back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Bardha Gjon Markagjoni – prej moshës 20 vjeçare burg-internim-persekutim nga Fatbardha Saraçi – Mulleti

Gazeta

Bardha Markagjoni (1925-2013)
Bardha Markagjoni (1925-2013)

Bardha Gjon Markagjoni

prej moshës 20 vjeçare burg-internim-persekutim

nga Fatbardha Saraçi – Mulleti

Bardha Gjon Markagjoni u lind në vitin 1925, në Mirditë, në familjen fisnike dhe te ndëruar, të prijësit të Mirditës, Gjon Markagjonit.
Vazhdoi shkollën e murgeshave në Shkodër, mandej kolegjin në Itali. Në vitin 1943, erdhi për pushime pranë familjes, dhe me mbas u mbyllën kufijtë, dhe mbeti në Shqipëri, duke i lënë studimet përgjysëm. Ardhja dhe vendosja e diktaturës komuniste në Shqipëri, do të ndryshonte jo vetëm jetën e kësaj familjeje, por edhe të të gjithë femrave, domethënë kasta e kuqe u muar në veçanti me persekutimin e tyre, me gra plaka dhe fëmijë. Kështu ndodhi dhe me Bardha Markagjonin, që sapo fillonte të njëzet pranverat e jetës së saj.

Bardha Gjon Markagjoni 20 vjeçare
Bardha Gjon Markagjoni 20 vjeçare

Në moshën 20 vjeçare e internuan. E mbajtën në shtëpinë e Guljem Dedës (e kishin bërë burg), mandej e internuan në Berat, ku i jepnin për ushqim vetëm një copë buke. E dërguan me punë të detyruar në ullishtat e Beratit dhe fermën e Kuçovës. Si shpërblim për punën i jepnin vetëm bukë thatë. E persekutuan Bardhën dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjës, mbasi djemtë ishin me rezistencën kundra komunizmit.
Bardhën e mbajtën të internuar katër vjet në Berat, e këtu e arrestuan pa fletë arresti. Të burgosurën e mbajtën pesë (5) muaj të lidhur nga këmbët, që të mos kishte mundësi të takohej me të burgosurit të tjerë. E kanë futur në një gropë, pa dritë, mandej në një dhomë të madhe, vetëm… Torturohej vajza e re nga xhelatët e kuq, dhe ajo qëndronte, po zemra e saj vuante, sepse shihte si po i torturonin të arrestuarit e grupit Sami Qeribashi. Çdo natë ato i rrihnin pa ndërprerje dhe britmat e dhembjeve të tyre i dëgjonte vajza e re…

Fëmijë të Gjonmarkajve
Fëmijë të Gjonmarkajve

Me sytë e saj ajo pa si arrestoheshin njerëzit pa fletë-arresti, si i torturonin të dënuarit dhe si trupat e tyre përdornin lloj-lloj torturash dhe në fund i pushkatonin dhe i groposnin në gropa të përbashkëta.
Në ditën që doli nga burgu, takoi gjyshen e saj Davën – 90 (nëntëdhjetë) vjeçare, e cila vdiq në interrnim.
E varrosi vajza e re gjyshen.
Ja si e tregon ajo: “E hapëm gropën unë dhe gruaja e vëllait tem, Mrika, që i kishte fillue paraliza. E varrosën nanën e nderueme të Gjon Markagjonit… Gjyshën Davë, të cilës interrnimeve i humbi varri!!”
Në vitin 1949, e dërguan në kampin e Tepelenës. Jetonin në kapanone, deri në 200  (dyqind) njerëz, pa dallim gjinie. Era e murlanit bënte që i ftohti të hynte deri në palcë. Të gjitha gratë e vajzat, ndër to edhe Bardha, transportonin drutë në shpinë, kurrizi i tyre bëhej dyfish nga ngarkesa e rëndë dhe zbritnin malin e Turanit.
Ulnin në fushë ngarkesat me drurë, për furnizimin e Degës së Punëve të Brëndshme, të furrës dhe të familjeve të oficerëve. (Ndërsa në kapanonet e të interrnuarve ndalohej ngrohja).
Çdo ditë i ngjiteshin malit përpjetë, mandej zbrisnin të ngarkuara.
Bardha tregon: “Me qindra njerëz vdiqën nga uria, në veçanti me dhjetra fëmijë ndërruan jetë, sepse ra epidemia e dizanterisë… Mbas këtyre vdekjeve u detyruan të vinin kazanin për ushqim, që ishte vetëm lëng, lëng… Kaluan vitet në interrnim, me punë të rëndë dhe me dhimbjen që provonte kur shihte nënën e saj, Mrika, gruaja e Gjon Markagjonit, nëna e dhjetë fëmijëve që vuante fizikisht dhe shpirtërisht, që iu vranë djemtë në rezistencën antikomuniste, ndërsa vajzat, mbesat dhe nipi gjashtëvjeçar, po rriteshin në interrnim dhe i mungonin gjërat më elementare, apo dhimbjen e zemrës se nënës për djalin e saj Dedën, që në moshë të re provoi vetëm burgje e kampe pune.
Bardha provoi shumë kampe të punës se detyruar. Mbas pesë (5) vitesh në Tepelenë që çdo ditë ishte me të papritura, në vitin 1953 vazhdoi interrnimin në Saver, punë në bujqësi, apeli dy herë në ditë.
Në çdo transferim, transportonin në vig, të paralizuarën, gruan e të vëllait, Markut, që mbeti kështu për tre dekada.

Familja e Markagjonit
Familja e Markagjonit

40 vjeçare Bardha Markagjoni martohet me z. Gjergj Bicin…

Në vitin 1965, tashmë 40 (dyzet) vjeçare, Bardha Markagjoni martohet me zotin Gjergj Bici (që kishte bërë 20 (njëzet) vjet burg politik. U vendosën në Milot, dhe kishin të drejtë të lëviznin vetëm në rrethet: Lushnjë, Fier dhe Krujë. Dhjetë vjetë martesë, fëmijë nuk patën.
Në vitin 1975, i arrestuan të dy (burrë e grua), dhe i dënuan për agjitacion e propagandë. Dëshmitarë në gjyq u dolën një burrë dhe një grua që kurrë nuk i kishin parë në jetën e tyre. Tashmë, Bardha Markagjoni ishte 50 (pesëdhjetë) vjeçe. Në këtë moshë provoi përsëri torturat më të egra dhe çiftin e dënuan seicili me nga dhjetë vjet burg.
Bardha tregon: “Me kanë mbajtur 11 (njimbëdhjetë) muaj të izolueme. Atë periudhë e kam kaluar e veshur me një fund e një bluzë (si në stinën e verës, ashtu edhe në dimër). Ushqimi ishte supë laknash, gjella e vetme e kazanit. Mbasi me dënuan, me dërguan në burgun e Kosovës së Elbasanit, ndërsa burrin në kampin e Ballshit në Fier. Punë vetëm në fermë, në bujqësi. Jetonim 75 (shtatëdhjetepesë) të burgosura në një kapanon…
Në vitin 1982, lirohet nga burgu (e kapi falja), dhe iu ul dënimi.
Në vitin 1986, është e interrnuar në Fishtë – të Zadrimës të rrethit të Lezhës, ku bën persëri 8 (tetë) vite interrnim.. Bardha tregon përsëri: “Në vitin 1985, me erdhi bashkëshorti i em, Gjergji, mbasi i kishte mbushë dhjetë vitet e burgut të dytë, njeriu i mirë, i vuajtjeve pafund, por në vitin 1986 më vdiq. Nga burgu erdhi i sëmurë, me kancer në mushkëri. Mbeta e vetme përsëri, dhe jeta ime vazhdonte internimeve. Pjesëtarët e tjerë të familjes nuk i kisha pranë prej vitesh. Mbasi ata ishin të burgosur e të interrnuar në vende të tjera.
Në vitin 1991, sapo filluan proçeset demokratike, Bardha vendoset në Shkodër, ku futet në shtëpinë e prindërve, dhe me vështirësi  sistemohet në një dhomë. Atëherë filloi një erë e re për të, ajo e bashkimit.

Familja Markagjoni ne interrnim
Familja Markagjoni ne interrnim,
mes tyre siper Bardha

1992 – Era e bashkimit

Mbas periudhës së persekutimit, që nga janari i vitit 1945 deri në vitin 1991, dmth pas 46  (dyzetegjashtë) vjetësh (ose në shkodranishte e saj të bukur katërdhetegjashtë) u grumbulluan pjesëtarët e familjes që kishin mbetur gjallë. Por zemra e saj u trondit shumë kur ndërroi jetë nipi i saj i dashur, Gjoni Markagjoni – i cili 6 (gjashtë) vjeçar qe rritë e kishte lëshuar shtat në kampet e interrnimeve.
Bardha Markagjoni, do të kujtohet si vajza e re që u plak interrnimeve e burgjeve të komunizmit, që lufta e klasës i vazhdoi gjatë gjithë jetës së saj, dhe ajo mbet shembull në vuajtje e dhimbje. Jeta e saj është një monument i gjallë, i forcës, i ndershmërisë, i rezistencës, i mbijetesës, i krenarisë… Ajo dhuroi shumë dashuri e bujari, duke mbetur një shembull i përkryer i mbijetesës. Kjo figurë e femrës së përkushtuar u shqua në dhimbje por edhe në rezistencë. Bardha sot 80 (tetëdhjetë) vjeçare jeton me të motrën Martën 90 (nëntëdhjetë) vjeçare dhe me të vëllanë Dedën 78 (shtatëdhjetë e tetë) vjeçar. Ata mbetën gjithnji të nderuar e të respektuar, e kur bisedon me ta zemra e shpirti të gjen qetësi, sepse mëson se si i përballuan dallgët e forta të sundimit komunist.

Bardha Gjonmarkaj ne vitin 2011
Bardha Gjonmarkaj ne vitin 2011

Ata sot nuk kanë nevojë për ne, por njerëzit të mësojnë dhe të mos harrojnë kalvarin nëpër të cilin kaluan të persekutuarit politikë, në Shqipërinë diktatoriale socialiste – e komuniste.
Ky shkrim është shkruar, 11 vite më parë, më 2005, ndërsa Bardha (Bici) Markagjoni vdiq në Shkodër, në shtëpinë e saj më 19 Mars 2013.
Marrrë nga https://www.voal.ch

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.