë temash e problemesh sa ndoshta nesër mund të na shërbejnë jo si ditar i tij po si ditari ynë poetik i një kohe, i filtruar prej shpirtit të një njeriu që e ka jetuar me energji jetën e vet, e që brenda vetes i ka mbetur e ndezur drita poetike… edhe pse nganjëherë e shkel pa shumë kujdes cilësinë poetike.
Prandaj, mund të them se se Zaplluzha s’ka fort kohë me u marrë me atë çka shkruan, po me atë çka ai i ka vënë mision vetes të shkruajë…
Në harkun e 10 viteve, ai ka ndërtuar një vepër të tillë që s’ka lexues që mund ta ndjekë bollëkun e tij, sepse në këtë ekstazë poetike dhe jete ai është më shumë e pabesueshmja që jeton mes nesh, ndoshta rrëfimtari më i kujdesshëm i kësaj kohe po edhe shumë kohrave bashkë. Me shpirtin e tij akumulues, ky njeri që dikur në mungesë të lirisë dhe heshtjes, i gëzohet sot një periudhe shpërthimesh, çka i bën 77 vitet e tija t’i përcjellë me emocionet e një djaloshi…!
Libri që ai më besoi t’i them dy fjalë, titullohet “Portretet e Ngujuara”, një titull disi provokativ, mbasi në të vërtetë ngujohen njerëzit, mbi të cilët kërcënon ose dikton hakmarrja, dhe aspak portretet e tyre; po nëse merr parasysh se ky libër i përket edhe kësaj periudhe tragjike, ku e gjithë bota, është ndrydhur, mbyllur e pothuaj ngujuar në një situatë kurrë të ndodhur në histori, ndoshta edhe portretet tona, të secilit prej nesh bëhen pjesë e këtij ditari, edhe pse emrat tonë duket sikur janë diku larg…
***
Poezia librit rrok një pafundësi tematikash, të cilat autori i filtorn përmes vetvetes, ajo është përplot figura joshëse e më veçanti metafora si fjala vjen: “burrat me bastun letre/ gratë me flokë te shprishura ere…”; “Nga maja gishtash pikojnë ndjesitë” “Ju thashë se duart e mia të verbëta/ kanë shtatë palë sy”, “Kohë pas kohe trokas/ në portat e pemëve…” e plot të tilla vargje aq të ndjera poetikisht, po që ndodh të kalojnë nganjëherë edhe pa u vënë re, sepse shfaqen si perla të përziera me guaska…
Libri “Portretet e Ngujuara” duhet të jetë pjesë e një vargani krijimesh, ndoshta i 186 ndoshta diçka ma shumë, e krijimtarisë së Adem Zaplluzhës, po kjo ka fare pak rëndësi, ai vazhdon të krijojë e të komunikojë, ai vazhdon ta jetojë ditën dhe jetën poetikisht, dhe si i tillë ai do të vazhdojë të na dhuron edhe ne frymën e tij dhe modelin e njeriu që poezinë e pati burim jete…
Suksese tjera, Baca Adem!
jozef radi, prill 2020