back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Bedi Pipa “Ditar intim” – nga Gentian Çoçoli

Gazeta

Bedi Pipa - Ditari Intim
Bedi Pipa – Ditari Intim

Bedi Pipa “Ditar intim” – Botime Fjala, Tiranë 2008

nga Gentian Çoçoli

Me hyrje nga Agron Tufa

përgatitja, parathënia dhe shënimet nga Arshi Pipa

Ende i kam tepër të freskëta ato ditë të vitit 1991 kur për herë të parë pas pesëdhjetë vitesh në Shqipëri erdhi Arshi Pipa. Pamjet televizive tregonin një burrë me pamje të rreptë, tepër të spikatur për nga karakteri, enigmatik disi për shkak të asaj jete që ndrynte në ato shqisa prushi, përkundër moshës së shtyrë, me flokët e zgjatura pas, si shqiptar i fillimshekullit fatal – të XX-të. Atëherë nuk kisha lexuar kurrgjë prej tij dhe sikundër zakoni i popujve të mbyllur, prapa civilizimit, ia kishin përgatitur disa thashetheme të ulëta ata që ia kallën rininë e ia shkatërruan familjen. Kurrgjë nuk përputhej me pamjet nga njeriu që shfaqej kaq i plotë në ekran. Çdo fjalë helmi digjej nga fuqia e personalitetit kur i avitej Arshi Pipës. Më vonë edhe lajmi i trishtueshëm i vdekjes së tij dhe amaneti i tij tronditës, finalja e një jete njeriu plot kalvare e vuajtjesh të paimagjinueshme, ‘Të ma shpërndanin hirin në ujrat e Adriatikut.’ Arshi Pipa është pa diskutim një prej gjenive vërtetë të rrallë të kulturës shqipe i cili po ashtu krijoi imazhin e vet të shkëlqyer akademik kudo ku rrojti e punoi, kryesisht në ShBA. Por botimi i librit të Bedi Pipës të motrës së Arshiut, ‘Ditar intim’ nga shtëpia botuese ‘Fjala’, ngjarje tronditëse kulturore, tregon më së miri se nën çatinë e Pipave kanë bashkërrojtur vëlla e motër kaq të shquar, njeri që i shkoi ferrit të jetës së vet deri në fund e gjeti – të pamundurën – daljen; e tjetra, Bedi, gjeniu tjetër, i shkoi deri në fund labirintit të vetes e nuk doli më prej andej. Ditari i saj, një përmbledhje shënimesh, frymëzimesh artistike, mistike-shpirtërore, medituese, psikologjike, etike e morale, përmban një pasuri të mrekullueshme njerëzore për çdo kohë e çdokënd, pasi ajo, ka zbritur tek koha e unit, e vetes e aty ajo nis dialogun me të vetmin ‘person’ që njohu më mirë e i besoi më shumë në ato kohë të errëta vramendjesh, ‘Vetes.’
Bedi Pipa
Bedi Pipa

Ditaret, kjo formë e shprehjes njerëzore, kur bie në duar njerëzish me prirje të rralla shpirtërore, kthehet në mjetin më të jashtëzakonshëm shprehës të synimeve dhe mistereve njerëzore. Cili roman, sado i arrirë apo poemë, do mund të krahasohej me faqe të tëra të Bedi Pipës për nga ‘pikiatat’ më të thella shpirtërore në humnerën e Psikes, apo notimin në ujërat e vegimeve, apo të ndijimeve nga më të hollat, siç mund ta rrudhë ujin e një liqeni – dhe e rrudh – veç krahu i një zogu që nuk synon rasate a harengën, por një xixëllonjë që sapo i qe fikur drita në ujë. Prej këtej kupton se sa të drejtë kishte Celine, kur thoshte në një intervistë, që historia e vërtetë e kësaj bote nuk është ajo që na paraqitet, por është ajo që nuk do përfillet apo shkruhet asnjëherë, pasi është përjetuar nga njerëz të thjeshtë, pa pushtet a pozitë…

Bedi Pipa “Tanusha” e Shkodrës, sikundër e thërrisnin asokohe për shkak të bukurisë, ndonëse, sikundër thoshte vëllai i saj Arshiu, gëzonte shëndetin më të mirë në familjen tonë, sidoqoftë, qe e ‘sëmurë’ nga e njëjta sëmundje që kishte infektuar dekada më parë edhe idhullin e saj letrar, Charles Baudelaire, nga enuie, sëmundja e qytetit. Pikëllimi i saj ngrihej mbi çdo provincializëm apo ngushtësi mendjeje njerëzore dhe lypte atë hapësirë-realitet të jetës që të rrallë kanë qenë ata që e kanë kuptuar dhe përballuar. Sikundër edhe mund të duket në disa fletë të librit, ato poemtha të shkruara në prozë shfaqin një ngjashmëri fatale të Bedit me ‘poetin e mallkuar’ dhe kjo jo thjesht nga arsyeja standarde e ndikimeve letrare; kjo ishte më e pakta. Bedi Pipa kishte gjetur tek karakteri i frengut njeriun me fuqi të jashtëzakonshme shpirtërore që shkon, si ai notari i vetmuar, të ‘notojë edhe në dete eteri. Sikur dikush të mund ta pyeste ato kohëra Bedin, se çfarë pra, dëshironte kjo vajzë që jeta përkundër bukurisë fizike i kishte frymëruar një vete vërtet të shquar, do t’i përgjigjej si ai djaloshi udhëtar tek një poemë në prozë i Baudelaire-s, “Dua retë, ato dua”. Me një inteligjencë e kulturë të rrallë për kohën, Bedi qe e pajisur me atë dhuntinë e padëshiruar të telepatisë, dhe a thua të kishte parandjerë që herët fatin tragjik të familjes së saj të jashtëzakonshme, të ngjarjeve që do të paraprinin fatin e njerëzve të saj. Dhe ajo që si vetëmbrojtje nga ato ngjarje, fortifikoi llogoret e jetës së brendshme. Dhe kishte për t’ia dalë, po të mos goditej aq thershëm nga fati kaq i rëndë i vrasjes nga komunistët i vëllait të saj të madh dhe riburgosjes së Arshiut, vëllait me të cilin kishte edhe lidhjet më të forta shpirtërore.
Përvojat e saj shpirtërore kaq të thella e me nyjëtime plot mister, më kujtojnë disi pjesë nga ditaret e holandezes së famshme tanimë, Etty Hillesum, e cila po në kohët kur u shkruan ditaret e Bedi Pipës, edhe ajo përjetoi përvoja tepër të forta shpirtërore, por që u ndërprenë vrazhdë nga vdekja në Ausvitz.
Libri i Bedit, që u mblodh plot përkujdesje nga Arshiu, i cili ka shkruar edhe parathënien e jashtëzakonshme që do të shoqëronte botimin, nëse do të ndodhte, është një libër që i vlen po aq lexuesit sot. Mësimi i saj, ndër shumë të tillë, është për ne i dobishëm, pasi lidhet me vetet tona, jetët tona të brendshme, jetën e vërtetë, pasi ajo mbetet më e rëndësishmja përkundër gjithë angazhimeve tona të jashtme, ku ‘derdhemi’ çdo ditë. Vetja jonë është e pashkatërrueshme, sikur thotë Bedi, me atë zërin e saj të firuar, kujton diku Arshiu, ‘si puhi që shkon ndën derë.’
 
Profesor Arshi Pipa (1920-1997)
Profesor Arshi Pipa (1920-1997)
Soneti i tij për Bedin
është një mrekulli kaq e trishtë e lirikës shqipe
e nuk mund të mos jepej këtu e plotë:
 Sonte kujtimi – poezi nga Arshi Pipa

(Sonet për Bedin)

Sonte kujtimi n’arratit e tija
tue u-vjedhun prej t’errtave llogore
ndeshi n’andërr ate qi e thirrun prore
duket veç rrallë për trishtimet e mija.
 
Ishte si qe te stina e parë rinore
kur ja stoliste ballin pafajnija.
e m’i thonte: “Ç’ka se vdiqa shpejt? Lumnija
nuk qe për mue! E lashë nji përmendore!
 
Jo krejt u-bora ku m’u -sos mënxyra.
Si frymë un endem (as’e ndien?) rreth teje.
Të prij aty ku t’urdhnon detyra,
 
të mproj nga çdo rrezik përmes beteje.”
I qeshën syt, i ndriti hir fëtyra…
O motër, vorri yt asht mbrenda meje!
 
Gentian Çoçoli – Libra “të harruar”
Marre http://www.mapo.al/2016/03/sonet-per-bedin/1

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.