back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Besoj se ne jemi kujtimet tona… – nga Rudina Lohja Kurti

Gazeta

Rudina Lohja - Kurti - Kolazh fotosh dhe vitesh
Rudina Lohja – Kurti – Kolazh fotosh dhe vitesh

Besoj se ne jemi kujtimet tona…

nga Rudina Lohja Kurti

Që në frazën e parë të këtij rrëfimi të Rudina Lohjes – Kurti,
secili lexues mund të gjejë në t’vërtetën e saj copza nga të vërtetat e veta,
edhe pse ajo çka ndodh shpësh është thuajse instiktive e kundra vullneteve tona.
Ta kapësh fëmijrinë duke bredhur brenda teje,
ndërkohë që ti veç largohesh prej saj, e sidomos ndër ato mosha
që vijnë duke e zmadhuar dukshëm progresionin arithmetik të të jetuarit të jetës,
befas të bëhet një emocion i bukur, i cili edhe pse mund të ketë gjurmat e një kohe të vështirë,
ka magjinë e shpirtit te fëmijës, që arrin ta shprish të keqen, si me shkop magjik…
Lexim të këndshëm…
jozef radi, 25 qershor 2021
***
Hera-herës dhe pothuajse në çdo moshë e kam kapur fëmijërinë duke bredhur tek unë… Ketë e them, pasi e kap veten të ndalojë shpesh tek vitrinat e dyqaneve edhe pse nuk kam ndërmend të blej asgjë… Çdo vitrinë e sodis gjatë dhe ëndërroj veten të pamoshë ose si dikur… para 55 vitesh para vitrinave të stërmëdha të Mapos së Madhe në Shkodër… Ndërkohë shoh veten në xham, e vjetër sa më s’ka dhe shkëputem gjithë pezm. Çuditem si nuk u bëra rrobaqepëse, këpucëtare… fundja dhe shitëse e gjërave të bukura. E vogël krejt e vogël gjithë fantazi veshja dhe xhveshja gjithë fustanet dhe kostumet e manekinave tek vitrinat e Shkodrës… deri dhe rrobet e banjos dhe syzet e zeza mbi sy.
E çuditshme është, sepse ndjesitë e fëmijërisë më rivijnë dhe kur kaloj përpara çdo kishe… Këmbët më marrin mbi vete dhe unë ngjitem nëpër shkallë kishe duke marrë nga kutitë e mendjes, kujtime të hershme dhe dëshirën për të rigjetur diçka nga e kaluara.
Dikur, në Kishën e Fretnëve në Shkodër… nuk di cila ditë e javës ishte… por, kohë dreke… At’orë hynin e dilnin besimtarë. E, kur unë s’kisha marrë notë të mirë dhe më duhej të shtyja orët e dëftimit tek ime ma ose tek Baçi (kështu e thërrisnim ne përkëdhelje tim’at) futesha tek kjo kishë që për mua ishte më e bukura në botë. Hutohesha me gjithçka. Kupola më hapej dhe unë hyja në një misticizëm të paparë. Nota ime jo e mirë… kryesisht ne fizikë… fluturonte qiejve dhe unë zhytesha në botën e afreskeve, statujave – femra që nuk i njihja, por më dukeshin si engjëj të vërtetë si dhe tek zëri i priftit që më nanuriste deri në dehje.
Sot e kërkoj at’ mpirje… por, nuk ndodh… Kisha me falë vetëm qetësinë dhe humbjen tek lutjet për fëmijët tanë dhe familjet e tyre. Qëndroj shumë pak.
Gjithashtu fëmijëria më vjen rrotull me ato çaste, kur ende e ndaloj gjatë atje, ku ka parqe të jeshilta, ku gërshërët kanë krijuar figura kafshësh, karroca me kuaj dhe unë me imagjinatë kërkoj të hyp mbi to.
Të shkoj tek dy parqet më të bukura të Shkodrës… Njeri tek Instituti Pedagogjik e tjetri që nuk ekziston prej shumë e shumë vitesh, ai shtrihej aty ku Turizmi u ngrit më pas.
Ditët e diela mbasdreke, në shkonim atje me fustanet më me lule që kishim. Sajonim lojërat më të bukura dhe nuk dinim kurrë t’i thonim njeri-tjetrit një sharje. E qeshura, vrapimet ngrij-shkrij apo entuziasmi në kukafshehtas… shpërndaheshin në gjithë rrugicat e parkut, ku shemshiret kishin krijuar gjysëm mure dhe ne fshiheshim mes tyre.
Parku mbuluar me blerim e ngjyra diellore, na ushqente me shije të mirë miqësije… Deri javën tjetër ne ruanim miqësitë e riformuara… e gjithçka mbante aromë të mirë…
.
Marre nga Muri i Rudina Lohja – Kurti, 9 qershor 2021
.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.