back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Bianca Balliçi viktima e absurdit dhe e urrejtjes shtazore të komunistëve – nga Ervina Toptani

Gazeta

Ervina Toptani
Ervina Toptani

Bianca Balliçi viktima e absurdit

dhe e urrejtjes shtazore të komunistëve

nga Ervina Toptani

Në kujtim e nderim të gjithe Zonjave të huaja
që u dashuruan fhe u martuan me djem shqiptarë
e që jetuan ferrin komunist në Shqipëri, për hir të dashurisë…
Dedikim Bianca Balliçit

Kur u njoha për herë të parë me historinë e Bianca Balliçit pësova një tronditje të thellë shpirtërore e psikologjike. Kam njohur Zonja të jashtëzakonshme shqiptare që i bënë ballë tmerrit të kmerëve të kuq gjatë diktaturës e që mbeten të paharruara në kujtesën time e dashtë Zoti edhe të shumë të tjerëve. Por Bianca Balliçi, njësoj si Pauline Petrela etj, shtetase të huaja, provuan llavën e urrejtjes në lëkurë sepse kishin kryer një krim të tmerrshëm: kishin dashuruar me gjithë shpirt. Përpos kishin një botë të madhe, ishin intelektuale e jetonin me dinjitetin e punës e përkushtimin ndaj familjes, “krime” të mjaftueshme këto për t’u torturuar në mënyrë çnjerëzore nga shtazët e pashpirt veshur me veladonin e vdekjes, ilustruar me drapër e çekan në dorë.
Bianca Balliçi ishte gazetare italiane, piktore, artiste e cila vjen në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore si korrespondente e gazetës ku punonte. Në Shqipëri dashurohet e martohet me Adem Balliçin, djalë fisnik nga një familje e mrekullueshme qytetare, nga Elbasani.
Në vitin ’46, fillon kalvari i llahtarës për Biancën, bashkëshortin e familjen e tyre. Ata arrestohen, torturohen e burgosen. Bianca nuk e takon më bashkëshortin si pasojë edhe dashuria e tyre përskuqet dhunshëm nga hekuri i zjarrit e torturës komuniste.

Bianca Balliçi
Bianca Balliçi

Bianca ishte ndër Zonjat e para që burgoset në Shqipëri, sëbashku me stërgjyshen tonë, Semiramis Vrionin, dhe për disa kohë ishin të dyja në të njëjten qeli.
Bianca ishte vërtet siç e kishte emrin, e bardhë në shpirt e lëkurë, artiste që e adhuronte të bukurën, i donte njerëzit, me një buzëqeshje plot jetë, me flokë bjondë e sy të mrekullueshëm kaltëroshë.
Pasi e torturuan në hetuesi për muaj të gjatë me akuzën si spiune e perëndimit, dëshira kafshërore e shtazëve komuniste arriti përtej të paimagjinueshmes edhe për mendjet më të sëmura. Biancën e mjerë e varin nga shpatullat, të lidhur në litarë, në një lloj mënyre torturuese (këtë torturë e kanë provuar shumë njerëz të tjerë në këtë periudhë) që pesha e trupit të rëndonte vetëm në një pikë aq shumë sa pjesa e shpatullave dhe e krahëve fillonin e shkëputeshin ngadalë nga pjesa tjetër e trupit, një lloj shqyerje e ngadaltë e gjymtyrëve.
Biancën e lidhën kështu, lakuriq, në mes të oborrit të burgut të burrave ku shumica e të burgosurve ishin miq të saj e të bashkëshortit. Ndër ta dhe gjyshi ynë Qemal Biçaku, i cili e kujtonte si një ndër torturat më të tmerrshme këtë pamje, pavarësisht se ç’tortura pat përjetuar ai vetë.
Bianca e bukur, aq e re, aq e pafajshme, që përveç bashkëshortit nuk kishte asnjëri tjetër të gjallë në Shqipëri, qëndroi me sy mbyllur në acarin e dimrit, me gjakun që kullonte nga trupi e që ngrinte në currila ngjyrë të errët prej të ftohtit. Të gjithë zotërinjtë që vuanin burgun komunist u detyruan prej drejtorit të burgut e gardianëve të dilnin ta shihnin një nga një si dënim këtë pamje, por askush nuk i ngriti sytë lart. Të gjithë qëndronin kokulur me lotët që u rridhnin faqeve. Si mund t’i kërkonin falje Biancës që nuk mund të bënin dot asgjë as për vete e as për të, e më dhimbshmërisht, as për Shqipërinë!

Bianka Balliçi, dinjitoze edhe në oborrin e burgut
Bianka Balliçi, dinjitoze edhe në oborrin e burgut

Shumëkush po atë ditë u torturua sepse guxuan të rebelohen për Biancën, e ndërsa muret e birucave përskuqeshin nga gjak intelektualësh si dënim për mos përlyerjen e tyre në krim, Bianca qëndronte heroikisht e varur, lakuriq, me flokët e shpupuritur që kishin ngrirë nga gjaku, e me sytë e mbyllur duke pritur vdekjen, që nuk vinte. Nuk pushon së rrahuri zemra kur njeriu dëshiron kaq shumë që ajo të mos rrahë më!
Bianca, gruaja me shpirtin e emrin e bardhë, është një ndër ikonat e kalvarit të vuajtjeve e dhimbjeve pa arsye, pa shkak, pa asnjë filozofi mbështetëse kuptimi. Bianca është viktima e absurdit dhe e urrejtjes shtazore të komunistëve antinjerëz ndaj Njeriut!
Në kujtim, nderim e respekt të saj e të shumë Zonjave si ajo që na mësuan me qëndresën e heroizmin e tyre se Njeriu është vepra më madhore e Zotit në tokë e se një Njeri nuk e mposhtin dot as dhjetra shtazë antinjerëzore që Shqipëria pati fatin e tmerrshëm t’i kishte me mijëra në gjirin e saj e që vazhdon t’i ketë ende sot.
Marrë nga muri i Fb i Ervina Toptani, Korrik 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.