back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Biblioteka “Shefqet Musaraj!?” – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Autori Gëzim Zilja
Gëzim Zilja

Biblioteka “Shefqet Musaraj!?”

nga Gëzim Zilja

Biblioteka e Vlorës ka ndërruar disa herë vend. Tani ndodhet diku aty afër qendrës në një ndërtesë modeste. Gjatë egzistencës ka pësuar dy humbje të mëdha. E para është vjedhja, plaçkitja, hedhja në plehra e bibiotekës së Eqerem Bej Vlorës pas ardhjes në fuqi të komunistëve, një pasuri e pazëvendësueshme me vlera të pallogaritshme kombëtare. Hera e dytë është sërish vjedhja, djegia, grisja, e hedhja trotuareve e rrugëve të Vlorës të qindra librave, gjatë muajit mars të vitit 1997, nga turmat e vulgut vlonjat e më gjerë, të drejtuara nga disa intelektualë e politikanë antishqiptarë. Ishin ata që nën maskën e fjalës popull, drejtuan turmat e papërgjegjshme në djegjen e plaçkitjen e institucioneve shtetërore si shkolla, gjykata, bashki, komisariate, muze, biblioteka deri kopshtet e fëmijëve, duke gjunjëzuar shtetin e kryer porositë e segmenteve të huaja ekstremiste antishqiptare. Biblioteka, që nga koha e diktaturës dhe deri sot mban emrin Shefqet Musaraj (1914-1986) anëtar i Partisë Komuniste, që në themelimin e saj dhe shkrimtar i realizmit socialist. Gjatë luftës, ka mbajtur pseudonimet Shkrimtari dhe Çeçua. Nga dokumenatat e arkivit të shtetit (AQSH F 22/ap. V. 1943, D 3/1, f.1-3. Fondi 14 në AQSH) del se veprimtaria e tij kryesore ka qenë informimi mbi gjendjen në qytetin e Vlorës dhe Tiranës për vitet 1943-1944, mbi lëvizjet e krerëve të Ballit Kombëtar, formacioneve të tyre luftarake, demaskimi i gjithë organizatave të tjera si Balli, Legaliteti apo Partia Social-Demokrate, duke i shpallur armiq të partisë. Pjesa më e madhe e letrave që gjenden në Arkivin Qendror i drejtohen personalisht shokut Taras, alias Enver Hoxha. Në to përmenden Gjon Markagjoni, Fiqiri Dineja, Abaz Kupi, Xhafer Deva, Abaz Ermenji, Fasli Frashëri, Ismail Tatzati, Ali Këlcyra, Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, Skënder Muço, Hasan Dosti, Xhaf Bali etj. Shefqeti merrte dhe dërgonte informacion, duke gënjyer e justifikuar çdo veprim të Partisë Komuniste edhe në rastet, kur ai vetë ishte i qartë se vrasjet kryheshin për terror, asgjësimin e kundërshtarëve politikë, që shpesh ishin njerëz të thjeshtë, që nuk ishin dakord me vijën e Partisë Komuniste dhe ndërhyrjen e komunistëve jugosllavë. Në mënyrë të veçantë ai informonte çdo veprimtari të Balli Kombëtar, duke i cilësuar ata në bazë të direktivav të Partisë Komuniste armiq, që duheshin luftuar e asgjësuar me çdo kusht. Edhe kur faktet ishin ne favor të krerëve të Ballit, Shefqet Musaraj me porosi të partisë propagandonte të kundërtën. Ja si informon ai Tarasin për vrasjen e Zejnel Avdurrahmanit në Kaninë. Fillimisht në letrën e tij ai flet mirë për të, si një njeri të ndershëm, i pangatërruar, që shikonte punën e vete pasi ai e njihte mirë. Ai i shkruan Tarasit “…Në qoftë se Zejnel Abdurrahmani është ekzekutuar vetëm si “spiun”, unë deklaroj me sinqeritetin e një komunisti se Zejnel Abdurrahmanin s’ka njeri që ta njohë për të këtillë…”. Por më tej sapo informohet se Zejnel Avdurrahmanin e ka vrarë partia ai shton: “Partia lëshoi komunikatë: Dora a drejtësisë ekzekutoi Zejnel Abdurrahmanin, spiun, provokator i njohur prej popullit. Dhe kështu vendimi u muar, Zejnel Abdurrahmani u vra. Nashti s’na mbetet veçse të bëjmë tonën: Dy duar për një kokë janë…” Shikoni me vëmendje foton ne fund, që është bërë në Smokthinë, Matogjin në vitin 1943, në shtëpinë e Qemal Xhelo Musarajt, djalë xhaxhai i Shefqetit, pas një darke shtruar për miqtë. Fati i tyre ishte i ndryshëm megjithëse ishin miq e kushërinjë. Shefqetin kur e lajmëruan, se Zejnel Avdurrahmanin ishte vrarë nga Partia Komuniste mbajti anën e partisë. Avdul Kuçi një personalitet i kohës, jurist, deputet, në Luftën e Vlorës më 1920 hartoi tekstin e Ultimatumit drejtuar gjeneral Piaçentinit, dhe u caktua prokuror nga Komiteti i Luftës. Më 10 maj 1945, me vendim nr. 12, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e dënoi me vdekje si “kriminel lufte” dhe konfiskimin e pasurisë. U pushkatua më 1945.

Smokthinë, Matogjin, 1943, një darkë në shtëpinë e Qemal Xhelos. Nga e majta në të djathtë Shefqet Musaraj, Zejnel Avdurrahmani, pushkatuar, Abdul Kuçi pushkatuar, Qemal Musaraj vdekur në burg
Smokthinë, Matogjin, 1943, darkë në shtëpinë e Qemal Xhelos. Nga e majta në të djathtë Shefqet Musaraj, Zejnel Avdurrahmani, pushkatuar, Abdul Kuçi pushkatuar, Qemal Musaraj vdekur në burg

Qemal Musarajit, djali xhaxhait të Shefqetit, si fshatar i pasur dhe përkrahës i Ballit Kombëtar komunistët i dogjën shtëpinë qysh në vitin 1943. Në vitin 1945 i sekuestruan gjithë pasurinë dhe e burgosën duke lënë rrugëve gruan dhe dy fëmijë të mitur. Ja një pjesë e letrës, dërguar gruas së vet, që mban datën (janë katër të tilla) 14 maj 1952.
“…Letrën e prillit a e kini marrë apo jo? Ushqimet i kam ngrënë me kohë, i dava me Namikun. Brenda halleve tuaja më ndihmoni edhe mua me pak të holla dhe ndonjë send për të ngrënë. Më dërgoni ndonjë çikë gjizë mase u jep njeri…” (Arkivi MPB Dosja 516, fletë 42.) . I sëmurë, i uritur, pa ndihmë mjeksore, i torturuar fizikisht e shpirtërisht Qemal Xhelo Musaraj dha shpirt në moshën 45 vjeçare, më 18 tetor të vitit 1952, në burgun famëkeq të Burrelit. Ndërkaq Shefqet Musaraj si besnik i partisë komuniste ngjiste shkallët e karrierës. Në vitin 1945, sipas modelit stalinist sovjetik u formua Lidhja e Shkrimtarëve. Qëllimi i saj ishte që gjithë krijimtaria letrare por edhe ajo që studiohej në shkolla të vihej në shërbim të ideologjisë komuniste. Tashmë do zotëronin parullat: E jap jetën për partinë, partia mbi të gjitha, e di partia, me partinë në ballë, plumbin ballit armiqve të partisë etj etj. Në letërsinë e re, të ashtuquajtur e realizmit socialist personazh kryesor ishte komunisti, sekretari i partisë, hetuesi, sigurimsi që lufton e sakrifikohet në emër të ndërtimit të një bote të re, në luftë me armiqtë e brendshëm e të jashtëm. Me porosi të partisë më 1947, Lidhja organizoi Konferencën e Tretë të Shkrimtarëve. Qëllimi ishte të shkarkohej Prof. Sejfulla Malëshova si Kryetar i Lidhjes dhe në krye të vendoseshin njerëzit e partisë. Dhe ashtu ndodhi. Kryetar u zgjodh Dhimitër Shuteriqi, sekretar Fatmir Gjata (autor i romanit famëkeq “Këneta”) dhe Sekretar i Përgjithshëm Shefqet Musaraj. Dr Ymer Dishnica dhe Prof. Skënder Luarasi u përjashtuan nga Lidhja. Më vonë Shefqet Musaraj do të zgjidhej dhe Kryetar i Lidhjes dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në gjithë gjuetinë e shtrigave, që u organizua nga partia dhe sigurimi i shtetit kundër shkrimtarëve përparimtarë do të ishte aprovimi ose firma e Shefqet Musarajt. Së bashku me Fatmir Gjatën, e të tjerë do të ishte nga njerëzit kryesorë të mënjanimit, përjashtimit, burgosjes ose hedhjes baltë mbi Branko Merxhanin, Nebil, Çikën, Petro Markon, Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin, Ali Asllanin, Musine Kokalarin e mjaft të tjerëve. Ashtu si në kohën e luftës kur i burgoseshin e vriteshin shokët e miqtë e tij e nuk tha një fjalë për t’i mbrojtur, ashtu veproi edhe pas luftës. Kur burgosej Petro Marko, dënoheshin e ndaloheshin të shkruanin Mitrushi, Lasgushi, Musineja e Ali Asllani ai mbajti anën e partisë e për këtë u shpërblye me poste e dekorata. Si shkrimtar ai sot hyn në të harruarit… Ai është autor i disa romaneve pa vlerë, që shtrembëronin të vërtetën e luftës antifashiste, glorifikonin figurën e Enver Hoxhës dhe rolin e Partisë Komuniste dhe i thurnin hymne luftës së klasave. Asnjë vepër e tij e realizmit socialist nuk është në qarkullim sot. Madje ai u akuzua rëndë nga kundërshtarët e tij pas luftës, si shërbëtor i fashizmit, nga i cili mori dhe një shpërblim të konsiderueshëm në para, dhe vjedhës i dorëshkrimeve të studiuesit e historianit Ilo Mitkë Qafëzezit, të cilat i paraqiste si të vetat. Dhe për ta mbyllur kur Ali Asllani, Poeti i Madh Shqiptar bënte lutje pas lutje për tu pranuar në Lidhjen e Shkrimtarëve, e më vonë t’i caktonin një pension pleqërie, Shefqeti i përgjigjej që ke biografi të keqe e ajo të pengon. Pyetja ime është: Ç’domethënie ka sot emri i Shefqet Musarajt për bibliotekën e qytetit të Vlorës?
P.S Çfarë kam shkruar më sipër është e dokumentuar dhe mund të jap fakte e sqarime të mëtejshme por kam shkruar aq sa lejohet në një artikull gazete (ose f.b) për të mos lodhur lexuesin.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.