back to top
4.5 C
Tirana
E enjte, 19 Dhjetor, 2024

Biografi prezantuese e jetës së Mrì Dedjes

Gazeta

Mri Dedja e Merrnacajve - Rrefime t'nji jete - Jozef Radi
Mri Dedja e Merrnacajve – Rrefime t’nji jete – Jozef Radi

Biografi prezantuese e jetës së Mrì Dedjes

Ditën e shtunë, me 16 shtator 2023, në orën 14.00,
në sallën e Konferencave “Nanë Tereza”,
pranë Kishës “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale – New Yorkut,
promovohet vepra… “Mri Dedja e Merrnaçajve” –
Zoja e Hekurt me Shpirt Florini… me autor Jozef Radin
Kush asht i interesuem për librin mund ta gjejë at ditë aty,
dhe krejt t’ardhunat prej shitjes së librit,
kanë me kalue në mbështetje të kishës “Zoja e Shkodrës”.
Familja Merrnaçaj

 

Fletëpalosja e Programit të datës 16 shtator 2023
Fletëpalosja e Programit të datës 16 shtator 2023

***
Mri Dedja, lindi në familjen e Bajraktarit të Vuklit, me 12 prill 1939, kohë kur Shqipëria do të zhytesh nën pushtim e ajo do t’ishte bija e parë e Dedë Nilajt, Bajraktarit të Vuklit. Me nji fmini tragjike, në harkun e pak viteve ajo kishte me pësue humbje të njimbasnjishme, pasojat e t’cilave kishin me e shoqnue tanë jetën. Vetëm pesë vjeçe, ajo hupë babën, axhat, vllanë disamuajsh, dy fmijë të axhave, kohë ma vonë edhe vëllanë tjetër, tue u ba ksisoj dëshmitare tragjedish pafund që nisën me djegien e shpisë me babën brenda… nji barbari e papame, ende e pashkrueme mbasi ajo mbet fillikat me gjyshen e saj Ndoce.
Mrì Dedja s’kishte me pasë adoleshencë, pse 12 vjeçe edhe nana kishte me iu kthye në gjini, me ndjekë fatin e saj, po do të largohej krejt e re nga jeta. Pa mbushë 16 vjetët, Mrì Dedja, do ta shihte vedin të hypun n’kalë tue u futë e dyta nuse n’nji ditë, n’derë të Merrnaçajve të Pshtanit e n’tri vjete Zoti e desh që ajo t’jetë nana e dy djemve të parë të familjes Merrnaçaj, njenin prej të cilëve do ta mbante me djep n’shpinë, natën e tmerrtë t’arratisë, me 22 dhjetor të 1959, kur ajo 20 vjeçe së bashku me krejt familjen, do të ndërrmerrnin aktin ma të guximshëm e njiherit ma rebelues ndaj regjimit komunist, që i kishte vú n’shenjestër me i dënue e masakrue si familje. Mrija do t’ishte pjesë e 9 antarve të Merrnaçajve, që midis dimnit, me 200 krenë bagëti e gjithçka kishin ma të shtrenjtë mbas shpirtit, kishin me u arratisë drejt Malit të Zi, ku falë ndihmës së Zotit e Orëve të Kelmendit, do t’ia dilnin asaj nate tmerri.

Mri Dedja e Merrnaçajve
Mri Dedja e Merrnaçajve

Në harkun e 15 vjetve, Mri Dedja e Merrnaçajve do t’ishte nanë e 6 fëmijëve të lindun në tri shtete: dy djemve në Shqipni, nji djali e nji vajzë të lindun n’Mal të Zi edhe dy vajzave t’leme n’Amerikë, tue kenë dëshmi e asaj odiseje emigrimesh në kërkim të lirisë. Me nji jetë plot me sakrifica, shpejt shpia e Marash e Mrì Merrnaçaj do t’ishte porta e hapun e mikpritjes shqiptare, ku do t’prisnin, përcillnin e mbështesin çdo njeri në nevojë e pafundësisht. Janë të shumtë ata që i kanë trokitë kësaj dere, ku kanë jetue e kanë hangër bukën e duerve të ksaj malsoreje fisnike.
Në moshën 51 vjeçe, ajo do të humbte djalin 30 vjeçar, Nik Merrnaçajn, Nishin e saj të dashtun, i cili kishte dalë në krye të protestave në kërkim të lirisë për popullin shqiptar. Mrì Dedja do ta vuente me dinjitet humbjen e djalit të saj, mbasi akti i tij shpejt do të merrte vlerësime të nalta prej shtetit amerikan, po edhe prej shtetit shqiptar po ma së shumti prej krejt atyne që e njifnin Nishin dhe historinë e familjes Merrnaçaj.
Sot Mrì Dedja e Merrnaçajve asht në kufijtë e 85 vjetve, ajo asht nanë e gjashtë fëmijve të realizuem, pse Nishi për të asht i gjallë e ky libër kushtue edhe atij, dëshmon ma së thelli kët gja, po ajo asht edhe gjyshe e stërgjyshe e nderueme dhe respektueme prej gjithkujt. Ajo mbetet nji malsore epike e paepun në betejën e saj me jetën e me fatin, pse forca shpirtnore e besimi i palëkundun në Zot ia kanë ba ma të lehta vuejtjet e shumta kësaj zoje, simbol të grues shqiptare, e ma me dritë jetën e familjes saj që sot mbas humbjes së Marashit asht e shtrëngueme e gjitha rreth figurës së saj…
(përgaditi jozef radi – shtator 2023)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.