back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Beteja për Vlorën – Bujar Leskaj kundër Edi Ramës – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Bujar Leskaj - Kandidat për deputet i Qarkut të Vlorës
Bujar Leskaj – Kandidat për deputet i Qarkut të Vlorës

Beteja për Vlorën – Bujar Leskaj kundër Edi Ramës

nga Gëzim Zilja

“Ç’bëjnë ata Leskot andej nga Vlora mo Damjan?” – pyet gjithë tangërllëk të shtirur kryeministri me prapanicën e rehatur në makinë. Po Damjani është i zgjuar. E di që vallja hidhet ndryshe tani në Qarkun e Vlorës, andaj para se të flasë, bën khë-khë, pastron mirë zërin, që të mos i dalë ndonjë zanore fyese kundër Bujar Leskajt, gjë që do e dëshironte shumë, beu i tij, alias kryeministri. Që kur burri trim, i mençur dhe i sukseshëm i Vlorës, u emërua Drejtues Politik, kryeministri kudo që të jetë: në mal, në fushë, në asfalt, beton, rrugëve të shtruara e të pashtruara, nuk i mbyllet goja e do të pyesë për “Leskon” e Vlorës plot ironi e përbuzje. Do të bëjë të fortin, por në të vërtetë do të mbysë ndjenjën e inferioritetit, që e ndjek e po i mer frymën qysh se mësoi se kundërshtari i tij ishte Bujar Leskaj. Dukshëm kjo ndjenjë i shfaqet kur përballet me njerëz trima, plot dinjitet, jo konformistë qoftë dhe brenda llojit të vet. Nga që nuk i intimidon dot të gjithë, fillon e shet të trasha apo sokëllin e bën gjeste jo normale, me megallomaninë që e karakterizon. Edhe ato veshjet allasoj, që del festave e përvjetorëve nga pasiguria e dëshpërimi i vijnë, dhe sidomos nga frika e madhe e zullumeve, që njerëzia të harrojë dështimet dhe korrupsionin e madh qeveritar, e të merren me kollaret, brekushet turke (jo poture labërie), këpucët, stilolapsat e xhinglat e tjera. Pasi mbaron punë me gazetarët, duke i quajtur kazanë, tepsi, sini, legena e govata (këta sërish i shkojnë në intervista dhe ai prap e prap i shan e shantazhon qënçe) mendon se do t’i ecë edhe me Bujar Leskajn. Po tashmë “shtëpia ka zot.” PD-ja e Vlorës vetëm në mars, ka bërë tre denoncime në prokurori për afera korruptive të qeverisë.
.
Vlora e viteve '30
Vlora e viteve ’30
Mbiemri i kandidatit vlonjat është Leskaj, me origjinë nga fshati me histori Drashovica, nga fis i përmendur për trimëri e besë. Është djali i burrit të respektuar Fahrudin Leskaj, nga zanatçinjtë duarartë të Fabrikës së Çimenos, kampionit në radioamatorizëm dhe trajner i këtij sporti për vite me rradhë. Megjithëse, bashkshorten e humbi herët, ai i rriti fëmijët plot dinjitet e ndershmëri si ia donte sëra nga vinte, duke u bërë nënë e babë njëkohësisht. Qysh në shkollën e lartë, Bujar Fahrudin Leskaj, dashurohet dhe lidhet më vonë me martese me Silvanën, diplomuar në universitetin e Tiranës, një grua e fortë plot sqimë, që krahas rritjes e edukimit të fëmijëve megjithëse e martuar, me një burrë në karrierë, ia ka dalë të vazhdojë edhe punën e saj modeste. Nga kjo martesë, që vazhdon shëndetshëm u lindën katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. E meqënëse jemi te prejardhja, kryeministri është i biri i Kristaq Ramës, skulptor, ish-pjesëtar i udhëheqjes së lartë komuniste në vitet 1980-të, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe mjekes Aneta Rama (Koleka), nga Vunoi, mbesë e Spiro Kolekës, ish-anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Nëse kryeministri mendon se kjo prejardhje 100% komuniste është më e fisme se e Leskajve të Drashovicës gabon rëndë, po nuk është qëllimi i këtij shkrimi t’i hymë historive me komunistët që i shërbyen diktaturës.
.
Bujar Leskaj me të rinjtë demokratë të Vlorës
Bujar Leskaj me të rinjtë demokratë të Vlorës
Në 1986, Edi Rama u martua me Matilda Makoçin aktore, që u shfaq si një yll në kinematografine shqiptare ato vite. Nga martesa lindi një djalë Gregori. Ata u ndanë me gjyq në 1991. Pak më vonë kryeministri i ardhshëm martohet me pedagogen e Fakultetit Histori-Filologji, Delina Fico. Pas gjashtë vitesh Rama ndahet sërish. Më 1998, kur u thirr nga Fatos Nano për t’u bërë ministër, bashkëjetonte me antropologen gjermane Caroline Hornstein, në Tiranë. Caroline ndahet me Ramën më 1999. Po atë vit Rama shihet në krah të moderatores së njohur Rudina Magjistari 11 vjet më e vogël. Edhe kjo marëdhënie përfundon në fund të vitit 2006, pa martesë. Marrdhëniet e Edi Ramës me Lindita Bashën (Xhillari) flitet se kanë filluar aty nga viti 2000. Edi Rama dhe Lindita Basha u martuan më 2010 dhe kanë së bashku një djalë. Të deklaruara gjithsej tre martesa me kurorë dhe dy bashkëjetesa. Nëse Rama mendon se jeta personale e Kryeministrit është me e fisme se e drejtuesit politik të PD-së Bujar Leskaj, (jo Lesko) prapë gabon rëndë. Në jetën akademike, shkollimit e kurseve të kualifikimit brenda e jashtë vendit piktori është shumë larg inxhinierit, ekonomistit juristit (tre diploma) dhe Doktorit të Shkencave Ekonomike.
Por le të shikojmë raportet e tyre me Vlorën këto tetë vjet. Bujar Leskajt dashuria për Vlorën i është ushqyer në familje qysh me qumështin e nënës e deri sa u rrit e u bë burrë. Megjithëse jo pjesë e qeverisë, ai ka qenë i pranishëm në Vlorë, në të mirë e në të keq. Ata që e njohin e dinë se sa ka bërë ai për qytetin e tij, për shtresën e të përndjekurve, për njerëzit e thjeshtë të djathtë e të majtë, për kulturën, librin, kujtesën historike të qytetit, ndihmën e pakursyer ndaj artistëve, shkrimtarëve, poetëve të qytetit e më gjerë, në gjallërimin dhe ripërtëritjen e këngës polifonike, deri në ngritjen e laboratorëve të informatikës dhe dhurimin e qindra librave, bibiotekave të shkollave të Vlorës e rrethinave. Këtë anë shpirtërore të qytetit kryeministri i betonit nuk e njeh fare sepse Ramën shpirtërisht asgjë nuk e lidh me Vlorën. Ai dhe qeveria e tij nuk ka pasur dhe as nuk kanë një plan zhvillimi për Vlorën, Rama gjen bisnesmenë e miq në Tiranë, u jep me kontratë Bregun e Detit, zonat turistike, shërbimet, portin dhe aeroportin sipas kërkesave dhe qejfeve të tyre. Edhe në një copë tokë në Skelë, trashëguar nga Kolekajt, ai ndërtoi pallat 9-katësh në 100% të sipërfaqes, duke zvogëluar trotuarin, e shëmtuar atë lagje të bukur tradicionale, gjithë pemë e trëndafila. Ka bërë dhe ndonjë rrugë, se nuk do i binte fyellit e penelit tetë vjet, por betoni dhe asfalti, që ai ka hedhur kanë ndërtuar një Vlorë, që i shërben atij dhe miqve të tij. Vlora po thahet për një pikë ujë: në verë lagjet e vjetra nuk kanë më shumë se dy orë ujë në ditë, megjithëse taksa u dyfishua. Baj-Passi i Vlorës (ka tetë vjet që “punohet”) nuk u ndërtua; paratë u bën rrush e kumbulla dhe rruga rilindase me rrepe e palma azmatike, Vlorë-Tunel sidomos në verë është një ferr i vërtetë; Pylli i Sodës, mushkria e Vlorës është degraduar plotësisht, lagjet e periferisë janë harruar nga qeveria dhe duket se dhe Zoti po i braktis ata fatkeqë. Shëtitorja e famshme pakësoi me 30% sipërfaqet e gjelbëruara dhe gjithë ujrat e zeza të 25.000 banorëve vazhdojnë e derdhen në det nga Skela në Ujin e Ftohtë, rrugën Selenicë-Peshkëpi nuk e ndërtoi e la gërmadhë, Portin e Vlorës pasi derdhi 30 milion euro, ia bëri dhuratë miqve të vet me PPP. Tani zotohet se do të ndërtojë tunelin e Llogorasë, aeroportin, rrugën Orikum-Dukat (kjo rrugë është gati), Portin e Ri në Zvërnec etj.
.
Pamje e Vlorës në mbrëmje
Pamje e Vlorës në mbrëmje
Edi Rama po ndryshon Vlorën sipas shijes së tij, duke ia humbur identitetin dhe historinë. E la blegtorinë e bujqësinë në ditë të hallit. As u kujtua të subvenciononte institutin e famshëm të ullirit, pemëtarisë e vreshtarisë, flotën e peshkimit apo rehabilitimin e administrimin e kënetës së Nartës, pasuri të mëdha për Vlorën. Por edhe për anën shpirtërore ai bëri zero punë. Nuk rikonstruktoi Varrezat e Luftës së vitit 1920, as atë të dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore, që po shkatërrohen çdo ditë, nuk shtoi as një tullë e asnjë foto në Shtëpinë Muze të Pavarësisë, nuk ndërtoi asnjë shkollë, park pushimi, (pyll orbital thonë rilindasit) muze, (as atë të flotës detare që është gati të Shkolla e Marinës) vepër arti, kinema (tridhjetë vjet pa një të tillë), galeri arti, apo bibliotekë të re.
.
Lungomare e Vlorës
Lungomare e Vlorës
Në fund të tetë viteve, vlonjatët në qytet kanë më pak vende pune dhe më pak lekë në xhepat e tyre. Gjithë administrata është njëngjyrëshe, duke ndarë e lënë pa punë ata që nuk janë rilindas. Turizmi me gjithë tamtamet qeveritare është shumë larg asaj që kërkon koha, megjithëse vlonjatët po bëjnë të pamundurën, që me sforcime të mëdha të ngrenë turizmin familjar. Resortet e Dhërmiut e të Rrugëve të Bardha janë për një grusht njerëzish dhe nuk rrezatojnë në mirëqënien e qytetit. Gjuha e urrejtjes, e përbuzjes, e nënvleftësimit, e logjikës se: vetëm Rama me ballat, spiropalët, me administratorë, drejtues, sipërmarrës e politikanë të dërguar nga Tirana, mund ta bëjnë Vlorën e askush tjetër, është e gabuar dhe larg mendimit qytetar vlonjat. Nuk ka racë të ulët e të fisme në Vlorë, (lesko, gazetarë kazanë, tepsi, kusi) si mendon kryeministri përderisa të gjithë jemi shqiptarë. Gjuhën e urrejtjes, e përbuzjes, e shpalljes së kundërshtarit politik armik, Rama e përdor të mbajë të përçarë vlonjatët. Bujar Leskaj, dhe kandidatët demokratë të Vlorës, shpalosin programin dhe premtojnë vetëm ato që mund të bëjnë dhe që janë në dobi të gjithë komunitetit, pa sharë, denigruar e shantazhuar kundërshtarët politikë. E në këtë drejtim ata e kanë mundur Edi Ramën. Vlonjatët le të votojnë për bijtë e tyre më të mirë qofshin të majtë ose të djathtë. Por jo për Edi Ramën e sektin e Rilindjes, përçarësit e mëdhenj të vlonjatëve, të betonizimit, të shpërfytyrimit e grabitjes së qytetit. Në Vlorë, vendin e bekuar, duhet të sundojë paqja, mirëkuptimi, gjelbërimi dhe fëshfërima e përjetëshme e ullinjve, nespullave, qitrove, limonave, mandarinave e portokalleve, aroma e jodit, zhurma e dallgëve për të gjithë, që vlonjatët, të ndihen pronarë të vërtete e jo të huaj në qytetin e tyre.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.