back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Berisha, zgjedhjet 2013 dhe kundërshtarët e pabesueshëm

Gazeta

Sali Berisha
Sali Berisha

Berisha, Zgjedhjet 2013 dhe kundërshtarët e tij të pabesueshëm…

refleksion nga Jozef Radi

Sali Berisha dhe partia e tij, futen në zgjedhjet e teta parlamentare të periudhës postdiktaturë si gjithnji me dëshirë dhe besim në fitore, edhe pse ftoftësia ndaj politikës shqiptare ndaj erës së quajtun demokratike, ka prekë frikshëm humnerat e veta…
Sigurisht, Ai për shumë arsye ndjehet entuziast, po ma së pari prej atyne kundërshtarve që i ka mposhtë në vazhdimsi; së dyti pse krejt harkut opozitar i mungon realizmi në gjykimin e tij; së treti ai ende beson te karizma dhe te sukseset e punës së tij, ku nyje janë rrugët; dhe së katërti, alternativat e reja s’janë veçse sqetullore të dikurshme, që të krijojnë dyshimin se ai vetë përpunon kësi oponencash me vazhdue triumfal në përjetësim të fitoreve të veta…
I argasun politikisht (si prej asaj së vjetrës, po aq edhe prej së resë) ai mbetet gjithnji protagonist numër 1, si në fitore edhe në humbje! I gatshëm me u ringritë në kambë mbas çdo goditje; i aftë me prodhue politikë edhe midis shterpësisë; guximtar me ndërmarrë edhe të pamundunën; njeri i tribunave dhe i ekzaltimeve masive; injektues i shpresës edhe kur ka mbjellë dukshëm zhgënjim në lëkurë të shumicës; ekuilibrist i pashoq kur asht në lojë bota e interesave të mëdha gjeostrategjike; nacionalist dyfytyrësh kur ia kërkon situata e ringjalljes së besimit ndër të dëshpëruem; pokerist klasi që futet në tavolina ku të tjerët ende s’mundin; dinamik deri në qerpikë e në thonj; i paepun për manovra pa llogaritë kostot; i pashoq me zbulue njerëz të përkohshëm si garnitura të shtatit të tij politik; mjeshtër me i shmangë figurat që i bajnë hije gjithpushtetit të tij; arrogant sa çdo mvartës para se me pyetë për detyrën e ngarkuem, pyet për humorin e shefit; strateg i betejash të fitueme, po edhe humbjesh të mbrojtuna si fitore të vjedhuna; retushues e asfiksues kundërshtarësh dhe shumfishues i atyne që shtiren si kundërshtues, me shpresë se njohin thembrën e Akilit; mjeshtër i limonve të shtrydhun deri në pikën ma të fundit të langut…
Ky asht Berisha 2013, që i shfaqet karuzelit të zgjedhjeve të teta parlamentare, prej të cilave katër i ka fitue dhe tri i ka humbë! Pra, bahet fjalë për nji politikan me nji bilanc për ta pasë zili në këto 22 vjet politikë postkomuniste!!!
S’asht aspak e vërtetë se Berisha s’e dorëzon pushtetin!! Që s’e dorëzon lehtë, për kët të jetë i sigurt cilido pretendues…!!! Pse Ai, si askush në kët terren të vështirë, asht investue te pushteti me gjithë energjitë e veta të pashterrshme… Kushdo që mendon se mund t’ia marrë pushtetin me zotësi, të mos harrojë se Ai ka me ua ba të vështirë mbajtjen…
Pse ai mjeshtërisht mundet me u buzëqeshë dy kundërshtarëve kërcënues, po mbrrin me iu gërhushë edhe turmave që e brohorasin t’ekzaltueme…!
Le të merremi pak dhe t’i shohim ma nga afër kundërshtarët e tij…
Asgja ma shumë se pjella të inkubatorit të tij, të fryme në vesh se mund të bahen jo rivalët e tij, po mposhtsa të tij… N’fund të fundit thjesht zvogluesa të fetës për mosmbajtjen e pushtetit!… Si kundërshtarë ata janë të stërpërdorun… dhe si të tillë e kanë humbë betejën morale me qenë kundërshtarë të ashpër ndaj tij… prandaj me kësi kundërshtarësh mund të konsiderohet pothuej e pamundun humbja e Berishës… po edhe nëse ndodh nji humbje e tij, ajo do të jetë në limitet e mundshme, pra edhe rrëzimi i Tij s’do të jetë rrëzim i berishizmit, pse alteregot e tij, thuejse të shpëlame, kanë me vazhdue si imituesa të tij dhe do t’i nëpërkamben politikës shqiptare edhe për mjaft kohë!!!
Berisha hyn i bindun se duhet të mbesë pushtet, po edhe nëse s’mbetet, në historinë e politikës shqiptare, edhe ma gjanë, ai do të përmendet si mjeshtër i përdorimit të kultit të përjashtuarve… figura dikur të përdoruna prej tij, e të përjashtueme brutalisht po prej tij. Nji ditë Ai i ka rikthye me elozhe në gjinin e Partisë së vet, po tashma jo si autoritete po si tutsa… Pikërisht kjo që ndodh qartësisht edhe sot. Ata që shfaqen si kundërshtarët ma të qenruem ndaj tij, janë pikërisht ata që i kanë krye ma shumë shërbime atij! (si duket në pritje të rikthimeve të mavona!!!) Rikthimet e Cekës, Imamit, Fevziut, Shehut, Gazidedes, Selamit, Ndokës e mjaft të tjerëve janë të kambkryq në jetën tonë politike…
Berisha, ky Shën Djall (si edhe paraardhësit e tij), i dalë prej koshiencës sonë ndaj lirisë dhe krenarisë dhe prej skutave të inkoshiencës sonë orientale, ky mjek malsor i teseruem që ngriti nji popull drejt shpresës së madhe, e që i prin nji shteti mbi themele ende të brishta… asht edhe kësaj here kryeprotagonisti i politikës, dhe rrëzimi i tij nuk duhet ta mendojë askush si qëllim më vete…
Vetëm kur ta ngulisë në mendje çdo qytetar: se drejtuesit dhe institucionet e shtetit edhe pse mund t’mos na pëlqejnë, asht e domosdoshme t’i respektojmë e t’i kundërshtojmë qytetarisht; ashtu siç mbetet i domosdoshëm respekti i vullnetit të çdo shumice, së cilës mund edhe të mos i përkasim! Vetëm kështu mund të themi se po e bajmë Shqipërinë…
Berisha, s’asht asgja ma shumë, veç nji prej shëndjajve që i shfaqen periodikisht historisë sonë si nji dalëzotas i këtij populli… (24 Shkurt 2013)

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.