back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Blasfemia Lirike e Migjenit – nga Prend Buzhala

Gazeta

Prof. Prend Buzhala
Prof. Prend Buzhala

Blasfemia Lirike e Migjenit

nga Prend Buzhala

(Ese me shkas – Lexime poetike: poezia “Blasfemi” e Migjenit)
Sa shumë kemi bashkëbiseduar me vargjet e Migjenit nëpër kohë të errëta! Gjithçka migjeniane e merrnin si të vërtetë të pamohueshme edhe për kohën tonë. Erdhën do kohë të tjera dhe sikur e braktisëm atë, por nuk kishim si ta braktisnim të vërtetën që po na rrethonte… të vërtetën e fatkeqësisë sonë ekzistenciale karshi lumturisë së predikuar klerikale për një tjetër botë. Ai, kundruall anatemës fetare, fuste anatemën e tij letrare; kundruall realitetit. 
Migjeni - "Vargjet e Lira" 1944 - Ismail Mal'Osmani
Migjeni – “Vargjet e Lira” 1944 – Ismail Mal’Osmani

1. 

Te Wikipedia, në njësinë: “Afetaria në Shqipërië, lexojmë: “Afetaria në Shqipëri u shfaq pas një periudhe të antiklerikalizmit dhe shekullarizmit në kontekstin e rritjes së nacionalizmit shqiptar gjatë periudhës Osmane. Në periudhën e vonshme të Perandorisë Osmane, nacionalizmi shqiptar i shtyu shqiptarët që të linin mënjëanë dallimet fetare dhe nxiti diçka që shumë historianë e quajnë ‘fenë civile të shqiptarizmës’. Poezia e famshme ‘Moj Shqypni’ e Pashko Vasës i kërkonte shqiptarëve të ‘mos shikoni kisha e xhamia: Feja e shqyptarit asht shqyptaria!’ Rilindas shqiptarë të shekullit e 19-të si Faik bej Konica, Jani Vreto dhe Zef Jubani ishin kritik në retorikën e tyre ndaj feve dhe klerit, (Faik Konica shkoi deri në atë pikë sa të thoshte “Më vjen për të vjellur nga çdo fe”), por avokati i parë i braktisjes së fesë qe publicisti dhe revolucionari Ismet Toto, i cili në 1934 shkruajti polemikën “Grindja me Klerin”. Ky i fundit u pasua nga Anastas Plasari që shkruajti veprën “Sëmundja fetare” në 1935. Poeti i njohur i asaj periudhe, Migjeni, shkruajti poezinë “Blasfemi” e cila kishte nota të theksuara kritike ndaj fesë.”
Kjo do të thotë se para Migjenit kishte një traditë të tillë e rrymë të tillë mendimi. Kur e shkroi poetzinë “Blasfemi”, në Shqipëri tashmë kishte një letërsi të tërë kundër të gjitha strukturave shoqërore: kundër shtetit, kundër institucioneve të tij, kundër superstrukturës së tij dhe kundër fesë. Migjeni zë shkas te religjioni dhe del te qëndrimi kritik kundër shtetit shtypës, feudalizmit e patriarkalizmit që e mbajnë në këmbë errësirën dhe vetëdijen e ulët shoqërore. Ai demonizon majtas e djathtas “shkaktarët e mejrimit”. Aty është “Kanga skandaloze”, aty është “Parathanja e parathaneve”. 
Migjeni i takon fazës së modernitetit letrar shqiptar. 
Do theksuar se ai ishte i njohur me teologjinë biblike, meqë kishte diplomuar në atë fushë. Migjeni i Mbinjeriut apo i Vetmisë, i kundërvihet Migjenit misionarist (shih prozën “Dy Milloshët”). Uni i tij i përçarë, përjeton një dramë të vërtetë. Sadik Bejko, te punimi i tij “Migjeni midis niçeanizmit dhe mesianizmit”, pohon: “Migjeni do ta ndërtojë me frymën e mitologjisë kristiane, biblike. Mitemat agim i pritun, ditë e parathanun, jetë e re, jetë e re me vdekjen e njeriut, ditë e re, qiell i ri etj. janë si të nxjerra nga Letra e dytë e Shën Palit apo nga libri Apokalips i Shën Gjonit. Këto nuk janë as retorikë, as trill mesianik, janë frymë e kulluar ungjillore, të cilën e kanë braktisur edhe vetë praktikat hierarkike të strukturave religjioze kishtare. Mesianizmi është ide metafizike e predikuar nga gjithë profetët hebraikë,
ide e gjallë edhe sot tek ‘populli i Librit’”. Vlerësimi i tillë i përmbys ato vlerësimet socrealiste për ateizmin e Migjenit. Kurse studiuesi Shaban Sinani këtë aspekt e sheh të përputhshëm me tekstet biblike në dymbëdhjetë shkallë (studimi i tij “Teksti biblik në veprën e Migjenit”), duke theksuar leksemat në plan krahasues biblik te poezia “Blasfemi” (Blasfemi, shejtni, lutje, zhgun, shkëlqen shejtnia mbi zhguna). Vetë leksema Blasfemi është me burim teologjik të krishterë. 
2. 
Përse Migjeni kalon në anën e “Blasfemisë”!?
Po e vështruam në planin tekstual, dy herë përsëritet vargu “Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime…” Herën e parë, këto janë “kujtime tona”, herën e dytë janë “kujtime të fetarve”. Janë si ato dy skajet e një litari te “Kanga skandaloze” (“Unë dhe ti, murgeshë, dy skaje po të një litari/ të cilin dy tabore ia ngrehin njeni-tjetrit”). Ky opozicion figurativ-shprehës, ekspresiv, shtrihen gjithandej në veprën e Migjenit, për qëllime stilistike, por edhe semantike e ideore, për të spikatur a përforcuar konceptet e kundërta, a situata psiko-jetësore antitetike-kontrastive. Më saktësisht, ashtu sikundër thuhej në antikë: gjendjet e rregullimit agonistik të shoqërisë (agon- është konflikti, veprimi, agonisti është aktori, protagonisti është aktori kryesor, antagonisti është oponenti, rivali). Migjeni e aspironte pikërisht këtë zë oponent! Këtë zë plural, së paku, edhe për ta sharë, siç e thotë vetë Migjeni. Por ky pluralizëm shuhet nën trysninë e regjimit zogollian: s’ka më mendim, s’ka më lëvizje, gjithçka shndërrohet në izolim, në vetmi, në gjendje të pashpirt (poezia “Vetmija”). Kurse këtë aspiratë për pluralitetin, zërin oponent, ai e shfaq në shumë krijime (dogmatët socrealsitë do të thoshin: ai aspiron “idetë komuniste”). 
Porse shoqëria është e shurdhër. Aleatë të kësaj shurdhësie janë edhe institucionet e fesë:
E çka mund të dëgjojë në një botë të tillë vetmie kaq sfilitëse? Heshtja është e plotë, qetësia është vrastare. I rrethuar me përbuzjen, urrejtjen, mërzinë, ajo vret më së shumti, është shurdhësia. E dimë si ndjehet një njeri që nuk dëgjon, për së paku për të, janë krijuar jo pak kanale të tjera komunikimi. Por, nëse një botë e tërë është e shurdhër (që nuk merr vesh a që nuk dëshiron të marrë vesh), a thua, cila shqisë i mungon asaj? 
Së këndejmi, poeti e do thyerjen e një situate të tillë. Nuk është kjo, ajo vetmia e dëshiruar për ngritje shpirtërore, as ajo e dëshiruar për vetënjohje, as ajo e kërkuara për paqe e qetësi të brendshme. Jo. Është një vetmi e imponuar, e dhunshme. E, vetmia e tillë sjell vetëm vuajtje e dhimbje. Mërzi, përbuzje, urrejtje. Është përvojë e hidhur. Folësi lirik i kësaj poezie (protagonisti: “kujtimet tona”), ashtu si edhe antagonisti (oponenti: “kujtimet e fetarve”) janë ëndërrimtarë: si duhet të zgjidhet kjo situatë fatkeqe? Secili aspiron sipas së vetes. Të dy palët e dinë që diçka ata po i vret. Dhe a thua, a kanë frikë të përballen me të vërtetën e jetës? Migjeni e bën hapin e parë të oponencës së tij: 
Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.
Pra, “pala tjetër”, duke u mbërthyer në lutje, nuk i zgjidhi problemet. 
Aktuale edhe për sot?!
A thua, sot, a e zgjidhin problemin e zhvillimit ekonomik tempujt fetarë?!
A thua, a e zgjidhin problemin e papunësisë?!
A thua, a e krijojnë lumturinë sociale?!
Paj, kur e hedhim religjionin në fushën e politikës, apo kur politika do me çdo kusht të hyjë në prehrin e religjionit për interesa elektorale; atëherë gjërat ngatërrohen. Migjeni nuk është aleat i politikës, të dytët, paradoksalisht po! Ëndërrimtari i mirë i kësaj poezie ka humbur shpresën: e ka humbur edhe Migjeni, por edhe “pala tjetër”; ëndrra është e vrarë. E kaluara (“kujtimet tona”/ “kujtimet e fetarve”) vret. Vret së brendshmi, pa e rpekur strukturën e kalbur të shoqërisë. Sa larg qëndrojnë nga ky realitet këto “dy palë”! Si në skajet e një litari, duke tërhequr secili nga e vetja, kurrë pa u marrë vesh! Kur Tjetri tërheq në litarin e tij, Migjeni shpërthen në revoltë: hej, quo vadis? Kah po shkoni përballë këtij mjerimi: 
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme…
O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!
3. 
Piktura është ideale, por sfondi i saj është i strërvjetëruar, “ndër vende të mjerueme”. 
Gjithçka është prishur. S’ka më idil: mungon lidhnia e dikurshme. Mungon dashuria e madhe që lidh dy palë. S’ka më as paqe. S’mund të ketë harmoni shoqërore me kontrastin kaq të madh: 
Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme…
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke…
Tashmë krahas figurës së opozicionit lirik, strukturohet figura e gradacionit nëpërmes blasfemisë. Në art, përtej një blasfemie, qëndron edhe figura letrare e invektivës. Invektivë do të thotë Sharje, sulm, denoncim, fyerje… Invektiva është figurë me ngjyrim stilistik e satirik. Termi shënjon të folurit me fyerje, apo shkrimin e tillë që sulmon, shan, denoncon, fyen a gjykon personin e caktuar apo temën a institucionin e caktuar, duke përdorur gjuhë negative… invektiva në letërsi mund të ketë vlerë artistike (si te “Mbreti Lir” i Shekspirit, nën ndikimin e të cilit Noli shkroi marshet e tij satirike-poetike); apo Migjeni me figurat e tij blasfemike; apo toni i hidhur artistik denoncon abuzimet e figurave politike te sa e sa poetë të sotëm… Invektivën a sharjen me efekte artistike, e hasim në poezinë e Podrimjes e të shumë krijuesve tjerë;… haset që nga antika e këndej. Ndërkaq, shkrimtari Ramiz Kelmendi shpesh ka shkruar për këtë fenomen, tek analizat e studimet e tij për satirën dhe polemikën. Shkrimtarët kanë të drejtë në përdorimin e kësaj figure për hir të një vizioni të së ardhmes e të çlirimit nga një gjendje injorancën a vetëdijeje të ulët. A thua, ishte përfundimtare kjo ndarje e Migjenit nga “kangët e degjenrueme”!? tashmë opozicioni është i plotë, skajshëm i strukturuar. Të gjitha palët duan ta kenë zërin e tyre të zgjimit. Njëra palë synon arratisjen nga problemet e jetës, një tërheqje në skutat e rehatshme të lutjeve, për t’i shëruar dëshpërimet e jetës, për ta mundur trishtimin me anë të ringjalljes së shpresës përmes një shejtnie mbi zhguna a mjekra hoxhallarësh 
Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!
A është ky zgjim i plotë? Premtimi i agimit nuk sjell gjë të mirë, kur ngatërrohen zërat e zgjimit (“Tingujt e kumbonës ngatërrohen me zanin e kasnecit”). Niçe do të thoshte: “Secili dëshiron që i gjithë shpirti i tij të jetë lajmëtari, ai dëshiron gjithë fuqinë tuaj në zemërim, urrejtje dhe dashuri!” Ky premtim për dritë hyjnore, jetë të re a emancipim, është i gënjeshtërt. Shoqëria nuk bëhet më e shenjtë, përmes premtimeve mashtruese. Maskat hiqen: ata që predikojnë lumturinë, qëndrojnë përpara derës së ferrit. Kurse revolta përshkallëzohet skajshëm:
Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë-simbojt e shpresave të humbuna
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëndueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna.
Shekspiri këtë ngushëllues të botës e sheh me ecje të lodhur. Lajmëtari engjëllor i mijëvjeçarëve endet mbi zymtësinë e realitetit, i mbërthyer tek dera e ferrit. Ndërsa mediet, parlamenti dhe politika tashmë janë shndërruar në farsë (qesharake), poeti shtron pyetjen: e çfarë na është një kushtetutë kur miratohet dhe atë nuk e respekton askush dhe nuk e detyron askënd ta zbatojë?! Kështu, për realitete të ngjashme, dikur në shek. XIX, kishte rezonuar edhe Lysander Spooner, një filozof amerikan, eseist, shkrimtar pamfletesh. Le të na kujtohen farsat e Molierit. Farsa ka mjetet themelore të intrigës së saj: mashtrimin dhe pabesinë. Farsa moderne nuk na shtyn të qeshemi… sepse ajo përafrohet me tragjikomiken. “Parlamenti është farsa më e gjatë në fund të Perëndimit” thotë Cyril Smith. Kur merr fund imagjinata poetike, realiteti shndërrohet në cirk të vetvetes, në ringishpil. Është thënë dikur moti: “Historia përsëritet gjithnjë dy herë. Herën e parë si tragjedi dhe herën e dytë si farsë” (Karl Marx). Tashmë na qenka Koha e farsës… A mund ta akuzojmë Migjenin përse gjendet në lektyrë shkollore?! Apo ta akuzojmë e ta dërgojmë në gjyq secilin mësimdhënës të letërsisë që e lexon këtë poezi para nxënësve?! 
Koha e tillë po ndahet me gazin e vetvetes… Poeti e ndan gazin e tij gjithë helm, me të tjerët. Por helmin e shpirtit të hidhur, e mban për veten e tij… 
(16 gusht 2021)
 

Migjeni - Millosh Gjergj Nikolla (1911-1938)
Migjeni – Millosh Gjergj Nikolla (1911-1938)

Migjeni  – Blasfemi

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.
Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme…
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke…
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme…
O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!
Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!
Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë-simbojt e shpresave të humbuna
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëndueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.