back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Blaspoema… nga Erina Çoku

Gazeta

Erina Çoku
Erina Çoku

Blaspoema…

nga Erina Çoku

Erina Çoku, asht ndër lojcaket ma të rafinueme dhe ma të ambla të poezisë shqipe; asht shembëlltyra ma e plotë e grues-adoleshente që kur shifet në pasqyrë të vargjeve të veta s’gjen askënd tjetër përpos vedit n’ato përmasa që aq trishtueshëm flenë mbrenda saj, e që aq ambël mbrrijnë ndër sommelierë pijesh të rralla poetike. Nëse më duhet me i justifikue këto që po shkruej do të thoja: Ja kjo Blaspoemë… asht ma e fundmja pasqyrë e shpirtit të saj!
Po çka asht blaspoema?
Simbas meje, asht nji pëlhurë e endun me fill të hollë dashnie, poezie dhe ironie prej nji Penelope moderne që nuk pret asnji Uliks me u kthye… thjesht Ajo Grueja bisedon me ma të Madhin e të Mëdhejve, Zotin vetë, me nji frymë e fjalë sa pagane aq edhe moderne, me nji gjuhë krejt të vetën sa landore aq edhe universale; duke u shfaqë sa shenjtore e pafajme aq edhe djallushe e pashoqe… e ku duket sikur krejt Librat e Shenjtë, qysh se janë nisë me u shkrue e deri në ditë të sodit, janë sjellë rrotull ksaj blaspoeme, ku pëlhura e endun me shpirtin, dhimbat dhe ironinë e nji grueje, kapërcen at çka ne kemi mendue kur i jemi futë leximit të këtyne pak vargjeve po me nji densitet të thellë mendimi e kuptimi.
Kjo poemë e rrallë, e endun me andrrimet, përfytyrimet e trazimet e nji djallushe hokatare na jep mundësi me mendue e me shkrue shumçka, po unë mendoj me u ndalë me kaq, pse asht ma mirë me e lanë në lexim të gjithkujt at çka ai ndjen e çka i vjen prej këtyne vargjeve të shkrueme me nji gjuhë jashtë çdo kornize e rregulli, e që s’mund t’ishte ndryshe pos gjuha e kësaj Penelope moderne, që ndërsa end pëlhurë poetike, i flet Zotit të Madh, që flen edhe ndër trupa të imtë, që shumkujt s’ia mbushin mendjen…
jozef radi, 19 prill 2018
.
Nefertiti dhe Akhenaton - arti egjiptian
Nefertiti dhe Akhenaton – arti egjiptian

Blaspoema…

Ka dal gruja me taku’ Zotin
n’mjêdis t’udhs muzgu râ
me dâ mendt, me mbledh motin
m’i gjet jetes breg e an’.
 
Grue grue çka po pret
râ n’menime çka po pvêt’
po pvêt zotin me kallzue
si mâ mir â me jetue.
 
Prite Zotin se po vjen
ene tâna po t’i bjen
prite hyun se po t’gjen
t’keqen t’merr, t’miren t’len.
 
Ai vet ka me t’kallzue
si letohet kry’t e rând
ai vet ka me t’diftue
uj, ajer ene lând.
 
Prite Zotin se po vjen
prej eteri dalkadal,
n’krye t’shtegut te po t’gjen
me i nrru me ty do fjâl.
 
Ka dal Zoti me taku’ grun
ka pvêt Pjetrin kah me shkue,
aj tri her ka ngatrru udh’
tri her pvêt kah m’u drejtue.
 
Heu ju njerz ç’paski bâ
kurrgjâ n’kamb s’kenka mâ
kurrgjâ s’gjej si e kam lan
kurrgjâ s’asht si e kam than.
 
Fryms n’mue ju perngjâ
me durt t’mia ju kam gatu’
porse dheu lamsh â bâ
nuk njof mal, nuk njof fush’.
 
Ka dal Zoti me gjet grun
me marr vesh çka e ka gjet’
asht i bindun se m’e nihmu
ka me ken krejt e leht’.
 
E po vjen kadal ky Zoti
terezin’ pa e prish kurr
Hijerand si ka kên moti
Hijerand kreshnik e burr’.
 
E gjet grun tuj ofshâ
Vetun krejt ajo po rri
diten nata ia ka perlâ
naten dita ia ka perzi.
 
E njikshu jasht kohe mbet’
gru e Zot si per kuven’
t’dy bashk na jan gjet’
jep e merr dy pare men’.
 
Gru e vocerr a m’ke thirr?
Pveti aj me za te rand.
Çka po don ti me dijt’
ta baj t’leht un fatin tand.
 
Pse me mue (t’kam vu re)
jep e merr ti mija fjâl
tu perpush sikunder je
diell me shi e dhê me hân.
 
Zot i madh a m’ke thirr?
pveti ajo nan zâ leht.
Çka po don ti me dijt
n’fjal saora ta permbledh’?
 
Pse prej meje (kam vu re)
fjal veç fjal ti don me shkêp
dhe pse din (tan mend si je)
se prej shpirti ato i ‘xjerr.
 
Dhe pse din se n’mish jam fjala
fjala bre si qe e para,
dhe pse din se fjal jam n’frym
bahem zjarm e t’mbloj me tym.
 
Njashtu vêt si m’ke krijue
n’magjen tande kur m’ke mbru’
e me frym’ m’ke frymue
rrno moj grue, rrno tu knu’.
 
Un veç pytem pa pergjigj’
e pergjigjem bash kur t’pys
se nuk di si me dijt’
çka din ti e çka din yjt’.
 
Po ku ishe ti ateher
kur un sak t’kam kerku
e nuk çile prag as der
e nji zâ s’lshove per mu?
 
Ktu n’pakohen e kohs ngrime
ktu n’udhkryqen e dit’s time
ktu-atje ksaj udhe shkue
ke ardh ti m’u madhnue?
 
Tash si m’gjete flatrakput’
tash si m’pe zemerthy’w
tash si balta jote e but
me lott t’mi asht ushqy’.
 
Tash çka don ti me ndreq?
me u bâ ma i miri n’t’mir’?
Çka prej dhêmtes po na heq
çka letohet n’t’vshtir?
 
Prite Zotin se po vjen
prite tash qe ku erdh.
Prite ndije tu t’bekue
zemren tânde tu dashnue.
 
Bash ‘ikshu shpesh kam thân
syt largpam vijes matân,
po sot ty po t’shoh nan vetull
ti me uj m’ke bâ ‘i gjys-petull.
 
Sidoqoft mrî s’po t’mbaj
tant jena ne t’tan
un prej teje e ti prej mue
âshtit tand si jam krijue.
 
E pse ti don me nihmue
n’bes tande jam tu t’kerkue
dy-tri gjana me t’i dhan’
me m’i rujt kur t’shkosh m’at an.
 
Eja njat mor i bekum
mblidhi bashk t’dyja durt
e maj fort gjithça un t’jap
me marr ti e me çu’ nalt.
 
Qe urdhno fjalt pre gojet
qe urdhno tana ndijoret
merr zemren s’kam ç’e du’
merre menjen s’asht per mu.
 
Baje n’dur a baje n’shpin
shpirtin tim, t’rândin shpirt
se s’gjen shtroj as gjen mbloj’
s’gjen qafim, as gjen mburoj’.
 
Merri kângt tu kendue
merre frymen tu dashnue
merri teshat me mendafsh
merri petkat ‘xjerri jasht.
 
Çka po duhen kto stolina
çka po duhen kto marrina?
Shpirti zemra s’duhen gjâ
qe u lehtova pshtova ma.
 
Prite Zoti se po vjen
se po vjen me t’nihmue
me ec vrap e me jetue
me hedh valle e me knue!
 
Foli gruja manej heshti
nuk lvizi as qerpik
e çdo gjâ zanin reshti
tuj prit Zotin si po ik’.
 
Zoti desht venit me lujt
grus heshtun m’ju avit
as sa grima aj nuk mujt
as me fol, as me lviz.
 
Pse e rând zemra e grus
durve t’Zotit kisht qellue
pse i thell porsi nji pus
shpirti i saj nis uj me lshue.
 
E kshu Zoti meti n’ven
fjal-pa-fol e t’u u perpjek
se kjo pun s’i shkoi n’men
gruja gruen po e hjek.
 
E kshu sŷt tu kryqzue
bashk t’u pâ si â ma e mira
robi i lir, hyu robnue
thirrn fort rrnoft liria!
 
Qajn-qeshen bashk t’dy
kryqe-lidhun n’zinxhir t’liris
t’lir me ik po mbêt aty
n’pesh t’ândrres e t’dâshnis.
.
19 prill 2018
Krijimi i Gruas
Krijimi i Gruas
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.