“Bota e Re” – Kthim në botën e re – Aldous Huxley
përshtypje nga Arben Borshi
Romani “Bota e Re” bjen para lexuesit nji panoramë të të ashtuquejtunës “letërsi distopike”, e cila dallohet për aftësinë e parashikimit të tematikave shoqnore të projektueme në nji të ardhme. Por tematika delikate që autori ka prekë në këtë roman dhe që e parashikonte në nji të ardhmen të largët, papritmas rezulton shum ma afër, e për disa aspekte edhe aktuale. Huxley ka ndërtue nji botë imagjinare ku kontrolli i shoqnisë njerzore nuk bazohet ma në dhunën e ushtrueme ashtu si te romani tjetër distopik i George Orwell, “1984”, (të cilën e përjetueme fatkeqsisht, brezi i prindve tonë edhe na!), por në nji sistem modern ku manipulimi i lumturisë dhe kënaqsive e dëshirave njerzore, kryhet me anë të teknologjisë së avancueme.
Shoqnia njerzore që romani na paraqet, karakterizohet prej konsumizmit dhe industrializimit ekstrem, ku arrin të futet edhe riprodhimi njerzor në formë industriale të përkryeme. Qendra londineze e Inkubacionit, me të cilën hapet romani në faqet e para, ku Drejtori i shpjegon studentave fazat e zhvillimit të embrioneve njerzore si dhe ndamjes të tyne në bazë shtresash, ku dallimin e ban kapaciteti i intelektit i kushtzuem artificialisht në fillim, me injektimin e substancave biokimike nëpër epruvetat e secilës kategori që stimulojnë ku ma shum e ku ma pak qelizat cerebrale, dhe tuj vazhdu me trajtimin hypnopedik të fmijve, ashtu si Pavllovi kushtëzonte në eksperimentet e tij qentë.
Emërtimi i këtyne pesë shtresave me gërmat e alfabetit grek, jep edhe hierarkine e intelektit të shtresave njerzore: alfa, beta, gama, delta dhe ypsilon, ku alfa ishin persona me inteligjencë superiore ndaj tjerave, të ndjekun prej betave e me radhë.
Tuj u bazu në progresin teknologjik dhe potencialin e tij, arrin me parashiku atë që ndodhi me delen “Dolly” dhe klonimin e saj nëpërmjet manipulimit biologjik të DNA-së, në vetëm 65 vite ma vonë. Porse Huxley kishte gabue llogaritjen e kohës, tij e parashiku rreth 600 vite ma vonë, në epokën e Fordit. Romani, në fakt doli në shtyp në vitin 1932, ndërsa delja e klonueme Dolly, u realizu në vitin 1997.
Me anë të ktij manipulimi teknologjik dhe kushtëzimi psiqik, “stafi drejtues” i Huxley-t, arrin të garantojë atë që andrron çdo diktator apo autokrat, pra stabilitetin e rendit shoqnor. Në mnyre të veçante, autori thekson standardizimin në Kasta të turmës, individi i të cilës gjen knaqësi në vendin e caktuem shoqnor ku ndodhet, dhe për ta arritë fazën përfundimtare të lumtunisë, përdor substancën haluçinogjene që e quen “soma”, nji substancë që krijon eufori te individi dhe që njikohsisht nuk ka efekte kolaterale. Ky asht edhe momenti kyç ku autori nëpërmjet ksaj metafore të fortë, na tregon se si asgjesohen ato shqetësime natyrale të qenijes njerzore që mund të dalin papritmas pengesë për manipulimin mendor nga ana e establishmentit drejtues. Përdorimi i somes krijon nji lumtuni artificiale te individi, tuj iu kundërvu me forcë mundësisë me provu ndjenjat normale njerzore deri te ata ma të dhimbshëm, siç asht momenti i vdekjes. (Momenti kur e ama e Xhonit asht në shtrat të vdekjes dhe përreth saj vijnë fëmijë që këndonin dhe vallëzonin të gzuem!!!)
Përdorimi i shkarkesave elektrike ndaj fmijve të mitur, sa herë që i afroheshin nji luleje të bukur për ta përkëdhelë, apo hapnin faqet e nji reviste me figura me ngjyra, e përsëritun në pafundësi, krijonte nji reagim të kushtzuem urrejtjeje kundrejt këtyne objekteve. Hipnopedia apo bombardimi me valë zanore me volum shum të ulët, në momentin e para zgjimit nga gjumi i natës, atëherë kur adoleshenti ishte gjysëm i zgjuem, me fraza dhe fjali të caktueme dhe të përsrituna me qindra e mijra herë, me javë të tana, krijojshin në subkishiencën e tyne pikërisht përgjigjet shabllon të programueme prej “stafit drejtues”!
Kuadri plotësohet kur mbas orarit të punës, orientimi i turmës drejt dëfrimit, zente komplet kohën në dispozicion. Lojnat si tenisi apo të tjera, të shoqnueme me kinema erë-shpërndarës, ku gjatë çfaqjes të filmit pa temë domethanëse, shpërndahej nji erë e kandshme por me efekt haluçinogjen, pengojshin përfundimisht mundësinë e përdorimit të arsyes njerzore dhe hapsinën e përdorimit të ndërgjegjes dhe të mendimit kritik, tashmâ të atrofizuem.
Kah ana tjetër, përdorimi i seksit të shfrenuem, të pashoqnuem me ndjenja njerzore, krijon nji shoqni pa rregulla morale, ku çdo mardhanije njerzore kthehet në formën e botës shtazore, e drejtueme vetëm prej instinkteve të shfrenueme.
Personazhi i Xhonit, “të egrit” siç e quen autori në roman për faktin se personifikon njeriun me ndjenja njerzore tradicionale, të ardhun prej zonës të rrethueme ku jetojshin njerzit e “egjër” e që ende vazhdojshin jetën e dikurshme me ndjenjat njerzore) asht kontrasti që autori pasqyron, me shoqninë distopike të ndërtueme prej “stafit drejtues” në shërbim të stabilitetit social, të “qetësisë sociale” ku kto ndjenja janë të vjetra të kalueme dhe të damshme për sistemin e ndërtuem mbi mardhanije sipërfaqësore.
Ky libër, që paraqet nji narrativë të distancueme prej ndjenjave njerzore, të ftofta, si rezultat i përdorimit të teknologjisë të avancueme në mnyre djallëzore dhe qëllimkeqe, asht lajmrimi që autori na ban, në qoftë se arrihet në atë pikë ku të lejojmë që të manipulohena psikologjikisht me mënyra djallëzore. Sepse njerzit, qysh në agun e tyne, janë në kërkim të lumtunisë. Prandaj arritja e ktij objektivi, shfrytëzohet mjeshtërisht prej autokratit të radhës, kur ky i fundit udhëhiqet prej perversitetit.
Ka shum për të diskutu, sidomos në shoqninë shqiptare që me sa shifet asht mjaft e avancueme në këtë “Botën e Re”. Mungesa e pyetjeve themelore mbi kuptimin e lumtunisë njerzore, të lirisë individuale dhe progresit teknologjik, të zhvillimit intelektual të shoqnisë si dhe të ndërgjegjësimit kolektiv për të kaluemen, por edhe për aspiratat që ushqejnë për të ardhmen, në prani të fenomeneve të tallavasë marramendëse, të shoqnueme me përdorimin në stil të gjanë te kokainës dhe derivateve haluçinogjene, që në mnyre indirekte dhe të padukshme injektohen prej “drejtorëve”, janë nji hap domethanës në krijimin e “stabilitetit social”, pikërisht atë që me mjeshtri paralajmron Aldous Huxley!!!
Por leximi dhe diskutimi i këtyne temave, në shoqninë shqiptare aktuale, nuk asht në “rendin e ditës të punimeve” të “drejtorit”. Edhe pse do t’i prishte planet e ndërtueme me aq përkushtim.
Pjesen e dytë të romanit, Huxley e shkrujti në vitin 1958, pra 26 vite mbrapa, ku gjatë ksaj periudhe përjetoi krizën ekonomike botnore që shkaktoi Luftën e Dytë Botnore, lindjen dhe hypjen në fuqi të nazizmit ashtu si lindjen dhe hypjen në fuqi të diktaturave komuniste. Në këtë pjesë, Huxley ban nji analizë kapilare filozofiko-sociale të shkaqeve dhe kushteve që favorizuen hypjen në fuqi të këtyne regjimeve, mënyrën që përdoren për manipulimin mediatik të turmave si dhe pasojat sociale që derivuen prej aplikimit të këtyne ideologjive kriminale.
Mendoj se ia vlen të lexohet dhe të diskutohet gjanë ky libër, sidomos kur regjimi orienton drejt leximit të: “Vrima” apo “E lirë”!!!