back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Beteja e Durrësit e vitit 1081 dhe bazilika e Shën Mëhillit – nga Ilirjan Gjika

Gazeta

Ilirjan Gjika - Historian
Ilirjan Gjika – Historian

Beteja e Durrësit e vitit 1081 dhe bazilika e Shën Mëhillit

nga Ilirjan Gjika

Për normanët dhe luftërat normano-bizantine ka shkruar gjerësisht historiania Ana Komnena. Në veprën e saj “Aleksiada” të cilën ja kushtoi me devocion të atit, perandorit bizantin Aleks Komneni, ajo përshkruan edhe luftërat normano-bizantine. Gjithçka nisi në vitin 1071, i cili shënon një pikë kthese në historinë e Perandorisë Bizantine, kur Robert Guiskardi dëboi përfundimisht Bizantin nga Italia e Jugut.1 Nën drejtimin e tij, normanët do të zbarkonin në brigjet arbërore ku si pretekst i fushatës së tyre shërbeu fejesa e vajzës së Robertit, Helenës, me të birin e perandorit të rrëzuar nga froni, Mihalit VII Dukas (1078).2 Në pranverën e vitit 1081, ushtritë normanë të komanduara nga Robert Guiskardi dhe djali i tij Boemundi, zbarkuan duke pushtuar njëra pas tjetrës Vlorën, Kaninën, Orikumin, Gllavinicën dhe Butrintin në jug të vendit.3
“Boemundi pushtoi Kaninën, Jerihon (Orikumin) dhe krahinën përreth. Më pas ai u nis në Butrint ku takoi të atin. Mirëpo kur u nis nga Korfuzi për të sulmuar Durrësin, Boemundi me tokë dhe Guiskardi me det, në vendin e quajtur Gjuhë (Karaburun), stuhia e goditi keq flotën normane. Pas kësaj Guiskardi qëndroi shtatë ditë në Gllavinicë dhe pasi priti përforcime, me pjesën e flotës nga toka dhe deti, pushtoi fushën Ilirike dhe rrethoi Durrësin”, shkruan Ana Komnena te “Aleksiada”.4

Rrënojat e kishës së Shën Mëhillit
Rrënojat e kishës së Shën Mëhillit

Gjatë fushatës normane për pushtimin e Durrësit betejat u zhvilluan çuditërisht në vendet ku ngriheshin një sërë kishash dhe manastiresh. I tillë ishte edhe kisha e Shën Kollit në veri të Durrësit, ku u vendosën trupat e Aleks Komnenit, në përpjekje për ti ardhur në ndihmë garnizonit bizantin të këtij qyteti.
“Kur arriti në lumin Erzen, hapi hendeqe, vendosi ushtrinë dhe menjëherë dërgoi delegatë për të pyetur Robertin përse kishte ardhur dhe ç’qëllim kishte. Prej këtej u nis dhe erdhi në tempullin e Shën Kollit më të madhit midis jerarkëve kishtarë – që ndodhej katër stade larg Durrësit dhe vëzhgonte vendin…”, shkruan Ana Komnena në këtë rast.5 Pikërisht këtu Aleksi mbërriti në 15 tetor 1081 dhe pasi vendosi shtabin nisi së bashku me strategët e tij ushtarakë përgatitjen e betejës kundër normanëve.6 Në debatet e zhvilluara midis strategëve, duka Gjergj Paleologu u shpreh kundër ndeshjes me normanët dhe propozoi një strategji mbrojtëse brenda mureve të Durrësit. Ndërsa komandantët e tjerë të Aleksit, Kostandin Porfirogjeneti, Niqifor Sanadino, Leon dhe Niqifor Diogjeni, këmbëngulën që Robertit t’i ofrohej një betejë e hapur jashtë qytetit. I nxitur nga ky grup dhe nga ideja e një triumfi të shpejtë perandori e pranoi këtë plan.7 Ndërsa bizantinët vendosën të sulmonin të parët, normanët nuk qëndruan në pritje.
“… Roberti, pasi i la natën tendat bosh dhe kaloi nëpërmjet urës (ishte data 18 e muajit tetor) zuri me gjithë ushtrinë e tij tempullin e ndërtuar shumë kohë më parë për nder të dëshmorit Teodor,” –  shkruan përsëri Ana Komnena te Aleksiada.8 Pikërisht pranë kësaj kishe u zhvillua edhe beteja midis dy ushtrive, ku bizantinët u thyen prej normanëve. Gjatë zhvillimit të saj në 18 tetori 1081, ndodhi një nga episodet e tmerrshme të luftës, ku një pjesë e trupave bizantine të shkëputura nga pjesa tjetër e ushtrisë, për t’i shpëtuar furisë së sulmit norman u strehua në kishën e Shën Mihalit.

Rrënojat e kishës së Shën Mëhillit
Rrënojat e kishës së Shën Mëhillit

“Kështu pra, e gjithë ushtria barbare u sul mbi ta, dhe ata që mundën të shpëtonin kërkuan strehim në tempullin e kryestrategut Mihal; një pjesë e tyre, aq sa merrte tempulli, u futën brenda, ndërsa të tjerët, duke hipur mbi tempullin, kujtuan se atje do të shpëtonin. Por latinët duke përdorur zjarrin kundër tyre, i dogjën të gjithë, së bashku me tempullin”, – thekson Ana Komnena në këtë rast.9
Pas kësaj ngjarje trupat normane pushtuan edhe faltoren e Shën Kollit, ku gjendej edhe tenda e perandorit me gjithë pajimet e ushtrisë bizantine.10
Kështu u mbyll kjo ngjarje e fushatës normane të vitit 1081, e përshkruar hollësisht nga pasazhet e Aleksiadës. E mbetur në harresën e kohës, interesi ndaj saj nisi vetëm në vitin 1861, kur në Shqipëri mbërriti historiani dhe arkeologu francez Leon Hezej. I shoqëruar nga arkitekti Henri Dome ai erdhi në Shqipëri i dërguar nga perandori francez Napoleoni III, për të studjuar zhvillimet e luftës civile midis Çezarit dhe Pompeut. Por gjatë qëndrimit në Durrës, Hezej dhe Dome, nuk lanë jashtë vëmendjes së tyre edhe vendet dhe episode e përshkruara nga Ana Komnena rreth betejës normano-bizantine. Pikërisht këto kërkime, së bashku me shumë të tjera, do të publikoheshin në librin e tyre: “Mision arkeologjik në Maqedoni” (1876).11 Midis këtyre tempujve, studjuesit francezë, identifikuan edhe vendodhjet e kishave të Shën Kollit dhe Shën Mëhillit, përkatësisht në veri dhe jug të Durrësit.
“Zbulova teatrin e këtij episodi dramatik që anoi fitoren nga ana e normanëve në fshatin e vogël të Shën Mëhillit të ndërtuar pranë detit në shpatet e para të kodrës së Arapajt”, do të shkruante Hezej në këtë rast.12
Pikërisht këtu, në kodrën e Shën Mëhillit në fshatin Arapaj u përqëndruan edhe arkeologët shqiptarë. Në vitin 1974, ata kryen sondazhet e para duke rënë në gjurmët e një ndërtese kulti.13 Ndërkohë gërmimet e mirëfillta arkeologjike nisën në vitin 1980, nën drejtimin e arkeologut Sali Hidri dhe vijuan për disa vjet deri në vitin 1989. Ato zbuluan një bazilikë me përmasa të mëdha, ndërtuar në shek. VI e cila i kishte dhënë edhe emrin zonës përreth.14
Kjo ishte prova në terren që “identifikoi tempullin e kryestrategut Mihal”, pavarësisht se arkeologët e pranuan një fakt të tillë me rezerva.15 Duke u bazuar në këto rezultatet, kisha e Shën Mëhillit, ishte një bazilikë triabsidale me transept. Me përmasa 65 x 28 m faltorja përbëhej nga naosi, bema, atriumi dhe dy ambiente anësore (funerare), në veri dhe në jug të saj. Gjatë gërmimeve në absidën lindore të kësaj bazilike trekonkëshe u gjetën edhe shkallët e sinthronit dhe gjurmë të afreskeve.16 Për ndërtimin e mureve është është përdorur alternimi i gurëve dhe brezave të tullave të lidhur midis tyre me llaç gëlqereje përzier me zhavorr të imët. Trashësia e tyre shkon nga 1.50 m te absida lindore deri në 0.80 m te muret anësore, ndërsa dyshemeja e ka qenë e shtruar me pllaka të mëdha mermeri, të zëvendësuara më vonë me një shtresë tullash të përmasave të ndryshme.17 Naosi i kësaj bazilike me përmasa 34 x 19.8 m ndahet në tre nefe, ndërsa atrium që ndodhet në pjesën perëndimore të tij ka formë katrore. Me përmasa të brinjëve prej 19. 8 m në qendër të tij ndodhej një pus me diametër 1 m.18
Ndërkohë që anekset në veri dhe jug të bazilikës kanë shërbyer si ambiente funerare dhe janë ndërtuar njëkohësisht me këtë objekt. Nën dyshemetë e tyre ndodhen dy varre monumentale të mbuluara me qemer, të cilat kanë shërbyer për varrosjen e dinjitarëve nga radhët e parisë së dhe titullarëve të kishës, fakt që e tregon trajtimi arkitektonik dhe artistik i tyre.19 Vetëm aneksi jugor është i shtruar me mozaikë të përbërë prej dy emblemash, ku paraqiten vepra me tematika të ndryshme të punuara me një nivel të lartë artistik. Në skenën e parë paraqitet eukaristia në qendër të së cilës është vendosur një enë krateri, një hardhi, dy drerë anash dhe disa zogj. Ndërsa një skenë tjetër me përmbajtje baritore paraqiten dy burra, që me mjetet e punës në duar qëndrojnë pranë tufës së tyre të bagëtive.20 Për t’u veçuar është edhe skulptura dekorative e përbërë nga kolona, kapitele, parapete, pllaka mermeri me origjinë nga Prokonezit.21
Varrosja e dinjitarëve të lartë kishtarë dhe laikë në ambientet sepulkrale të kësaj bazilike dhe nderimi deri në shenjtërim i kultit të tyre, bënë që trupat bizantine të mendonin se do të gjenin shpëtim aty. Ndërkohë që normanët jo vetëm nuk e morën në konsideratë këtë fakt por nuk e kursyen kishën e Shën Mëhillit, e cila pas djegies nuk u rindërtua dhe u braktis nga besimtarët dhe kleri. Si rrjedhim rrënojat e saj u përdorën në shek. XI-XII si vendvarrim pranë të cilit u ngrit edhe një kapelë. Gërmimet arkeologjike zbuluan në rrënojën e bazilikës 59 varre të tipeve të ndryshme. Ata lidheshin me njëri-tjetrin jo vetëm nga riti i varrimit me vendosje kufome pore inventari dhe orientimi.22 Sipas gjasave, varreza dhe kapela, kanë funksionuar deri në shek. XIII-XIV, gjë që provohet nga gjetja e monedhave, enëve të qeramikës dhe atyre të qelqit, të cilat i përkasin kësaj periudhe.23 Më pas edhe ato do të braktiseshin përfundimisht për të pritur kazmat e arkeologëve që do ta risillnin përsëri në fokusin e historisë.

Rrënojat e kishës së Shën Mëhillit
Rrënojat e kishës së Shën Mëhillit

Bibliografia

1-Pierre Milza, Historia e Italisë, SH.B. Dituria, Tiranë 2012, f. 201-202
2-Historia e Popullit Shqiptar, Toena, Tiranë 2002, f. 224; Zhan Klod Faverial, Historia e Shqipërisë, Plejad, Tiranë, 2004, f. 180
3-A. Komnena, Aleksiada, Vëll I, Lib I, 15; Lib III, 12, Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, Tiranë 1975, f. 82-83, 87-89
4-Po aty, Vëll I, Lib I, 15; Lib III, 12, 82-83, 87-89
5-Po aty, Vëll I, Lib IV, 4, 5, f. 93-96
6-Po aty, Vëll IV, Lib IV, 4, 5; Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, Tiranë 1975, f. 93-96
7-Historia e Popullit Shqiptar, Toena, Tiranë 2002, f.224
8-Po aty, Vëll I, Lib IV, 6-7, f. 96-98
9-Po aty, Lib IV, 6, 7, 96-97
10-Po aty, Lib IV, 6, 7, 96-97
11-L. Heuzey-H. Daumet, Mision archeologique en Macedoine, Paris 1876
12-Po aty, f. 365-368
13-Sali Hidri, Rezultate gërmimesh në bazilikën e Arapajt (1980-1982), Iliria, 1, Tiranë 1983, f. 233-239
14-Po aty, f. 233-239; Die frühchristliche Basilika in Arapaj/Durrës (Albanien), Hava dhe Sali Hidri, 2011, Iliria, 1936, Tiranë 2012, f. 508-509
15-Sali Hidri, Rezultate gërmimesh në bazilikën e Arapajt (1980-1982), Iliria, 1, Tiranë 1983, f. 238
16-Po aty, f. 233-239; Sali Hidri, Varret e bazilikës së Arapajt, Iliria, 2, Tiranë 1987, f. 187-204
17-Sali Hidri, Rezultate gërmimesh në bazilikën e Arapajt (1980-1982), Iliria, 1, Tiranë 1983, f. 233-239
18-Po aty, 233-239; Sali Hidri, Bazilika paleokristiane në Arapaj dhe zbulimet e reja në të, Iliria, 1, Tiranë 1986, f. 329-334
19-Sali Hidri, Bazilika paleokristiane në Arapaj dhe zbulimet e reja në të, Iliria, 1, Tiranë 1986, f. 329-334; Sali Hidri, Varret e bazilikës së Arapajt, Iliria, 2, Tiranë 1987, f. 187-204
20-Sali Hidri, Rezultate gërmimesh në bazilikën e Arapajt (1980-1982), Iliria, 1, Tiranë 1983, f. 233-239; Sali Hidri, Bazilika paleokristiane në Arapaj dhe zbulimet e reja në të, Iliria, 1, Tiranë 1986, f. 329-334;
21-Sali Hidri, Bazilika paleokristiane në Arapaj dhe zbulimet e reja në të, Iliria, 1, Tiranë 1986, f. 329-334
22-Sali Hidri, Varret e bazilikës së Arapajt, Iliria, 2, Tiranë 1987, f. 187-204
23-Sali Hidri, Rezultate gërmimesh në bazilikën e Arapajt (1980-1982), Iliria, 1, Tiranë 1983, f. 233-139

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.