Balerina e famëshme shqiptare e Balshoj Theatër…
Melushe Bebeziqi (1933-1967)
nga Saimir Z. Kadiu
Është një e vërtetë e padiskutueshme që balerinat e famshme ruse si Mathilde Kschessinska (1872-1971), Olga Spessivtseva (1895-1991), Anna Pavlova (1881-1931), Galina Ulanova (1910-1998), Natalia Makarova (1940-), Alicia Markova (1910-2004), Maya Plisetskaya (1925-2015), Ulyana Lopatkina, etj., i kanë dhënë Rusisë primatin në këtë displinë spektakolare të artit, por ne shqiptarët harrojmë ose jemi të “infektuar me covidin” e të mohuarit të çdo arritjeje të bashkatdhetarëve tanë në majat e artit….
Në hollin e Balshoj Teatër janë dy fotografi të dy yjeve të baletit rus me origjinë shqiptare: e madhja Melushe Bebeziqi dhe e bija e saj Margarita Perkun-Bebeziqi.
Melushi ka interpretuar në tempullin e baletit botëror role të tilla si:
.
“Arrëthyesi” – Lindori (14 nëntor 1953)
“Kali Gërmuq” – Cigania (7 prill 1960)
“Don Kishoti” – Spanjolle (13 maj 1961)
“Arrëthyesi” – Indiane (25 shkurt 1962)
“Don Kishoti” – Bolero (23 Mars 1962)
“Shatrivani i Bahçisarait” (14 Prill 1962)
“Traviata” – Cigane(20 shtator 1962)
“Don Kishoti” – Mercedes (5 Tetor 1962)
“Laurencia” – Liriku (11 Janar 1963)
“Romeo & Zhulieta” – Shërbyesja (25 Prill 1963)
“Arrëthyesi” – Spanjolle (31 Maj 1963)
“Laurencia” – Flamengo (12 Tetor 1963)
“Shtegu i Shtrëngatës” (7 nëntor 1963)
“Gajana” – Lezginka (6 Shkurt 1964)
“Hirushja” – Valltarja me gjarpër (20 Shkurt 1964)
“Lejli dhe Maxhuni” – Mauritania (7 Janar 1965)
–
Ajo ishte nje shqiptare 24 karat…
Babai i saj, Xheladin Bebeziqi ishte me origjinë shkodrane. Njeri me shpirt artisti, që këndonte shumë bukur këngët e qytetit të tij. Tregtia e bashkoi me korçaren, Sabiha Serezi, një grua e diplomuar për pedagogji në Stamboll. Në vitin 1924, ajo emërohet drejtoreshë e Shkollës së Vashave në Korçë. Në të njëjtën kohë, zgjidhet edhe Kryetare e Shoqërisë së Gruas shqiptare. Falë tregtisë dhe kulturës, kjo familje më pas, vendoset në Bullgari. Në Sofje, më 31 tetor 1934, lindi edhe Melushja.
Me shpirtin e saj, të një artisteje të lindur shpalosi bukurinë dhe madhështinë e valleve shqiptare. Ende pa mbushur 13 vjeç, filloi ta nderojë dhe njëkohësisht gëzojë kombin. Si të ishte Festival Kombëtar dhe jo Ballkanik, ai i zhvilluar në vitin 1947, në Manastir. Mbi 90 përqind e stadiumit ishte i mbushur me shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. Kur hidhnin qeleshet e bardha nga gëzimi, ngjante si të kishin shpërthyer fishekzjarret. Të gjithë të elektrizuar nga magjia e interpretimit të valleve shqiptare nga Melushe Bebeziqi. Tronditi Budapestin në vitin 1949 me “Dasmën shqiptare”, në Festivalin e Dytë Botëror të Rinisë dhe Studentëve. U kthye në Tiranë, me çmimin e festivalit, si interpretuese. Edhe më shumë shkëlqeu gjatë turneut të vitit 1950, në Rumani, Bullgari, Hungari, Poloni, Çekosllovaki… Nuk kishte ç’të priste më Shqipëria, për të shkolluar këtë talent… Pas këtij turneu të jashtëzakonshëm, u përgatit lista e artistëve që do të nisnin studimet në Bashkimin Sovjetik. Në të ishte emri i Agron Aliajt, Ganimet Vëndreshës, Zoica Haxhos, Petrit Vorpsit, Xhemil Simixhiut dhe në krye ishte emri i Melushe Bebeziqit. Pas gjashtë vjetë studimesh, në të famshmin “Balshoi Teatër”, kthehen në Atdhe vetëm pesë. Më e pakta që u tha në atë kohë për Melushe Bebeziqin, ishte që braktisi Shqipërinë.
Melush Bebeziqi një primabalerinë e Bolshoit vdiq nga një sëmundje e rrallë në zemër në vitin 1967, në moshën 33 vjeçare.
Sipas baletmaestrit tonë të madh Agron Aliaj, Melushja ishte një “ krijesë magjike, me një jehonë dhe ndjesi që të lënë statujat e përkryera. Më ka lënë përjetësisht buzëqeshjen e erotizmit fëminor… Shpirtmadhe, por e madhe edhe si interpretuese. E madhërishme në sensibilitet, por magjike edhe si femër! Nuk mund ta trashëgonte dot këtë gjeni, ajo Shqipëri e varfër, shpërdoruese e pamëshirshme e këtyre ndjesive…
Ashtu si bënë me të në vitin 1952, kur ajo erdhi me pushime. E fotografuan lakuriq fotoreporterët shqiptarë. Thënë ndryshe, e masakruan, sepse nuk e mirëkuptuan atë potencial të madh artisti. Nuk e mirëkuptuan as kur në mes të natës, për t’iu shmangur ashpërsisë së bashkëkombasve po lahej lakuriq në detin Adriatik… Ajo erdhi në këtë jetë për t’u bërë artiste me famë botërore. Nuk mund të shprehej shpirti i saj, në atë skenë të vogël, në atë regjim që më shumë se artistë nxori spiunë. Spiunët që shkonin në Komitetin Qendror dhe lëshonin shigjetat e kuqe:
-Pse duhet të shkojë për studime jashtë shtetit një vajzë e tillë?
-Hajde! Kërceni si Melushja dhe u qoftë ju udha e mbarë! – përgjigjej drejtori, Kol Jakova.
Ikëm gjashtë për të studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe u kthyem pesë. Shpeshherë i kam bërë pyetje vetes:
-Bëri mirë apo jo që nuk u kthye Melushja?
Në këtë terren të vështirë, me male dhe njerëz krenarë në ashpërsi, Melushja nuk mund të shpërthente kurrë! Më kujtohet ajo që dikur i kam thënë Perlocajt:
-Unë erdha në Shqipëri për të vdekur pak e nga pak, ndërsa ti ike në Francë për të lulëzuar pak e nga pak…
Vetëm “Balshoi Teatër” ishte për Melushen. Aty dhe vetëm aty, mund të shkëlqente madhështia dhe perfeksioni i saj. Atje… ku më duket shpeshherë, sikur jam pranë Melushes që përshëndet publikun e mahnitur në magjinë e saj. Sepse Melushja ishte gjeni. Kërcimi i saj kishte ekspresivitetin e një krijese shumë të talentuar. Në të fshihej një botë e madhe mistike, orientale, e përzierë me një dramë të madhe njerëzore siç ishte edhe jeta e saj. Ajo ishte valltare magjike në ndjeshmëri, sensibilitet, ledhatime, lëvizshmëri… Ajo fytyrë e ëmbël dhe tërheqëse, ata sy të bukur, të zinj dhe të thellë, ajo zhdërvjelltësi sensuale e trupit, ai kërcim shumë erotik, me përsosmëri lëvizjesh të duarve dhe vitheve, të merrte frymën! Edhe tani, sa herë punoj me artistët e rinj dhe u kërkoj vallëzueshmërinë, më konturohet para syve Melushja.
I thashë një herë kur ishim me studime në Moskë:
-Melushe, nuk e di pse më shëmbëllen me plakën Izergil, personazhin e tregimit të Gorkit që nga Rusia, përfundoi në haremin e Shkodrës, ndërsa ti nga Shqipëria do të përfundosh në Rusi…!
Ajo me buzëqeshjen e saj të jashtëzakonshme, ma ktheu:
-Agron! Ti vazhdimisht je pak filozof…
Në fakt, më artiste se ne ishte ajo. Pas provave të lodhshme, shpeshherë mblidheshim të gjashtë studentët shqiptarë dhe loznim kush fantazonte më shumë. Na çudiste të gjithëve me fluturimet artistike për të ardhmen e jetës së saj. Aq sa edhe Xhemili nuk e arrinte dot në fantazi…
Në atë kohë, Bashkimi Sovjetik po hapej drejt Perëndimit. Kishin filluar të vinin artistë të mëdhenj, që më shumë se për talentin dëshiroheshin për përditshmërinë dhe lirshmërinë e jetës së tyre. Në këto kontakte dhe bashkëbisedime, ndjehej mirë edhe Melushja. Sepse ajo, nuk ia prishte kurrë qejfin vetes, duke iu përgjigjur përherë pozitivisht thirrjeve të brendshme. Sepse ajo, kishte lindur, për një botë të madhe, dashuri dhe art të madh…”
Askush më mirë dhe me saktë se një gjigand si Agron Alia nuk mund ta përshkruante se kush ishte ballerina jonë e madhe Melushe Bebeziqi…
Edhe e bija e saj “eksploroi” në rrugën e suksesit të së jemës…
Margarita Perkun-Bebeziqi është vajza e koreografit rus Georgi Perkun dhe e balerinës së famshme shqiptare Melush Bebeziqi. Ajo ka lindur në Moskë në vitin 1957.
Por edhe ajo pati vdekje të hershme… vetëm disa kohë pas triumfit në Konkursin Ndërkombëtar të Baletit në Moskë në vitin 1981 (ku ajo fitoi medaljen e artë), vdes ne një aksident automobilistik, me 6 gusht 1981.
.
Është një fatkeqësi, por edhe një turp që këto dy balerina njihen pak ose aspak në Shqipëri. Por kjo lidhet
më tepër me qëndrimin e shtetit komunist ndaj Melushit e cila pasi studjoi në Moskë, u martua me koreografin Perkun dhe nuk u kthye në Shqipëri pas prishjes me sovjetikët.
Edhe sot e kësaj dite nënë e bijë (që ndajnë të njejtin varr në Moskë) janë të nderuara nga komuniteti artistik i teatrit Bolshoi.
Por në vendin e origjinës ende asnjë nderim për balerinën e madhe shqiptare…
Gjithashtu binjaku i saj Ylli Bebeziqi, një balerin premtues u burgos nga regjimi komunist në Shqipëri dhe vdiq në burg në moshën 24 vjeçare në vitin 1958. Shkak i burgosjes së tij ishte një hakmarrje për dashurinë e tij me vajzën e një personaliteti të njohur ushtarak të kohës.
Tragjedia e tij ishte e tmerrshme… e hoqën nga puna, e mbyllën në çmendinë, e vranë në qeli dhe i zhdukën edhe varrin.
.
.