Bashkënija Panshqiptare
nga Ernest Koliqi (1961)
Gjindja gjakut shqiptar me shqipe si gjuhë amtare e me dishir në shpirt të struket në gjinin e nji shteti të pamvarun, lulzues nën hijen e flamurit të Skanderbeut, sot për sot, mjerisht, jeton e shkëputun në gjymtyrë të ndryshme. Shumica e Shqiptarvet, për pasojë ngjarjesh historíke të mjera, jet e papërfshime në kufîjt shtetnorë të Shqipnís. Shtoi, kësaj qyshke orzezë, rrethânën edhe mâ të vajtueshme qi Shqipníja në ditë të sodit vuen në kthetra të nji tyranije, e cila buron nga ideologji të hueja, shqymbëse të shpirtit gojdhânuer t’onë, e kemi për t’u bindë se jo vetëm gjindja shqiptare rrnon e shkon mot e coptueme kurma-kurma, por as kurrnjâni sijsh nuk gëzon lirí të plotë zhvillimi e lulzimi. Në gjak të trupit të ndám copa copa vlon i mshefun instinkti i vllaznís. Për me naltue at instinkt lidhjesh panshqiptare në rrafshin e nji ndiesíje së vetedijshëme duhet të punojnë sidomos breznít e reja, sepse n’at ndiesí qindron sigurimi i jetësís (vitalité) së palcit të shqiptarizmit n’Epokën e vrullshëme t’Atomit.
Fryma e Epokës s’Atomit, në mes nji pështjellimi e kacafytjeje tmerruese ideologjish e kombesh, po vjen tue e drejtue njerzímin kah nji krijim vendimesh politike e njerzore mâ të gjânë e të lakueshëm. Kurrkush mâ nuk mundet m’u mbyllë e veçue në nji qark kombtar të vetín. Për mos me sharrue si komb e shtet, të gjithë dhe sejcili popull âsht i shtrënguem të harmonizojë, me tjera shtete e kombe, veprimtarí e interesa. As largësija prej nji vendi në tjetrin, me mjete udhëtimi të vetímëshme të sotshëme, nuk lot mâ rrol. Radioja, televizioni, avionet na e zvogluen çuditnisht rrokullín toksore. U lind e po xên rrâjë nji mendësí e re në mbarë botën për sa u përket marredhânjevet ndërmjet popujvet. Kombe qi me qinda e qinda vjetsh gjallnuen në nji ngujim krenar interesash të vetmjaftueshme sot nevoja urdhnuese e kohës i shtyn me flîjue nji pjesë të krenís e të pamvarsís shekullore dhe me pranue parime të reja bashkëpunimi ndërkombëtar.
Fati historík i mësoi Shqiptarët me jetue në hapësí perandorísh të vigânshëme pa humbun cilsít qênësore (essentielles) ethnike. N’ato kohna, veç, kërcnimi i zhgatrimit kombtar u rridhte nga furija e përdhunimit të huej; sot u rrjedh, e prandej âsht mâ e rrezikshëme, nga anarkija e idéve qi u a turbullon Shqiptarvet shpirtin përmbrênda. Anmiku jashta nesh luftohet mâ udob (aisément) se ai qi brén në mbrendí t’onë fijet e rrâjvet të rracës.
.
Duhet, prandej, me shpëtue ndiesín themelore qi ushqehet prej substancës ethnike, d.m.th. ndiesín e vllaznís, e cila lidhë e qepë gjymtyrët e shkëputuna të bashkënís (communauté) shqiptare dhe bán me qarkullue në to langjet e thella autoktone. Kështu atdheu i zgjânuem në kufíjtë e vet shpirtnorë mund të ndrisi si njisí gangullore përtej e sipër çdo piramide së padrejtë kufitare, çdo largësije gjeografíke, çdo përçudnimi dokesh anakronike të hueja sjellë nga rrymba e historís. Të gjithë ata qi ndiejnë tue vlue ndër dej gjakun e Kastriotit dhe flasin gjuhën burrnore të tij, Shqiptarë e Arbreshë, kudo qi e endin jetën e tyne, duhet ta ndiejnë veten të përmbledhun rreth nji votre të madhe ideale në të cilën flakon drita e gojdhânave të përbashkëta të fisit.
Tre miljon e mâ Shqiptarë e Arbreshë, sot të ndám e të përçám fyzikisht e shpirtnisht (gjaku i ynë i shprishun), po deshtën e dijtën të ngjallin në vetvete e të fuqísojnë idén e bashkënis panshqiptare, qi then pengimet gjeografike e ndryshon pasojat e dâmshme historíke, munden pa kurrfarë tute zvetnimi me hy në vallet ndërkombtare të cilat po hapen në prak të kohnave të reja.
Por, me hy n’ato valle pa e koritë emnin e Shqipnís, lypet të spastrohemi nga çdo meskinerí partikolaristike krahinash e fénash.
Kurr mâ i pasigurtë se në këto kohna nuk âsht qênë fati i Shqipnís. Ngjarjet, sot, janë mâ të mëdhaja se vullneti i njerzve. Na këtu flasim për nji kohë t’ardhëshme të dishrueme, tue marrë parasysh mësimet e kalesës. Po erdh dita qi vullneti i Shqiptarvet të két ndoj mundësí ndikimi (influence) mbi ngjarjet historíke, atëherë vetëm me idétë e ndiesít panshqiptare këtu të shprehuna mundet m’u ndërtue Shqipníja e vërtetë.
.
(“Shêjzat” 1961)
.
Marrë nga muri i Fb. i Agim Morina 7 shkurt 2019