Bota e zajeve… si refleksion në pikturën e Pashk Përvathit
Bisedoi Jozef Radi 26 janar 2014
Si janë futur zajet në botën tuaj piktorike dhe kur ka ndodhur kjo…?
Ishim në Himarë në praktikë… Isha student i vitit të katër dhe mbaj mend, ishte viti 1990. Bënim plazh në bregdet dhe unë ashtu ulun fillova të bëja nji mozaik me guralecë të vegjël, ashtu si janë guralecat e bregut me ngjyra të ndryshme… Mbasi bëra diçka aty, mendova… “Po pse nuk bëj nji breg, ashtu si ky mozaik guralecësh… dhe kështu lindi ideja e kësaj fryme në pikturën time. Kur iu futa punës, kuptova se kjo lloj pikture s’mund të bahej ashtu siç i kisha bërë peisazhet e maparshme… Ky lloj kuadri s’mund të realizohej ndryshe, veçse duke i kushtue secilit gur nji vëmendje të veçantë… pra më duhej me e ledhatue secilin gur, me i dhanë secilit at ngjyrën e vet, jo si në kuadrot e dikurshme ku mund ta hidhja penelin ashtu lirshëm… Kjo punë më diktoi nji mënyre të re konceptimi që s’e kisha pasë asnji herë më parë… Kështu për secilin gur është gatuar ngjyra e tij e veçantë, pastaj tjetri e tjetri e kështu me rradhë… Pra, jo thjesht derdhje në mënyrë impresioniste. Ky kuadër u prezantue në ekspozitën e Pranverës, dhe si të thuash, ai qe kulmi në ekspozitën e Rinisë, për gjininë e peisazhit në Galerinë e vitin 1990, që ishte për piktorë e rinj deri në 35 vjeç.
U fol shumë për këtë kuadër, mbasi u tha se do ta blente nji austriake, por që më pas dështoi tratativa me galerinë… Fati që dështoi, bani që kjo punë të jetë edhe sot në studion time… Mjaft kohë ma vonë, mendova ta kultivoj kët ide dhe kët frymë pikture…
Prej 1997 e deri në 2007 nuk e gjeta ma veten… Kur mbetëm të mbyllun mbrenda, në kohën e rrëmujës së madhe dhe armëve, mendova t’i shkoja ma në thellsi këtij motivi me ide të reja, duke realizue kështu nji cikël me rreth 15 tabllo më kët frymë… tabllo të cilat janë të gjitha nji metër me nji metër, të gjitha me motivin e gurëve zaje, e që zanafillën e patën në vitet ’90… Kjo frymë shterri në vitin 2007, kur Kryetari i Bashkisë së Korçës na ftoi si bashkësi piktorësh të dalim të pikturojmë në natyrë… Te ky peisazhi këtu, kur e mbarova thashë: Oh, çfarë paskam humbë gjithë këtë kohë duke mbetur brenda dhe skllav i gurëve dhe mureve… Prej asaj dite krejt peisazhet i kam punuar vetëm në natyrë. Pra, jam rikthye edhe njiherë te natyra, te ajo që e kisha humbë prej vitesh… domethanë unë isha i tejngopun me këto motive gurësh dhe po e kuptoja thjesht, që s’kam ku dal ma, s’kam se çfarë të jap ma te ky lloj trajtimi dekorativ i artit që s’e kishte ba kush tjetër ma parë… dhe jo si në fillimet e mia, ku lehtësisht e coptoja fushën duke hedhë penela gjithandej… E megjithatë, mund të them, se kjo eksperiencë ma ka ndihmuar shumë për motivet e sotme që bëj në natyrë…
Pra, mbas kësaj ideje ti kalove nga nji ekstrem në ekstremin tjetër, nga ai punimi i imët dhe tejet i saktë i vogëlsisë së guralecave te hapsira e paanë. A mund të thuhet se bota e zajeve është nji pjesë shumë e rëndsishme e krijimtarisë suaj… ose a ndjehesh i personifikuar te bota e zajeve, ose siç shprehesh edhe vetë “…çdo zall është punuar me kujdes, me nji bojë të vetën, specifike…”, pra kjo gjë mendoj se ka kultivuar tek ti ndjenjën e kërkimit dhe kambënguljes.
Kjo në fakt u kthye te unë në nji lloj tendence… E pata fillue me ndërgjegje athere se ndjeva se të gjithë njerzit po ndryshonin. Unë nuk isha me ndryshimin për hir të ndryshimit, por ndryshimin te vetja e gjeta te ndalesa në objekte figurative reale, dhe aty abstragova me ngjyrat… Ky është në të vërtetë edhe ndryshimi i pikturës sime nga ’97 deri në 2007. Pra ky ndryshim në punën time është parë si rri ky gur me kët tjetrin, kjo ngjyrë me kët tjetrën, dhe kështu kam krijuar nji ansambël ngjyrash midis gurit të kuq, me gurin jeshil, me atë të kaltërt, mbasi në natyrë nuk gjen gurë jeshilë, por unë i shihja si të tillë… Këta mbeten përsëri gurë edhe kur i sheh, por unë besoja se kjo lloj pikture e realizuar gjatë kësaj periudhe, ka ndikuar mjaft pozitivisht te piktura që unë bëj sot… sepse secilin detaj s’e marr për ta fiksuar në mënyrë impresioniste siç më ndodhte në peisazhe, pra marr jo veç thelbin e asaj çka shoh por edhe asaj çka ndjej, dhe u bëj nji lloj gërshetim ose pastrim, pra e kam pastruar figurën, i kam pastruar raportet, dhe asht thanë se kjo gjë: “…i ka dhanë nji notë të re pikturës sime…”; pra mund të them se s’kam ngelë skllav i motiveve të maparshme, por i kam trajue pak ma ndryshe ato…
Kam vënë re edhe te pikturat e mëvonshme, bota e zajeve, futet në mënyre spontane gjithkund, ka raste që edhe gjethet, edhe lulet edhe retë, i sheh si ata zajet e dikurshëm… pra duket sikur do dromca të kësaj periudhë bien edhe në krijimet e tua të mavonshme?
Mendoj se po. Kjo asht nji periudhë kur unë kam ba shumë piktura. Vërtet edhe këtu, zajet janë të dukshëm, te ndonji pikturë edhe ka ndodhë kjo, diku ma shumë e diku ma pak… si te zajet nën ujë, te zajet mbi ujë… Kjo si të thuash është tashma nji karakteristikë e imja. Ky peneli i premë ka qenë qysh herët te unë, e kam pasë kët frymë, dhe s’mund të thuhet që kjo periudhë ka qenë nji periudhë e dështueme e imja. Sepse ti mund të thuash: “Ti ishe mjaft mirë këtu… Pse ike, pse e le kët frymë dhe kët mënyrë konceptimi figurativ.?” Unë besoj se kjo gjendje e ezauroj krejt për aq sa qe e nevojshme…!
A mos kishte kjo periudhë e botës së zajeve ndonjë lidhje me izolimin që ndodhi brenda teje…?!
Përpara izolimit una pata kët tendencë në vitin 1995… Dhe kam jo pak po pesë tabllo të bëra me zaje në kët vit… Për fat të keq të pasuksesshme… Njëra prej tyre u fut edhe në ekspozitë, pra kam pasë edhe ma parë kët tendencë dhe kur mbeta mbrenda… athere i rimora motivet e këtyre zajeve të bardhë dhe u përpoqa t’i shoh nën nji kanvështrim ma ndryshe.
A mund të quhet kjo periudhë e artit tuaj, nji periudhë depresive?
Pse jo edhe ashtu mund të quhet… sepse kjo periudhë më orientoi të shkoj drejt kërkimesh të reja dhe më përshtati me rrethanat… Ndoshta ishte diçka e mbetur në skutat e ndërgjegjes sime… pra kjo më dha mundësinë për ta zhvilluar më tej. Ndoshta mund ta kisha braktisë kët ide dhe të mos i isha kthyer kurrë më aty.
Baza e artit tuaj është peisazhi. Fakti që ti u more me gurët… statikën e gurëve… pra që nuk janë peisazh… dëshmon që ti dole nga natyra jote dhe mënyra se si i ndjeve gurët dhe se si e solle botën e gurëve, dëshmon se ti po eksperimentoje me nji botë statike të ngurtë…
E vërtetë, po unë s’i kam parë gurët, thjesht si gurë ne vetvete, unë i kam përcjellë ata si elemente të ndërtimit të nji tablloje, si nji ekuilibër piktorik në harmoni me njëri tjetrin dhe me kadrin në tërësi… Qëllimi im ishte ekuilibri piktorik dhe ekuilibri i ngjyrave… Bile mund të them se mua s’më ka interesuar fare guri… ai veç më ka shërbyer si mjet artistik për të shkuar te qëllimi im. Unë prap kam dashtë me qenë konkret dhe jo abstrakt. Pra forma ishte guri… abstragimin e kam realizuar ma pas me ngjyrat… sepse doja të krijoja nji lloj ansambli… pse, ashtu siç kam përdorë gurët, kam përdorë edhe kuajt, delet, varkat, me nji gamë të pabesueshme ngjyrash të ndryshme. Sepse s’është dhe aq e thjeshtë kjo lloj pikture, mund të them bile se kjo është më e vështira…
Kjo pikturë është jashtzakonisht e vështirë dhe nji kuadër i tillë kërkon kohë, shumë ma tepër kohë dhe mund se nji peisazh. Kjo lloj pikturë është e lodhshme, e vështirë, rraskapitëse… bile mund të them se këto kuadro janë unike, të papërsëritshme, vetvetje… Me thënë të drejtën unë kam provuar mjaft emocione me kët lloj pikture, por mbas 15 punimesh, mendova se e kisha ezauruar kët model o kët frymë… Nji prej këtyre punimeve… nji tabllo nji metër me nji metër, u ekspozua në 2005, sepse ashtu si gurët, edhe kuajt, edhe varkat, edhe kodrinat i kisha bërë shumë… po artisti kërkon të punojë, kërkon të gjejë shtigje të reja… dhe nji shteg të ri, ku unë isha mjaft prodhues, e gjeta vetëm kur dola në natyrë…
Sot, mund të them se mbas kësaj periudhe, duhet të kem kaluar vërtet nji periudhë depresive, sepse s’po kisha motive për të punuar. Kishte ardhë nji çast që s’dija se çfarë të bëja me penelin. 2007-a qe momenti dhe fati, që na thirrën në Korçë, në koloni Niko Peleshi, dhe unë u ndjeva i lirë. Mbas atyre punimeve me zajet, unë s’po dija se çfarë të bëja më, mendoja se tashmë e kisha tejkaluar ciklin e gurëve, për të mos u kthyer më aty.
Cili është raportin që ke me portretin, sepse kam përshtypjen se e konsideroni si dytësor në krejt artin tënd?
Portretin e kam ba thjesht për qejf. Dhe mund të them se portretet ma të mira i janë ato të fillimeve të krijimtarisë dhe disa të vitit që shkoi. Pata zgjedhë nji cigane.. nji modele shumë të mirë, nji vajzë rreth 15 vjeçe që ishte rritë në Tiranë dhe kishte ardhë në Lezhë. I kisha pikturuar gjyshin para 28 vitesh, tash e kishte ajo rradhën. Asaj unë i kam ba 5 portrete. Nji nga ato portrete, ka qenë edhe nji nga punët e mia ma të shtrenjta… e kam shitë 2500 euro, dhe e ka ble nji djalë nga Pogradeci.
Ç’lidhje ka bota e ciganëve me artin tuaj… pse ju tërheq bota e tyre…
Tendenca që unë pata te ngjyrosja e gurve dhe harmonia e ngjyrave… Ciganet, përdorin ngjyra të forta e kontrastuese, dhe çuditërisht shumë të kombinueme… Atyre ju rrin bukur portokallia dhe e verdha indiane me ngjyrën e fytyrës, edhe e kuqja me pamjen e tyre krijon shumë harmoni. Pse e kam bërë kët portret do thuash ti…? Ja kjo është Zyraja… Zyraja po shkonte ne punë… dhe kalon para shtëpisë sime me kët lloj fustani… kjo mbetet ajo lloj pikture që unë kërkoja përherë… Simbas meje ajo e kishte botën e zajeve veshur…
Po portretet e zadrimoreve dhe mirditoreve…?
Ato i kam punuar kryesisht pse jam apasionuar mbas kostumeve kombtare… sepse edhe bota e ciganeve më duket e konsumuar… këto punime janë pa shumë pretendime piktorike, si të thuash janë nji lloj etnografie e asaj zone që unë i përkas, sepse në fund të fundit ato janë edhe veshjet e nënës sime…
Biseda u realizua me 26 janar 2014