Asht kënaqësi e madhe profesor Roberti,
që energjitë intelektuale të qytetit të Shkodrës,
prej moshash të ndryshme, largësish të ndryshme,
të gjallë e të vdekun, bahen bashkë
n’emën të artit dhe kulturës shqiptare…
e ku ju keni padiskutim meritën tuej!
E përcolla me kënaqësi të veçantë 70 vjetorin
e ngjitjes në qiell të Imzot Vinçenc Prennushit!
Me respekt, jozef radi
.
“Bija shqiptare” me tekst të Vinçenc Prennushit,
e muzikë të Martin Gjokës
dhe mirënjohjes së Eno Koços e Robert Prendushit
I dashur Robert,
Po të shkruaj duke dëgjuar “Bijën Shqiptare” dhe mund të them me plot gojë se jam mrekulluar nga vargjet, muzika dhe inskenimi mjeshtror.
Të lumtë Robert, i ke bërë një ndër të madh qytetit tënd. Ke përjetuar At Vinçencin, At Martinin, por mbi të gjitha i ke treguar muzikës shqiptare se nga e ka burimin nacionalizmi ynë.
Muzikë kombëtare nuk janë temat popullore tradicionale, por është sentimenti kombëtar, përzemërsia, këndueshmëria dhe vargjet aq të fuqishme! Jam emocionuar sinqerisht.
Kjo vepër do të jetojë gjatë, më beso, i dashur Robert.
Fëmijët e të rriturit këndonin aq bukur, Gjoni kishte bërë një punë të shkëlqyer, instrumentistë aq mjeshtrorë, e gjithë trupa e skenës e nivelit me të lartë. Dëgjoja nga e ka marrë Prenka frymëzimin patriotik. Ishte shfaqje e mahnitëshme. Urimet me te përzemërta.
Me dashuri dhe respekt,
Eno Koço
.
Të dashtun shokë e miq,
Kam marrë shumë mesazhe e telefonata përgëzimi për Veprën “Bija shqiptare” ndër ta dhe letrën e dirigjentit dhe etnomuzikologut ma të shquem që kemi sot, Eno Koços, i cili asht gjithë përfshirës në vlerësimin e tij, pra nuk kufizohet se kush e bani veprën, por thekson punën e shkëlqyer të Gjon Ndoc Shllakut me Shoqatën e vet, instrumentistët, kangëtarët, inskenimin nga regjisorja, (e cila, do të shtoja unë, ruejti me kujdes gjenuinitetin e personazheve e unë po shtoj Rita Rankon për vokalin e saj… etj.etj) Ju falënderoj sinqerisht. Por dëshroj të ve në dukje se mbas kësaj pune ka, si gjithnji, njerëz që nuk duken, por janë vendimtarë. Ndër ta due të veçoj z. Luigj Mila, të Komisionit Drejtësi e Paqe, që me intuitën e vet e mbi të gjitha me atë mirësi që e karakterizon pau menjihere në projektin e veprës që iu paraqit nga kompozitori Gjon Shllaku diçka që ja vlente. (E jam i bindun se sa kujdes ban ai me administrue ato pak mundësi ekonomike që ka…!!).
Pjesëmarrja aktive, do të thoja e gëzueshme e kaq popullore e Hirsisë së Tij Massafra-s, por edhe e kryetarës së Bashkisë së Qytetit, ia shtoi edhe ma shumë randësinë e gjithë aktivitetit, ku “qershia mbi tortë” (siç tha z. Mila në fjalën e tij) ishte “Bija Shqiptare”.
Falënderoj edhe z. Filip Guraziu e Mois Banushi të cilët, qysh në fillim, kanë qenë të bindun se 70 vjetori i kalimit në amshim të Imzot Prennushit, duhej përkujtue ashtu si i takon Shkodrës, sepse ishte biri i saj. Dhe ashtu ndodhi. Arti u bashkue me kujtesën historike dhe foli me gjuhën e zemrës.
Kam thanë se: në paraqitjen e veprës në Shkodër çdo gja e bukur, bahet bashkë. E kështu ndodhi. Pra faleminderit z. Luigj Mila e kompozitorit Gjon Ndoc Shllaku e ju lutem që ju të dy, miqtë e mi, te falënderoni edhe gjithë bashkëpunëtorët tuej, n’emnin e familjes sonë.
Përqafime
Robert Prennushi