Bora e bjeshkëve…
nga Bukra Hysenukaj Kastrati
Veç kush asht rrit n’zona malore, e njeh knaqsinë e pakrahasueshme që t’jep bora kur mlo gjithçka. Për t’rritunit që kanë përgjegjësi, asht lodhje e stërmundim, po për fmijt, nuk ka gzim ma t’madh.
Bora asht e bukur, e pastër, e shndetshme. Bora t’përtri. Ndryshe prej tana fenomeneve t’natyrs, bora t’pushton paqt. Ti çohesh n’nadje e sheh veten t’bllokuem për tana anët prej bore, e prap nuk mundesh me e sha a mallkue, veç me e kundrue e me veprue n’varësi t’rolit tand. Bora asht si ato gratë e bukura, me t’cilat dashurohesh deri n’pa arsye, e nuk mundesh mos me e dashtë, çka do t’bajnë n’ty.
Dimnat e fminisë teme, janë kanë tan t’bardhë. Kur bajke ftoftë shumë, bora u ngrijke, aq sa ne fmijt na majke n’sipërfaqe. N’ditë si kto, isha shumë e vyeme për Babën, se vetëm unë, (se vllaznit ishin t’mdhej e motrat e vogla) mundesha me qëndrue mbi borë pa u zhyt e me i shkund degt e pemve prej peshës s’akullit. Me nji shkop t’holl e t’gat, (bojsti i kem pa than), shetitsha ekskluzivisht baçen e babs, tuj ba punën ma t’dobishme n’ato rrethana. Mandej lojnat n’borë; …nuk ka Disneyland që ta jep at knaqsi e adrenalinë. Skitë, rr’shkitja prej naltësive me gjithfarë mjeti t’improvizuem, sa veç Zoti na rujke, krijimi i burrit apo i shpisë prej bore, ishin disa prej lojnave dimnore.
E vetmja “lojë” dimni që s’e kam dasht kurrë, asht kanë nxanja e zogjve t’malit me kurthe (klluca). Kush thotë se bora t’ftof, gabohet rand. Bora asht bekim, e kjo po kuptohet prej pasojave t’dimnave t’butë vitet e fundit.
“Mos ju gzoni dimnit butë, se e lani me verë t’fortë!” – ka pas thanë Baba.