Berit Backer (1947-1993)* – Frymë e lartë Humaniste
nga Pertefe Leka (1993)
Berit Backer – studiuesja e të traditës kulturore shqiptare,
mbrojtësja e të drejtave humanitare
të shqiptarëve para forumeve shtetërore të Norvegjisë e të Botës
ndrroi jetë, nga një dorë kriminale…
Në Norvegji, në vendin më verior të Europës, ku të ftohtit dhe ngricat e mbulojnë tokën në pjesën më të madhe të vitit, jetojnë njerëz të kulturuar të qytetëruar me një harmoni dhe ngrohtësi shpirtërore sa e zbut edhe klimën përreth. E tillë ishte edhe nordikja Berit Backer, e cila jetonte në Norvegji, por zemrën e kishte në Kosovë. Ajo kishte në vetvete një zjarr dashurie për njerëzit në përgjithësi dhe për shqiptarët në veçanti.
Si studiuese e kulturës shqiptare, dokeve, zakoneve, gjuhës dhe shpirtit të popullit shqiptar ajo u afeksionua mbas tyre se u bë bijë në shpirt e “Nënës Kosovë”. Kaq të bukura i dukeshin veshjet shqiptare sa i vishte edhe vetë me kënaqësi. Për këtë flasin fotografitë që ka lënë me veshje popullore të zonave të ndryshme të Kosovës, e sidomos nga ajo e Deçanit.
Zonja Berit Baker shkonte dhe vinte në Kosovë si në shtëpinë e saj. Ajo qante bashkë me nëna dhe motrat shqiptare në ditët e përgjakshme të masakrave serbe ndaj të rinjve dhe të rejave shqiptare. Ajo nuk heshtte para këtyre mizorive, dhe zëri i saj dëgjohej deri në forumet më të larta ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave njerëzore. Lidhjet me Kosovën ajo i shtrëngoi edhe më shumë, mbasi mori për të rritur Besmirën e vogël jetime…
Bukuria shpirtërore e karakterizoi motrën tonë Berit Backer në ditët e zisë për bukë në Kosovë. Ajo nga larg dërgonte ndihma dhe ilaçe dhe mbante lidhje, merrte dhe jepte mesazhe për të përmirësuar gjendjen e rëndë në Kosovë të shkaktuar nga antinjerëzit serbë.
Ajo, me një mendim të kthjellët progresiv luftoi gjithmonë për barazi, drejtësi dhe harmoni midis popujve.
Ajo u vra nga një dorë kriminale dhe u varros me nderime të larta nga qytetarët e saj po edhe nga vëllezërit dhe motrat shqiptare, të cilët e ndjenë thellë humbjen e saj. Në ceremoninë mortore para varrimit, Adem Demaçi tha këto fjalë: “Norvegjia mike, humbi bijën e vet fort të çmuar, humbi një humaniste dhe shkencëtare shumë të zellshme, kurse ne shqiptarët mbetëm pa të vetmen motër norvegjeze që kishin…!”
Gazeta “Kosova” – maj 1993
P.S. *Kosova e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale, antropologen norvegjeze Berit Backer, e cila më 1974, shkeli për herë të parë në fshatin e Komunës së Deçanit.
Bertit Backer, pas vdekjes, ajo u dekorua me Medaljen Presidenciale Jubilare. Ajo ishte ndër të parët që kishte ngriti zërin për Kosovën dhe për të drejtat e mohuara të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Kosova e çmon shumë kontributin e saj.
.