back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Bashkë Poetikisht në Kohë Coronavirusi – Miniantologji spontane 11 poezi – 11 autorë

Gazeta

Arti i të shkruarit poetik
Arti i të shkruarit poetik

Bashkë Poetikisht në Kohë Coronavirusi

Miniantologji spontane  – 11 poezi -11 autorë

Shpend Sollaku Noé u shkruajti në FB:
Më kërkuat një poezi për të vazhduar lojën me ju? Po jua postoj dhe ftoj:
Shpend Sollaku – Noe, – Fran Ukcama, – Vaid Hyzoti, – Faruk Myrtaj, – Agron Tufa,
– Edmond Shallvari, – Ylli Xhaferri, -Jozef Radi, – Miltiadh Davidhi, – Thani Naqo,
– Qazim Muska, – Diana Zhiti, – Petraq Kote, – Agron Shele, – Skënder Rusi,
Ju lë radhën, miq të dashur. Hajde, mos e vrisni shumë…:
Ja edhe përgjigjet poetike, miq që i postojnë poezi njeri-tjetrit.
Po jua sjell sipas listës së mësipërme të Sh. S. Noé-së.
.
Shpend Sollaku Noe - Durrës, Dhjetor 2019
Shpend Sollaku Noe – Durrës, Dhjetor 2019

Trupi im është dhimbja

nga Shpend Sollaku – Noe

Gjithë trupi im është dhimbja
e një errupsioni të pamundshëm.
 
I paaftë jam ta vjell
atë të squllët e të errët meduzë
brenda lëvores time,
i pazot jam ta degdis atë masë të gurëzuar
që mbush kafkën.
 
Truri më kot përpiqet të godasë membranën,
është gangrena që bllokon shtegun e shpëtimit.
Mendja pa dobi përpiqet të bëjë hapin e gaforres,
është kanceri që bllokon derën e tualetit.
 
E dashur, nuk jemi njohur kurrë më parë,
ishin larvat tona
hibride resh dhe mjegullash.
.

Uturima korbash

Baladë nga Ylli Xhaferri

…si shpendë grabitqar, me krahë të korbtë
befin mistershëm prej reve të irnosura
zgjojnë mugun me iso gjëmash në “lëndina lotësh”:
“pamporr: o dhogë e thatë/ tinë na nda ne nga gratë”!
 
kuja nënash, thinj e rëgjuar për sa njëmijë jetë
shpështjellin shallin e ngrënë nga dhimbjet
ylber e ndehin në udhën me dilema të bijëve
krojet-sy të motrave thahen, pikin lot të nxehtë
 
djemtë si pleq motmoti brengash kërrusur
vajtojnë prehërin Amë që në akullimë ftohet
sytë, limaneve të huaj, peng u lenë buzëqeshjen
vatër e fikur e Atit mbetet pas si diell i shuar
 
kob-fatin pelin përtypin në hukama dënesash
malli bymehet, zija mahiset në varroma pa emër
lotët si ujanë e keqe gërryejnë kalldrëmet e huaja
shtonat e gjakut të Arbrit mpak kjo jetëçimkë
 
…mbani vesh: Medet…!
së largu dëgjohet uturime tjetër…
.

Dita e Poezise
Dita e Poezise

Emigrant i vonë

nga Faruk Myrtaj

Ca si shumë zemër-rrahje, Kolomb i Vonuar…
Veç një gji, liman për barkën time, kërkoj,
kaq vështirë?!
Më lipset ca kohë, dhe juve ca durim…
Kam dal prej Vetes, i ikur prej Shtëpisë…
 
Provoj të lindem edhe këtu,
nuk them nativ, njeri mes jush,
Çdo ditë, çdo moment, hollon muret mes dy jetëve,
S’dini shumë për mua?! Ua them unë:
a bëheni dot Nënë, të lindni fëmijën e një Tjetre?
 
Çdo fjalë e juaja, çdo gjest, pelenë e ngrohtë
Më bën më të butë,
foshnjë e urtë provoj të ndjehem,
edhe pse me dukje burri në moshë,
Shekuj i vonuar, në tokën premtuar të tjerëve dikur…
 
Më kujdes… kur shkelni mbi mua…pa dashje
s’do ndjeni klithmën, zogu çukit lëvozhgën e vezës
në dallgë oqeanesh arrita dhe e kalova…
Apo do më duhet të rilind si trung këtu
veç për t’u shembur… kur të vijë ora?!
 
Dhe të kthehem vdekur
në Shtëpinë ku ende mezi rrihet gjallë…
S’do tingëllonte mirë pandehma “Colomb i dëshpëruar”
që Tokën e Re kurrë s’e Premtoi
Thjesht klithi, si Robinson i vetmuar…
.

Të mbetem…

nga Edmond Shallvari

Kjo tokë në gjysmësferë
Me Hënën abazhur
E shoh nga lart të flerë
Mes ëndrrave në gjum’.
 
E shoh nga lart të qetë
Të qetë, kaq paqësisht
Kjo tokë në gjysmësferë
Në paqe me njerin’.
 
Ndërkohë tjetra pjesë
Me diellin në ndriçim
E shoh ngadalë të vdesë
Të ngjallet si Feniks.
 
E shoh nga lart të turbullt
Me mjegull e spërkatur
Një pjesë më ngjan me ujkun
Që ngop me tjetrën barkun.
 
Një pjesë e shoh në xhungël
Në shkretëtirë një pjesë
Kërkoj se ku jam unë
Mbi rërë apo nën pemë.
 
Nën det apo mbi akull
Mbi tokë apo nën qiell
I ri apo i plakur
Njeri, kafshë a shpend.
 
Nuk di çdo më pëlqejë
Nga çdo qenie e gjallë
Kur shoh si vriten njerëz
Më keq se t’egrat kafshë.
 
Kur shoh si zhduken kafshët
Si shpendët shtegëtojnë
Si ligjin bëjnë të paktët
Të shumtët si durojnë.
 
Kërkoj gjysmës ku flihet
Mos jam diku në gjumë
Ta marr veten tek yjet
Të mbetem Unë tek Unë.
.

Poemth për atë që shfaqet e zhduket në terr

nga Thani Naqo

Kaltërsi e thellë,
u bënë sytë e saj,
kur i pëshpëriti:
“Në qiejt e tu fluturoj veç unë.”
 
Ndërmendet,
në duar nuk ka cica,
por dy fole dallëndysheje,
 
Ato nuk pikojnë qumësht,
por grimca rëre e balti.
 
Puth nishanin mes dy cicave,
skelet gjethe ahu,
tretur nga stina që thëthin klorofilin.
 
Puthja e veshi gjethen me brymë e drithërimë.
 
Pëllëmbën ngjesh mbi ballë,
si strehë kapele dhe sheh në errësirë,
flakëzën e qiririt,
në majë të gishtave të shenjtit që vret kuçedra.
 
Mbushen plasaritjet e dashurisë,
me dyllë e parafinë.
 
Flakëza e qiririt,
sa një kokërr elbi,
ngjesh me lëng e dritë
sytë e saj dhe shishet elegante në vitrinat e botës.
 
Flakëza,
si e sa një milingonë,
ngarkon kokrën e elbit
dhe stërmundohet
ta mbjellë mbi gjoksin e mbretëreshës të saj.
 
Ose,
flakëza,
i duket edhe si yll i vockël,
sa mezi dallohet në errësirë,
por që shfaqet e shuhet e zhduket në terrin e galaktikave.
 
Ose,
sa një pikëlzë lot,
pikon në livadhin e kaltër të syrit të saj
dhe,
pastaj,
digjet në ferr.
“Në këtë shekull nuk shpëton prej mëkateve,”
– tha befas ajo,
 
Përmes gardhit të qepallave,
pa imazhin e saj,
që përpëlitej në pezhishke,
Ishte çast i shkurtër midis zgjimit e gjumit,
dhe,
për të fundit herë,
pa siluetën e saj,
duke tërhequr veten,
e vazhdonte të përpëlitej në grackën e merimangës,
 
Nën sqetullshtrëngonte ikonën me Shën Gjergj.
 
Flakëza e qiririt dha shpirt,
ai harroi të marë frymë.
2019
.

Endrra Poetike
Endrra Poetike

Nuk mund

nga Qazim Muska

Tretet venerimi yt:
Hënë që shkon drejt agut.
E unë s’mund ta ndal terrin
Që të mban në jetë.
Vdekja do të vijë bashkë me mëngjesin,
Kur të gjitha fluturat do të jenë djegur në dritë,
Dhe të gjithë pellgjet të jenë kripur nga lotët.
.

Flakë në imagjinatë

nga Fran Ukcama

Më thanë thinjat: Ku po shkon, a je burrë!
Më thanë rrudhat: S’kalon dot, duhet një urë!
Më thanë vitet: Mos gabo, s’ke moshë për këto punë!
Më tha zemra: Fran nxito, ti s’u tute në diktaturë!
 
Dhe u nis natë pa hanë,
Dola lumit përmatanë,
Një syzezë e kam xanë,
Jaraneshë, skofnare à..
 
Më tha fisi: Druaj se mos shkel kanun!
Më tha grueja: Princeshë e parë jam unë!
Më tha ndjenja: Mos u ep, epik mbi gurë!
Më tha zemra: Sulm bre burrë, ti s’u tute në diktaturë..
 
Dhe kalova nëpër ferra,
Sipër vetetinte rr’feja,
N’krye re t’bardha, t’zeza,
Fitilin në barut e ndeza..
 
Më tha Zana: Ngjitju cicës mos ju ndaj tamel gjini pije pak!
Më tha ora: Ulun n’prehën, me gërga për mahi, je me fat!
Më tha tundimi: Mos shkel kunorë, ke dy djem tash ba burra,
Nip e mbesë ndal, këtë mëkat zoti s’ta fal!
Më tha zemra: Uf, këtij terri u trondite, jetove n’imagjinatë!
 
Isha ngri krejt i ba gurë,
Djersë me rridhnin çurkë,
Shtati furrë, temperaturë,
Ethe, etje, plagë n’buzë..
 
Më tha një mjeke: Ia hodhe, ke kaluar jeremi!
Më tha grueja: Ti thrrisje, edhe qaje si fëmijë!
Më tha ndjenja: U përvlove si dikur në rini!
Më tha zemra: Dashurove dhe pse vetem, mirëboll ani, ani!

Erëmimi

nga Agron Tufa

Këqyr këta plepa ndanë udhe…!
Rol tjetër s’kanë në histori:
të ndryjnë rrathësh si tru Bude
kohësinë që shket përbri.
 
E kur në mish të bardhë plepash
sakica, sharra do ngjërojë,
er’mim i njomësht të vërtetash
do të bredh’ rrugës i pagojë.
 
Diç do të thotë e s’mundet prore
ky erëmim që shket në rrugë,
se plepi zbrazi për çdo pore
atë që kish si plep, si Budë.
 
Heinrich Böll-Haus, Langenbroich,
2003
.

Endrra të çuditshme

nga Vahid Hyzoti

Ka ditë që shoh ëndrra të çuditshme,
Thyej çdo natë ligjet në këtë kohë të frikshme,
Urdhëroj që aeroporti Kennedy të punojë me kapacitet të plotë,
Çdo 10 minuta qiellin të marrin avionë pa pilotë
Të nisin shpirtëra drejt qiellit,
Se shpirti gjithnjë po ndahet nga njerëzit…
Ka ditë që më tremb dëborë e madhe,
Ka prishur gjithë makinat, por jo motorët e ambulancave
Dhe njerëzit të trembur drithërojnë pas dritareve…
Mbase s’është dëborë, por petalet që pemët hedhin
Për dasmat pa çifte që duhet t’i shkelin…
Shoh pemët që dridhen dhe sikur po vendosin:
Sa tmerr – jo lule më nuk do çelin!
Eshtë mesprilli, – thonë – u ngroh moti,
Thonë se këtë muaj buis gjaku dhe gjelbërimi…
Ka ndrruar moda: vetëm me të gjelbërta
Dhe jo me të zbehta do të vijë trishtimi.
Dhe rri numëroj avionët që udhëtojnë
Se shtëpinë e kam pranë aeroportit…
Avionët e shpirtërave ikin pa zhurmë,
Pa përqafim dashurie fshihen njerëzit e fatmortit!
Dhe Statujë e lirisë paska fytyrën e fshehur,
Nga qielli ka zbritur një re e bardhë si maskë!
… pse më sjell, o zot, ëndrra të çuditshme,
As Statujën e Lirisë nuk e le të flasë!
New York, 15 prill 2020
.

Ura e Tabakëve

nga Jozef Radi

Krejt jeta mbetë si lumë pa ura,
tmerrsisht n’vuejtje si ura pa lumë…
O Zot, ura pa lumë, si hana pa natë!
 
Asgja s’gurgullon nën qemeret e saj
n’at gjysmësy me njat vetull guri,
asgja s’shofin kalimtarët e ngutun
veç kapërcejnë idenë e brigjeve
që s’duken askund.
 
Rrjedh veç hija e lumit nën harqe,
pezull mundimesh vrulli i tij e asgja tjetër.
Mbyten veç të mbytunit,
e kapërcejnë me shkop të verbtit
për në botën tjetër.
 
N’kambë të urës u ula
dhe lindjen e diellit e prita njaty…
mandej eca me ditën që humbte
nëpër at lumë të çuditshëm
që rridhte gjithkah
e s’derdhej askund.
1991
.

Oxhaku i krematoriumit

Miltiadh Davidhi

Oxhaku i krematoriumit
Ai tym që shikoni të dredhoj duke qarë
Nga oxhaku i krematoriumit
E shpërndahet ndër shtresa ajri,
Është frymëmarrja ime,
Që del prej formave të tij,
Në formën e tymit të zi,
E ikën qiellit dhimbshëm
Në kërkim të shpirtit të braktisur,
 
Është trupi im i djegur në të gjitha moshat
E të dy sekseve, në këtë mot të frikshëm,
Ku lindim e vdesim brënda një çasti,
Si vdekatarë të mjerë,
Pa një varr ku qilli e retë të pikojnë
Një pikë loti.
 
Trupi im shumëfishohet në qindra e mijëra
Forma të ndryshme kufomash,
Me të njëjtin ndërtim qelizor
Si dhe gjethja e fija e barit,
Pa patur më asnjë rëndësi emrat e tyre,
E vargu i makinave me kufomat e mia
S’ka të sosur…
 
Kundërmoj erën e hudhrës e pikën e alkolit,
Pa e dehur ëndrrën e trembur…
 
-Ik më thanë policët, s’ke pirë aq shumë
Sa të ndalojmë, ik për në parajsë…
Një shpirt kaq i bukur sa i yti
Duhet të mbetet qiejve…,
 
Një agjent që vjedhur ka ARN
E qelizës sime, i pa besë në mikpritjen time,
Pa mëshirë thau pemën e shpirtit,
E puthjet tona i ngriu nëpër buzë
Ankthi i terrorit. Ika pa u përqafuar,
Duke u parë me sytë që qanin.
 
E ti s’i beson më vetes,
Kur nuk më shikon nëpër shtëpi.
 
Një grimcës tymi
Në të qendroj në buzë, jam unë e dashur.
17.04.2020, Modena
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.