back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Bizantizmi – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Bizanti
Bizanti

Bizantizmi*

nga Artan Kafexhiu

Në Athinën klasike, thuhet se të diturit dhe filozofët, nuk njihnin autoritet tjetër mbi kokë, veçse diturinë dhe mendjen e tyre. Bisedat dhe debatet e tyre zhvilloheshin në hapësirat urbane, sheshe, të rrethuar prej turmave kurioze. Grumbullimet ishin demokratike. Në sheshet publike mund të hasje të gjitha shtresëzimet e Athinës; skllevër, tregtarë, artizanë, çirakë, endacakë, ushtarë profesioniste e mercenarë, lajmëtarë, njerëz të aristokracisë apo funksionarë lokalë, priftërinj e shërbyes të tempujve paganë, e deri tek diktatorët. Nuk kishte podiume dhe auditorë të posaçëm, ku shpalleshin të vërtetat dhe gënjeshtrat e kësaj bote. Nuk bëheshin ftesa të veçanta, as nuk shiteshin bileta për të sponsorizuar debatet, që bëheshin në qiell të hapur.
Në Konstandinopojën bizantine ishte e pa imagjinueshme një jetë publike e ngjashme. Shkëmbimet publike ishin ceremoniale. Shfaqeshin si dekrete perandorake, që lexoheshin në të shumtën prej peshkopëve apo priftërinjve në shërbesat meshtare të mëngjesit.
Po dialektika dhe sofizmi athinas? Ekleziastët bizantinë debatonin mes vedit rreth temave të rënduara prej zhargonit metafizik kishtar. Gjuha rrotullohej në të shumtën rreth natyrës të Krishtit. Analizat dogmatike rreth unitetit triniak të Atit, të Birit, e të Shpirtit të Shenjtë, trivializonin deri në cingërima bajate tematikën më për zemër, marrëdhëniet midis Krishtit e të Atit të tij, Zotit.
Po për njerëzit e zakonshëm? Që kur natyra dyshuese athinase, kishte futur e pranuar Krishtin në realmin e vet, duke përqafuar përfundimisht fenë kristiane, debatet ishin të një natyre tjetër. Eruditët e filozofët nuk i shihte më drita e diellit. Pasi kishin hedhur mbi vete rasën ekleziaste të ortodoksisë, kishin humbur në mugëtirën e lagësht të qelave monastike. Bisedat bëheshin vesh më vesh, pas një dite të lodhëshme kopjimesh doracakësh ungjillore.
Ndërkohë, në pazaret e Konstandinopojes, shesheve, debati zhvillohej mes njerëzve të thjeshtë. Pas përshëndetjeve të zakonshme, pyetjeve rreth shëndetit e familjes, rënies dakord për çmimin e shërbimit, pas shkëmbimit të mallit, skepticizmi e sofizmi i dikurshëm ishte zbutur në atë pikë, ku momenti kulmor, më pasionant i debatit, sillej rreth dualizmit të Krishtit, dyllojshmërisë të natyrës të shfaqjes së tij.
-A ishte me gjak e me mish, njëlloj si berberi apo zarzavateshitësi(mes të cilëve përsëritej në mërziti ky debat)?
-Apo, mund të shfaqej edhe në natyrën e tij hyjnore, teksa pritej të zbriste një ditë, në shenjtërinë e tij, drejt prej eterit qiellor që varej mbi kokat e tyre?
Diskutime të tilla mes hamejsh, artizanësh e njerëzish të thjeshtë, dilnin shpesh herë nga binaret e dogmës dhe rrezikonin të damkoseshin me fjalën e tmerrshme që i druheshin të gjithë, – herezi(në). Një damkë e tillë, ishte tepër e kushtueshme, një lloj mallkimi. Sillte dënime të rënda, deri edhe vdekje. Dekretet perandorake, nuk mjaftonin për të ruajtur unitetin dhe ortodoksinë. Duhej doemos që njerëzit të ndëshkoheshin. Hija e frikshme e perandorit papnor, i detyronte njerëzit t’i mësonin përmendësh, si të ishin urdhëresa zyrtare, të gjitha komandamentet doktrinale.
Dekretet kishtare perandorake formalisht merrnin aprovimin e këshillit të lartë të prelatëve ortodoksë. Rreziqet për perandorinë ishin te përditshme. Dekretet shpallnin çdo zë, opinion ndryshe, apo të kundërt, si herezi. Megjithë autoritetin e padiskutueshëm të perandorit me këshillin e ngushtë ekleziast, diskutimet nën zë, në shurdhësinë e tyre fillonin jetën e vet të nëndheshme. Urdhëresat (komandamentet) doktrinale, pavarsisht hijes e dorës të rëndë të kishës-shtet, nuk mund të shmangnin, apo heshtnin krejtësisht shpërthimet e herëpashershme të herezisë në krahinat, apo qendrat e ndryshme ortodokse.
Vetë herezitë ishin të veshura me një fjalor të mbingopur ekleziast. Dëgjoheshin si të ishin zëra, që vinin nga nëntoka. Ishin zërat e protestës. Kështu ishin shfaqur kristianët dikur, duke jetuar si hije, të fshehur në galeritë e nëndheshme. Në fakt, protestat i drejtoheshin absolutizmit dhe centralizimit të pushtetit prej një perandori, që predikonte pushtetin e vet nga maja e pulpit papnor të kristianizmit ortodoks.
Kristianizmi, nëpërmjet protestave te tilla përçohej si besim individual. Nxirrnin kokën edhe kërkesat me ngjyrime politike. Ambicia dhe dëshira per ndryshim, nuk mund të kamufloheshin lehtë. Të tilla anomali doktrinale shiheshin vëngër dhe me shumë zemëratë prej qendrës, Konstandinopojës. Njerëzit rrezikonin të humbisnin qytetarinë, helenizmin dhe kokën, nëse hezitonin sadopak besnikërinë e verbër që pritej prej tyre.
Në çështjet e mendjes, bizantizmi grek, i ngjante më shumë një anestezisti, se sa një disiplinuesi të mendjes. Bizantizmi nuk ngjante aspak me trainerin e rreptë të gjimnazeve të Athinën antike. Zelli i tepruar i anestezistit bizantin, nuk linte hapsira për gjimnastikën intelektuale të mendjes. Praktikimi i përditshëm i dogmatizmit të thatë indoktrinues, krijoi një topitje edhe tek mendjet më të lira e më të kthjellta, shkaktoi një anestezi të përgjithshme, mpirje të imagjinatës dhe intelektualizmit sekularist të mbijetuar të antikitetit.
Pavarësisht traditës të pasur, shkenca dhe literatura u kthyen në ushtrime formale, plot lajle e lule, të mbytura në një frazeologji boshe. Literatura kishte humbur lirshmërinë dhe freskinë. Në rrethet elitare të mësuara të Konstandinopojës, çdo shkëndijë shpresë ishte fikur. Diskutimet tipike prej profesoresh provinciale si stërzgjatje monologësh të mërzitshëm, nuk mbarsnin asnjë ide.
Monotonia e dogmës kishte zëvendësuar çdo formë debati. Jetohej në një agoni mendore. Shpresa dhe shpëtimi assesi nuk gjendeshin në tokë. Të ngërthyer në një kllapi të tillë, njerëzit e perandorisë, të frikësuar, pa rrugëdalje, praktikonin një lloj shamanizmi më vete, krejt private; të folurit me veten. Supersticioze për shkak të pafuqisë të tyre, njerëzit ngroheshin prej ndriçimit të vakët të qiriut të shpresës kristiane.
Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu
*Termi Bizantizëm ka konotacione negative në kulturën perendimore, dhe është i lidhur pazgjidhshmërisht me Ballkanin si trashëgimtar natural i veseve kulturore-politike bizantine. Perandoria osmane përvetsoi teknokracinë, burokracinë, sistemin feudal bizantin, indoktrinimin fetar dhe shkrirjen e shtetit dhe fesë nën një flamur, nën skeptrin e sulltanatit.
Është intriguese e ironike njëkohësisht, që simboli kombëtar i shqiptarëve ka trashëguar emblemën bizantine, shqipen me dy krena, për të cilën ne vazhdojmë të krenohemi me një naivitet të pashoq historik.
Jacob Burckhardt, një historian me influencë në shekullin e 19të, ndante pikëpamjen e Edward Gibbon, shkollarit dhe historianit të famshëm britanik: “Në majë ishte despotizmi, fuqizuar pakufi nga bashkimi i kishës me pushtetin civil; në vend të moralit, impononte ortodoksinë, në vend të të shprehurit pakufi dhe të demoralizuar të instinkteve natyrale, hipokrizia dhe të shtirurit; nën syrin e despotizmin ushqehej lakmia nën maskaradën e varfërisë, dhe një dinakëri e thellë; në artet religjioze dhe në literaturë dallohej një kokëfortësi e pabesueshme, në përsëritjen e vazhdueshme të motiveve tejet të vjetëruara.”
– Jacob Burckhardt, The age of Constantine the Great
© Artan Kafexhiu
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.