back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Bedra në rrëfimet e përditshme të saj…

Gazeta

Bedra Kaba 2014
Bedra Kaba 2014

***

Mbase ishte viti 1982
Ne ishim dy vajza të reja, me shumë ëndrra, që thjesht na mbeteshin ëndrra…
Të dyja jetonim në barakat e interrnimit, por që për “nevojat e shtetit” punonim tek stallat e lopëve si mjelëse, që edhe aty mezi na kishin futur. Unë isha bjonde me flokë të gjata, dhe ajo zeshkane me flokë të shkurta e të zeza… ajo ishte shumë e zonja për punë, kurse unë, jo dhe aq sa ajo… Punonim në të njejtën stallë edhe grupet e lopëve i kishim përballë, dhe kur ndodhte të dilnim në koridor qe t’u hidhnim ushqimin e lopëve, takoheshim bashkë dhe ndrronim ndonji muhabet. Ndonjëherë aty na kalonte brigadieri, dhe ne me kokë ulur duke punuar dëgjonim shpesh: “Eh… moj goca, sa simpatike jeni, edhe bukuroshe!”, e ndërsa ai largohej pak shoqja ime më thoshte: “Pak kemi hallet tona… po të dëgjojmë edhe këtë!” Unë nuk i përgjigjesha… vetëm heshtja… ç’ti thoshja… Ai ishte shumë njeri i mirë, dhe ndoshta sot, kur e mendoj them: nuk i thoshte për të keq ato fjalë, pasi ai e dinte nga vinim ne… dhe asnjëherë nuk u mundua të na përbuzte apo të sillej keq, apo të bënte diferencime. Dhe puna vazhdonte përditë e më e rëndë… me zgjimet në tre e gjysëm të mëngjezit dhe me kthimin nga puna në tetë e gjysëm të darkës…
Përsëri atë janar u bënë ndrrime grupesh të lopëve po edhe shkurtime, dhe një mëngjes brigadieri na mbledh të gjithëve dhe na thotë: Ti Bedra dhe ti Vera jeni të përjashtuara nga puna, vendimi u mor në mbledhjen e kolektivit që u bë.
U mërzitëm shumë. Dolëm nga mbledhja dhe të dyja morëm rrugën drejt shtëpisë tepër të dërmuara. Na kishin përzënë nga puna pa shkak, veç asaj biografike që nuk na ndahej. ç’të bënim… Ecnim rrugës dhe dukej sikur nuk shihnim ku shkelnim. Papritmas mikja ime më thotë: “Bedra, ti çdo të bësh, se unë nesër qysh në mëngjes do të shkoj te Sekretari i Partisë…!” “E po mirë – i them – vemi bashkë” “…dhe të shohësh edhe ti se çdo t’i them…!” E çdo t’i thuash?! – e pyes, mbasi ajo ishte shumë çapkëne dhe e zonja. Ishte shumë punëtore, dhe as e vriste mendjen ndonjëherë se ku prekte, kur bëhej fjalë për dinjitetin e saj… Kur shkoj në shtëpi, i tregoj babait se me hoqën nga puna. Ai u mërzit shumë dhe filloi duke më mësuar se ç’duhej të thosha. I shkreti baba, filloi: “Jo, po kam qenë partizan, jo i kam nxjerrë morrat me grushte për këtë qeveri… jo se ishte ndonjë punë e mirë, ama ne na hiqnin nga puna si të persekutuara dhe që “s’e meritonim të punonim aty” – dhe për një fëmijë që u arratis, po na e merrnin shpirtin…!
ç’ti thoja babait!! Unë isha për vete tepër e mërzitur. Të nesërmen qysh në pikë të mëngjesit ishim te zyra e sekretarit të partisë të Savrës, së bashku me shoqen time. Të futem unë – i them – e para apo ti? Më thotë: Futu ti Bedra, se unë kur të futem do e djallos fare! Futem brenda dhe me vete kisha diplomën e shkollës së mesme dhe dëshmitë e aksioneve, ku kisha shkuar dhe kërkoja arsyen përse hiqem nga puna. Ai më dëgjon dhe nuk më thotë asgjë. Atëhere dal prej aty, e ndërkohë hyn shoqja ime, kur del ishte tepër e nervozuar, i them… Po çfarë i the…? Ja tani po të them… Po he… e din si i thashë… përse më hiqni nga puna, unë e bëj atë punë më mirë se kushdo tjetër, ç’arsye me nxirrni, apo mos doni të bredh mullarëve si filani e filani, unë dua punë me djersën e ballit dhe s’keni pse të më hiqni!!
Ah moj mike, i thashë – ne do të na ndjekë gjithmonë nga pas si hije biografia, e askund s’mund të ecim as në punë, as në jetë e as në dashuri…
Pas ca ditëve na kthyen prap në punë… te ajo punë që ne mezi e mbanim duke punuar shumfish…

Bedra & Vera
Dy shoqet: Bedra & Vera

Kjo histori m’u kujtua kur vura foton në kopertinë, ku jemi të dyja shoqet bashkë.

***

Gjithë jetën u mundova me drejtësi të shkoja, të drejtën ta kërkoja, e tek drejtësia të besoja… Shumë më besuan, shumë të tjerë më nënvlërsuan, disa më shfrytëzuan, e disa u munduan e më ngatërruan
Shpirti s’pushoj, zemra rënkoj dhe mendja veç në drejtësi shkoj…
Si përfundim, veç Zoti do më besojë, në drejtësinë time që jetoj…

***

Shqetësimi i një dite me babanë.
..

Aty nga viti 1980, kishim martuar një motër në një zonë kufitare dhe atje pa leje nga Dega nuk mund të hyje në fshat.
Të nesërmen bashkë me babanë shkojmë në Degë për ta kërkur atë leje, dhe ecnim në këmbë nga Savra në Lushnje, një rrugë gati një orë. Babai u lodh shumë, pasi ishte 75 vjeç, por më tepër e dërmonte ideja se mund edhe mos ta jepnin lejen, dhe ai s’mund të shkonte te vajza e tij e martuar në një fshat të Dibrës.
Rrugës ndërsa ecnim, ai më thotë: Bedra ndoshta bëra gabim që e martova aq larg, se ne më duket këtu po mbesim në Savër në këto baraka, por nuk desha të merrte burrë nga vend tjetër, veç prej Dibre, se prej andej jemi dhe si vendi jot nuk të bëhet kush…
Më në fund mbrrijmë te Dega dhe afrohemi te dezhurni. Babai i shpjegoi se i duhej një “leje kalimi” për në zonën e Gjoricës Dibër, se kam agtje të martuar vajzën. Po mirë – i thotë ai – Prit aty, ndërkohë, ngjitet lart te Kryetari i Degës. Kur dezhurni kthehet i thotë: -Xhaxha duhet të presësh, ndoshta nja katër orë, ose mbas nja një jave. Po mirë – i thotë babai – po pres sot më mirë, se më duhet të iki këto ditë mbasi ashtu i kam punët. Kaluan katër orët ashtu me atë ankthin e pritjes dhe më në fund e marrim atë copë letër dhe mbas ca ditëve babai do të nisej për Dibër…
Rrugës duke u kthyer më thotë: “Eh moj bijë, tani jam i qetë, se ndryshe pa këtë letër ,nuk mund të futesh në atë zonë! – dhe vazhdoi, – A mban mend kur shkova se që sëmurë vëllai im, desha të shkoj te vajza, por sa kalova Shupenzën dhe u futa te rruga e telit një fëmijë i vogël më ndali dhe me tha: “Ku do shkosh? Lejen e kalimit!! E pashë me habi, pasi unë s’kisha leje dhe ngela, por fatmirsisht një nga fshati i vajzës me njohu dhe më tha: “Po si je, o Musli Kaba?” – e më përqafoj me mall, athëre ju kthye fëmijës dhe i tha lerë se e ka lejen ky… Atëhere gjaku m’u shkri… Eh moj bijë, ky sistem komunist edhe fëmijët po i edukon me idenë e vet, dhe janë kthyer në sigurimsa të gjithë… Tani shkoj i qetë – vazhdoj ai… Brenda vetes ndjeva brengën e kohës, pamundësinë e asgjeje, merakun e babait që kishte luftuar për një ide tjetër, dhe arratisja e një fëmije evkishte përplasur në internim. Dhe ashtu të lodhur nga ajo rrugë e gjatë mbrritëm në shtëpi, por me gëzimin se do shkonte të shihte vajzën, dhe njerzit e vet atje në Dibër, ku koha komuniste ia mohoi për gjithë jetën.

Bedra dhe Magda në ish kampin e vuajtjeve në Savër
Bedra dhe Magda në ish kampin e vuajtjeve në Savër

***

Mosbesimi, hutimi dhe çoroditja dhe frika e një kohe

Kanë kaluar shumë vjete prej athere… Ne mos gaboj ishte viti 1976, dhe isha në fund të vitit të tretë të gjimnazit, dhe ishim tri shoqe që rrinim bashkë.
Nuk e di përse atë ditë dola nga shkolla vetëm… e tek po ecja e shpenguar bulevardit të qytetit tim, shoh se dikush po me fliste nga mbas. Eca dhe s’iu përgjigja fjalëve të tij, edhe pse ai vazhdoi të më flasë… Goce, a ka mundësi të ndalësh një minut… Eh sa vështirë ishte athere të ndaleshe, se mijra sy përqëndroheshin tek ti… dhe ashtu, fillonin thashethemet e para… e ndërsa dëgjoja fjalët e tij unë vazhdoja të mos e ktheja kokën, për t’i dhënë të kuptoj se nuk e kisha ndërmend të ndalesh, por ai këmbgulte me fjalët e tij.
Tashmë edhe pak, e bulevardi i Peshkopisë mbaronte dhe unë duhet të futesha në rrugën që të çonte në fshat… Athere ndaloj, dhe i kthehem me ton atij djali… Hë, urdhno e fol. dhe ai me tregoi nga ishte dhe se kishte deëshirë të lidhej me mua. E pashë që ishte tepër i vendosur si djalë, dhe se kishte mbaruar shkollën e lartë dhe qe nga Pogradeci! Megjithëse filloj të këmbëgulte mezi e binda të largohej. Isha tepër e re, dhe e dija që s’mund ta pranoja, sidomos këtë rast. Atë natë, e mendova shumë herë atv ngjarje, por e dija se kurrë s’mund të përfundoja me të, prandaj i thashë vetes: “Fli rehat, se posa ta marrë vesh se ku jetoj, do të largohet, e ç’të mbetet pastaj…!” Dhe kështu fjeta! Isha edhe tepër e rezervuar si njeri. Të nesërmen nuk kishim mësim, kishim marshim dhe e gjithë shkolla u nis andej nga Llixhat dhe fshatrat përreth.
U ngrita si zakonisht në mëngjes, dhe po zbrisja nga fshati drejt Peshkopisë, kur te një kryqzim rruge në qendër ku ishte një Vetshërbim, dhe unë së bashku me ca shoqe shkuam të mernim diçka për marshimin, sapo dola nga lokali me shoqet e mia, shoh djalin nga Pogradeci që më del përpara dhe më thotë: “Bedra, a ka mundësi të ndalesh një minut, kam vetëm diçka për të sqaruar…!” “Mirë, – i them – thuaje se po të dëgjoj!” dhe ai më thotë: “Po unë s’mund të flas në sy të shoqeve…!” I them: Po përse jo, unë do jua them, se do jua them… Po thuaj çke për të më thënë. Ai prap këmbguli në të vetën, atëhere u them shoqeve: “Ikni ju, se ju arrij…!” Eh thashë me vete, e çdo më thotë më ky njeri… Eh, sa njerëz do më shihnin me të në atë bulevard të vetëm që kish Peshkopia. Po ç’të bëja… E ç’do më thuash, ma thuaj! Ai filloi të përtypej, dhe fjalët mezi i dilnin… më në fund më thotë… “Bedra, unë dje kam qenë në Degë të Brendshme, dhe kam pyetur për familjen tënde, dhe më tregoi gjithë historinë e arratisjes së vëllait tim, dhe të internimit të familjes nga Dibra në Savër të Lushnjes. E dëgjoja, dhe nuk e besoja ajo që më thoshte. Mendja më rrinte sa te ajo që më tregonte, sa tek shokët dhe shoqet e klasës që po kalonin dhe më shihnin me të. Pasi e dëgjova mirë, i thashë: “A ke gjë tjetër për të më thënë se këtë e di mirë…” -Po ja – tha ai – mendoja se nuk më pranoje për këtë gjë…! “Ashtu, – i them – qenke lodhur kot, nuk është kjo arsyeja, dhe s’ke pse të më dalësh më përpara… Ika, se m’u larguan edhe shokët e mi… dhe vrapova për t’u bashkuar me shoqet e mia. S’dija ç’të mendoja më… Ai më kishte thënë një të vërtetë, po thua vërtet kishte shkuar dhe kishte pyetur në Degë?! Ndoshta edhe mundej, pasi ai s’ishte nga Dibra. Në të vërtetë kjo ngjarje më tronditi, se isha tepër e re, dhe kur vajza e xhaxhait që ishte e martuar, erdhi tek ne, unë ia tregoj gjithë kët histori, dhe ajo më tha: “Bedra, bëre mirë që s’i pranove, ndofta e ka futur Dega e Brendshme, pasi unë s’i kuptoja këto gjëra atëhere, por ama e dija që Sigurimi i Shtetit punonte kudo.
Kaluan ca muaj, kur një ditë në shkollë më thonë: “Të ka ardhë një letër!” Shkoj e marr dhe shoh emrin e tij. Dy shoqet e mia, që e dinin këtë histori e marrin letrën dhe më thonë “Hajde Bedra, ta lexojmë se ç’të shkruan. U futëm në një klasë bosh, të treja dhe njëra shoqe filloi ta lexonte letrën, ndërsa shoqja tjetër kur dëgjonte fjalët e shkruar prej tij, thoshte: “Ah, i shkreti N, po pse moj Bedra s’e pranon…!?” Nuk i shkruajta kurrë, nuk e di as vetë pse s’i ktheva përgjigje, por ai njeri mbeti për mua enigmë…
Filloi viti i katërt. Në pushimet e Vitit të Ri, shkoj me pushime në Savër, te prindët e mi. Një ditë, kur ora ishte aty rreth dhjetës, më vjen komshia ime dhe më thotë… “Te dezhurni, më thane se po të kërkon dikush në telefon. U nisëm të dyja dhe shkuam te zyrat. Me mendje pyesja… se kush mund të ishte vallë që më kërkonte në telefon, mbasi athere s’kishte telefona. Hy në zyrë e dezhurnit dhe vajza që ishte aty më thotë… “Të kërkon një djalë!” dhe unë ngre receptorin dhe i them “Alo kush jeni?” ndërsa në krahun tjetër dëgjoj: “Bedra, jam unë N…” Nuk e di, po më erdhi ashtu instinktivisht dhe shpërtheva shumë ashpër: “A ç’po ha m… kot, edhe ti!” dhe e mbylla me zemërim telefonin, ndërsa pashë sytë e komshijes dhe vajzës së dezhurnit që po më shihnin me shumë habi…
S’e di si më erdhi, pse punë momenti qe ajo përgjigje, ajo fjalë e ulët dhe jo fort dinjitoze… por ashtu e nevrikosur, u ktheva në shtëpi, pa i treguar asgjë askujt…

***
Të pafajshëm, por me faj… pse kishim lindur të pafat, në atë kohë të egër të quajtur komunizëm.
Si unë, edhe shumë të tjerë u lindën, u rritën edhe krijuan familje në ato barakat e ngritura enkas për ne, nga kriminelët e kohës së diktaturës… dhe mund ta them me bindje se ne mbetëm njerëzit e padëshiruar të saj. Ja nji histori prej të shumtave që kam treguar…
Një mbrëmje nji grup vajzash shkuam të shihnim shfaqjen e trupës së teatrit “Migjeni” të Shkodrës, në qytetin e Lushnjes… Ndërsa ecnim nëpër qytet ndjemë se dikush në muzg, nga mbas krahëve na thirri: “Hej, paskan dalë në qytet edhe këto që mbledhin jonxhë mbas qerreve…!”
S’e di pse m’u kujtua sot kjo ngjarje… dhe m’u duk sikur ndjeva peshën e atyre fjalëve të dikurshme të atyre njerëzve që mezi na shihnin… për faktin e vetëm se ishim banorë të Savrës së famëshme të internimeve…
Po ne u futëm në kinoteatrin e qytetit dhe ndoqëm me kënaqësi dramën “Gjaku i Arbërit” dhe e harruam atë ngjarje të trishtë në qytet, dhe ato fjalët fyese që na thanë i mori era… megjithëse si duket ende më paskan mbetur diku në një cep të zemrës… mbasi u thanë ashtu egër, nga disa, që si duket i verbonte ndoshta hijeshia dhe finesa e atyre vajzave që vërtet jetonin në internim, por që e njihnin dhe respektonin jetën më mirë se shumkush tjetër.
Edhe sot e kujtoj, se drama qe tepër e bukur dhe e luajtur me mjeshtri nga aktorë të njohur të skenës shqiptare…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.